Ballina

Etiketë: Ekonomia

  • Investime kapitale miliardëshe dhe lehtësira tatimore për bizneset: Plani i PDK-së për zhvillimin ekonomik

    Për të ardhur në pushtet pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), premton 6 miliardë euro investime kapitale, ndërtimin e një termocentrali me gaz, pavarësi të autoriteteve rregullatore dhe stimuj fiskalë për investitorët e rinj.

    Ngritjen e zhvillimit ekonomik në Kosovë, PDK-ja planifikon ta bëj përmes investimeve kapitale që kapin vlerën 6 miliardë euro, ndërtimin e një termocentrali me gaz, mbështetjen me grante e stimuj për investime si dhe me “çkapjen” e institucioneve të pavarura nga politika.

    Katër kandidatët e PDK-së për deputetë: Ferat Shala, Hajdar Beqa, Arben Mustafa dhe Adonjeta Zymberi – Selmani, renditën disa nga top-prioritetet në fushën e ekonomisë dhe energjisë në “Debat Përnime” më 25.01.2025.

    Me 110 kandidatë për deputetë për zgjedhjet që do të mbahen më 09.02.2025, PDK mban numrin 131 me slloganin: “Kosova mundet ma mirë”.

    A ka oligarkë dhe kartele në Kosovë?

    PDK-ja nuk beson që në Kosovë ka oligarkë dhe kartele. Kjo parti fajëson Qeverinë Kurti për përdorim të gjuhës armiqësore ndaj bizneseve.

    Arben Mustafa me profesion ekonomist, tha se janë absolutisht kundër kësaj gjuhe për shkak se biznesin e konsiderojnë si sektorin më të rëndësishëm për krijimin e të hyrave të familjeve kosovare dhe për mbushjen e buxhetit të shtetit.

    “Që nga ardhja  e kësaj qeverie ne nuk kemi parë asnjë komunikim me bizneset. Është qeveria e parë që ka pasur Kosova ndonjëherë dhe e vetmja në rajon dhe më gjerë që nuk komunikon me bizneset”- tha Mustafa.

    PDK-ja, sipas tij, nuk sheh mënyrë tjetër të zhvillimit të vendit përveç fuqizimit të sektorit privat dhe rolit mbështetës të Qeverisë. Në program, ai tregon se kanë paraparë një pako të fuqishme të mbështetjes së biznesit dhe krijimit të kushteve në të bërit biznes.

    Oligarkë cilësohen pronarët privatë të mëdhenj në një vend që kanë fuqi për të ndërhyrë në politika biznesore.

    Kryeministri Kurti në disa raste ka përmendur “oligarkët në Kosovë”.

    Ndërsa në pyetjen se a ka kartele në Kosovë që kurdisin çmimet në treg, Mustafa tha se në këtë pyetje duhet të përgjigjet Autoriteti i Konkurrencës, e jo politikanët siç po bën Lëvizja Vetëvendosja. Sipas tij, është e rrezikshme që politikanët të japin konstatime se kush po bën kartele apo përcaktim të çmimeve.

    Kandidati i PDK-së për deputet, Arben Mustafa. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    “Qeveria Kurti duhet të tregojë në parlament- me shumicën e saj, se kush janë njerëzit që drejtojnë Autoritetin e Konkurrencës dhe cili është aktiviteti i tij. Nëse kemi pretendime të tilla nga Qeveria, ato pretendime duhet të vinin nga Autoriteti, do duhej të na tregonin çka kanë hulumtuar, çka kanë gjet dhe cilat janë masat e tyre”- tha ai.

    Karteli është një bashkim i një grupi prodhuesish të një malli ose shërbimi për të kontrolluar furnizimin ose për të kurdisur ose manipuluar çmimet në treg.

    6 miliardë euro investime kapitale

    PDK-ja beson që me ardhjen e tyre në pushtet do të rritet prodhimi në mënyrë që të zbutet deficiti tregtar. Në planin e tyre kanë 6 miliardë euro për investime kapitale.

