Pesë kandidatë për deputetë nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), kanë paraqitur në “Debat Përnime”, planet që i ka bërë partia e tyre për reformim të sistemit arsimor brenda katër vjetëve të ardhshme.
Një nga prioritetet e PDK-së për të nisur këto reforma është edukimi i hershëm.
Për këtë, janë paraparë tri masa, që sipas kandidates, Besianë Musmurati, do të zbatohen nëse PDK vije në pushtet.
Në masën e parë është paraparë ndërtimi i 100 çerdheve të reja gjatë mandatit të parë- praktikisht për secilin vit nga 25 çerdhe.
Në masën e dytë është menduar subvencionimi i fëmijëve që nuk mund të regjistrohen në çerdhet publike me nga 100 euro.
Kjo masë, sipas Musmuratit, do të vazhdojë deri në ndërtimin e çerdheve të planifikuara.
“Masa e dytë është masë emergjente. Përderisa ndërtimi i një çerdheje publike merr më shumë kohë, kemi paraparë një masë emergjente e që është subvencionimi i familjeve për t’i dërguar në çerdhe private. Subvencionimi me 100 euro do të jetë për çerdhet që janë të licencuara nga Ministria e Arsimit”- u zotua Musmurati.
Ndërsa në masën e tretë, sipas planit të PDK-së, është paraparë digjitalizimi i shkollave në Kosovë.
“Na duhet një softuer digjital kombëtar ku nxënësit do të kenë qasje në përmbajtje digjitale arsimore e në video-materiale”- tha Musmurati.
Zotimi tjetër i Musmuratit, nëse PDK vije në pushtet, është që të gjitha shkollat në Kosovë do të kenë psikolog si dhe do të zhvillohen kampanja vetëdijesuese kundër bullizmit.
Në përllogaritjet e PDK-së, 7.5 milionë euro janë paraparë për punësimin e nga një zyrtari të sigurisë në secilën shkollë të Kosovës duke marrë për bazë që paga e tyre do të jetë rreth 600 euro.
“Nëse e llogarisim që në Kosovë janë 1 mijë e 46 shkolla dhe në secilën shkollë e kemi një zyrtar të sigurisë, që mesatarisht do të paguhet diku rreth 600 euro në muaj, atëherë e kemi llogaritë që diku do të jetë 7.5 milionë euro [buxheti vjetor]”- thotë Musmurati.
“Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
“Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.
Për më shumë lexoni në linkun në vijim:
https://kallxo.com/gjate/zotimet-e-pdk-se-100-cerdhe-siguri-ne-shkolla-dhe-investime-qindra-milioneshe-ne-rajonin-e-ferizajt/