Ballina

Etiketë: DebatPernime2021

  • Haziri (LDK): S’ka zbatim të asnjë marrëveshjeje, pa zbatim të marrëveshjes gjithëpërfshirëse

    Kandidati për deputet nga LDK-ja, Lutfi Haziri, ka kritikuar Qeverinë Kurti për qasjen që ka ndjekur në dialogun për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian.

    Ai e ka cilësuar Marrëveshjen e Ohrit, si “kthesën më të madhe” për të keq, që i ka ndodhur Kosovës gjatë katër viteve të fundit.

    Parim i LDK-së, sipas tij, është se “nuk vlen asnjë marrëveshje përderisa nuk ka marrëveshje gjithëpërfshirëse”.

    “Nuk vlen dhe nuk implementohet asnjë marrëveshje përderisa nuk implementohet marrëveshja gjithëpërfshirëse. Nuk kemi mbërri te një marrëveshje gjithëpërfshirëse”- tha ai në “Debat Përnime”, më 29.01.2025.

    Duke folur për parimet mbi të cilat, sipas tij, duhet të vazhdojë dialogu, ai tha se në radhë të parë duhet që bisedimet të vazhdojnë në vende neutrale, ndërmjetësi të jetë Bashkimi Europian me mandat të OKB-së, ndërsa garantues të jetë SHBA-ja, me rol të sforcuar.

    “Ne nuk jemi ne negociata me Serbinë, Kosova është në bisedime me BE-në dhe SHBA-në.” Ai ka shtuar se ” SHBA-ja është në anën tonë” dhe si e tillë ”ajo e lehtëson procesin”.

    Sipas Hazirit, Kosova nuk ka negociuar kurrë drejtpërdrejt me Serbinë, por ka negociuar me BE-në, ndërsa BE-ja ka negociuar me Serbinë.

    Ai ka shtuar se edhe pse në kuadër të kësaj Marrëveshje është hapur Kapitulli 35 për Serbinë, LDK ka kapacitete, mekanizëm dhe besim për t’i eleminuar nenet që e dëmtojnë Kosovën.

    “Zotëri Kurti i ka lënë Kosovës bomba të kurdisura në politikën e jashtme e në veçanti në procesin e dialogut”- tha ai.

    Haziri pretendon se raporti i Kurtit me Vuçiqin është personalizuar.

    “Vuçiqi dhe Serbia karshi Kosovës nuk kanë bërë asnjë lloj dallimi. Dhe, Republika e Kosovës nuk ka bërë asnjë lloj dallimi. Kosova nuk guxon me leju këtë raport që zotëri Kurti e ka ndërtuar. Ai raportin me Vuçiqin dhe Serbinë e ka përvetësuar, e ka personalizuar duke e ndarë si raport të tijin, që nuk është i vërtetë”- tha Haziri.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

    RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” tha në nisje të debatit për politikën e jashtme se “Donika Gërvalla si ministre e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca si kryetar i Kuvendit, Vjosa Osmani si presidente, deri tani edhe komplet Qeveria Kurti 2, me gjithë respektin ndaj tyre, janë udhëheqësi e parë pas shpalljes së Pavarësisë që po e përfundon mandatin e plotë  pa asnjë njohje të vetme”.

    Për më shumë lexoni në linkun në vijim:

    https://kallxo.com/gjate/ldk-premton-agjenci-per-mergaten-rikthim-te-ministrise-per-integrime-dhe-moszbatim-te-marreveshjes-se-ohrit/