Ballina

Etiketë: denimi kapital

  • Kongoja ekzekuton 102 ‘banditë urbanë’ – 70 të tjerë në radhë, thonë zyrtarët

    102 burra janë ekzekutuar nga Qeveria e Kongos gjatë javës së kaluar dhe 70 të tjerë pritet të ekzekutohen, ka bërë të ditur ministri i Drejtësisë në një deklaratë për Agjencinë amerikane të lajmeve AP – ka raportuar televizioni CNN.

    Në deklaratë thuhet se burrat, prej 18 deri në 35 vjeç, ishin plaçkitës të armatosur dhe “banditë urbanë”, të njohur nga vendasit si “Kulunas”, të cilët janë ekzekutuar në Burgun e zonës perëndimore të Kongos në Angenga. 45 të tjerë ishin vrarë në fund të dhjetorit dhe 57 të tjerët janë ekzekutuar gjatë 48 orëve të fundit – thuhet në njoftimin e së dielës.

    Një fluturim me 70 burra të tjerë nga Kinshasa kanë arritur në Angenga, por Qeveria nuk ka komentuar statusin e të burgosurve.

    Ministri i Drejtësisë, Mutamba, i cili po monitoron ekzekutimet, ka thënë të dielën vonë se “një tufë e tretë do të ekzekutohet, kështu që dy të parat janë kryer me masën e ekzekutimit me ‘dënim me vdekje’”.

    Vendimi i Qeverisë për të zbatuar dënimin me vdekje ka ngjallur ndasi. Disa e kanë mirëpritur masën si mjet për të rikthyer sundimin e rendit dhe sigurisë në qytete, derisa të tjerë janë shprehur të shqetësuar për rreziqet e abuzimit dhe të shkeljeve të të drejtave të njeriut.

    “Ne e mirëpresim këtë Vendim prej Ministrit, sepse do të ndihmojë t’i jepet fund krimit urban. Që prej orës tetë të mbrëmjes e tutje, ju nuk mund të lëvizni lirisht për shkak se keni frikë se mund të bini në duar të një ‘Kuluna’.” – ka thënë Fiston Kakule, banor i qytetit lindor Goma.

    Espoir Muhinuka, aktivist i të drejtave të njeriut, ka paralajmëruar për mundësinë e ekzekutimeve jashtëgjyqësore dhe ka bërë thirrje për respektim strikt të procedurave juridike dhe garancive themelore. Ai druan se presioni politik mund të çojë drejt dënimeve të padrejta dhe ekzekutimeve arbitrare.

    “Situata në Republikën Demokratike të Kongos është e ndërlikuar dhe kërkon qasje multidimensionale. Lufta kundër bandave duhet të zhvillohej krahas përpjekjeve për ta luftuar varfërinë, papunësinë dhe përjashtimin social, që shpesh janë faktorë që i kontribuojnë krimit.” – ka thënë ai.

    Dënimi me vdekje në Kongo është çështje e ndjeshme. Shteti afrikan e kishte shfuqizuar më 1981, por e riktheu më 2006. Ekzekutimi i fundit u bë më 2003, por në marsin e vitit 2004 Qeveria kongoleze njoftoi rikthimin e ekzekutimeve të rënda – megjithëse ishte menduar se dënimi me vdekje do të zbatohej vetëm për personelin ushtarak të akuzuar për tradhti kombëtare.

    Në maj, tetë ushtarë ishin dënuar me vdekje për dezertim prej fushëbetejës dhe në korrik 25 ushtarë të tjerë u dënuan për shkelje të ngjashme. Nuk raportohet se ndonjëri prej tyre është ekzekutuar.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com