Ballina

Etiketë: emergjencat

  • Nxirren 30 trupa pas përplasjes së aeroplanit dhe helikopterit në SHBA

    Të paktën 30 trupa janë nxjerrë nga lumi Potomac në Uashington DC, pasi një fluturake e “American Airlines” u përplas në qiell me një helikopter “Black Hawk” të Ushtrisë amerikane – raporton BBC.

    Avioni kishte 60 pasagjerë dhe katër anëtarë të ekuipazhit nga Wichita, Kansas kur u rrëzua pranë Aeroportit Kombëtar “Ronald Reagan”. Në helikopter ishin tre ushtarë.

    Ekipet e shpëtimit po punojnë në kushte “jashtëzakonisht të vështira” – thonë Shërbimet e Urgjencës – derisa raportohet se temperaturat e ujit janë të ulëta.

    Federata amerikane e Patinazhit Artistik të SHBA-së konfirmon se “disa anëtarë të komunitetit të patinazhit” ndodheshin në bordin e avionit.

    Presidenti Donald Trump thotë se është informuar për “aksidentin e tmerrshëm” dhe ka pyetur se pse helikopteri nuk “u ngjit apo të ulej”.

    Të afërmit e pasagjerëve janë mbledhur në Aeroport. Një grua i ka thënë një zyrtari aeroporti se nuk ishte e sigurt nëse një e afërme e saj kishte hipur në aeroplan. Ajo pastaj është shkrehur në vaj – shkruan Reuters.

    Hammad Raza ka deklaruar për partnerin informativ të CBS, WUSA se kishte dalë në Aeroport për ta pritur gruan – raporton Reuters.

    “Ajo më shkroi se brenda 20 minutash do të aterronte.” – ka thënë ai. “Pjesa tjetër e mesazhit tim nuk i shkoi. Atëherë e mora vesh se diçka nuk ishte në rregull. Tani, po shpresoj se dikush do ta nxjerrë nga lumi”.

    Ushtria amerikane ka njoftuar në një deklaratë se “mund të konfirmojë se fluturakja e përfshirë në incidentin e mbrëmjes ishte një helikopter ushtrie UH-60, i ngritur nga Fort Belvoir, Virxhinia”.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com