Ballina

Etiketë: BIRN

  • Bashkëpunimi i monitoruesve shqiptarë dhe serbë në gjykimet e krimeve të luftës: i dobishëm dhe sfidues

    Si pjesë e projektit “Lehtësimi i Bashkëpunimit Ndëretnik përmes Monitorimit dhe Raportimit të Rasteve të Krimeve të Luftës”, dy monitorues të Gjykatave, njëri nga komuniteti shqiptar dhe tjetri nga komuniteti serb, bashkuan forcat për të monitoruar dhe bashkëprodhuar artikuj mbi rastet e krimeve të luftës në Kosovë, me synimin për të forcuar transparencën, nxitur pajtimin dhe kontribuar në drejtësinë tranzicionale.

    Për gjashtë muaj, Sllobodan Stoshiq, monitorues i Gjykatave nga Mitrovica e Veriut, udhëtoi në Prishtinë për t’u bashkuar me kolegen e tij shqiptare, Adile Agushi, në monitorimin e gjykimeve për krime lufte. Së bashku, ata ndoqën 15 seanca gjyqësore që trajtonin raste ende tejet të ndjeshme për të dy komunitetet, shqiptar dhe serb në Kosovë, më shumë se një çerek shekulli pas përfundimit të luftës.

    Teksa reflektoi mbi përvojën, Stoshiq theksoi rëndësinë e profesionalizmit në punën e tyre.

    “Përvoja ime në lidhje me bashkëpunimin profesional ishte në nivel të lartë me stafin e KALLXO.com. Rastet e monitoruara përfshinin serbë të Kosovës, shqiptarë të Kosovës dhe pjesëtarë të komunitetit goran. Të gjithë këta faktorë duhet të trajtohen për të siguruar një proces monitorimi të duhur dhe raportim të paanshëm.” – tha ai.

    Kjo përvojë për Stoshiq u mundësua falë partneritetit mes Internews Kosova (I/KS) me bazë në Prishtinë dhe Organizatës Joqeveritare, Qendra e Avokimit për Kulturë Demokratike (ACDC) me bazë në Mitrovicën e Veriut, që ilustron misionin e projektit për promovim të bashkëpunimit profesional dhe ndërtim të urave mes grupeve etnike.

    Një perspektivë e veçantë

    Adile Agushi, kolegia shqiptare e Stoshiqit, e cila mbulon raportimin mbi krimet e luftës për KALLXO.com, thotë se përvoja e bashkëpunimit me një monitorues serb ishte sfiduese, por e dobishme.

    “Ka qenë përvojë e jashtëzakonshme, sepse gjatë raportimit jam bazuar në dëshmi dhe asnjëherë në anën emocionale, edhe pse kam monitoruar krimet e luftës kur rastet kanë qenë jashtëzakonisht të ndjeshme. Siç e dimë,  kemi një histori të dhimbshme në raport me serbët. Në këto raportime jam munduar që anën emocionale asnjëherë të mos e përdori në raportimin tim, por të bazohem në dëshmitë që janë prezantuar në Gjykatë nga prokurorët, dëshmitarët e rasteve në fjalë.” – u shpreh ajo.

    Agushi theksoi gjithashtu rëndësinë e punës me kolegët serbë dhe vazhdimin e një praktike të tillë në të ardhmen.

    “Këtë mirëkuptim e kam gjetur edhe te kolegët serbë dhe gjithmonë e kemi raportuar atë çfarë është thënë në Gjykatë, pa bërë dallime. Mendoj që është shumë e rëndësishme që raportimi i këtyre seancave të bëhet prej dy etnive, pasi që e tregojmë atë çka ka ndodhur në Kosovë gjatë luftës së fundit”.

    “Raportimi i seancave nga dy etnitë nuk do të linte vend për dyshime, për anshmëri, pasi që raportimi do të bëhej nga dy etnitë.” – shtoi më tej Agushi.

    Stoshiq konsideron po ashtu se kjo praktikë duhet të vazhdojë në të ardhmen, pasi tregon bashkëpunimin ndëretnik mbi këto çështje të ndjeshme.

    “Besoj se kjo duhet të vazhdojë për një periudhë më të gjatë, në mënyrë që të kemi fleksibilitet dhe të trajtojmë çështjet gjyqësore me përkthim dhe interpretim. Shumica e rasteve ishin kundër serbëve të Kosovës, por jo të kufizuara në një etni të vetme, prandaj duhet të jemi gjithëpërfshirës në monitorim dhe raportim për të siguruar pjesëmarrje dhe prezantim të barabartë.” – shtoi ai.