    Arben Mustafa zotohet që në krye të Qeverisë në kuadër të reformës fiskale do të krijojnë kushte dhe do të japin stimuj fiskalë për investitorët e rinj të cilët punësojnë 50 punëtorë, ose investojnë mbi 500 mijë euro kapital. Për ta do të ketë pushime tatimore në tatimin në fitim për vite të caktuara.

    Për bizneset ekzistuese, ai tha se do t’i mbështesin në zgjerimin e tregut. Ai zotohet se do t’i fuqizojnë bizneset përmes granteve deri në 30 për qind të vlerës së investimit për ta modernizuar teknologjinë si dhe me subvencione për trajnimin e kuadrove profesionale që nuk ekzistojnë në Kosovë.

    “Ne jemi për lirim të barrës tatimore për shkak se jemi të sigurt se si ta nxisim biznesin. Lirimet tatimore që i kemi përmend nuk paraqesin kosto të madhe për buxhetin e vendit. Ne kemi thënë që bizneset e vogla me qarkullim vjetor deri në 10 mijë euro do t’i lirojmë nga tatimi”- tha ai.

    Mustafa tha se si parti do të fuqizojnë qasjen në financa për biznesin, do të risktrukturojnë rolin e fondit garantues të kredive të Kosovës për t’i orientuar kreditë drejt sektorëve me rëndësi për Kosovën dhe do të sigurohen që kreditë e garantuara nga shteti do të kenë edhe norma të interesit më të ulëta.

    Kandidatët e PDK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    “Do të zhvillojmë tregun e kapitalit për sektorin privat për t’ua mundësuar korporatave të mëdha të emetojnë aksione dhe të tërheqin investitorë nga jashtë”- tha ai.

    Kurse për industrinë e Teknologjisë së Informacionit, premtimi i Mustafës është që t’i sigurojnë kushtet e nevojshme- të paktën një ambient pune me kushte të volitshme ku munden të zhvillojnë aktivitetin e tyre.

    “Do të mbështesim shkollat profesionale që të zhvillojnë sa më shumë kuadro të tilla sepse për neve do të ishte avantazh i madh që të rinjtë të rrinë në Kosovë dhe t’i shesin shërbimet e tyre në vendet e huaja”- tha ai.

    Në sektorin e prodhimtarisë, Mustafa përmendi industrinë e agrikulturës dhe të drurit.

    Për këtë të parën, Mustafa tha se e kanë në plan t’i japin përparësi ndërmarrjeve prodhuese të agrikulturës në mënyrë që ta nxisin prodhimin bujqësor, por pastaj ato prodhime bujqësore të përpunohen në Kosovë dhe të eksportohen si të gatshme.

    “Do të sigurohemi që në industrinë e drurit, ata afaristë që kanë treguar ambicie, që kanë treguar sukses, ta kenë mbështetjen e shtetit për të kaluar në një nivel edhe më të madh të aktivitetit të tyre”- tha ai.

    Menaxhimi i rregullatorëve dhe ndërmarrjeve publike

    Kandidati Ferat Shala, i cili është deputet edhe në legjislaturën aktuale, tha se do të bëjnë normalizimin e rregullatorëve, siç janë rregullatori i Komisionit për Miniera dhe Minerale dhe rregullatorëve tjerë duke përmendur këtu edhe Zyrën e Rregullatorit të Energjisë (ZRrE).

    Shala tha se në rrethanat që kanë operuar, në këto katër vitet e mandatit të Qeverisë Kurti, rregullatorët kanë dalë nga binarët e normalitetit dhe kushtetushmërisë.

    “Sot sektorin e industrisë minerare e nxjerrëse e kemi si kurrë më keq. Kemi rreth 400 kompani që presin për një përgjigje meritore operative për licencim, patentim, hulumtim apo eksploatim. Kemi ndërmarrje të sektorit energjetik që po mbyllen ose po largohen nga vendi. Kemi një situatë kaotike në Agjencinë e Kosovës për Privatizim që menaxhon me një pjesë të aseteve shtetërore”- u shpreh Shala.

    Për t’i kthyer në normalitet këta rregullatorë, Shala parashtroi si zgjidhje bazën e legjislacionit dhe kushtetutshmërisë dhe vendosjen e kuadrove profesionale në sektorin e energjetikës dhe të industrisë nxjerrëse minerare.

