Ballina

Etiketë: ferizaj

  • Thyen xhamat e makinës pas një konflikti – Policia arreston dy pesona në Ferizaj

    Policia në Ferizaj ka arrestuar dy persona: F. Xh. (51 vjeç) dhe Sh. L. (29 vjeç), nën dyshimin se më 20.01.2025, pas përfshirjes në një koflikt me disa persona, me shkopinj druri dëmtuan xhamat e një automjeti dhe më pas ishin larguar.

    Policia përmes një komunikate bëri të ditur se njëri i dyshuar që u arrestua më 20 janar pranoi se posedonte armë zjarri.

    “Pas mbërritjes në vendngjarje, Policia ka identifikuar fillimisht personin F.Xh. (M/K), 51 vjeç, i cili është shoqëruar në Stacionin Policor. Gjatë intervistimit, ai ka pranuar se posedonte një armë zjarri, e cila është sekuestruar nga Policia. Me vendim të Prokurorit të Shtetit, F.Xh. është ndaluar për 48 orë, ndërsa hetimet kanë vazhduar për identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.” – bën të ditur Policia.

    Derisa, më 22 janar është arrestuar edhe i dyshuari i dytë Sh. L., tek i cili po ashtu është sekuestruar një armë zjarri.

    “Pas një pune intensive hetimore dhe mbledhjes së informacioneve në terren, më 22.01.2025, Policia ka arritur të identifikojë dhe të arrestojë një tjetër të dyshuar, Sh.L. (M/K), 29 vjeç. Ai është shoqëruar në Stacionin Policor në Ferizaj dhe pas intervistimit nga hetuesit, me vendim të Prokurorit të rastit, është ndaluar për 48 orë. Gjatë kontrollit, Policia ka sekuestruar një armë zjarri (pistoletë).” – thuhet me tej nga Policia.

    Derisa, hetimet po vazhdojnë për identifikimin dhe kapjen e personave të tjerë të dyshuar, të përfshirë në këtë rast.

    Rasti po trajtohet, si: “kanosje, asgjësim apo dëmtim i pasurisë dhe mbajtje të paautorizuar të armëve”.

  • Policia kërkon ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi që dyshohet se mashtroi një shitëse në Ferizaj

    Policia e Kosovës ka kërkuar ndihmën e qytetarëve për identifikimin e një personi, i cili po dyshohet se, më 09.03.2024, në Ferizaj ka kryer veprën penale: “mashtrimi”.

    Sipas njoftimit personi dyshohet se ka mashtruar shitësen, me një shumë të caktuar të parave.

    “Drejtoria Rajonale e Policisë në Ferizaj, në bazë të autorizimit nga Prokuroria Themelore në Ferizaj për publikimin e fotografive të personave në kërkim, lëshon kërkesë për bashkëpunim me qytetarët me qëllim identifikimin, vendndodhjen dhe kapjen e personit të dyshuar, mashkull, i cili dyshohet se më 09.03.2024 në rrugën ‘Ahmet Kaçiku’, në Ferizaj ka kryer veprën penale: ‘mashtrimi’, ku në një lokal ka mashtruar shitësen me një shumë të caktuar të parave.” – thuhet në njoftim.

    Policia ka kërkuar që kushdo nga qytetarët që ka ndonjë informacion rreth identitetit të të dyshuarit të lajmërojë Stacionin më të afërt të Policisë, apo përmes aplikacionit digjital “Lajmëro Policinë” dhe në numrat kujdestarë: 192 ,0290/326-250 & 0290/322-406.

    Foto: Policia e Kosovës

     

     

     

  • Raportoi se është kanosur – Policia arreston viktimën pasi i gjeti armë zjarri 

    Një burrë është kanosur me armë nga një i panjohur, derisa tre persona të tjerë i kanë dëmtuar veturën me mjete të forta – raporton Policia. 

