Ballina

Etiketë: cerdhet modulare

  • AAK dhe Nisma premtojnë ndërtimin e Çerdheve modulare në Kosovë

    Në listën e premtimeve për fushën e arsimit, Koalicioni AAK-Nisma ka renditur edhe ndërtimin e Çerdheve modulare – lëvizëse.

    Kandidati për deputet nga ky koalicion, Nazim Gagica tha se e kanë përfshirë në Program ndërtimin e këtyre Çerdheve, për shkak se ato janë inovative dhe se ndërtimi i tyre merr shumë pak kohë.

    “Programi jonë përfshin Çerdhet modulare, është plan inovativ, i matshëm dhe i shpejt në kohë. Çerdhet modulare do t’i përfundojmë në afat prej 40 ditësh.” – tha Gagica, në “Debat Përnime”, më 14.01.2025.

    Përparësi tjetër e këtyre Çerdheve, sipas tij, është se ato mund të lëvizen varësisht nevojave, për sa kohë që edhe kostoja e tyre është shumë më e ulët.

    Autonomia financiare e Shkollave profesionale ishte një premtim tjetër i prezantuar nga Gagica.

    Për këtë, ai dha edhe ide se si mund të bëhet.

    “Sinjalizimi i rrugëve mund të bëhet nga vetë nxënësit, larja e veturave komunale ku shpenzohen mijëra euro në tenderë mund të bëhet nga vetë nxënësit tanë në Shkolla profesionale. Pastaj është mirëmbajtja e rrjeteve dhe teknologjisë. Dhe, me këto para të gjeneruara mund të krijojnë autonomi menaxhuese.” – ka shpjeguar Gagica.

    AAK në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 garon në koalicion me Nismën, Konservatorët, Forumin Intelektual E30 dhe me Listën Ideal.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    “Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”.

    Për më shumë, lexoni në linkun në vijim:

    https://kallxo.com/gjate/plani-per-arsim-i-koalicionit-aak-nisma-rritje-te-pagave-per-mesimdhenesit-dhe-digjitalizim-te-shkollave/