     Dimension i ri në monitorim

    Gjykimi ndaj Dragisha Millenkoviq, i akuzuar për “krime lufte”, më 08.11.2024 / FOTO: Adile Agushi – KALLXO.com

    Dushan Radakoviq, drejtori i ACDC-së, e përshkroi këtë qasje si inovative dhe transformuese.

    “OJQ ACDC ka histori të gjatë në monitorimin e gjykimeve, por kjo është hera e parë që është realizuar në një format ku procesi vëzhgohet bashkërisht nga dy perspektiva.” – deklaroi ai.

    Radakoviq shtoi se vëzhgimi i gjykimeve nga dy perspektiva është praktikë shumë efektive, veçanërisht në kontekstin e gjykimeve për “krime lufte” në Kosovë.

    “Gjykimet për ‘krime lufte’ shpesh perceptohen shumë ndryshe nga anëtarët e komuniteteve të ndryshme, të ndikuara nga përvojat dhe narrativat historike. Trajtimi i këtyre perceptimeve të ndryshme përmes një perspektive të dyfishtë përmirëson transparencën e proceseve gjyqësore.” – theksoi ai.

    “Vazhdimi i aktiviteteve të tilla do të kishte një ndikim pozitiv, pasi thekson këto perceptime të ndryshme.” – shtoi Radakoviq.

    Faik Ispahiu, drejtor i Internews Kosova, e cilësoi Programin si një model që duhet ndjekur vazhdimisht për raportimin mbi çështje specifike, veçanërisht krimet e luftës.

    ”Ky Program është vazhdimësi e Programeve që Organizata i ka realizuar në krijimin e grupeve të përbashkëta multietnike përgjegjëse për monitorim, gazetari hulumtuese dhe Programe të Fact Check.” – deklaroi Ispahiu.

    Ai theksoi se përveç ndërtimit të urave ndërmjet komuniteteve, Programi ka kontribuar ndjeshëm në luftimin e dezinformatave dhe lajmeve të rreme për krimet e luftës.

    “Fatkeqësisht, përmes Programit të verifikimit të fakteve, kemi identifikuar mbi 100 lajme të rreme që lidhen me krimet e luftës. Besoj se është thelbësore që iniciativa si kjo, e fokusuar në prodhimin profesional të përmbajtjes për krimet e luftës, të vazhdojnë.” – tha ai, duke iu referuar Krypometrit, platformës së verifikimit të fakteve të KALLXO.com.

    Rastet e monitoruara përfshinin gjykime të profilit të lartë, si rasti i Muhamet Alidemaj (i akuzuar për pjesëmarrje në masakrën e Izbicës), Ekrem Bajroviq (i akuzuar për krime lufte gjatë viteve 1998-1999) dhe Gavrilo Milosavljeviq (i implikuar në masakrën e burgut të Dubravës).

    Më shumë se dy dekada pas luftës, Kosova ende përballet me çështje të pazgjidhura – duke përfshirë personat e zhdukur, vrasjet dhe krimet e tjera kundër civilëve. Ky projekt theksoi rolin e transparencës gjyqësore dhe raportimit të balancuar për të adresuar këto krime dhe për të hapur rrugën drejt pajtimit.

    Internews Kosova, që monitoron aktivisht Sistemin Gjyqësor të Kosovës që nga viti 2008, ka vëzhguar mbi 13,000 seanca gjyqësore – përfshirë 300 vetëm gjatë vitit 2023. Ndërkohë ACDC, me fokusin e saj në aktivizmin shoqëror dhe qeverisjen transparente, solli përvojë të gjerë në monitorimin e proceseve zgjedhore dhe nxitjen e angazhimit qytetar.

    Artikulli fillimisht është publikuar në Prishtina Insight.

  • Organizatat e shoqërisë civile reagojnë ndaj Vetëvendosjes për bojkotin e “Debat Përnime”

    Një grup prej dhjetëra organizatave jo-qeveritare kanë reaguar ndaj bojkotit të subjektit politik, Lëvizja Vetëvendosje për mos të marrë pjesë në emisionin “DebatPërnime”, prodhim i dy organizatave, Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese (BIRN) dhe Internews Kosova.

    Në reagimin e tyre, OJQ-të kanë theksuar që bojkoti për mospjesëmarrje në “Debat Përnime”  e cenon interesin publik dhe informimin e drejtë të qytetarëve në kohë zgjedhjesh.

    “Ne, organizatat e poshtëshënuara e kemi marrë me shumë shqetësim vendimin e Lëvizjes Vetëvendosje me të cilin kjo parti ka vendosur të bojkotojë debatin zgjedhor të organizuar nga organizatat e shoqërisë civile, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese BIRN dhe Internews Kosova, organizata anëtare e International Fact-checking Network, IFCN dhe European Factchecking Standards Network, EFCSN dhe fituese të çmimeve ndërkombëtare për gazetari hulumtuese” – thuhet në reagim.