    Ai pretendoi që në Kosovë ka edhe ikje të investitorëve të huaj gjatë qeverisjes së Kurtit.

    Kandidati i PDK-së Ferat Shala. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    “Për 4 vite rreth 700 milionë investime kapitale kanë pritur në sektorin e energjisë së pastër dhe sot kanë kaluar në shtete fqinje. Kemi investitorë perëndimorë që kanë pritur me vite dhe janë larguar”- tha ai.

    Sipas tij, me mbi 6 miliardë euro investime kapitale, do të balancohet “e shkuara e dështuar me të ardhmen me prosperitet zhvillimor”.

    Ndryshe prej herëve të kaluara që ishin në pushtet, Shala u zotua se nëse qeverisë PDK-ja do të punësojnë ekspertë pa dallim politik.

    “Do të kërkohet llogaridhënie, transparencë dhe interpretim ligjor. Nuk guxojnë që zyrtarët e caktuar të mos përgjigjen brenda afatit ligjor kur ndërmarrja kërkon licencë për vazhdim- e [aktualisht] ka 400 të tilla që nuk marrin përgjigje”- tha ai.

    Duke shpjeguar, Shala në njërën anë tha se nuk do të ketë ndikime politike, ndërsa në anën tjetër tha që do të kërkojnë llogari. Se si do të ndodhë një gjë e tillë, ai nuk u përgjigj direkt por tha se ligji është i qartë dhe njashtu duhet të funksionojnë rregullatorët.

    Shala premtoi se do ta rrisin monitorimin që në Komisionin i Minierave dhe Mineraleve, KOSTT dhe në institucionet tjera të zbatohet ligji.

    “Si të ketë stabilitet ekonomik tregtia, industria, raportet me investitorët kur brenda një mandati Sekretari permanent [në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë] tetë herë shkarkohet dhe emërohet. Si ka mundësi kur shuhet Agjencia KIESA (Agjencia për Investime dhe Përkrahjen e Ndërmarrjeve në Kosovë), e vendoset pranë Zyrës së Kryeministrit dhe nuk e kemi asnjë veprim konkret”- theksoi Shala ndër të tjera.

    Ai drejtoi gishtin nga Qeveria edhe për mosthemelimin e Fondit Sovran dhe Bankës Investive.

    Se a ka në plan PDK-ja të privatizojë Trepçën dhe Korporatën Energjetike të Kosovës, Arben Mustafa tha se nuk e kanë planifikuar një gjë të tillë në program.

    “Ne program ne nuk kemi thanë që kemi me privatizu KEK-un ose Trepçen. Ne i jemi referuar  krijimit të kushteve për investime në sektorin minerar. Ne jemi vend shumë i pasur me thëngjill, mirëpo qytetari i Kosovës nuk është që përfiton gjë nga rezervat që i kemi, ato shfrytëzohen nga KEK-u sa ka potencial”- tha ai.

    Mustafa shpjegoi që në program kanë paraparë që KEK-u të profilizohet në prodhimin e energjisë, ndërsa për rezervat e thëngjillit do të krijohen kushte për koncesione për Partneritete Publiko-Private.

    Ai tha se prioritet e kanë ndërtimin e termocentralit me gaz, mirëpo nuk e përjashtojnë edhe mundësinë e termocentralit me thëngjill.

    Shala nga ana tjetër tregoi se në kuadër të programit e kanë paraparë energjinë e pastër alternative.

    “105 MW që e kemi në Shalë të Bajgorës është projekt i joni. Ne i kemi dhënë licencat e para për çështjen e studimit dhe mjedisit dhe sot kjo Qeveri vetëm shiritin e ka pre, e ka gjet të gatshëm”- tha ai.

    Shala fajësoi Qeverinë Kurti që nuk ka vazhduar mundësinë e vazhdimit edhe në Qyqavicë, Artanë, Golesh, Zatriq edhe në Gjakovë.

    “Ne e kemi shumë të qartë se sektori i energjisë, ka qenë dhe mbetet sektori më i korruptuar i kësaj Qeverie, fatkeqësisht me pasoja për rritjen e çmimeve dhe importit si asnjëherë më parë. Kosova është kthyer në importues të energjisë elektrike”- tha ai.