    Rasti raportohet të ketë ndodhur në Ferizaj, të hënën pak para mesnate, më 20.01.2025. 

    Ndërkaq, për këtë rast, Policia thotë se viktima ka pranuar se posedon një armë zjarri, me ç’rast i është konfiskuar bashkë me një fishekë.

    “Me vendim të Prokurorit, i njëjti arrestohet si i dyshuar dhe dërgohet në mbajtje për armëmbajtje pa leje.” – njofton Policia.

  • Shtyhet edhe për dy ditë fillimi i gjysmëvjetorit të dytë për nxënësit e dy shkollave të mesme në Ferizaj

    Nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe të Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj nuk e kanë filluar as të hënën, më 20.01.2025, gjysmëvjetorin e dytë.

    Një javë më parë drejtori i Arsimit të Komunës së Ferizajt, Afrim Llabjani, kishte thënë për KALLXO.com se po përpiqen që nxënësit e dy shkollave të mesme ta fillojnë gjysmëvjetorin e dytë më 20.01.2025.

    Nxënësit e të dy shkollave të mesme që mësonin në objektin e ish-Shkollës Fillore “Gjon Serreçi” nuk e kanë filluar gjysmëvjetorin e dytë për shkak të disa problemeve që u kanë dalë me objektin e ri, i cili është ndërtuar te Salla e Sporteve “Bill Clinton”.

    Në momentin kur është kontaktuar nga KALLXO.com, Llabjani tha se ndodhej në objektin e ri që është ndërtuar për dy shkollat e mesme.

    Sipas Llabjanit, fillimi i gjysmëvjetorit të dytë është shtyrë edhe për dy ditë, për shkak të mosngrohjes së plotë të ambientit të objektit të ri. Rrjedhimisht, gjysmëvjetori i dytë pritet të fillojë më 22.01.2025.

    Në mesin e problemeve që kishte përmendur Llabjani se pse nuk ka filluar gjysmëvjetori i dytë ishte edhe furnizimi me banka shkollore dhe karrige të objektit të ri, të ndërtuar për të dy shkollat e mesme, që është pritur të bëhet nga Ministria e Arsimit.

    Llabjani kishte thënë më 13.01.2025 se para tre-katër javësh objekti i ri i të dy shkollave të mesme është furnizuar vetëm me banka shkollore nga Ministria e Arsimit, kurse vetë Ministria ka thënë se e kanë furnizuar objektin me banka në muajin tetor 2024.

    Pas dy ditësh, Ministria e Arsimit tha se deri në fund të muajit janar objekti i ri i Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj do të furnizohet me karrige.

    Por, Llabjani thotë se ende nuk u kanë ardhur karriget në objektin e ri.

    “Jena t’u fillu me karrige të vjetra, me të thanë të drejtën. Ato që i kena përdorë atje (tek objekti i ish-Shkollës Fillore “Gjon Serreçi) i kena pru këtu… Javën e kalume e kemi pasë ministren (Arbërie Nagavci) këtu (në Ferizaj) edhe kena bisedu, ata kanë thënë që shumë shpejt (do bëhet furnizimi me karrige), po datë s’kanë caktu” – tha Llabjani më 20.01.2025.

    Kryetari i Këshillit të Prindërve të Gjimnazit “Shaban Hashani”, Besim Jashari, ka thënë se mësimi nuk ka filluar për shkak se janë kthyer disa karrige që nuk kanë qenë të cilësisë së mirë e që i janë kushtuar objektit të ri të ndërtuar për Gjimnazin.

    “Kanë ardhë karriget me jokualitet edhe janë kthy karriget, për atë arsye kanë mbetë pa karrige, edhe nuk është fillu mësimi” – kishte thënë Jashari më 13.01.2025.

    Për objektin e ish-Shkollës “Gjon Serreçi”, Jashari ka thënë se nuk ka objekt më të papërshtatshëm për të qëndruar në të e lëre më të zhvillohet mësim aty.

