Kandidati për Kryeministër i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka shpalosur Programin e tij dhe partnerëve të Koalicionit për turizmin malor në Kosovë.
Haradinaj ka thënë se Kosova do të bëhet me katër Qendra të turizmit malor dhe sporteve dimërore.
Lideri i AAK-së ka premtuar 400 milionë euro investime për Brezovicën.
Ndërsa, ka premtuar invesime edhe në Bogë, në Bjeshkën e Belegut e në Brod.
“Përmes partneritetit publiko-privat, brenda mandatit qeverisës, projektet e mëdha me top prioritet janë: Bjeshkët e Sharrit – Brezovicë – vlera e investimeve 400 milionë euro; Bjeshkët e Nemuna – Bogë / Rugovë – vlera e investimeve 60 milionë euro; Bjeshkët e Nemuna – Bjeshka Belegut – vlera e investimeve 20 milionë euro; Bjeshkët e Sharrit – Brod – vlera e investimeve 20 milionë euro.” – ka shkruar Haradinaj.
Premtimi për investime në Qendrën e Skijimit në Brezovicë është pjesë e fushatës elektorale edhe të partive të tjera.
Vlerën më të madhe të investimeve për këtë Qendër Skijimi deri më tani e ka premtuar partia në pushtet, Lëvizja Vetëvendosje e cila në Program e ka përfshirë zotimin për 500 mijë euro investime në Brezovicë.
E, kandidati i Lidhjes Demokratike të Kosovës për Kryeministër, Lumir Abdixhiku, më 27.01.2025, ka premtuar 80 milionë euro investime për teleferikë të rinj, gondola e shtigje të reja në Brezovicë.
Ndërsa, ka shtuar se do të kujdeset personalisht si Kryeministër të mbikëqyrë këtë investim ikonik për Kosovë.
Partia Demokratike e Kosovës deri më tani nuk ka njoftuar nëse investimet në Brezovicë janë pjesë e Programit të tyre për Zgjedhjet 9 shkurtit 2025.
Fushata për Zgjedhjet parlamentare në Kosovë ka filluar zyrtarisht, më 11.01.2025.
Partitë politike pritet po mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.
Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.
Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e pavarësisë më 2008.
Zgjedhjet e vitit 2025 për Kuvend të Kosovës janë Zgjedhjet e gjashta me radhë që do mbahen në Kosovë, që nga shpallja e pavarësisë.