Ballina

Etiketë: ferizaj

  • Policia shqipton gjoba ndaj dy shoferëve në Ferizaj, thyen rregullat e trafikut – FOTO

    Policia e Kosovës ka shqiptuar gjoba ndaj dy shoferëve në Ferizaj pasi të njëjtit në dy raste të ndryshme kishin thyer rregullat e trafikut.

    A.V., 74 vjeç është gjobitur nga Policia me 100 euro pasi kishte bërë kthim gjysmërrethi në rrugën ” Ahmet Kaçiku” në Ferizaj.

    Një njoftimin e organeve të rendit thuhet se kjo kundërvajtje ishte xhiruar me telefon nga një qytetar dhe kishte qarkulluar në rrjete sociale.

    Në rastin tjetër Policia i ka shqiptuar gjobë kundërvajtëse prej 150 euro dhe një pikë negative shoferit, L.M 27 vjeç pasi kishte bërë rrëshqitjen e gomave gjatë lëvizjes duke rrezikuar pjesëmarrësit e tjerë në trafik.

    Edhe kjo kundërvajtje ishte xhiruar me telefon nga një qytetar dhe i ishte dërguar Policisë së Kosovës.

    Policia e Kosovës ka inkurajuar qytetarët që të bashkëpunojnë me ta në identifikimin e kundërvajtjeve në komunikacionin rrugor.

  • Kërkesa e prindërve drejtuar partive politike: Mos i përdorni fëmijët tanë për agjenda partiake dhe rrini larg shkollave dhe nxënësve!

    Pas raportimit të KALLXO.com se nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj u ka shkuar një mesazh njoftues për mbajtjen e një mbledhjeje të Lëvizjes Vetëvendosje në këtë qytet, më 09.01.2025, ka reaguar Këshilli i Prindërve të Kosovës.

    Këshilli i Prindërve të Kosovës thotë se kanë pranuar ankesa nga disa këshilla komunalë të prindërve për disa raste të keqpërdorimit të këshillave të nxënësve në disa shkolla.

    “Këshilli i Prindërve të Kosovës reagon dhe shpreh shqetësimin lidhur me keqpërdorim e grupeve të këshillave të nxënësve, të cilat janë të krijuara si trupa të pavarur për të kontribuar për përmirësimin dhe mbrojtjen e të drejtave të nxënësve dhe kushteve të tyre të mësim-nxënies dhe jo për qëllime politiko-partiake” – thuhet në reagimin e Këshillit të Prindërve të Kosovës në Facebook më 10.01.2025.

    Si Këshill i Prindërve të Kosovës e kanë dënuar çdo keqpërdorim të tillë nga çdokush dhe u kanë bërë thirrje këshillave të nxënësve që të përdoren vetëm për qëllimin mbi të cilin janë themeluar, e po ashtu ata kanë një thirrje edhe për partitë politike.

    “KPK, bënë thirrje Këshillave të Prindërve dhe Këshillave të Nxënësve që t’i kryejnë detyrat e tyre konform qëllimit për të cilin janë themeluar dhe ekzistoj dhe mos të bien pre e agjendave partiake. Po ashtu KPK, bënë thirrje të gjitha partive politike që mos t’i përdorin fëmijët tanë për agjenda partiake dhe partitë të rrinë larg shkollave dhe nxënësve!” – ka theksuar Këshilli i Prindërve.

    Po ashtu, Këshilli i Prindërve të Kosovës u ka kërkuar edhe këshillave komunalë të prindërve në Kosovë që të jenë vigjilentë gjatë kohës së fushatës zgjedhore, duke ruajtur pavarësinë dhe paanshmërinë e tyre dhe të denoncojnë te ta çdo rast potencial të përdorimit të nxënësve për qëllime elektorale.

    Fushata elektorale pritet të fillojë të shtunën, më 11.01.2025.

    Në anën tjetër, mesazhi që iu dërgua nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” në Ferizaj, ka bërë bujë të madhe në gjithë qytetin.

    Pretendohej se mesazhi u dërgua nga kryetarja e Këshillit të Nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit”, e cila është nxënëse.

    “Nesër me datë 09.01.2025 do të ketë një mbledhje në kafen X prej orës 18:30. është një lloj organizimi nga Lëvizja Vetëvendosje, ku do të jetë prezent edhe kryeministri i Kosovës. Do të ketë muzike dhe pije. Mundësisht dërgojeni këtë mesazh nëpër klasët e juaja dhe m’i dërgoni sot emrat e nxënësave të cilët do të jenë pjesëmarrës” – thuhet në mesazhin që pretendohet se u është dërguar nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit”.

