Ballina

Etiketë: Donald Trump

  • Trumpi i shpëton burgut dhe gjobës

    Presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, është dënuar, por nuk do të vuajë në burg për çështjen e pagesave. Madje nuk do të ketë as gjobë për të, ka raportuar televizioni britanik BBC.

    Ai, derisa po qëndronte afër avokatit tij, është lidhur me gjykatën njujorkeze nëpërmjet një videolidhjeje, ka raportuar gazetari i BBC-së nga objekti i gjykatës.

    Prokuroria kishte nuk kishte kërkuar dënim me burgim, lirim me kusht ose gjobë si dënim – saktësisht që ka vendosur edhe gjykatësi në verdiktin e tij.

    Trumpi ka thënë se kjo ka qenë “një përvojë e tmerrshme” dhe se ai është “krejtësisht i pafajshëm”, derisa pala mbrojtëse ka thënë se asnjëherë nuk është dashur të ngriheshin akuzat.

    Gjyqtari Merchen e ka quajtur rastin si “të jashtëzakonshëm” dhe paradoks me shumë vëmendje, por me procedura të rregullta gjyqësore.

    Në majin e kaluar, Trumpi u dënua për 34 pika të akuzës lidhur me çështjen e pagesave që ia kishte bërë aktores së njohur të filmave për të rritur, Stormy Daniels, dhe se si pagesat ishin riimbursuar më vonë.

    Përgatiti: Rexhep Maloku / Kallxo.com

  • Heshtja e liderëve: Osmani e Kurti s’tregojnë a kanë marrë ftesë për inaugurimin e Trumpit

    Një “Po” ose një “Jo” nuk kanë qenë në gjendje ta thonë për më shumë se dy javë Zyra e Presidencës dhe Zyra e Kryeministrit të Kosovës, për të konfirmuar ose për të mohuar ftesën për pjesëmarrje në Ceremoninë e Inaugurimit të Presidentit të 47-të amerikan, Donald Trump. Duke zgjedhur heshtjen, këto dy Zyra kanë lënë pikëpyetje nëse dy liderët kryesorë të shtetit, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti do të jenë të pranishëm në momentin kur i pari i SHBA-së do të vë dorën mbi Bibël dhe ta japë betimin presidencial.

    Kallxo.com është interesuar të marrë një përgjigje nga Ambasada amerikane në Kosovë, nëse Presidentja dhe Kryeministri kanë marrë ftesë për inaugurimin e Trumpit, por nga kjo Ambasadë kanë sugjeruar që për këtë çështje të kërkohet përgjigje nga Departamenti për Europë në Departamentin Amerikan të Shtetit. As ky Departament nuk është përgjigjur, vetëm ka rekomanduar që të kontaktohet ekipi i Trumpit. Si përfundim, deri në publikimin e këtij artikulli, nuk është marrë përgjigje as nga ky ekip. Kallxo.com ka insistuar të marrë një përgjigje nga vet kryeministri Kurti, pas një vizite që ai i ka bërë Planetariumit në Shtime më 08.01.2025, por ai ka refuzuar të flasë, edhe pse e ka dëgjuar pyetjen që i është i bërë nga gazetari.

    Derisa për liderët e shtetit që konsiderohet më miqësori në raport më SHBA-në nuk dihet nëse kanë pranuar ftesë për të qenë të pranishëm më 20 janar në Uashington, Trump ka zgjedhur që t’i ftojë në Ceremoninë e Inaugurimit të tij jo vetëm aleatët por edhe kundërshtarët.

    Zëdhënësja e republikanit Trump, Karoline Leavitt ka deklaruar në emisionin “Fox and Friends” se ftesa për liderët e botës është “një shembull i Presidentit Trump për të krijuar një dialog të hapur me udhëheqësit e vendeve, që janë jo vetëm aleatët, por edhe kundërshtarët dhe konkurrentët tanë.”

    Gjatë rihapjes së Katedraljes ikonike Notre Dame në Paris, presidentja e Kosovës Vjosa Osmani ishte takuar me presidentin e zgjedhur të SHBA-së, Donald Trump. “Ndërsa isha në Paris, ishte një nder të takoja presidentin Donald Trump dhe ta përgëzoja për fitoren e tij në emër të popullit të Kosovës. Rikonfirmova, gjithashtu, angazhimin tonë për të forcuar aleancën tonë. Ne mbështetemi në udhëheqjen e fortë të SHBA-së, ndërsa punojmë së bashku për të promovuar paqen, sigurinë dhe prosperitetin në rajonin tonë dhe më gjerë.” – ka shkruar Osmani, në rrjetin social X, më 08.12.2024.

