Ballina

Etiketë: benjamin netanyahu

  • Netanyahu akuzon Hamasin se është tërhequr nga disa pjesë të marrëveshjes së armëpushimit

    Kryeministri izraelit Benjamin Netanyahu akuzoi sot Hamasin se ishte tërhequr nga disa pjesë të marrëveshjes së armëpushimit në Gazë dhe tha se kabineti i tij nuk do të mblidhet për të dhënë miratimin e nevojshëm derisa grupi militant të pranojë të gjithë elementët e marrëveshjes.

    Përmes një deklarate, zyra e kryeministrit Netanyahu tha se Hamasi po përpiqej të “siguronte lëshime të minutës së fundit”.

    Hamasi është shpallur grup terrorist nga Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe dhe vende të tjera perëndimore.

    Armëpushimi me disa faza, që u njoftua të mërkurën pas negociatave për muaj të tërë, do të hyjë në fuqi të dielën nëse marrëveshja miratohet plotësisht.

    Ndërkohë sulmet izraelite në Rripin e Gazës kanë vrarë të paktën 72 vetë që kur u njoftua marrëveshja, sipas të dhënave të autoriteteve shëndetësore në Gazë. Palestinezët atje njoftuan për sulme të ashpra gjatë natës ndërsa banorët po festonin arritjen e marrëveshjes.

    Agjencitë e OKB-së thanë se janë gati të dërgojnë ndihma humanitare në rajon. Sipas Kombeve të Bashkuara të paktën 1.9 milionë nga 2.3 milionë banorët e Rripit të Gazës janë zhvendosur dhe 92 për qind e banesave janë shkatërruar.

    Presidenti izraelit Isaac Herzog ofroi mbështetjen e tij të fortë për armëpushimin pas shpalljes së marrëveshjes të mërkurën.

    Por një nga kundërshtarët kryesorë të marrëveshjes në qeveri, ministri i Financave Bezalel Smotrich, e cilësoi atë “një marrëveshje të keqe dhe të rrezikshme për sigurinë kombëtare të shtetit të Izraelit”./VOA

  • Izraeli kryen sulme hakmarrëse ndaj rebelëve Huthi

    Avionët luftarakë izraelitë kanë shënjestruar rebelët Huthi në Jemen më 10 janar, përfshirë një stacion të energjisë dhe portet detare, në përgjigje të sulmeve me dronë dhe raketa të kryera nga rebelët.

    Izraeli po ashtu ka paralajmëruar se do të shënjestrojë udhëheqësit e grupit.

    Që kur ka nisur lufta në Gazë në tetor të vitit 2023, rebelët Huthi, që mbështeten nga Irani, kanë gjuajtur dhjetëra raketa dhe dronë drejt Izraelit, për, siç kanë thënë, t’u solidarizuar me palestinezët në Rripin e Gazës.

    Sulmet ajrore izraelite vijnë pasi ushtria e Izraelit rrëzoi dy dronë që besohet se ishin lëshuar nga Jemeni një ditë më parë.

    Ushtria izraelite tha se ka shënjestruar caqe ushtarake të rebelëve Huthi në zonën bregdetare dhe në pjesë të tjetra të Jemenit.

    Sulmet, sipas Izraelit, ishin kundërpërgjigje ndaj sulmeve të rebelëve kundër këtij shteti.

    Izraeli tha se në këtë sulm morën pjesë mbi 20 avionë luftarakë.

    Më pas, kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, tha përmes një deklarate se rebelët jemenas u ndëshkuan për sulmet e tyre të vazhdueshme ndaj shtetit të tij.

    “Siç kemi premtuar, rebelët Huthi po paguajnë dhe ata do të vazhdojnë të paguajnë çmim të lartë për agresionin kundër nesh”, tha ai, duke u zotuar se nuk do të tolerojë sulme ndaj Izraelit.

    Pavarësisht dëmeve minimale, për shkak se sistemet izraelite të mbrojtjes kanë rrëzuar shumicën e raketave dhe dronëve të rebelëve, rebelët jemenas kanë penguar në mënyrë të ndjeshme jetën e civilëve në Izrael.

    Ndërkaq, rebelët Huthi thanë se në 48 orët e fundit kanë shënjestruar Jafan, emrin që ata përdorin për t’iu referuar qytetit Tel Aviv të Izraelit.

    Që nga 7 tetori 2023, Izraeli lufton në Gazë kundër Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – grup që ka dënuar sulmet e fundit izraelite në Jemen.

    Rebelët Huthi që nga nisja e luftës në Gazë po ashtu kanë shënjestruar anijet në Detin e Kuq dhe Gjirin e Adenit, duke nxitur sulme hakmarrëse nga Shtetet e Bashkuara dhe Britania./REL