Kandidatja për deputete nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Ariana Musliu-Shoshi, pretendon se Qeveria Kurti ka dështuar në aspektin e politikës së jashtme.
Në “Debat Përnime”, ajo ka theksuar përgjatë mandatit katërvjeçar kjo qeveri nuk i ka bërë plotësim-ndryshimet e nevojshme të ligjeve që kanë të bëjnë me këtë fushë.
“Është Ligji për Ministrinë e Punëve të Jashtme që është jashtëzakonisht i rëndësishëm; Ligji për Shërbimin e Jashtëm, jashtëzakonisht i rëndësishëm; Ligji për Diasporën; dhe Ligji për Shërbimin e Jashtëm që ka pasur nevojë për riamandamentime, që t’i ndryshohet përmbajtja”- tha Musliu-Shoshi.
Nevoja për futjen e këtyre ligjeve në programin legjislativ, sipas saj, ka qenë shumë e madhe “duke e ditur se Ministria e Punëve të Jashtme punon me një rregullore e cila nuk është në përputhje me Ligjin për Shërbimin e Jashtëm”.
Ndër të tjera, ajo pati kritika ndaj ministres së Jashtme, Donika Gërvalla-Schwarz dhe zv.kryeministrit, Besnik Bislimi, për mungesë transparence në punën e tyre, veçmas në raport me Komisionin parlamentar për Punë të Jashtme, që sipas saj, është komisioni i vetëm që bënë mbikëqyrjen e dialogut.
Në kuadër të atyre që ajo i ka cilësuar si dështime të politikës së jashtme, është përmendur edhe mosanëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Europës.
Sipas Musliu-Shoshit, kjo erdhi nga refuzimet e krerëve të shtetit për të pasur partneritet me shtet mike të Kosovës.
“Pavarësisht se ne si PDK kemi lobuar në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës që Kosova të jetë anëtare e këtij Këshilli, përveç mundit të madh që kemi pasur si jashtë e si brenda kësaj Asambleje, ne kemi ardhur në pikën që kemi dështuar si shtet. Dhe, dështimi erdhi pasi që tre krerët e shtetit që janë përgjegjës për zbatimin e politikës së jashtme, kanë refuzuar që të kenë partneritet dhe aleanca me shtetet mike të cilat na kanë ndihmuar në vazhdimësi në këtë proces”-tha ajo.
Përveç kësaj, Musliu-Shoshi tha se nuk pati as iniciativa për anëtarësime tjera të Kosovës në organizata të rëndësishme ndërkombëtare.
“Nuk kemi asnjë iniciativë për anëtarësime siç është INTERPOL-i apo organizata tjera të rëndësishme. Kemi një politikë të jashtme që është totalisht dështim”- tha ajo.
Qëndrimet e PDK-së për politikën e jashtme janë se me ardhjen e tyre në pushtet do të ketë koordinim me aleatet ndërkombëtarë për heqjen e sanksioneve që i janë vënë Kosovës nga BE-ja, qysh në vitin 2023.
Gjithashtu, me prioritet nga PDK do jetë edhe angazhim për njohjen nga pesë vendet anëtare të BE-së, dhe vendeve tjera në botë që nuk e kanë njohur Kosovën.
“Të rëndësishme i kemi njohjet nga 5 vendet e BE-së të cilat janë refuzuese të njohjes së Kosovës si shtet sovran dhe demokratik. Në planin tonë është edhe njohja nga shtetet në kontinentin e Azisë dhe të Amerikë dhe më gjerë, sepse nëse synojmë që të anëtarësohemi në OKB, dhe votat na duhet edhe nga shtetet tjera”- tha Musliu-Shoshi.
“DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.
Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.
RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.
Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.
Jeta Xharra, drejtuese e “DebatPërnime” tha në nisje të debatit për politikën e jashtme se “Donika Gërvalla si ministre e Punëve të Jashtme, Glauk Konjufca si kryetar i Kuvendit, Vjosa si Kryetare, deri tani edhe komplet Qeveria Kurti 2, me gjithë respektin ndaj tyre, janë udhëheqësia e parë pas shpalljes së Pavarësisë që po e përfundon mandatin e plotë pa asnjë njohje të vetme”.
Për më shumë lexoni në tekstin në vijim:
https://kallxo.com/gjate/fuqizimi-i-marredhenieve-me-aleatet-shtimi-i-njohjeve-dhe-anetaresimet-zotimet-e-pdk-se-per-politiken-e-jashtme/