    Zëvendësdrejtori i Gjimnazit, Adnan Hashani, ka thënë për KALLXO.com se kanë mbajtur një mbledhje me Këshillin e Nxënësve, në të cilin është deklaruar kryetarja e këtij Këshilli në lidhje me dërgimin e mesazhit.

    Drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani, tha se është informuar në mbrëmje të datës 08.01.2025 se nga kryetarja e Këshillit të Nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” u është dërguar mesazhi nxënësve.

    Mëngjesin e të enjtes, më 09.01.2025, Llabjani tha se e ka takuar drejtorin e Gjimnazit  “Kuvendi i Arbërit”, Bajram Rexhepi. Nga ky takim, Rexhepi ka thënë se ishte informuar për këtë rast.

    “Kërkova nga drejtori [i Gjimnazit] që t’i thirrin kryetarët e këshillave të klasëve, secilës klasë, edhe kryetaren e Këshillit të Nxënësve, ta bisedojnë këtë çështje, pastaj duhet m’i shiqu edhe pjesët e tjera, aspektet e tjera ligjore, udhëzimet administrative se çka mund të bëjmë ne në këtë drejtim” – ka treguar Llabjani përmes telefonit për KALLXO.com.

    Sipas Llabjanit, nxënësit nëse janë në proces mësimor gjatë kohës që mbahet mbledhja e LVV-së, nuk kanë të drejtë të marrin pjesë në atë mbledhje.

    “Unë po besoj që nxënësit nuk marrin pjesë edhe nuk duhet të marrin pjesë në këto aktivitete, sepse ata janë, e para janë të mitur që nuk i takojnë moshës madhore për të votuar, e dyta – mund të jenë të manipuluar” – ka theksuar Llabjani.

    Zëvendësdrejtori Hashani ka treguar se çka kanë biseduar në mbledhjen që ka mbajtur Këshilli i Nxënësve të Gjimnazit.

    Sipas Hashanit, nxënësja është mashtruar prej Këshillit të Nxënësve në nivel komunal.

    Hashani tha se nxënëses i është kërkuar nga kryetari i Këshillit të Nxënësve të Ferizajt që ta shpërndajë mesazhin te nxënësit, i cili sipas tij edhe është shpërndarë te të gjithë nxënësit e Gjimnazit.

    “Kryetarja e ka sqaru se si ka rrjedhë çështja. U kanë kërkesë, kjo ka ra pre e mashtrimit me thanë edhe e ka shpërnda mesazhin. Nxënësit e mirëkuptuan edhe nuk pat naj kërkesë për naj masë diçka” – tha Hashani.

    “Ata kanë kërku ose ai ka kërku me shpërnda mesazhin tek kryetarët e klasëve, nëse dëshirojnë me shku në takim me kryeministrin… Ajo e pranoi që ka gabu, s’e ka mendu që është çështje politike edhe e ka shpërnda” – ka shtuar Hashani.

    Hashani tha se nxënësja vazhdon të jetë kryetare e Këshillit të Nxënësve të Gjimnazit, pasi nuk kishte kërkesë për ta shkarkuar nga kjo pozitë.

    Hashani pretendon se mesazhi që u është dërguar nxënësve të Gjimnazit “Kuvendi i Arbërit” është shpërndarë edhe në shkollat e tjera të Ferizajt.

    KALLXO.com ka kontaktuar me kryetarin e Këshillit të Nxënësve të Ferizajt. Ai është nxënës i Shkollës Ekonomike “Faik Konica” në Ferizaj dhe ka thënë se e ka parë në internet lajmin që Lëvizja Vetëvendosje do të jetë në Ferizaj më 09.01.2025.

    Ai tha se e ka dërguar mesazhin në mënyrë shoqërore në një grup në Viber në të cilin janë të gjithë kryetarët e këshillave të nxënësve të shkollave në Ferizaj.

    “Ia kam çu mesazhin, ata nuk e kanë kuptu, kanë shku te drejtorat, t’u mendu që jam t’u dashtë m’iu thanë – shkoni patjetër… Tani drejtorat më kanë kontaktu krejt mua përveç drejtorit të Arsimit, ama unë u kam tregu edhe drejtorave tjerë edhe drejtorit të shkollës tem që ai nuk u kanë tendencë, se na jena institucion, na s’kena drejt m’u përzi me parti politike hiç” – ka treguar nxënësi.