    Kurse, kandidati Hajdar Beqa, i cili është deputet në legjislaturën aktuale, tha se në fokus të programit kanë transformimin e ndërmarrjeve publike.

    Beqa tha se ndërmarrja “KRU – Gjakova” ka shumë kapacitete, por nuk janë shfrytëzuar dhe një hap i rëndësishëm që ndikon në zhvillim ekonomik është zgjerimi i saj me qëllim të furnizimit me ujë të pijes edhe Komunën e Suharekës edhe Komunën e Malishevës.

    “Përveç kësaj ndërmarrje është edhe “KRU-Radoniqi” për ujitje. Në fokus të veçantë Partia Demokratike do të ketë edhe bujqësinë”- tha ai.

    Kurse për Lepencin, Beqa tha se ka qenë një projekt i Bankës Botërore që është punuar prej vitit 2010, dhe zotohen që në vitin e parë të nisë si projekt në koordinim me studimin që është bërë nga Banka Botërore. 

    Kandidati i PDK-së Hajdar Beqa. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    “Në mandatin e Bedri Hazmës kjo pjesë duhet të jetë gati finale sepse është një projekt diku rreth 400 milionë, po ndoshta tani është rritur vlera”- tha ai.

    Beqa tregoi se do të ndërmarrin hapa konkretë për ndërtimin e hekurudhës me Shqipërinë. Ai tha se e kanë në plan që të fillojë këtë projekt në vitin e parë të qeverisjes.

    Ai premtoi finalizimin e të gjitha segmenteve rrugore: Besi-Merdarë, Mitrovicë-Prishtinë dhe rrugën e Gjilanit. Ndërsa rrugët regjionale Istog, Pejë, Deçan, Gjakovë, Prizren, sipas tij, do të zgjerohen në katër korsi.

    “Ne kemi pas 200 milionë euro suficit në kohën kur krejt projektet kapitale janë të stagnuara”- tha ai.

    Kandidatja Adonjeta Zymberi- Selmani, tha se sa i përket arsimit e kanë në plan të bëjnë pagesa me 100 euro në muaj për secilën familje që do t’i regjistroj fëmijët në çerdhet private në pamundësi të regjistrimit në çerdhet publike.

    Kandidatja e PDK-së Adonjeta Zymberi- Selmani. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    “Kjo do të jetë një mundësi e mirë edhe për gratë që të kyçen në tregun e punës”- tha ajo.

    Zymberi- Selmani tha se do të bëjnë digjitalizimin e arsimit fillor dhe të mesëm dhe do të sigurojnë llaptopë për nxënës dhe mësimdhënës.

    “25 milionë euro për bursa. Studentët do të kenë mundësi të studiojnë brenda dhe jashtë shtetit përmes ndihmës dhe mbështetjes së shtetit”- tha ajo.

    Përvoja e PDK-së në qeverisje

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka qenë në qeverisje nga viti 2008 deri në vitin 2019, por jo çdo herë si forca kryesore udhëheqëse.

    Nga viti 2008 deri në vitin 2014, PDK udhëhoqi Qeverinë me kryeministër Hashim Thaçin. Ky ishte mandati i parë dhe i dytë i saj.

    Kurse nga viti 2014 deri në 2017, PDK ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Atëkohë, Kryeministër ishte Isa Mustafa nga LDK, ndërsa PDK mbante postin e Kryeparlamentarit.

    PDK ka qenë pjesë e Qeverisë edhe pas vitit 2017, por jo si forcë kryesore udhëheqëse. Pas vitit 2017 deri në 2019, PDK u rikthye si pjesë e koalicionit qeverisës. Këtë herë me Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si Kryeministër. PDK mbante disa Ministri dhe poste të rëndësishme në këtë Qeveri.

    Prej atëherë PDK-ja ka qenë vetëm në opozitë. Në Zgjedhjet e vitit 2021, prej të cilave fituese doli Lëvizja Vetëvendosje, PDK zuri vendin e dytë për nga numri i votave, më saktësisht me 16.9%.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

    RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Jeta Xharra, drejtuese e “DebatPërnime” tha në nisje të debatit se Kosova vazhdon të jetë mes vendeve më të varfëra në rajon, derisa ekonomia vazhdon të jetë e bazuar në tregti dhe në kokurrencë jolojale.

