Ballina

Etiketë: Drejtësi

  • Plani i Koalicionit për Familjen: Digjitalizim e Vetting në drejtësi dhe fabrika brenda burgjeve

    Kandidati për deputet nga Koalicioni për Familjen, Asdren Bytyqi, në emisionin “Debat Përnime” ka prezantuar programin zgjedhor për fushën e drejtësisë.

    Në kuadër të këtij programi, ky koalicion parasheh një serë reformash për sistemin e drejtësisë në Kosovë, përfshirë digjitalizimin, fuqizimin e institucioneve ndërmjetësuese, Vetting-un në sistemin gjyqësor e prokurorial si dhe reformën në Shërbimin Korrektues.

    Ndër reformat e para që parashihen të bëhen në sistemin e drejtësisë, sipas Bytyqit, është Vetting-u për krerët e lartë të sistemit gjyqësor dhe prokurorial.

    “Do të vazhdojmë Vetting-un në sistemin gjyqësor dhe prokurorial për krerët e lartë të këtyre institucioneve, sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecia”- tha ai.

    Më pas parashihet edhe krijimi i një sistemi digjital që do të lidhë institucionet e drejtësisë me qëllim të efikasitetit më të madh në punë dhe lehtësimit të një varg procedurash.

    Kostoja e këtij sistemi, pritet të jetë rreth 1 milion euro.

    “Ne zotohemi se do të ndërtojmë një sistem digjital të komunikimit mes të gjitha institucioneve të drejtësisë, përfshirë edhe qytetarët e thjeshtë, i cili sistem i komunikimit do të mundësojë që të gjitha lëndët, të gjitha shkresat, të gjitha komunikimet e të gjitha taksat të paguhen online. Ky sistem ka koston 1 milion euro dhe është i gatshëm”- tha Bytyqi.

    Zgjidhje u premtua se do ofrohet edhe për “mungesën juridike në mbrojtjen e trashëgimtarëve ligjor nga shmangia e trashëgimisë nga vëllezërit ose nga motra”.

    Ndërsa me reformat e institucionit të ndërmjetësimit, sipas tij, parashihet që gjykatat të mos ngarkohen më shumë lëndë, mirëpo ato të kenë një institucion që do t’i ndihmonte në zgjidhjen e problemeve pa kaluar në nivele gjykuese.

    “Do ta shtojmë numrin e psikologëve me pagesë nga ana e buxhetit të shtetit të cilët do të ndërmjetësojnë raste kur kanë konflikte bashkëshorte, në mënyrë që mos të mbushen burgjet vetëm me njerëz që kanë dhunë në familje, por në rast se ka nevojë me u ripajtu ose me u rikthye, ta vendosem ndërmjetësimin”- tha Bytyqi.

    Ndërkaq për përshpejtimin e shqyrtimi të lëndëve, sipas tij, parashihet shtimi i buxhetit dhe shtimi i numrit të prokurorëve dhe gjyqtarëve.

    Si reformë në shërbimin korrektues, ai ka paraqitur planin për ndërtim të fabrikave dhe punëtorive brenda burgjeve me qëllim të angazhimit të burgosurve, për t’ju mundësuar atyre edhe marrjen e pagës.

    Stimulimi për leximin e një libri për një muaj nga të burgosurit, nga Koalicioni për Familjen, konsiderohet si metodë që e ulë analfabetizmin. Kjo metodë, sipas Bytyqit, më pasë ju ofron benifite shtesë të burgosurve.

    “Parashohim një herë në muaj me i stimulu të burgosurit me lexu nga një libër, dhe me punëtorë socialë me diskutu edhe me marrë benefite të qëndrimit në ‘skype‘ nga dy orë ekstra në javë dhe një herë në 3 muaj 48 orë vikend…”- tha Bytyqi.

    Ndërsa, për gardianët, ai premtoi përmirësim të kushteve duke e shtuar buxhetin, uniforma të reja, reforma administrative dhe infrastrukturë shtesë.

    “DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. 

    RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com. 

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    “Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

    Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

    https://kallxo.com/gjate/futja-e-lendes-fetare-ne-shkolla-ndalimi-i-martesave-te-gjinise-se-njejte-dhe-krijimi-i-ministrise-per-banim-planet-e-koalicionit-per-familjen/