Ballina

Etiketë: dialogu strategjik

  • Delegacioni i Presidencës së Kosovës u takua me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit, Alexander Kasanof

    Delegacioni i Presidencës së Kosovës është takuar me Zëvendës Ndihmës Sekretarin e Shtetit të SHBA-së, Alexander Kasanof. 

    Kështu ka bërë të ditur Presidenca përmes një njoftimi, ku thuhet se më 21.01.2025, gjatë vizitës në Washington, shefja e stafit të Presidentes, Learta Hollaj dhe këshilltarja për politikë të jashtme, Rejhan Vuniqi, janë takuar me Kasanof

    Presidenca njofton se gjatë takimit është diskutuar për zhvillimet e fundit në marrëdhëniet bilaterale, veçanërisht për dialogun strategjik Kosovë-SHBA, fushat që do të mbulohen nga ky dialog strategjik si dhe pritshmëritë nga ky proces.

    “Gjithashtu, duke qenë dita e parë e punës e administratës së re të udhëhequr nga Presidenti Trump, Presidenca konfirmoi përkushtimin e saj të plotë për thellimin e vazhdueshëm të marrëdhënieve dhe zgjerimin e bashkëpunimit, duke potencuar rëndësinë e ruajtjes dhe avancimit të sigurisë si dhe fuqizimit dhe afirmimit ndërkombëtar të Republikës së Kosovës”- thuhet në njoftimin e datës 22.01.2025. 

    Tutje, nga Presidenca njoftojnë se Kasanof, gjatë takimit, ka theksuar rëndësinë e vazhdimit të procesit të dialogut Kosovë-Serbi, derisa nga Presidenca thuhet se është ritheksuar nevoja që dialogu të përqëndrohet në njohje reciproke. 

  • Çka është Dialogu Strategjik për të cilin angazhohet SHBA-ja?

    Kosova dhe Shtetet e Bashkuara së shpejti do të finalizojnë një marrëveshje për Dialogun Strategjik.

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani tha të premten se me kërkesën e saj në vitin 2021 SHBA-ja ka konfirmuar se së shpejti do ta finalizojë këtë Dialog me Kosovën.

    Lajmin ia ka sjellë zëvendëssekretari amerikan i Shtetit për Menaxhim dhe Burime, Richard R. Verma, i cili po viziton Kosovën.

    Çfarë nënkupton kjo?

    Dialogu Strategjik është një proces që Departamenti i Shtetit i SHBA-së në shumicën e rasteve zhvillon me vende të ndryshme të botës, me synim avancimin e marrëdhënieve bilaterale.

    Ky proces përfshin diskutime të nivelit të lartë në mes të dy vendeve që zhvillohen ose në Uashington, ose në vendin përkatës, mbi një gamë të gjerë temash si: mbrojtja, siguria, mjedisi, energjia, bashkëpunimi ekonomik etj.

    Bazuar në informacionet nga Departamenti i Shtetit, Radio Evropa e Lirë konfirmoi se SHBA-ja ka zhvilluar Dialog Strategjik gjatë viteve të fundit me Francën, Mbretërinë e Bashkuar, Rumaninë, Austrinë, Poloninë, Slloveninë, Moldavinë, Greqinë, Maqedoninë e Veriut, Katarin, Omanin, Bahrejnin, Egjiptin etj.

    SHBA-ja përfshihet në Dialog Strategjik jo vetëm me shtete, por edhe me Organizata ose Lëvizje të vendeve që ajo nuk i konsideron aleate, si Lëvizja Demokratike Bjelloruse, e udhëhequr nga Sviatlana Tsikhanouskaya.

    Dialog Strategjik edhe me Kosovën, edhe me Serbinë

    Dialogu Strategjik me Kosovën dhe Serbinë është përmendur gjithashtu në një deklaratë për shtyp të senatores amerikane, Jeanne Shaheen, në prill të vitit 2024.

    Në atë kohë, Komiteti për Punë të Jashtme i Senatit të SHBA-së miratoi një Projektligj të propozuar nga senatorja demokrate Shaheen dhe senatori republikan, Roger Wicker, që synonte rritjen e angazhimit amerikan në Ballkanin Perëndimor dhe u dërgua në Senat për shqyrtim.

    Projektligji përmend gjithashtu nevojën për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit mes Kosovës dhe Serbisë, duke theksuar se kur të jetë bërë përparim i mjaftueshëm, Shtetet e Bashkuara duhet të shqyrtojnë nismat për forcimin e marrëdhënieve bilaterale me të dyja vendet.

