Ballina

Etiketë: EULEX

  • Ushtarë italianë vijnë në Kosovë për të përforcuar praninë e KFOR-it

    Ushtarë italianë kanë mbërritur në Kosovë për të përforcuar praninë e misionit paqeruajtës të udhëhequr nga NATO.

    Sipas njoftimit të KFOR-it, dislokimi i këtyre trupave është i përkohshëm.

    “Dislokimi i tyre është i përkohshëm. Në muajt e ardhshëm, më shumë se 200 ushtarë, nga Brigada e mekanizuar italiane e këmbësorisë “Sassari”, do të zhvillojnë një sërë aktivitetesh, së bashku me trupat e KFOR-it dhe do të vendosen në përgjigje të çdo zhvillimi përkatës sa i përket situatës së sigurisë, përfshirë edhe gjatë periudhës zgjedhore”- thuhet në njoftim.

    Më 14.01.2025, KALLXO.com raportoi se misioni i Bashkimit Europian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX ka njoftuar se është duke e përforcuar Njësinë Policore të Specializuar (NJPS) të tij përmes dislokimit të përkohshëm të pjesëtarëve të Forcës Europiane të Xhandarmërisë (EUROGENDFOR) nga Franca, Italia, Lituania dhe Portugalia.

    https://kallxo.com/lajm/eulex-i-perforcon-njesitin-policor-te-specializuar-ne-kosove/

    Zgjedhjet parlamentare në Kosovë do të mbahen më 09.02.2025.

     

  • EULEX-i përforcon njësitin policor të specializuar në Kosovë

    Misioni i Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë – EULEX ka njoftuar se është duke e përforcuar Njësinë Policore të Specializuar (NJPS) të tij përmes dislokimit të përkohshëm të pjesëtarëve të Forcës Evropiane të Xhandarmërisë (EUROGENDFOR) nga Franca, Italia, Lituania dhe Portugalia.

    “Këta policë do të punojnë krah për krah me NJPS-në e siguruar nga Policia e Polonisë, për ta përmbushur mandatin e Misionit në mbështetje të stabilitetit në mbarë Kosovën dhe për të garantuar siguri për të gjitha komunitetet.” – thuhet në njoftimin e EULEX-it të datës 14.01.2025.

    NJPSR-ja do të përbëhet nga asetet EUROGENDFOR-it të siguruara nga Xhandarmëria Kombëtare Franceze, Karabinierët Italianë, Shërbimi i Sigurisë Publike i Lituanisë dhe Garda Kombëtare Republikane e Portugalisë.

    NJPSR-ja pritet të arrijë në Kosovë gjatë ditëve në vijim, për ta adresuar nevojën e Misionit për forca shtesë në terren për t’i mbështetur më mirë homologët kosovarë.

    “Duke përfshirë funksionimin si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, nëse kjo kërkohet dhe është e nevojshme. NJPSR-ja do të kryejë patrullime të dukshme dhe do të kontribuojë që Misioni të ketë pasqyrë të qartë për situatën.” – theksohet në njoftim.

    Ky do të jetë dislokimi i pestë i NJPSR-së së EULEX-it, ndërsa dislokimi i parë është bërë në mars 2022.

    EULEX-i shërben si reagues i dytë i sigurisë në Kosovë, në kuadër të mekanizmit me tri nivele të reaguesve të sigurisë, ku Policia e Kosovës është reaguesi i parë i sigurisë, EULEX-i është i dyti, kurse misioni KFOR i udhëhequr nga NATO është i treti.

    Kosova do të mbajë Zgjedhjet e rregullta parlamentare më 09.02.2025.

    Mbajtja e votimeve bëhet në një kohë kur – në dy vjetët e fundit – tensionet kanë qenë të larta në pjesën veriore të vendit, të banuar me shumicë serbe.