Ballina

Etiketë: Dialogu

  • Eurodeputetët: Qasja e pabalancuar e BE-së ka ndikuar negativisht në dialogun Kosovë-Serbi

    Eurodeputetët i kanë thënë emisarit në largim të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, se qasja e pabalancuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë ka ndikuar negativisht në këtë proces, thanë burimet e Radios Evropa e Lirë në Parlamentin Evropian.

    Lajçak më 30 janar ka zhvilluar një takim lamtumirës me deputetët e Parlamentit Evropian në Komisionin për Politikë të Jashtme, me të cilët ka biseduar për mandatin e tij pesëvjeçar si i dërguari i bllokut për dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Burime të Radios Evropa e Lirë thanë se gjatë këtij takimi, të zhvilluar me dyer të mbyllura, shumica e eurodeputetëve kanë qenë kritikë ndaj mënyrës se si BE-ja u është qasur palëve në dialog dhe në përgjithësi në raportet me shtetet.

    Mësohet se gjatë këtij debati, shumica e deputetëve të PE-së janë shprehur se masat ndëshkuese që BE-ja ka vendosur ndaj Kosovës dhe në të njëjtën kohë nuk ka pasur masa ndaj Serbisë, veçmas pas sulmit të armatosur në Banjskë më 2023, kanë ndikuar negativisht në dialogun që ndërmjetësohet nga BE-ja.

    Në shtator të vitit 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen. Kosova kërkon ekstradimin e Millan Radoiçiqit – ish-politikanit dhe biznesmenit nga veriu i Kosovës që ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë – nga Serbia, ku besohet se gjendet. BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur thirrjen e tyre që përgjegjësit për sulmin të përballen me drejtësi.

    Eurodeputetët, gjatë takimit me Lajçakun, kanë kërkuar edhe një herë heqjen e masave – të vendosura ndaj Kosovës më 2023 për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe – dhe një qasje të balancuar nga ana e BE-së.

    Zyrtarë të lartë në Kosovë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti, disa herë e kishin kritikuar Lajçakun dhe dhe ish-kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell, për njëanshmëri në dialog dhe njëkohësisht kanë kërkuar heqjen e masave ndëshkuese.

    Sipas burimeve, mësohet se Lajçak është pajtuar me konstatimin e eurodeputetëve se është dashur të hiqen masat ndaj Kosovës dhe ai kishte kërkuar një gjë të tillë menjëherë pas sulmit në Banjskë, por është arsyetuar se heqja e tyre nuk ishte në dorën e tij, por vendim që i përket vendeve anëtare.

    Lajçak përfundon mandatin të premten, më 31 janar, dhe një ditë më pas nis mandati i emisarit të ri për dialogun, diplomatit nga Danimarka, Peter Sorensen.

    Lajçak në takim me eurodeputetët mësohet se është shprehur që BE-ja duhet të mbajë rol kryesor në lehtësimin e dialogut dhe në përgjithësi angazhimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Gjatë mandatit pesëvjeçar të Lajçakut si ndërmjetës në dialog, palët kanë arritur Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit të zbatimit të arritur më 2023.

    Lajçak, siç mëson REL-i, në takimin me eurodeputetët ka pranuar se nuk ka pasur përparim që ai ka pritur sa i përket zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

    Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

    Palët janë pajtuar për marrëveshjen, por nuk e kanë nënshkruar atë. Megjithatë, BE-ja thotë se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme për Kosovën dhe Serbinë./REL

  • Takimi i parë Kosovë-Serbi në Bruksel i Komisionit të Përbashkët për të Pagjeturit

    Në Bruksel sot, më 15.01.2025, zhvillohet takimi i parë i Komisionit të Përbashkët të Kosovës dhe Serbisë për të Pagjeturit.

    Ngritja e këtij Komisioni është bërë në bazë të një marrëveshjeje të arritur vitin e kaluar, në kuadër të Dialogut për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur.