    “Këta hapa të propozuar përfshijnë nisjen e Dialogut Strategjik dypalësh me Kosovën dhe Serbinë dhe mbështetjen e nismave konkrete në fushën e tregtisë dhe investimeve.” – thuhet në deklaratën për shtyp të senatores Jeanne Shaheen.

    Në rajon vetëm Maqedonia e Veriut ka hyrë në një Dialog të tillë Strategjik me SHBA-në. Takimi i parë u mbajt më 02.06.2022 në Uashington DC dhe u drejtua nga ish-ministri i Jashtëm i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani dhe ndihmëssekretarja amerikane e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike, Dr. Karen Donfried.

    Në atë kohë të dyja vendet theksuan mbështetjen e tyre për sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe riafirmuan angazhimin e tyre për integrimin rajonal të Ballkanit Perëndimor, përmes nismave politike, ekonomike dhe të sigurisë.

    Në takim ata nënvizuan gjithashtu rëndësinë strategjike të zhvillimit të aftësive të avancuara të mbrojtjes, zhvillimit të stërvitjeve dhe aktiviteteve të trajnimit dypalësh, për të përmirësuar ndërveprimin dhe gatishmërinë.

    Për më tepër, ata riafirmuan angazhimin për rritjen e diversifikimit dhe pavarësisë energjetike në mbështetje të sigurisë kombëtare dhe ndanë angazhimin për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin ekonomik e tregtar dypalësh./REL

  • Osmani: Kosova dhe SHBA do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani më 10.01.2025 deklaroi se në takim me zëvendëssekretarin amerikan Richard Verma iu konfirmua se Kosova dhe SHBA-ja do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik.

    Sipas Osmanit, kjo është një e arritur e jashtëzakonshme e cila dëshmon se partneriteti i mirëfilltë, i bazuar në vlera dhe interesa të përbashkëta, gjithmonë sjell rezultate.

    “Pas propozimit që i kam dërguar Shteteve të Bashkuara të Amerikës, si Presidente e Republikës qysh në vitin 2021, pastaj rikonfirmuar në qershor të vitit 2022 nëpërmjet notës verbale, si dhe në takimin me Sekretarin Blinken në korrik 2022, si dhe pas një pune të jashtëzakonshme të ekipeve tona përgjatë viteve të kaluara, sot në takim me zëvendëssekretarin amerikan Richard Verma m’u konfirmua se Kosova dhe SHBA-ja do ta finalizojnë së shpejti Dialogun Strategjik.” – ka shkruar Osmani.

    Ajo ka falënderuar: “Falënderoj Qeverinë e Shteteve të Bashkuara të Amerikës për këtë përkrahje ndaj popullit të Kosovës.”

    Ndërsa, ka thënë se mezi pret ta vazhdojë bashkëpunimin intensiv në interes të Kosovës.

    “Ekipet tona do të takohen së shpejti për ta finalizuar marrëveshjen për Dialogun Strategjik, e cila do të përfshijë fusha shumë të rëndësishme në interes të qytetarëve të Kosovës.” – ka thënë tutje Osmani.

    E ngarkuara me Punë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë, Anu Prattipati është takuar më 09.01.2025 me sekretarin amerikan, Richard Verma.

    Sipas njoftimit të Ambasadës, zëvendëssekretari i Shtetit do të takohet me zyrtarët më të lartë të Kosovës, komunitetin e biznesit dhe përfaqësues të mediave.

    Verma ka nisur turin në disa shtete të Ballkanit Perëndimor që nga data 07.01.2025, në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi. Ai do të qëndrojë deri më 11.01.2025.

    Ende nuk dihet nëse do të ndodhë një takim edhe me kryeministrin Albin Kurti.

    Departamenti i Shtetit (DASH) bëri të ditur se në Kosovë, Verma do të diskutojë për normalizimin e marrëdhënieve të Kosovës me Serbinë përmes Dialogut të lehtësuar nga BE-ja, forcimin e qeverisjes dhe sundimit të ligjit, si dhe nxitjen e rritjes ekonomike dhe sigurisë energjetike për të mirën e të gjithë kosovarëve.

    Ndër të tjera thuhet se Verma, gjithashtu, do të falënderojë Qeverinë e Kosovës, për mbështetjen e fuqishme të Ukrainës dhe për ndihmën e saj për afganët në nevojë.

    https://kallxo.com/lajm/dialogu-kosove-serbi-presidentja-osmani-takohet-me-zyrtarin-amerikan-richard-verma/