Ballina

Etiketë: dash

  • DASH për deklaratën e Vuçiqit për sanksionet ndaj NIS: Nuk ka biznes të zakonshëm me Rusinë

    Me Rusinë nuk ka “biznes të zakonshëm”, tha Departamenti amerikan i Shtetit i pyetur nga Radio Evropa e Lirë rreth deklaratës së presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq, i cili tha se sanksionet e SHBA-së ndaj Industrisë së Naftës së Serbisë, NIS, janë “të rënda dhe serioze”.

    Thesari amerikan tha se ka sanksionuar kompaninë shtetërore ruse, Gazprom Neft dhe Surgutneftegas, me seli në Rusi.

    Kompania NIS u sanksionua për shkak të ashtuquajturit “rrezik sekondar”, do të thotë për shkak të lidhjes me Gazpromin rus.

    Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, njoftoi në një konferencë për shtyp më 10 janar, pas këtij publikimi nga Departamenti amerikan i Thesarit, se bëhet fjalë për “sanksione të rënda dhe serioze” dhe se kërkohet “largimi i plotë i Rusisë nga pronësia e NIS-it”.

    “Ata nuk lejojnë mundësinë e 49 për qind ose më pak kapital rus”, tha presidenti Vuçiq.

    DASH-i tha për REL-in se Shtetet e Bashkuara “mbeten të përkushtuara për ta penguar gjenerimin e të ardhurave të Rusisë dhe rrjetet e prokurimit dhe ato financiare që Moska i përdor për ta mbështetur luftën e saj kundër Ukrainës”.

    “Ne do të vazhdojmë t’i ndërmarrim të gjitha veprimet e duhura për ta çuar përpara përgjegjësinë për ata që mundësojnë ose përfitojnë nga lufta e paligjshme e Rusisë dhe ta parandalojmë Putinin të përdorë energjinë si mjet shtypjeje”, tha Departamenti i Shtetit në një përgjigje.

    Departamenti amerikan shtoi se “SHBA-ja do të vazhdojë të punojë me partnerë dhe aleatë në mbarë botën për të garantuar sigurinë dhe diversitetin e furnizimeve me energji”.

    NIS është kompania e vetme në Serbi e angazhuar në kërkimin, prodhimin dhe përpunimin e prodhimit të naftës dhe gazit natyror.

    Gazprom Neft ka aksione në NIS, që nga viti 2022. Aksione ka edhe kompania e saj mëmë Gazprom.

    Sipas të dhënave të NIS-it, kompania Gazprom Neft zotëron sot 50 për qind të kapitalit aksionar të NIS-it, Republika e Serbisë zotëron 29.87 për qind të aksioneve, ndërsa kompania Gazprom zotëron 6.15 për qind të aksioneve.

    Pjesa tjetër u takon qytetarëve, punonjësve, ish-punonjësve dhe aksionarëve të tjerë më të vegjël.

    Gazprom Neft është nën sanksionet evropiane dhe amerikane që nga viti 2014, për shkak të aneksimit të Gadishullit ukrainas të Krimesë nga Rusia, dhe kompanisë i është ndaluar qasja në tregjet e BE-së dhe SHBA-së.

    NIS-i, përndryshe, zotëron më shumë se 400 pika karburanti në Serbi dhe në vendet e rajonit: Bosnje dhe Hercegovinë, Rumani dhe Bullgari./REL

  • DASH informon Kongresin mbi planet për t’i shitur Izraelit armë me vlerë 8 miliardë dollarë

    Departamenti i Shtetit informoi Kongresin mbi planifikimin për t’i shitur Izraelit armë me vlerë 8 miliardë dollarë, thonë zyrtarët amerikanë, ndërsa vendi aleat i Shteteve të Bashkuara vazhdon luftën kundër Hamasit në Gazë.

    Një pjesë e tyre mund të dërgohet nga stoqet aktuale të armëve amerikane, por për shumicën mund të duhet një ose disa vite për t’u dorëzuar, thanë dy zyrtarë amerikanë të cilën folën të shtunën në kushte anonimiteti, sepse njoftimi nuk është dërguar zyrtarisht në Kongres.

    Shitja përfshin raketa të mesme veprimi për ta ndihmuar Izraelin të mbrohet nga kërcënimet ajrore, predha artilerie prej 155 mm, raketa Hellfire AGM-114 dhe armatime të tjera.

    Shitja e këtyre armëve do t’i shtohej ndihmës ushtarake prej të paktën 17.9 miliardë dollarësh që Shtetet e Bashkuara i kanë ofruar Izraelit që nga sulmet e Hamasit më 7 tetor 2023, kur filloi lufta.

    Administrata Biden është përballur me kritika për rritjen e vdekjeve të civilëve palestinezë. Ka pasur protesta në kampuset universitare, si edhe përpjekje të pasuksesshme në Kongres nga Senatori i pavarur Bernie Sanders dhe disa demokratë për të bllokuar që t’i shiten armë Izraelit.

    Në muajin maj Shtetet e Bashkuara pezulluan përkohësisht dërgimin e 2 mijë bombave të fuqishme në Izrael mes shqetësimeve mbi humbjet e jetëve të civilëve nëse ato do të përdoreshin gjatë sulmit në qytetin jugor të Gazës, Rafah.

    Administrata e Presidentit Biden ka kërkuar që Izraeli të rrisë ndihmën humanitare në Gazë. Por në nëntor, duke vënë në duke se ishte bërë një përparim i kufizuar në këtë drejtim, administrata refuzoi të kufizonte transferimin e armëve, siç kishte kërcënuar se do të bënte, në rast se gjendja nuk përmirësohej./VoA