Më shumë se 400 persona të kurthuar në rrënoja të tërmetit që goditi Tibetin janë shpëtuar, kanë bërë të ditur zyrtarët kinezë të mërkurën më 08.01.2025, por që ende nuk e dinë numrin e të mbijetuarve të tjerë të mundshëm dhe të viktimave të dridhjes së fuqishme që goditi rajonet kodrinore të Himalajeve – duke zhvendosur edhe tokën – ka raportuar Agjencia e lajmeve Reuters.
Epiqendra e tërmetit të së martës prej 6.8 shkallës – një prej dridhjeve më të fuqishme në rajon në vitet e fundit – ishte në Tingrit të Tibetit të Kinës, nja tetëdhjetë kilometra në veri të Malit Everest – maja më e lartë në botë. Tërmeti dridhi edhe ndërtesat dhe shtëpitë në Nepalin Butanin dhe Indinë fqinje.
Tërmeti ishte aq i fuqishëm saqë pjesë të terrenit të epiqendrës së tij dhe përreth rrëshqitën 1.6 metra në një distancë prej 80 kilometrash – kanë treguar të dhënat e Agjencisë Gjeologjike të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
24 orë pas shkundjes së fuqishme të ngujuarit në rrënoja është dashur ta kalonin natën në temperatura të acarta – duke shtuar presionin ndaj ekipeve të kërkim-shpëtimit, të cilat po kërkonin të mbijetuarit në një rajon sa zona e Kamboxhias.
Temperaturat në rajonin me lartësi të madhe mbidetare kanë rënë gjatë natës deri në minus 18 shkallë Celsius. Edhe njerëzit të cilët kanë ngelur pa kulm mbi kokë dhe që nuk kanë ku të strehohen rrezikohen prej hipertermisë dhe mund të jetojnë vetëm pesë deri në dhjetë orë, nëse edhe nuk janë lënduar – kanë thënë ekspertët.
Së paku 126 persona raportohet se kanë vdekur dhe 188 të tjerë janë lënduar në anën e Tibetit – ka raportuar transmetuesi publik CCTV. Në Nepal dhe gjetiu nuk është raportuar për viktima të tërmetit.
Autoritetet kineze nuk kanë treguar ende se sa persona konsiderohen të zhdukur. Në Nepal, një zyrtar i ka thënë Reutersit se tërmeti ka shkatërruar ndërtesën e një shkolle në një fshat afër Malit Everest, ku shtrihet kufiri ndërmjet Nepalit e Tibetit. Askush nuk ndodhej brenda objektit në kohën e tërmetit.
Alipnisti gjerman, Jost Kobusch ka thënë se ishte pak mbi bazën e kampit të Everestit në anën e Nepalit kur goditi tërmeti. Ai ka treguar sesi i ishte dridhur tenda e najlonit dhe kishte parë shumë ortekë dëbore duke u rrokullisur teposhtë. Ai nuk është lënduar.
Por dëmet më të mëdha i shkaktoi në Tibet, ku sipas një prej përllogaritjeve të para në rajonin Shigatse janë shkatërruar mbi 3.600 shtëpi, ku jetonin më shumë se tetëqind mijë persona – kanë raportuar mediat shtetërore të martën. Më shumë se 1.800 pjesëtarë Emergjencash dhe 1.600 ushtarë janë angazhuar në aksione për nxjerrjen e të mbijetuarve nga rrënojat.
Tërmeti i së martës ishte më i madhi në Kinë prej atij prej 6.2 shkallësh të vitit 2023, që mori jetën e së paku 149 personave në një rajon të thellë veriperëndimor.
Në vitin 2008 tërmeti prej 8.0 shkallë të Rihterit goditi Sichuanin, duke marrë jetën e më shumë se shtatëdhjetë mijë personave. Apo, tërmeti më vdekjeprurës që e ka goditur Kinën prej vitit 1976 është kur tërmeti i Tangshanit la 242 mijë persona të vdekur.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com