    Sipas Kryqit të Kuq, në Kosovë janë ende 1.612 persona të pagjetur nga lufta. Se kush janë, mund të lexoni këtu.

    Në takim, delegacioni i Kosovës do të udhëhiqet nga Halil Cenaj – bëri të ditur kryetari i Komisionit Qeveritar për Personat e Zhdukur, Andin Hoti.

    Ndërkaq, para takimit Serbia nuk bëri të ditur se kush do të udhëheqë delegacionin e saj.

    Sipas burimeve në BE, në këtë takim nuk pritet ndonjë veprim konkret, por do të jetë më shumë i karakterit simbolik dhe ceremonial, duke qenë se do të jetë takimi i parë i këtij Komisioni. Po ashtu, fakti që Kosova është në periudhë të fushatës zgjedhore, ndikon që ky të jetë vetëm një takim simbolik.

    Burimet në Bruksel thanë se takimi do të jetë rast që palët të paraqesin prioritetet e tyre dhe të merren vesh për datat e takimeve të ardhshme, në të cilat priten rezultate konkrete.

    Kryetari i Komisionit Qeveritar të Kosovës për Personat e Zhdukur, Andin Hoti shkroi në Facebook se në Bruksel do të përcaktohen Plani i punës dhe takimet e radhës.

    Ai u shpreh se në këtë drejtim, delegacioni i Kosovës do të prezantojë disa kërkesa kyçe, që ndërlidhen kryesisht me monitorimin e zbatimit të Deklaratës për Personat e Zhdukur, “me fokus të veçantë në shkresën për arkivat, të cilën e kemi adresuar te Vuçiqi dhe çështje të tjera të rëndësishme në këtë fushë”.

    “Ky takim është një hap i rëndësishëm drejt zbatimit të Marrëveshjes ekzistuese – Deklaratës për Persona të Zhdukur, e miratuar më 02.05.2023.” – tha ai.

    Në dhjetor të vitit të kaluar, Kosova dhe Serbia u pajtuan që të formonin këtë Komision të Përbashkët për të zbatuar Deklaratën dhe BE-ja e kishte cilësuar si një nga rezultatet më të rëndësishme të Dialogut vitin e kaluar.

    Deklarata politike ishte arritur në maj të vitit 2023, mes kryeministrit të Kosovës Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë Aleksandër Vuçiq.

    Megjithatë, deri më tani nuk është bërë ndonjë veprim konkret për zbatimin e saj, teksa familjarët e më shumë se 1.600 persona të pagjetur – kryesisht shqiptarë – me ankth presin të dinë për fatin e më të dashurve të tyre.

    Një nga ta është edhe Fitim Dubovci, i cili kërkon babanë e tij të zhdukur në luftën e fundit në Kosovë, më 1998-1999.

    “Babanë e kanë marrë të gjallë, por sot vetëm 1% besoj se mund të jetë i gjallë diku.” – tha ai për REL-in, në prill të vitit 2024.

    Fitimi nga Çikatova e Drenasit, përveç babait ka edhe pesë familjarë të tjerë të zhdukur.

    “Sa e sa familjarë të personave të zhdukur tashmë kanë vdekur ‘me sy hapur’, sepse nuk e kanë ditur ku i kanë më të dashurit e tyre.” – tha ai.

    BE-ja ka thënë më herët se për zbatimin e Deklaratës për Personat e Zhdukur duhet funksionalizimi i Komisionit të Përbashkët.

    Megjithatë, në të kaluarën palët kishin akuzuar njëra-tjetrën për mungesë të gatishmërisë, për të dhënë informacione për të pagjeturit, si dhe qasje në dokumente relevante e arkiva ushtarake të rëndësishme për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur.

    Në Deklaratën për Personat e Zhdukur thuhet se palët angazhohen për identifikimin e vendeve të varrimit dhe më pas që në to të gërmohet.

