Ballina

Etiketë: borë

  • Temperatura të ulëta ekstreme në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara

    Një valë e re të ftohti pritet të përfshijë pjesë të tëra të Shteteve të Bashkuara në ditët në vijim, të shoqëruara me erëra të ftohta, dëborë dhe ngrica.

    Temperaturat e ftohta që parashikohen për ditën e hënë (20.01.2025) në Uashington, detyruan autoritetet që ta zhvendosin ceremoninë e inaugurimit të presidentit të zgjedhur Trump në ambientet e brendshme të Kapitolit.

    Në pjesën më të madhe të Shteteve të Bashkuara, që nga malet Rockies në Kolorado deri tek shtetet veriore, temperaturat do të bien duke filluar nga e diela (19.01.2025) dhe do të vazhdojnë gjatë tërë javës së ardhshme dhe ato do të arrijnë deri në – 40 gradë celsius, ose edhe më të ulëta, në Dakota dhe në pjesën veriore të Minesotës, sipas meteorologut nga Shërbimi Kombëtar i Motit, Marc Chenard.

    Në kushte të tilla atmosferike, mund të pësohet deri edhe ngrirje nëse ndonjë pjesë e trupi të njeriut ekspozohet ndaj këtyre temperaturave, qoftë edhe për më pak se 10 minuta. Zyrtarët e institutit meteorologjik u bënë thirrje banorëve të veshin xhaketa, kapele dhe doreza dhe të kalojnë sa më pak kohë jashtë.

    Autoritetet presin që reshjet e shiut dhe të borës të krijojnë probleme në komunikacion, sidomos në pjesët e vendit që zakonisht nuk përjetojnë mot të këtillë dimëror./VoA

  • Policia bënë apel për kujdes gjatë vozitjes në komunikacion

    Moti gjatë ditës së sotme, 11.01.2025 parashikohet të jetë me borë dhe i ftoftë.

    Policia e Kosovës ka bërë apel për kujdes gjatë vozitjes në komunikacion për të gjithë qytetarët.

    “Bazuar në situatën e tanishme ku kemi ndryshim të kushteve atmosferike dhe reshje të borës, Policia e Kosovës apelon tek të gjithë pjesëmarrësit në trafik, në veçanti shoferëve të automjeteve për kujdes të shtuar, përshtatje të shpejtësisë me kushtet atmosferike dhe me gjendjen e rrugës, mbajtje të distancës mes mjeteve si dhe ngadalësim gjatë lëvizjes në rrugë të mbuluara me borë dhe me ngrica” – thuhet në njoftim.

  • SHBA, mot i ftohtë, reshje bore dhe akull

    Një valë dëbore, akulli, erërash dhe temperaturat në rënie krijuan kushte të rrezikshme udhëtimi në shtetet qendrore dhe jugore amerikane deri në brigjet lindore të vendit, duke detyruar mbylljen e shkollave dhe institucioneve qeveritare në disa shtete.

    Bora dhe akulli mbuluan rrugët kryesore në Kansas, Nebraskën perëndimore dhe pjesë të Indianës, ku Garda Kombëtare e këtij shteti u aktivizua për të ndihmuar udhëtarët e bllokuar në makina. Pritej që dëbora të arrinte në të paktën 20 centimetra, së bashku me erëra të forta deri në 72 km/orë.

    Shërbimi Kombëtar i Motit lëshoi paralajmërime për stuhi dimërore nga Kansasi në Misuri deri në Nju Xhersi.

    “Disa zona në këtë rajon që do të kenë sasitë më të mëdha të borës, këto mund të jenë reshjet më të mëdha në të paktën një dekadë”, tha shërbimi i motit .

    Vorbulla polare e ajrit tepër të ftohtë zakonisht rrotullohet përreth Polit të Veriut. Njerëzit në Shtetet e Bashkuara, Evropë dhe Azi e përjetojnë të ftohtin e tij intensiv kur rrymat e ajrit zhvendosen drejt jugut.

    Studimet tregojnë se ngrohja e shpejtë në Arktik është pjesërisht shkaktare për frekuencën në rritje të vorbullës polare që zgjeron ndikimin e saj të akullt.

    Anulohet mësimi në shkolla

    Të hënën shkollat u mbyllën në rang të gjerë. Rajonet në Indiana, Virxhinia dhe Kentaki njoftuan anulimin e mësimit të dielën pasdite.

    Shkollat publike në Kentaki anuluan mësimet, aktivitetet jashtë mësimore dhe sportive për afro 100 mijë nxënës.

    Shkollat u mbyllën dhe në Merilend, ku guvernatori Wes Moore shpalli gjendjen e emergjencës të dielën dhe njoftoi se insitucionet shtetërore do ishin mbyllur të hënën.

    “Siguria e banorëve të Merilendit është përparësia jonë. Ju lutem mos qarkulloni gjatë kësaj stuhie. Merrni masa për familjen dhe shtëpinë tuaj dhe karikoni mjetet e komunikimit në rast se do të ketë një ndërprerje energjisë elektike”, tha zoti Moore përmes një deklarate./VOA.