    Ndërkaq, kryeministri Albin Kurti pati deklaruar më 11.11.2024 se do të vazhdojë komunikimin dhe bashkëpunimin me cilëndo Administratë që vjen në SHBA – pa marrë parasysh a janë demokratët ose republikanët në pushtet.

    I pyetur nëse do të zhvillojë ndonjë telefonatë me presidentin e zgjedhur amerikan, Donald Trump, Kurti tha se “ne bashkëpunojmë me SHBA-në në mënyrë të pazëvendësueshme dhe me gjithë përkushtimin dhe seriozitetin tonë”.

    “Presidenti i ardhshëm i SHBA-së, në një letër urimi që i pati dërguar një pararendësi para nesh, pati vendosur në thelb njohjen reciproke si diçka qendrore midis raporteve Kosovë e Serbi dhe jemi të interesuar që këtë bashkëpunim ta zgjerojmë.” – kishte thënë Kurti.

    Megjithatë, ish-ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier pati shprehur vitin e kaluar shqetësime me cilësinë e partneritetit mes Shteteve të Bashkuara dhe Kosovës, veçmas sa i përket mënyrës se si Ekzekutivi po i menaxhonte çështjet që kanë të bëjnë me minoritetin serb. Në një intervistë për REL-in, ai pati theksuar se veprimet e pakoordinuara të Qeverisë në veri e zvogëlojnë entuziazmin e SHBA-së, për të mbështetur Kosovën në rrugën e saj euroatlantike.

    Siç raportojnë mediat ndërkombëtare, në inagurimin e Trumpit janë ftuar edhe presidenti i Kinës Xi Jinping, kryeministri hungarez Viktor Orbán, presidenti argjentinas Javier Milei, kryeministrja italiane Giorgia Meloni, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Ndërsa, sipas medias SkyNews, presidenti rus Vladimir Putin nuk ka marrë ftesë. Presidenti në largim, demokrati Biden ka konfirmuar se do të marrë pjesë në inaugurim. Se a do të marrin pjesë të ftuarit e sipërpërmendur ende është e paqartë.

    Ceremonia do të zhvillohet në Uashington DC dhe shënon kalimin paqësor të pushtetit nga Bideni te Trumpi, i cili po kthehet në Shtëpinë e Bardhë për një mandat të dytë, pas një shkëputje që e pati për një mandat, ku në krye të SHBA-së qëndroi Biden.

    Parada pritet të nisë nga Kapitoli i SHBA-së në Shtëpinë e Bardhë. Ngjarja do të fillojë afërsisht në orën 15:00 me kohën lokale (rreth orës 21:00 – sipas kohës sonë).

    Trump do të rikthehet në Shtëpinë e Bardhë, pas fitores ndaj demokrates, Kamala Harris, e cila nuk ia doli të bëhej presidentja e parë grua në Amerikë.

    Republikani Trump 78-vjeçar ka siguruar votat e 270 anëtarëve të Kolegjit Elektoral, aq sa ishin të nevojshme për t’u bërë President.

    Trumpi e ka shpallur fitoren dhe ka paralajmëruar lidership të fuqishëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Donald Trump ka qenë President i SHBA-së nga viti 2017 deri më 2021.

  • SHBA: Përse interesohet Donald Trump për Grenlandën?

    Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump, sipas deklarimit të fundit, do që ta inkorporojë me SHBA-në Grenlandën, në rast nevoje edhe me ndihmën ushtarake.

    Presidenti i zgjedhur i SHBA-së, Donald Trump që pas fitores në Zgjedhje ka përsëritur deklaratat, se Grenlanda duhet të bëhet pjesë e Shteteve të Bashkuara. Grenlanda është në pjesën më të madhe e mbuluar nga akulli. Ishulli më i madh i botës ka vetëm rreth 56.000 banorë. Ky territor është i pasur në lëndë të para dhe pozicion të rëndësishëm strategjik në Atlantikun e Veriut. Ai i përket Danimarkës që prej 600 vjetësh dhe gëzon autonomi të zgjeruar. Deri tani Grenlanda ka hequr dorë nga një pavarësi e plotë.

    Çfarë kërkon Trump?