    Aty po ashtu palët pajtohen që të ofrojnë qasje të plotë në informacione të besueshme dhe të sakta që do të ndihmonin në gjetjen dhe identifikimin e personave të zhdukur, në periudhën 01.01.1998 – 31.12.2000.

    “Kjo përfshin të gjitha materialet, shënimet, urdhrat, dokumentet, videot, audio-incizimet dhe çdo dokument tjetër – përfshirë edhe ato që kanë statusin e klasifikuar, nën posedimin e institucioneve të të dyja palëve, që janë të rëndësishme për këtë kontekst.” – thuhet në Deklaratë.

    Në këtë Deklaratë nuk përmenden arkivat ushtarake apo policore, që Kosova ka kërkuar që Serbia t’i hapë pasi thotë se në to janë edhe informacionet për të zhdukurit.

    Megjithatë, aty përmenden dokumentet me status të klasifikuar, që sipas njohësve iu referohet dokumenteve konfidenciale apo arkivave shtetërore ushtarake e policore, të cilat sipas tyre do të ndihmonin në gjetjen e personave të pagjetur.

    Kosova ka kryer gërmime në lokacione të ndryshme ku dyshohen për mbetje mortore të personave të vrarë gjatë luftës. Por, autoritetet shpesh kanë thënë se problemi qëndron në lokacionet në Serbi, ku dyshohet se janë varrosur viktimat e luftës në Kosovë.

    Në rajon, nga konfliktet në Kroaci dhe Bosnjë e Hercegovinë zbardhja e fatit të personave të zhdukur është po ashtu pjesë e punës së Komisioneve të Përbashkëta mes këtyre shteteve./REL

  • Pse SHBA-ja, nën Trumpin, duhet të nënshkruajë një marrëveshje sigurie me Kosovën

    Një marrëveshje sigurie ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës do të përbënte fitore të dyfishtë për të dy shtetet  – dhe do t’i shkonte për shtat qasjes transkasionale të Donald Trumpit ndaj politikës së jashtme.

    Shtetet e Bashkuara dhe Kosova duhet të nënshkruajnë marrëveshje dypalëshe të sigurisë që të fuqizojnë nivelet aktuale të bashkëpunimit të sigurisë, jo vetëm si simbol miqësie, por si pjesë e një strategjie për zgjerimin e marrëdhënieve dypalëshe, për të lartësuar shtetësinë e Kosovës dhe avancuar lidershipin amerikan në Ballkanin Perëndimor. Dhe Donald Trumpi është në vendin e duhur për ta jetësuar këtë.

    Shtetet e Bashkuara kanë demonstruar zotimin e tyre për mbrojtjen e Kosovës, dhe krejt së fundmi me autorizimin në Kongres të trajnimeve ushtarake, sipas Aktit të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare më 2024 dhe me aprovimin e blerjes nga Kosova të 246 raketave anti-tank “Javelin”, në vlerë prej 75 milionë dollarësh, për të fuqizuar deterencën (mbrojtjen parandaluese, shënim i përkthyesit).

    Një marrëveshje dypalëshe sigurie do të ndërtonte një zinxhir furnizimi të sigurisë që do të garantonte qasjen e Kosovës në asetet amerikane, njëherësh duke fuqizuar edhe lidershipin amerikan në rajon. Do ta ndihmonte njashtu rrugëtimin e Kosovës drejt anëtarësimit në NATO, aleanca kryesore e sigurisë në botë.

    Zhvillimi i vazhdueshëm i Forcës së Sigurisë së Kosovës nëpërmjet konsultimeve të rregullta në nisma shkollimi ushtarak, manovra të përbashkëta, reagime krizash dhe misione ndërkombëtare paqeruajtëse do ta lidhin Kosovën me standardet operacionale të NATO-s.