    Sipas Jasharit, nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” një orë mësimi e kanë zhvilluar 30 minuta në objektin e vjetër të ish-Shkollës “Gjon Serreçi” për shkak të kushteve të saj.

    Kurse drejtoresha e Gjimnazit “Shaban Hashani”, Hajrije Nebihu, kishte thënë se nuk e kanë nisur gjysmëvjetorin e dytë pasi nuk janë kryer disa detaje të vogla tek objekti i ri i ndërtuar.

    “Do izolime të vogla rreth dritareve që ka ftoftë, këto na kanë pengu, edhe bash sot kemi me pastru. Karrige e banka i kemi mbushë klasat” – ka thënë Nebihu.

    Drejtoresha Nebihu ka treguar se objekti i ri i Gjimnazit “Shaban Hashani” ka filluar të ndërtohet rreth katër vjet e gjysmë më parë.

    KALLXO.com e kishte vizituar Gjimnazin “Shaban Hashani” në tetor të vitit 2023. Në atë kohë, muret në pamjen e jashtme të Shkollës ishin të dëmtuara, dritaret në klasa e tualetet në gjendje jo të mirë. 

  • Telashe me mbledhjen e mbeturinave në Ferizaj – ‘Pastërtia’ arsyetohet me defekte dhe ngrica

    Disa ankesa nga qytetarë të Ferizajit kanë ardhur në adresën e KALLXO.com, se mbeturinat nuk po mblidhen para dyerve të shtëpive të tyre, gjatë javës që shkoi (13.01.2025 – 17.01.2025).

    Probleme me mbledhjen e mbeturinave janë shfaqur më së shumti në rrugën ‘Reçaku’, ‘Rifat Berisha’, ‘Ejup Statovci’ dhe disa fshatra.

    Nga Kompania Rajonale e Mbeturinave ‘Pastërtia’, përmes një përgjigjeje me shkrim thonë se janë disa arsye pse ka pasur ngecje në mbledhjen e mbeturinave, por si arsye kryesore janë defektet në makineri.

    “Duke filluar nga defektet në makineri, me të cilat jemi ballafaquar edhe për shkak të temperaturave të ulëta, vonesat nga operatori në riparimin e makinerisë deri në sigurimin e pjesëve, ngricat në disa fshatra dhe largësia e transportit të mbeturinave deri në deponitë në Mirash dhe Velekincë – gjë që shkakton vonesa shtesë në krahasim me transportin në kushte të mira rrugore.” – thuhet në mes të tjerash në përgjigjen e KRM ‘Pastërtia’.

    Tutje, nga kjo Kompani thonë se grumbullojnë rreth 80-100 tonelata mbeturina në ditë.

    “Më lejoni t’ju informoj gjithashtu se për rrugët që u përmendën dhe te të cilat kemi pasur ngecje, tashmë shërbimet janë kryer gjatë fundjavës me ekipe shtesë – duke bërë që terreni të stabilizohet dhe t’i afrohemi normalitetit.” – thuhet, tutje, në përgjigjen e KRM ‘Pastërtia’.

    https://kallxo.com/auditim/komuna-e-ferizajt-jep-tender-1-6-milione-euro-per-punet-qe-mund-ti-kryenin-ndermarrjet-publike/

    https://kallxo.com/lajm/pastertia-ne-greve-komuna-e-ferizajt-shpall-gjendjen-emergjente-me-mbeturinat/

    https://kallxo.com/lajm/humbjet-dhe-fitimet-minimale-te-ndermarrjeve-publike-ne-ferizaj/

    https://kallxo.com/komuna/inspektorati-i-punes-gjen-shkelje-ligjore-ne-greven-e-punetoreve-te-krm-pastertia-sindikata-thote-se-jane-te-revoltuar/

    https://kallxo.com/lajm/punonjesit-e-kompanise-pastertia-ne-ferizaj-nderpresin-greven/