    “Midis qendrës të Prishtinës, makiatoja pihet pa fatura fiskale. Kontabanda dhe taksa doganore vazhdojnë të shmangen në kufi. Trepça nuk arrin as të paguaj rrymën që e harxhon e leje me gjeneru. Ferronikeli nuk është duke prodhu. Baza e ekonomisë vazhdon me qenë tregtia ‘blej ma lirë, shitë ma shtrenjtë’”- tha Xharra.

     

  • Hoxha (AAK): Pensionet mbi 500 euro dhe paga mesatare 1 mijë euro

    Kandidatët për deputetë nga Koalicioni AAK-Nisma, në “Debat Përnime”, më 23.01.2025, kanë shpalosur planin zgjedhor për zhvillimin ekonomik në vend.

    Edmond Hoxha tha se nëse ata vijnë në pushtet, si pikë e parë e agjendës së tyre qeverisëse do të jetë rritja e ekonomisë deri në 7%.

    Për mënyrën sesi do të arrihet kjo përqindje, ai tha se do të fillojnë të bëjnë investime publike në vlerë prej 1 miliard euro, me tendencë që kjo shumë të rritet deri në fund të mandatit të parë në 1.5 miliard euro.

    “Pika e parë është rritja ekonomike deri në 7 për qind. Kjo realizohet duke filluar me investime publike mbi 1 miliard euro, dhe duke e rritur deri në 1.5 miliard euro deri në fund të mandatit. Gjithashtu me investimet e huaja direkte që parashikohet të shkojnë deri në 2 miliardë euro, bashkë me investimet e sektorit privat”- tha Hoxha.

    Ndërsa “top prioritetet” tjera të koalicionit AAK-NISMA, sipas tij, do jenë “investimet në bizneset e reja, paga mesatare deri në 1000 euro, pensionet mbi 500 euro dhe paga minimale që nuk do të jetë nën 500 euro”.

    E gjithë kjo, sipas Hoxhës, mund të arrihet përmes lehtësirave financiare që janë paraparë me programin e tyre zgjedhor.

    Për investimet e huaja, si zgjidhje ai e sheh anëtarësimin e Kosovës në NATO, në mënyrë që të krijohet një siguri për investitorët e huaj.

    Zgjidhja e dytë, sipas tij, është që bizneset të shihen si partnerë e jo si armiq. Siç thotë ai, kjo ndikon në rritjen e investimeve direkte.

    Ndërsa kandidati tjetër, Smajl Latifi tha se përmes Ligjit për investime strategjike dhe lehtësimit të procedurave burokratike do të mundësohet një zhvillim më i shpejt ekonomik për Kosovën.

    Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht, deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”, Jeta Xharra ka deklaruar se askush në KALLXO.com nuk është pasanik, milioner, e le më oligark.

    “Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka theksuar, ndër të tjera, Xharra.

    E, për kandidatët e LVV-së që kanë refuzuar të marrin pjesë në Debat, ajo e ka dhënë “diagnozën”: Politikus Arrogantis Totalis Mendjemadhijensis!

    Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

    https://kallxo.com/gjate/zotimet-e-koalicionit-aak-nisma-termocentral-me-thengjill-rritje-pagash-e-funksionalizim-te-aeroportit-te-gjakoves/

     

     

  • Putini i shqetësuar për ekonominë, derisa Trump i kërkon ujdi për Ukrainën

    Presidenti rus, Vladimir Putin është përherë e më i shqetësuar për telashet që ka shkaktuar lufta në ekonominë ruse, në kohën kur homologu amerikan, Donald Trump po i shtyn përpara përpjekjet për t’i dhënë fund konfliktit në Ukrainë – bëjnë të ditur për Agjencinë e lajmeve Reuters pesë burime të informuara me rrjedhat e situatës.

