Ballina

Etiketë: falja

  • Trump i fal 1,500 të akuzuar për sulmin e 6 janarit në Kapitol

    Donald Trump ka falur rreth 1,500 prej mbështetësve të tij që sulmuan Kapitolin e SHBA-së katër vjet më parë, ndërsa nisi me shpejtësi të imponojë vullnetin e tij mbi Qeverinë amerikane vetëm disa orë pasi të hënën u rikthye në Shtëpinë e Bardhë – raporton Reuters.

    Pas Ceremonisë Trumpi ka nënshkruar një mori veprimesh ekzekutive, që të frenojë emigracionin dhe që të tërheqë Rregulloret mjedisore dhe nismat e diversitetit racor e gjinor. Ai nuk ndërmori veprime të menjëhershme që të rrisë tarifat – premtim kyç i fushatës, por u zotua se mund të vendoste tarifa prej 25% ndaj Kanadasë dhe Meksikës nga 1 shkurti.

    Vendimi i tij për të falur mbështetësit që sulmuan Kapitolin më 6 janar 2021, sigurisht që do të zemërojë Policinë, ligjvënësit dhe të tjerët – jetët e të cilëve u rrezikuan gjatë një episodi të paprecedentë në historinë moderne amerikane – raporton Reuters.

    Rreth 140 oficerë policie u sulmuan gjatë sulmit, me disa syresh të spërkatur me irritues kimikë dhe të tjerë të goditur me tuba, shtylla dhe armë të tjera. Katër persona vdiqën gjatë kaosit – duke përfshirë një mbështetës të Trumpit, i cili u qëllua për vdekje nga Policia.

    Trump ka urdhëruar 14 liderë të grupeve militante të ekstremit të djathtë “Oath Keepers” dhe “Proud Boys”, të cilët po vuanin dënime të gjata me burg, të lirohen para kohe nga burgu, por ata nuk i ndryshuan bindjet e tyre.

    Më herët gjatë ditës, Trump, 78 vjeç, u betua në Kapitol, ku një turmë mbështetësish të tij ishin tërbuar më 6 janar në përpjekjen e pasuksesshme për të përmbytur humbjen e tij në 2020 ndaj Joe Bidenit.

    Në Ceremoni Trump e portretizoi veten si shpëtimtar të zgjedhur nga Zoti për të shpëtuar një komb të lëkundur. Inaugurimi i tij përbën një kthim triumfues për një përçarës politik, i cili i mbijetoi dy tentativave për vrasje dhe fitoi Zgjedhjet, pavarësisht një dënimi penal dhe një ndjekjeje penale që buron nga rrekjet e tij për të përmbysur humbjen në Zgjedhjet e vitit 2020.

    “Unë u shpëtova nga Zoti për t’ia kthyer Amerikës përsëri madhështinë.” – ka deklaruar ai.

    Trump është Presidenti i parë që qe më shumë se një shekull fiton një mandat të dytë pas humbjes së Shtëpisë së Bardhë dhe i shpalluri i parë fajtor i parë që fiton Shtëpinë e Bardhë. Presidenti më i vjetër që është betuar ndonjëherë, ai mbështetet nga shumica republikane në të dy Dhomat e Kongresit.

    Trump ndërmori menjëherë hapa për të shtypur emigracionin e paligjshëm – çështje e tij dalluese qëkur iu përvol për herë të parë politikës më 2015.

    Menjëherë pas betimit, autoritetet kufitare amerikane shuan Programin që lejonte qindra-mijëra emigrantë të hynin legalisht në SHBA – duke caktuar një seancë gjyqësore përmes një telefoni inteligjent.

    Gati 1.660 afganëve të cilët ishin lejuar nga Qeveria amerikane të zhvendoseshin në SHBA, duke përfshirë anëtarët e familjeve të personelit ushtarak amerikan në detyrë aktive, iu anuluan fluturimet sipas një urdhri të Trumpit për pezullimin e Programeve të refugjatëve të SHBA-së.

     

    Shpallet emergjenca kufitare, tërhiqet nga Marrëveshja klimatike

    Në Shtëpinë e Bardhë Trump nënshkroi urdhrin që shpall emergjencë kombëtare në kufirin SHBA-Meksikë, i cili do të zhbllokonte fondet dhe do ta lejonte të dërgonte trupa atje. Ai nënshkroi një urdhër që do t’i jepte fund një politike, që u jep shtetësinë atyre që janë lindur në Shtetet e Bashkuara – gjë që me siguri do të shkaktojë luftë të gjatë gjyqësore. Një urdhër tjetër ekzekutiv i cilëson kartelet meksikane të drogës si organizata terroriste.

    Trump ka tërhequr edhe njëherë Shtetet e Bashkuara nga Marrëveshja e Klimës e Parisit – duke hequr emetuesin më të madh historik në botë nga përpjekjet globale për luftimin e ndryshimeve klimatike për herë të dytë brenda një dekade.