    Partia Lëvizja Vetëvendosje mori vendim bojkotimin e tre televizioneve në vend, duke përfshirë edhe formatin e debateve zgjedhore “Debat Përnime”.

    “Vendimi për të bojkotuar debatin e organizuar nga organizata të certifikuara të verifikimit të fakteve  dhe organizata me renome në gazetari hulumtuese cenon interesin publik dhe informimin e drejtë të qytetarëve për ofertën politike të partive politike dhe llogaridhënies” – thuhet tutje në reagim.

    Ndaj bojkotimit të “Debat Përnime” ka reaguar edhe drejtoresha e Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Hulumtuese dhe drejtuesja e emisionit “Debat Përnime”, Jeta Xharra.

    Reagimi i plotë:

    Reagim publik ndaj vendimit të Lëvizjes Vetëvendosje për të bojkotuar formatin e vetëm të programeve televizive zgjedhore të verifikimit të fakteve në Zgjedhjet Parlamentare 2025 në Kosovë.

    Ne, organizatat e poshtëshënuara e kemi marrë me shumë shqetësim vendimin e Lëvizjes Vetëvendosje me të cilin kjo parti ka vendosur të bojkotojë debatin zgjedhor të organizuar nga organizatat e shoqërisë civile, Rrjeti Ballkanik për Gazetari Hulumtuese BIRN dhe Internews Kosova, organizata antare e International Fact-checking Netëork, IFCN dhe European Factchecking Standards Netëork, EFCSN dhe fituese të çmimeve ndërkombëtare për gazetari hulumtuese.

    Janë pikërisht emisionet e këtij ekipi, programet “Jeta në Kosovë” dhe “Drejtësia në Kosovë” që janë përjashtuar nga televizioni publik pasi që kanë ekspozuar monopolin e oligarkëve duke ia shpëtuar kështu buxhetit të Kosovës 14 milion euro, andaj është absurde për VV-në të bojkotojë këto emisione në emër të bojkotit ndaj oligarkëve.

    Vendimi për të bojkotuar debatin e organizuar nga organizata të çertifikuara të verifikimit të fakteve  dhe organizata me renome në gazetari hulumtuese cënon interesin publik dhe informimin e drejtë të qytetarëve për ofertën politike të partive politike dhe llogaridhënies.

    Debatet politike të udhëhequra nga ekipi i Kallxo.com i kanë ofruar votuesëve të Kosovës sfidim të programeve partiake që nga viti 2005, duke na informuar neve qytetarëve për ofertën e partive politike në mënyrë të paanshme, ta balancuar dhe të pavarur. Në këto debate pyetjet e qytetarëve dhe të shoqërisë civile kanë qenë të përfaqësuara në mënyrë gjithpërfshirëse. Andaj bojkoti i VV-së, mbetet për ne i pakuptueshëm dhe brengosës.

    Bojkoti i formateve të debatit të cilat udhëhiqen nga standardet e Fact Check u pamundëson qytetarëve të Kosovës informim të saktë gjatë zgjedhjeve. Ky veprim i hapë rrugë mundësisë së abuzimit të informacionin dhe shprëndarjes së dezinformatës.

    Debat “Përnime” ofron një platformë të hapur edhe për barazinë gjinore dhe etnitë tjera në Kosovë. Ne vlerësojmë se refuzimi për tu bërë pjesë e organizimeve të tilla cënon hapsirën e grave në media.

    Ne organizatat e poshtëshënuara i bëjmë thirrje LVV-së të heqë dorë nga ky vendim dhe tu lejojë kandidatëve për deputet, sidomos kandidateve gra që lirshëm të marrin pjesë në debate të zhvilluara mbi standardet e verifikimit të fakteve.

    • Fourth Wave (FoW)
    • Qendra per Zhvillimin e Grupeve Shoqerore – CSGD
    • Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës
    • Art Polis
    • KIPRED
    • Activism Roots
    • Rrjeti i Grave te Kosoves (RrGK)
    • KIPRED
    • Pishtaret
    • Forumi per Iniciativa Qytetare (FIQ)
    • Fondacionin per te Drejtat e Kafsheve
    • Community Building Mitrovica
    • Instituti Edutask
    • Instituti Sekhmet
    • Keshilli Rinor Kosovar (KYC)
    • YMCA Movement
    • NGO Voice of Roma, Ashkali and Egyptians
    • Youth Initiative for Human Rights (YIHR)
    • Democracy for Development (D4D)
    • Toka