Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës bashkë me partnerët e saj të koalicionit, Nismën Socialdemokrate, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30, më 28.01.2025 e kanë vazhduar fushatën zgjedhore me një tubim në Istog.
Kandidati i koalicionit për kryeministër, Ramush Haradinaj, ka thënë se një numër kaq i madh i qytetarëve është garanci për objektivin për një Kosovë të zhvilluar dhe e sigurt.
“Se Istogu me rrethinë – bukur shpesh e ka dridhë Serbinë. E jo vetëm, por edhe të gjithë ata që më qëllime të këqija i vërsulen Atdheut tonë. Nga toka e pasur e Istogut do të rritet një Kosovë për të gjithë, e zhvilluar dhe e sigurt. Numri kaq i madh i juaj është garanci për këtë objektiv”- ka thënë ai.
Edhe kryetari i Nismës, Fatmir Limaj, ka thënë se Istogu e Dukagjini janë të vendosur për ndryshim, për ‘Kosovën fituese’.
Sipas tij, Kosova më shumë se kurrë ka nevojë për rreshtim dhe bashkim, për burra dhe gra me mendim racional, me qëllimin e vetëm: zhvillimin dhe avancimin e vendit.
“Kosova për katër vjet ka qenë e ekspozuar ndaj rrezikut nga ata që vuajnë nga kompleksi i të kaluarës, ata që asnjëherë nuk kanë ditur e as nuk kanë guxuar të ngrihen për të mirën e vendit”- ka thënë ai.
Fushata pёr zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht mё 11.01.2025.
Për njё muaj, partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për zgjedhjet parlamentare të 09.02.2025.
Për këto zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike me 1,280 kandidatë.
Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:
– të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre – me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;
– të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues – në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.
Këto do të jenë zgjedhjet e para të rregullta që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.