    “Ne po shpëtojmë nga i gjithë kanceri… i shkaktuar nga Administrata Biden.” – ka deklaruar Trump, ndërsa nënshkroi një mori urdhrash ekzekutivë në Zyrën Ovale.

    Urdhra të tjerë revokuan politikat e Administratës së Bidenit që rregullonin inteligjencën artificiale dhe automjetet elektrike. Ai vendosi gjithashtu moratorium për punësimin federal dhe urdhëroi punonjësit e Qeverisë të kthehen në punë, në vend që të punonin nga shtëpia. Ai nënshkroi gjithashtu dokumentet për krijimin e “Departamentit të Efikasitetit të Qeverisë”, një Bord këshillues i jashtëm i kryesuar nga miliarderi Elon Musk, që synon shkurtimin e një hiseje të madhe të shpenzimeve qeveritare.

    Në Departamentin e Shtetit, një duzine të madhe diplomatësh të lartë jopartiakë iu kërkua të jepnin dorëheqjen si pjesë e një plani më të gjerë, për zëvendësimin e nëpunësve civilë jopartiakë me besnikë politikë.

    Trump ka deklaruar gjithashtu se do të nxirrte urdhra për pezullimin e Programeve federale të diversitetit dhe do t’i kërkojë Qeverisë të njohë vetëm gjinitë e caktuara në lindje.

    Ndërsa Trump gjatë fjalimit prej gjysmëore u rrek të portretizonte veten si paqebërës dhe unifikues, tonin shpesh e kishte ashpërsisht partizan. Ai përsëriti pretendime të rreme nga fushata se vendet e tjera po zbrazin burgjet e tyre në Amerikë dhe shprehu ankesa të njohura për ndjekjet e tij penale.

    Me Biden të ulur pranë, Trump pati akuza therëse për politikat e paraardhësit nga imigracioni, deri te punët e jashtme.

    “Ne kemi një Qeveri që ka dhënë fonde të pakufizuara për mbrojtjen e kufijve të huaj, por refuzon të mbrojë kufijtë amerikanë, ose më e rëndësishmja, njerëzit e saj.” – ka deklaruar Trump.

    Drejtues të shumtë të teknologjisë që kanë kërkuar të fitojnë favore me Administratën e ardhshme – duke përfshirë tre njerëzit më të pasur në botë: shefi ekzekutiv i Teslas dhe SpaceX, Elon Musk; themeluesi i Amazonit, Jeff Bezos dhe shefi ekzekutiv i Meta-s, Mark Zuckerberg kishin vende të spikatura në skenë, pranë kandidatëve të Kabinetit dhe anëtarëve të familjes Trump.

    Trump ka deklaruar se do të dërgojë  astronautë në Mars – duke bërë që Musk, i cili ka folur prej kohësh për kolonizimin e planetit, të ngrejë duart në shenjë aprovimi.

    Trump u zotua të ndryshojë emrin e Gjirit të Meksikës në Gjirin e Amerikës dhe përsëriti synimin për të rimarrë kontrollin e Kanalit të Panamasë, një nga disa deklarime lidhur me politikën e jashtme që kanë shkaktuar shqetësim mes aleatëve të SHBA-së.

     

    Kthimi në pushtet

    Trump u betua për të “ruajtur dhe mbrojtur” Kushtetutën e SHBA-së, nën administrim të shefit të tij të Drejtësisë, John Roberts. Nënkryetari i tij, JD Vance u betua pak para tij.

    Zëvendëspresidentja në largim, Kamala Harris, e cila humbi nga Trump në Nëntor, ishte ulur pranë Bidenit në një seksion me ish-presidentët: Barack Obama, George Ë. Bush dhe Bill Clinton. Ish-sekretarja e Shtetit, Hillary Clinton, e cila humbi nga Trump në vitin 2016, ishte ulur me bashkëshortin e saj Bill. Gruaja e Obamës, Michelle, ndau mendjen të mos merrte pjesë.

    Ceremonia u zhvendos në ambiente të mbyllura për shkak të të ftohtit ekstrem, që pushtoi pjesën më të madhe të vendit.

    Trumpi anashkaloi inaugurimin e Bidenit më 2021 dhe ka vazhduar të pretendojë rrejshëm se Zgjedhjet e vitit 2020 që i humbi ndaj Bidenit ishin të manipuluara.

    Bideni, në një nga veprimet e tij të fundit zyrtare, fali disa njerëz të cilët Trumpi i ka kërcënuar me hakmarrje, duke përfshirë gjeneralin Mark Milley, ish-kryetar i Shefave të Përbashkët të Shtabit, të cilin Trumpi kishte sugjeruar se duhej të ekzekutoheshin për mbajtjen e bisedimeve në kanalin e dytë me Kinën. Portreti i Milleyt u hoq nga Pentagoni menjëherë pas inaugurimit të Trumpit.

    Bideni fali gjithashtu pesë anëtarë të familjes disa minuta para se të largohej nga detyra – duke spikatur frikën se Trumpi do t’i shënjestronte edhe ata.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com