    Drejtori i Shkollës Ekonomike “Faik Konica” dhe Këshilli i Nxënësve të kësaj shkolle e kanë mbajtur një takim me kryetarin e Këshillit të Nxënësve në nivel komunal. Nxënësi tha se pritet që të merret ndonjë masë ndaj tij nga ana e Këshillit të shkollës.

    Ai e ka mohuar se do të shkojë në mbledhjen e Lëvizjes Vetëvendosje të enjten, më 09.01.2025.

    KALLXO.com ka kontaktuar edhe me Ditjon Fetahun, drejtor ekzekutiv i organizatës “Kosovo Youth Council (KYC)”.

    Në baza vullnetare KYC ndihmon në zgjedhjen e kryetarit të Këshillit të Nxënësve në nivel komunal.

    Fetahu përmes telefonit ka thënë se kanë dëgjuar për këtë rast dhe janë duke u frikësuar se nuk është vetëm në Ferizaj.

  • Punime në rrjet, KEDS tregon se ku do të ketë ndërprerje të rrymës të shtunën

    Kompania për Distribuimin e Energjisë Elektrike në Kosovë (KEDS) njofton se më 11.01.2025 do të kryhen punime të domosdoshme për siguri të sistemit energjetik.

    Si rezultat i kësaj, në disa lokalitete do të ketë ndërprerje të rrymës.

    Ky është orari sipas rajoneve:

    Prishtinë

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga TS 220/10kV Drenasi do të ndërprehet:

    LP 10kV J03 Baicë (kodi: 16100008) nga ora 10:00 deri 10:30 dhe nga ora 14:30 deri 15:00

    Vendet: Baincë, Abri, Tërdevc dhe Damanek.

    Arsyeja: Krijimi i kushteve të punës pa tension, largimi i urave të tensionit të mesëm.

    2.

    Nga TS 220/10kV Drenasi do të ndërprehen:

    1.TS 10/0.4 kV Damanek trafa e vjetër (kodi: 16100004026) nga ora 10:00 deri 15:00

    2.TS 10/0.4 kV Damanek te Behrollët (kodi: 16100004028) nga ora 10:00 deri 15:00

    Vendet: Damanek – trafoja e vjetër, Damanek Behrollët.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri-  ndërrimi i një shtylle 12/1000 të aksidentuar në Damanek.

    3.

    Nga TS 110/10 kV Prishtina 7 do të ndërprehet:

    Dalja 20 kV J34 Llapnasellë (kodi: 19000086) nga ora 09:00 deri 12:00

    Vendet: Llapnasellë, një pjesë e Çagllavicës dhe një pjesë e Graçanicës.

    Arsyeja: Ndërprerje për siguri, ndërrimi i shkarkuesve në largpërçues.

    Prizren

    Punime në projekte investive

    1.

    TS 110/35/10 kV Theranda

    Nga TS 10/04[kV] Isuf Bexhet Hajdaraj-B. I ne kthinën dalese do te nderprehet:

    TS 10/0.4 kV Laxhja Kelmendi-Kuqi (kodi:32000005017) nga ora 09:00 deri 13:00

    Vendet: lagjja Kelmendi-Kuqi.

    Arsyeja: Ngritja e shtyllës së re nën tension.

    * * *

    Punime nga pala e tretë

    1.

    Nga TS 110/10kV Prizreni 3 do të ndërprehet:

    Dalja 10kV J10 Korisha (kodi: 31000010) nga ora 10:00 deri 14:00

    Vendet: Lubizhda I, Lubizhda II, Lubizhda III, Gani Zekaj, Lagjja Ahmetaj, Kamila, Bosch, Eda dhe Grupi i Bizneseve.

    Arsyeja: Për realizimin e punimeve, sipas pëlqimit elektro-energjetik dhe projektit të aprovuar.

    Ferizaj

    Punime të domosdoshme për siguri të sistemit

    1.

    Nga TS 35/10 KV Shtime do të ndërprehet:

    Dalja 10kV J03 Shtime (kodi: 41046003) nga ora 10:00 deri 12:00

    Vendet: Shtimja, Lagjja e Pajtimit dhe Godanci i Ulët.

    Arsyeja: Ndërprerje për shkaqe sigurie, hapja e vrimës ngritja e shtyllës 12/315 dhe bartja e rrjetit-tensionit të mesëm sipas projektit- shkarkimi i daljeve 0.4kV-TS Jetë Hasani-Shtime.

    Gjilan

    Punime nga pala e tretë

    1.