    Pak para Krishtlindjes Trump sërish hapi diskutimin për Grenlandën. SHBA-ja është e mendimit, që “në interesin e sigurisë kombëtare dhe të lirisë në botë” është një “domosdoshmëri absolute” ta posedosh dhe ta kontrollosh Groenlandën – deklaroi presidenti i ardhshëm. Me këtë Republikani i referohet përpjekjes së dështuar të tij gjatë mandatit të parë, duke propozuar më 2019 për ta blerë Grenlandën.

    Djali i tij, Trump Jr. vizitoi më 07.01.2025 ishullin, sikurse u komunikua gjatë një udhëtimi privat. Në të njëjtën ditë Trump Senior dha një Konferencë shtypi në Rezidencën e tij në Florida. Në deklarimin e tij ai nuk përjashtoi as hapat ushtarakë apo imponimin ekonomik për të vendosur kontrollin ndaj Grenlandës dhe Kanalit të Panamasë. “Ky është një deal, që duhet të realizohet.” – tha Trump.

    Mund ta blejë Trump Groenlandën?

    Edhe njё herё tjetёr njё president i SHBA-sё ka dashur ta blejё Grenlandёn: Harry Truman, pas Luftёs sё Dytё Botёrore, pёr 100.000 Dollarё. Edhe atёherё Qeveria daneze pati refuzuar. Për propozimin e tij për blerjen e ishullit më 2019 Trump mori një refuzim të prerë nga Danimarka dhe Grenlanda. Ngjashëm ishin reagimet edhe aktualisht. “Grenlanda na përket neve. Ne nuk jemi në shitje dhe asnjëherë nuk do të dalim në shitje.” – deklaroi kryeministri i ishullit, Mute Egede. Megjithatë, në fjalimin e tij me rastin e Vitit të Ri kryeministri i Grenlandës u shpreh për një pavarësi nga Danimarka.

    Ç’mund të ndodhë me një pavarësi të Grenlandës?

    Grenlanda që nga viti 1953 është koloni daneze dhe tani është një territor i vetëadministruar brenda mbretërisë. Që nga viti 2009 ishulli ka të drejtën të mbajë referendum për shpalljen e pavarësisë. Nëse ndodh kjo, Grenlanda mund të vendosë për një afrim me SHBA-në në formën e një Marrëveshjeje Asociimi ngjashëm si me ishujt Marshall, Mikronezinë dhe Palaun në Paqësor.

    Shumica e banorëve të ishullit ndonëse duan pavarësinë në sfondin e varësisë ekonomike prej Danimarkës dhe BE-së janë skeptikë. Në pranverë në Grenlandë zhvillohen Zgjedhjet e rregullta parlamentare. Pavarësia nga Danimarka është një temë e rëndësishme në fushatën elektorale.

    Çfarë u ofron Trump Grenlandës dhe banorëve të saj?

    Trump i premton Grenlandës dhe 56.000 banorëve të saj mbrojtje, ndonëse ai asnjëherë deri tani nuk është shprehur për motivet e dëshirës së tij. Ekonomikisht dhe në aspektin gjeopolitik me këtë do të rritej influenca ndaj rajonit të pasur me lëndë të para. Pikërisht tani me shkrirjen e shtresave të akullit dhe daljen në pah të pasurive nëntokësore edhe Rusia e Kina gjithnjë e më shumë po përpiqen me ngulm të ngrehin pretendimet e tyre. SHBA-ja me shtetin federal të Alaskës pranë Árktikut, që prej vitit 1951, ka një bazë aviacioni në veri-perëndim të Grenlandës.

    Profesori i shkencave politike në Këln, Thomas Jäger në një intervistë për televizionin privat NTV, ka shprehur edhe një mendim tjetër të mundshëm që mund të ketë Trump: “Mund të përfytyrohet, se Trump dëshiron që ta vendosë veten në radhën e Presidentëve me traditë, të cilët e kanë zgjeruar dukshëm territorin, në shekullin e XIX, SHBA u shtri më tej në perëndim dhe pastaj bleu Alaskën. Kjo do ta bënte atë vërtetë një ndër Presidentët e mëdhenj.”

    Por pёrse Grenlanda, ishulli mё i madh i botёs – gjashtё herё mё i madh se Gjermania – i pёrket njё vendi tё vogёl siç ёshtё Danimarka? Gjeografikisht ishulli ndodhet qartazi nё Amerikёn e Veriut, skaji mё veriperёndimor i Grenlandёs ndodhet fare pranё brigjeve tё Kanadasё.