    Ekonomia e Rusisë, e bazuar goxha shumë në eksportet e naftës, gazit e mineraleve, kishte shënuar ngritje pavarësisht dy vjetëve nën sanksione të shumëfishta perëndimore, pas evazionit në Ukrainë më 2022.

    Por, aktiviteti i brendshëm ekonomik është tkurrur muajve të fundit, për shkak të shkurtimit të fuqisë punëtore dhe normave të larta të interesit për ta luftuar inflacionin, që ka shënuar ngritje të theksuar sherri i shpenzimeve ushtarake rekorde.

    Kjo ka kontribuar për krijimin e pikëpamjes në mesin e një hiseje të elitës ruse, se një marrëveshje e negociuar lufte do të ishte e dëshirueshme – bëjnë të ditur dy burime të informuara me qasjen që po dominon në Kremlin.

    Trump, i cili ka marrë të hënën, më 20.01.2025, timonin e Shtëpisë së Bardhë, është zotuar se do ta zgjidhë shpejt konfliktin në Ukrainë – më i madhi në Europë prej Luftës së Dytë Botërore. Gjatë javës, ai ka thënë se do të ketë më shumë sanksione dhe më shumë tarifa për Rusinë, nëse Putini nuk ulet në tavolinën e negociatave – duke shtuar se Rusia ka marrë udhë drejt “telasheve të mëdha” ekonomike. Një zyrtar i lartë i Kremlinit ka thënë të martën se Rusia deri tani nuk ka marrë ndonjë propozim specifik për bisedime.

    Reuters kishte raportuar më parë se Putini është i gatshëm të diskutojë opsionet për Marrëveshje armëpushimi me Trumpin, por që duhet të mbesin avancimet territoriale të Rusisë në Ukrainë dhe se Ukraina duhet të heqë dorë prej kërkesës për anëtarësim në NATO.

    Kremlini nuk e ka komentuar Raportin dhe Kërkesën e Reuters-it për gatishmërinë për bisedime, për shkak të ndikimit të luftës në ekonominë ruse.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Kinës i bie numri i popullsisë për të tretin vit me radhë

    Popullsia e Kinës ka rënë për të tretin vit me radhë më 2024, me numrin e vdekjeve që po ia marrin anën atyre të lindjeve dhe ekspertët druajnë se trendi mund të thellohet edhe më shumë në vitet e ardhshme – ka raportuar të premten, më 17.01.2025, Agjencia e lajmeve Reuters.

    Zyra Kombëtare e Statistikave ka bërë të ditur se numri i përgjithshëm i banorëve në Kinë ka shënuar rënie prej 1.39 milion banorësh. Në vitin 2023 Kina numëronte 1 miliard e 409 milionë banorë, ndërkaq në vitin 2024 numri ka rënë në 1 miliard e 408 milionë banorë.

    Të dhënat e së premtes, më 17.01.2025, kanë fuqizuar shqetësimet se ekonomia e dytë më e madhe në botë do të ketë telashe, meqë pritet të bjerë numri i punëtorëve dhe konsumatorëve. Çmimet e ngritura për kujdesin e pleqve dhe përfitimet pensionale pritet t’ia shtrëngojnë edhe më fort rripin ekonomisë kineze, derisa Qeveria edhe ashtu po përballet me borxhe të qeverive lokale.

    Numri i përgjithshëm i lindjeve i Kinës ishte 9 milionë e 54 mijë, krahasuar me 9 milionë e 20 mijë më 2023. Numri i lindjeve është rritur në 6.77 për njëmijë banorë më 2024, krahasuar me 6.39 për njëmijë banorë më 2023.

    Numri i vdekjeve më 2024 ishte 10 milionë e 930 mijë, krahasuar me 11 milionë e 100 mijë më 2023.

    Shkalla e lindjeve e Kinës ka shënuar rënie për dekada me radhë, si rezultat i politikës një çift-një fëmijë – zbatuar nga viti 1980 deri më 2015, por edhe si pasojë e urbanizimit.

    Qysh ka ndodhur edhe në Japoninë dhe Korenë e Jugut fqinje, edhe në Kinë është rritur numri i atyre që po zhvendosen nga fshatrat në qytete, ku kushtet e jetesës janë më të shtrenjta.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com