    TS 35/10 kV Gjilani II do të ndërprehet:

    Dalja 10 kV J13 Morava e Binçës (kodi: 60061013) nga ora 10:00 deri 14:00

    Vendet: Stanishor, Kosmata, Strazha, Riza Beton, Baza e Asfaltit, Fitorja SH.P. K, Gurëthyesit në Strazhë dhe Luli Comerc.

    Arsyeja: Punime sipas pëlqimit elektro-enegjetik dhe projektit të aprovuar, vendosja e shtyllës së re te betonit dhe bartja e përçuesve në shtyllë.

  • Ferizaj, arrestohet një i dyshuar, Policia i gjeti kokainë, armë dhe mbi 19 mijë euro

    Policia në Ferizaj ka arrestuar të dyshuarin Q.T., ndaj të cilit ka iniciuar rast për përfshirje në veprat penale – shitblerje e narkotikëve dhe – armëmbajtje pa leje. 

    Policia njofton se me aktvendim të prokurorit, Q.T. është dërguar në mbajtje për 48 orë.

    Policët në koordinim me Prokurorinë e Ferizajt më 10.01.2025, në orët e pasditës kanë kryer kontrolle në një shtëpi dhe objekte përcjellëse.

    Sipas njoftimit të Policisë, të dyshuarit i kanë gjetur substancë që dyshohet se jetë narkotike e llojit kokainë me peshë rreth 842.9 gr.

    “Kjo substancë është gjetur në shtëpi dhe një pjesë e groposur në kopsht. Po ashtu, janë gjetur dhe sekuestruar dy armë të shkurta (njëra me leje), katërdhjetë fishekë, një peshore digjitale, 19,288 euro, disa kartela bankare dhe dëshmi tjera që do të përdoren në procedura të mëtejme ligjore” – thuhet në njoftimin e Policisë më 10.01.2025.

    Më tej, Policia thotë se operacioni policor është realizuar nga Drejtoria për Hetimin e Trafikimit me Narkotik përkrahur nga zyrtarë policorë të Stacioni Policor-Ferizaj.

    Foto: Policia e Kosovës
    Foto: Policia e Kosovës
  • Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar brenda 24 orëve

    Gjashtë raste të dhunës në familje janë raportuar gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë. Këto raste janë regjistruar nga Policia e Kosovës në Prishtinë, Fushë Kosovë, Gjilan, Pejë dhe Malishevë.

    Më 09.01.2025, një burrë është arrestuar në Prishtinë, pasi dyshohet se ka ushtruar dhunë fizike e psiqike dhe ka kanosur një grua. Sipas Policisë, i dyshuari me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje. 

    Në të njëjtën ditë, është raportuar një rast tjetër i dhunës në familje në Fushë Kosovë. Sipas Raportit të Policisë së Kosovës, një burrë dyshohet se vazhdimisht kishte shqetësuar një grua. 

    “Lidhur me rastin i dyshuari është shoqëruar në Stacionin Policor dhe pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, rasti procedohet në procedurë të rregullt.” – thuhet në Raportin Policor, më 10.01.2025. 

    Ndërkaq në Podujevë raportohet se një burrë ka ushtruar dhunë psiqike ndaj një gruaje, më 09.01.2025. Organet e rendit kanë treguar se viktima është kthyer në shtëpinë e familjarëve të saj, derisa i dyshuari është ende në arrati. 

    Në një qytet tjetër të Kosovës, në Gjilan një grua ka pranuar tretman mjekësor pasi një burrë dyshohet se e sulmoi atë fizikisht. Policia tregon se i dyshuari, me vendim të Prokurorit, është dërguar në mbajtje. Rasti i inicuar si ‘lëndim i lehtë trupor’  dhe ‘dhunë në familje’ ka ndodhur më 07.01.2025.

    Në Pejë është regjistruar një rast kur një grua ka ushtruar dhunë ndaj një gruaje tjetër. Në këtë rast Policia e Kosovës njofton se viktima ka pranuar tretman mjekësor. Sipas Policisë, e dyshuara është në arrati. 

    Policia njofton edhe për një rast tjetër të dhunës në familje në Malishevë.  Raportohet se pas një përleshjeje mes dy burrave, njëri prej tyre ka pësuar lëndime trupore. 

    “Ndërsa i dyshuari mashkull kosovar pas rastit ishte larguar nga shtëpia dhe nuk është hasur nga Policia.” – njofton Polica e Kosovës në Raportin e datës 10.01.2025.