    Për më tepër, ngritja e mbështetjes amerikane nëpërmjet Ekipit Ndërlidhës dhe Këshillimor të NATO-s do të ndihmonte Kosovën me trajnime në logjistikë, prokurim dhe lidership. Formalizimi i partneritetit të sigurisë ndërmjet SHBA-së dhe Kosovës, sipas doracakëve të NATO-s, do të fuqizonte stabilitetin rajonal dhe do t’u kundërvihej operacioneve maline të Rusisë në rajon.

    Kosova duhet të marrë gjithashtu trajnime dhe mbështetje në kapacitete kibernetike, sidomos në inteligjencë të kërcënimit kibernetik, mbrojtje të infrastrukturës kritike dhe ndarje teknologjie dhe prokurim.

    Një marrëveshje dypalëshe duhet të qendërsohet në avancimin e shkathtësive të personelit, avancimin e kornizave të qeverisjes, përmirësimin e reagimit ndaj incidenteve dhe përmbushjen e standardeve të NATO-s. Përderisa Kosova kualifikohet për bashkëpunim dhe trajnim të sigurisë kibernetike sipas Aktit amerikan të Autorizimit të Mbrojtjes Kombëtare të vitit 2024, një marrëveshje dypalëshe zyrtare sigurie do të garantonte mbështetje në planin afatgjatë.

    Megjithatë, Kosova duhet të punojë në përditësimin e Strategjisë së saj të Sigurisë Kibernetike dhe pocizionimin e Agjencisë së saj të Sigurisë Kibernetike për t’iu kundërvënë operacioneve maline dhe agresioneve kibernetike.

    Qendra Shtetërore Trajnuese për Siguri Kibernetike e Kosovës duhet të jetë partnere me institucione akademike për të zhvilluar një radhë profesionistësh të kibernetikës për t’u kyçur në sektorin publik. Kosova duhet të ketë gjithashtu qasje në platformat e ndarjes së informacioneve dhe të zgjerojë bashkëpunimin brenda shkëmbimeve rajonale, si forumi i Bashkëpunimit i Sigurisë në Këshillin Rajonal të Bashkëpunimit.

    Mundësitë dhe rreziqet

    Një marrëveshje dypalëshe do të bazohej në marrëveshjet ekzistuese ndërmjet SHBA-së dhe partnerëve të tjerë. Në vazhdën e invazionit të Rusisë në Ukrainë, SHBA-ja ka nënshkruar, ndaras, marrëveshje sigurie me aleatët e NATO-s, Finlandën, Danimarkën dhe Suedinë, dhe një marrëveshje tjetër të detyrueshme dhjetëvjeçare me Ukrainën.

    Bazuar në Traktatin e Mbrojtjes së Përbashkët, të vitit 1951 ndërmjet SHBA-së dhe Filipineve, në nëntorin e vitit 2024 SHBA-ja dhe Filipinet nënshkruan Marrëveshjen e Përgjithshme Ushtarake për të zgjeruar ndarjen e informacioneve dhe të dhënave të inteligjencës ushtarake, dhe teknologjive të mbrojtjes si kundërvënie ndaj agresionit të Kinës.

    Marrëveshjet e tilla reflektojnë preferencat amerikane për përfshirje të partnerëve dhe aleatëve mbi baza dypalëshe bashkëpunimi. Një marrëveshje sigurie SHBA-Kosovë do të sinjalizonte zotimin amerikan për bashkëpunim ndërshtetëror me Kosovën, partnere pro-amerikane.

    Por Kosova gjithashtu duhet ta kryejë hisen e saj të punës, duke dyfishuar trupën e saj diplomatike, të aftë për t’i bindur shtetet anëtare të NATO-s dhe pesë vendet e Bashkimit Europian, të cilat nuk ia njohin pavarësinë, që ta ndryshojnë krejtësisht kursin dhe t’ia njohin shtetësinë.

    Përderisa SHBA-ja është e përkushtuar që të lartësojë sovranitetin e Kosovës kundrejt përpjekjeve të vazhdueshme delegjitimuese, një marrëveshje dypalëshe sigurie do të formalizonte atë zotim, duke e bërë Kosovën njëherësh përgjegjëse si ofruese e sigurisë.