    Danimarka nё tё kundёrt ndodhet mё shumё se 3000 km larg Grenlandёs dhe midis tyre ndodhen Islanda dhe njё pjesё e Norvegjisё. Ka pasur mjaft konflikte por mё nё fund danezёt fituan dhe më 1933 Grenlanda e akullt përfundimisht i kaloi Danimarkёs.

    Grenlanda ka qenё dikur e gjelbёr

    Grenlanda quhet Vendi i Gjelbёr. Sepse edhe nëse sot as qё mund tё pёrfytyrohet, pasi 85% e ishullit ndodhet nёn njё shtresё akulli, dikur nё Grenlandё ka qenё shumё mё ngrohtё. Studiuesit kanё gjetur gjurmё tё ADN-sё sё pemёve, tё fluturave dhe insekteve të tjera. Para 450.000 deri nё 900.000 vjetёsh Grenlanda ka qenё e mbuluar prej pyjeve tё dendura.

    Shtresa e akullit, qё ka ende njё trashёsi prej rreth 3800 metra, po pakёsohet sepse akullnajat shkrijnё. Pёrveҁ kёsaj bien gjithnjё e mё shumё shira, e kjo e intensifikon shkrirjen e akullnajave. Studiuesit kanё llogaritur qё niveli i detit nё mbarё botёn do tё rritej mё shumё se shtatё metra, nё rast se do tё shkrihej i gjithё akulli i Grenlandёs.

    Pak njerёz, aspak rrugё

    Sot nё Grenlandё janё vetёm brezat bregdetarë pa akull tё banueshme. Kryesisht nё brigjet perёndimore klima falë rrymёs sё Golfstrimit ёshtё mё e pёrshtatshme pёr jetesё. Kёtu ndodhen edhe shumica e fshatrave, si dhe kryeqyteti Nuuk. Ai ka 18.000 banorё dhe ёshtё qyteti mё i madh i Grenlandёs. Gjithsej nё ishull jetojnё 56.000 banorё dhe dendёsia e popullsisё ёshtё mё e ulёta nё botё. Vetёm nё Artik jetojnё mё pak njerёz se nё Grenlandё.

    Nё mbarё ishullin mungojnё rrugёt e hekurudhat, qё mund tё lidhin qytetet e fshatrat. Rrugё ka midis qyteteve, por ato pёrfundojnё nё periferi tё qytetit. Pёr tё shkuar nga njё qytet nё tjetrin banorёt e Grenlandёs pёrdorin avionё, anije, helikopterё, gomone ose slita me qen.

    Me ndryshimin e klimёs edhe nё Grenlandё mund tё ndryshojё diçka. Mё pak akull nё kёtё ishull nёnkupton edhe mё shumё hapёsirё jetese pёr njerёzit. Shkrirja e akujve çliron lёndё tё para tё rёndёsishme, tё cilat janё tё mbrojtura: Ndёr tё tjera naftё, minerale tё rralla, gaz natyror dhe uran.

    Sё shpejti do tё nisё gjuetia pёr elemente tё tilla. E Presidenti i zgjedhur i SHBA-sё si biznesmen ka njё nuhatje tё fortё pёr tё tilla gjёra./DW

     

  • Blinken: Ideja e Trumpit që SHBA-ja ta marrë nën kontroll Grenlandën s’do të realizohet

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se bota “nuk duhet të humbë shumë kohë” me atë që është duke e thënë presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, rreth Grenlandës.

    Trumpi e bëri të qartë përsëri këtë javë se dëshiron që territori gjysmautonom i Danimarkës të vihet nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara dhe tha se nuk e hedh poshtë as mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake për ta arritur këtë.

    “Neve na nevojitet Grenlanda për qëllime të sigurisë kombëtare”, tha Trump.

    Megjithatë, sekretari në shkuarje i Shtetit tha se qëllimet e presidentit të ri amerikan me gjasë nuk janë asgjë më shumë se vetëm fjalë.

    “Ideja e shprehur për Grenlandën nuk është e mirë, natyrisht”, tha Blinken gjatë një vizite në Paris.

    “Mbase më e rëndësishme është, sigurisht, ideja se kjo nuk do të ndodhë. Prandaj, ne mbase nuk duhet të humbim shumë kohë duke folur për këtë”, tha ai.

    Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, gjithashtu hodhi poshtë mundësinë që forcat amerikane të vendosen kundër Danimarkës, e cila është aleate e SHBA-së në aleancën ushtarake të NATO-s.