    Në mungesë të një marrëveshjeje dypalëshe sigurie, armiqtë do ta bëjnë të veten. Rusia kaherë ka zbatuar një strategji të luftës hibride që kombinonin narrativat kulturore strategjike dhe dezinformimin, gënjeshtrat dhe sulmet kibernetike. Kremlini do të vazhdojë të cenojë sovranitetin e Kosovës, të ashpërsojë tensionet etnike në rajonet me shumicë serbe dhe do të minojë integrimin euroatlantik.

    Gjithashtu, është qenësore që SHBA-së të rifuqizojë partneritetet në rajon, në kohën kur investimet strategjike të Kinës në ekonomi dhe infrastrukturë do të mund të shërbenin, nëse kalojnë pa rënë në sy, si alternativë edhe për Shtetet e Bashkuara, edhe për Bashkimin Europian. Kompleksitetet e përfshira në njohjen e Kosovës, të ndërthurura me kontestet gjeopolitike, nënkuptojnë se tashmë është vonuar hapja e një shtegu të ri.

    Përfshirja e drejtpërdrejtë me administratën e Trumpit

    Zgjedhja e Donald Trumpit më 2024 do ta ndërrojë diskursin e politikës së jashtme amerikane që të reflektojë prirjet e tij që për të bërë marrëveshje dypalëshe në vend të marrëveshjeve shumëpalëshe. Por sfidat që janë paraqitur prej boshtit në ngritje ndërmjet Rusisë, Kinës, Iranit dhe Koresë Veriore nënkuptojnë se SHBA-së do t’i duhen aleatët në rajonet e kontestuara gjeopolitikisht, si Ballkani Perëndimor.

    Nëse merret për doracak administrata e parë e Trumpit, atëherë ne mund të presim se e dyta e tija do të ndjekë një politikë të jashtme ndërvepruese. Një marrëveshje dypalëshe ndërmjet Uashingtonit dhe Prishtinës i shkon fiks për shtat asaj qasjeje.

    Përpjekjet e administratës së parë të Trumpit për të lehtësuar normalizimin ekonomik me Marrëveshjen e Uashingtonit më 2020 ndërmjet Kosovës dhe Serbisë sinjalizoi lidershipin amerikan dhe rrugën përpara.

    Marrëveshja përfshiu 16 pika të fushës ekonomike, solli njohjen diplomatike izraelite të Kosovës, vendosi një moratorium njëvjeçar të qasjes së Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe fushatën mosnjohëse të Serbisë, dhe u bëri thirrje të dy vendeve që të lokalizojnë personat ende të pagjetur prej luftës së vitit 1999.

    Megjithëse Marrëveshja e Uashingtonit hasi në pengesa të zbatimit të dobët, administrata e dytë e Trumpit mund të marrë masa të ngjashme si pretekst për normalizim.

    Me mbështetjen e vazhdueshme për institucionet qeverisëse dhe reformat politike të Kosovës, SHBA-ja mund ta ndihmojë Kosovën të shërbejë si një forcë demokracie dhe stabiliteti politik, që është thelbësore për zhvillimin e një ndikimi sigurie.

    Kjo do të inkurajojë investime të reja amerikane në sektorin e mbrojtjes dhe infrastrukturës kritike të Kosovës, do t’u jepte shtytje blerjeve të pajisjeve dhe teknologjive mbrojtëse amerikane nga Kosova dhe manovra të përbashkëta ushtarake.

    Administrata e dytë e Trumpit duhet të përfshijë edhe aleatët tjerë në rajon, veçmas Shqipërinë, dhe aleatë si Britania, që të fuqizohet stabiliteti dhe mbështetja për një front të bashkuar kundër kërcënimeve të përbashkëta.

    Përfshirja e drejtpërdrejtë amerikane dhe angazhimi me aleatët dhe partnerët në rajon dhe gjetiu do të mund të ndihmonin nisjen e proceseve që stagnuan gjatë administratës së Bidenit.