    Megjithatë, Barrot paralajmëroi se Evropa duhet të përgatitet për një periudhë turbulencash në të ardhmen.

    “A mendon dikush se Shtetet e Bashkuara do ta pushtojnë Grenlandën? Përgjigja është ‘jo’”, tha ministri francez.

    “Por, a mendojmë se po hyjmë në një periudhë ku ligji i më të fortit po kthehet? Përgjigja është ‘po’”, shtoi ai.

    Barrot theksoi se Evropa duhet të bëhet më e fortë ushtarakisht dhe më konkurruese ekonomikisht e komercialist për t’iu përgjigjur kësaj situate.

    “Duhet të shkojmë shumë më larg për ta ritheksuar se kush jemi dhe çfarë duam”, tha ai.

    Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka thënë se nuk beson se Shtetet e Bashkuara do ta përdorin fuqinë ushtarake ose ekonomike për ta marrë kontrollin mbi Grenlandën dhe i ka bërë thirrje SHBA-së të ketë sjellje më “respektuese ndaj popullit të Grenlandës”.

    Në Gjermani, kancelari Olaf Scholz theksoi të mërkurën se parimi i paprekshmërisë së kufijve vlen për çdo vend, pavarësisht sa i fuqishëm është ai, duke reaguar ndaj komenteve të Donald Trumpit, pa e përmendur presidentin e zgjedhur me emër.

    “Kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë”, tha Scholz./REL

     

  • SHBA, Departamenti i Drejtësisë do të publikojë pjesën e raportit të Prokurorit të Posaçëm Smith për ndërhyrjen në zgjedhje  

    Departamenti i Drejtësisë thotë se do të publikojë përfundimet e Prokurorit të Posaçëm Jack Smith lidhur me përpjekjet e Presidentit të zgjedhur Donald Trump për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, por jo pjesën tjetër të raportit për momentin.

    Ky vendim u bë i njohur në një dokument dorëzuar të mërkurën në një gjykatë federale të apelit, e cila po shqyrton një kërkesë të avokatëve mbrojtës për të bllokuar publikimin e raportit me dy vëllime, ndërsa mbetet pezull çështja e akuzave ndaj dy të pandehurve të tjerë, në çështjen kur akuzohej ish-presidenti republikan dhe tashmë Presidenti i zgjedhur për marrjen e paligjshme të dokumentave të klasifikuara.

    Aileen Cannon, gjyqtarja e çështjes së dokumenteve të klasifikuara, e emëruar nga zoti Trump, e pranoi kërkesën të martën, duke lëshuar një bllokim të përkohshëm për raportin.

    Departamenti i Drejtësisë tha se do të vazhdojë me planet për të publikuar pjesën e raportit për çështjen e ndërhyrjes në zgjedhje, por pjesën për dokumentet e klasifikuara të raportit do ta vërë në dispozicion vetëm për kryetarët dhe nënkryetarët e Komisioneve Juridike të Dhomës së Përfaqësuesve dhe Senatit, përsa kohë vazhdon çështja për dy të pandehurit e tjerë.

    Nuk është ende e qartë se kur mund të publikohet pjesa e raportit për ndërhyrjen në zgjedhje.

    Në dokument i kërkohet Gjykatës së Apelit në Atlanta që të anulojë urdhrin e gjykatëses Cannon, që dukej se të paktën përkohësisht ndaloi publikimin e të gjithë raportit.

    Departamenti i Drejtësisë tha se autoriteti i Prokurorit të Përgjithshëm për të publikuar pjesën e raportit të Prokurorit të Posaçëm Smith për ndërhyrjen në zgjedhje është “i qartë” dhe se të pandehurit e tjerë të çështjes së dokumentave të klasifikuara, dy punonjës të Mar-a-Lagos. nuk kanë asnjë argument ligjor për të bllokuar publikimin e një pjese të raportit që nuk ka lidhje fare me ta.

    Raporti pritej të detajonte gjetjet dhe vendimet e akuzave në dy hetimet e zotit Smith. Hetimi për dokumentet e klasifikuara u hodh poshtë në korrik nga gjykatësja Cannon, e cila arriti në përfundimin se emërimi i Smith ishte i paligjshëm.

    Ekipi i Prokurorit Smith vendosi t’i pushojë të dyja rastet në nëntor, pas fitores së zotit Trump, duke iu referuar një praktike të hershme të Departamentit të Drejtësisë, sipas së cilës, presidentët që janë duke ushtruar detyrën, nuk mund të jenë subjekt i hetimeve federale./ VOA