    Përgjatë vitit 2024, Trumpi bëri fushatën për president në emër të realpolitikës “Paqe Nëpërmjet Forcës”, një shprehje latine që shihet në platformat e Partisë Republikane dhe që do të shprehej bujshëm prej ish-presidentit Ronald Reagan, i cili e kishte huazuar prej perandorit romak, Adrian.

    Vënia e theksit te deterenca nga Trumpi dhe preferenca e tij për nisma dypalëshe u shërben interesave amerikane të sigurisë dhe shtetit më pro-amerikan në botë, Republikës së Kosovës. Një Kosovë e pavarur, sovrane, e sigurt dhe stabile do të garantonte pozitën e saj si ofruese sigurie dhe do të fuqizonte rastin e saj për anëtarësim në NATO.

    Nevoja për qasje pragmatike ndaj dialogut që po zhvillohet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është konsistente me qëllimin e politikës së jashtme të Trumpit për përfitime të prekshme sigurie në vend të diskutimeve të pafundme e idealiste, të shfrytëzuara nga Rusia.

    Një marrëveshje zyrtare sigurie ndërmjet Kosovës dhe SHBA-së do t’i sillte stabilitet Ballkanit Perëndimor, duke promovuar demokracinë, zhvillimin, reformën në sektorin e sigurisë dhe bashkëpunimin e sigurisë. Gjithashtu, do të shërbente si kundërmasë e fuqishme ndaj forcave armiqësore që kërcënojnë të minojnë rajonin dhe t’ia prenë udhën SHBA-së.

    Administrata e dytë e Trumpit do të pozicionet për të lidhur marrëveshje dypalëshe sigurie, duke përdorur si levë kornizat ekzistuese dhe duke zgjeruar bashkëpunimin e mbrojtjes dhe të sigurisë. Dhe bash tani është momenti për aksion vendimtar.

    Avancimi i partneritetit SHBA-Kosovë nuk është thjesht një opsion; më fort është domosdoshmëri për interesat e sigurisë kombëtare të SHBA-së dhe për të siguruar vendin e drejtë të Kosovës në rendin euroatlantik.

    (Dr. Chris Dolan, doktor shkence, është profesor asistent në Shkollën e Çështjeve Publike në Universitetin Shtetëror të Pensilvanisë. Hulumtimi i tij shkencor qendërsohet në NATO-n, bashkëpunimin e mbrojtjes dhe të sigurisë, mbrojtjen kibernetike dhe mbrojtjen e infrastrukturës kritike, sigurinë kombëtare amerikane dhe sigurinë e brendshme. Ai dy herë ishte përfitues i programit amerikan studimor, Fulbright (në Maqedoninë e Veriut më 2022; në Kosovë më 2019-2020. Më 2024, Dolan, mbështetur nga programi studimor i Departamentit të Shtetit, Fulbright, punoi si specialist në mbrojtjen kibernetike dhe infrastrukturën kritike me Qendrën Kosovare për Studime Sigurie (KCSS) në Kosovë. Më 2023, ai botoi dy libra: “NATO, the U.S., and Cold War 2.0” dhe “The Politicis of U.S. Foreign Policy and NATO”.

    Dr. Arben Hajrullahu është rektor i Universitetit të Prishtinës dhe profesor i Shkencave Politike. Në kuadër të programit Fulbright Hubert Humphrey ka shërbyer në Universitetin e Karolinës Veriore në Chapel Hill dhe si ligjërues mysafir në Qendrën Ndërkombëtare për Studiues, “Woodrow Wilson”, në Uashington DC.)

    Opinionet e shprehur janë të autorëve dhe jodomosdsoshmërisht reflektojnë pikëpamjet e BIRN-it.

    Artikulli fillimisht është publikuar në Balkan Insight.

    Nga anglishtja: Rexhep Maloku