Korporata Energjetike e Kosovës (KEK) pranoi 220 punëtorë të rinj më 06.01.2025. Në ditën e pranimit të tyre në punë, kryeministri i Kosovës Albin Kurti për disa prej tyre shpërndau kartelat e punës.
Kurti mori pjesë në këtë ceremoni pak ditë para fillimit të fushatës zgjedhore, e cila filloi më 11.01.2025 për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës të 9 shkurtit 2025.
Në ceremoni përveç Kryeministrit mori pjesë edhe ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dhe u.d. kryeshefi ekzekutiv i KEK-ut, Bekir Gërguri, si dhe kryesuesi i Bordit të KEK-ut, Valdrin Krasniqi.
Në media dhe në rrjetin social TikTok është folur për këta të punësuar. Aty pretendohet se shumica nga 220 të punësuarit janë nga fshati Bardh, prej nga vjen edhe u.d. kryeshefi i KEK-ut, Bekir Gërguri (shih: këtu, këtu dhe këtu).
KALLXO.com kishte dërguar pyetje me e-mail për këtë çështje te KEK-u, më 06.01.2025, 14.01.2025, 16.01.2025 dhe 23.01.2025.
Këto pyetje për punësimet në KEK mbetën pa përgjigje nga Korporata Energjetike e Kosovës (KEK).
Për këtë çështje, KALLXO.com ka biseduar edhe direkt me Bekir Gërgurin, Ushtrues Detyre i Kryeshefit të KEK-ut.
Në pyetjen se a është e vërtetë që shumë prej 220 të puënsuave në KEK janë nga fshati Bardh, prej nga vjen edhe vetë Gërguri, ai u përgjigj me “Është e vërtetë”.
“Është e vërtetë, se edhe Mihja Sipërfaqësore e ka emrin Mihja e Bardhit. Nuk e ka emrin Mihja e Prishtinës, por është e Bardhit. Nuk është e vërtetë. Numri 220 është numri i përgjithshëm. Kanë pasë të drejtë më marrë të barabartën secili kandidat, barabartë.” – deklaroi Gërguri për KALLXO.com.
Ai nuk u përgjigj në pyetjen se sa të punësuar janë nga fshati Bardh – duke drejtuar ekipin që pyetjet të dërgohen te zëdhënësi i KEK-ut.
Edhe më 23.01.2025, në ditën kur ekipi foli me Gërgurin, pyetje iu drejtuan zëdhënësit të KEK-ut duke kërkuar listën e këtyre të punësuarve dhe se a është e vërtetë që 74 nga 220 të punësuarit janë nga ky fshat. As në këtë ditë, KALLXO.com nuk ka marrë përgjigje.
Ekipi i KALLXO.com e ka pritur u.d. kryeshefin Gërguri në hyrje të objektit të KEK-ut, për shkak që nuk mori përgjigje ashtu siç edhe tha Gërguri, por ai nuk doli nga dera që hyri në mëngjes.
Sigurimi i tha ekipit që U.D. Kryeshefi është larguar rreth orës 16:05 ose 16:10. Ekipi e ka pritur para hymjes Gërgurin nga ora 15:20 deri në ora 16:30.
Korporata Energjetike e Kosovës sh.a. (KEK sh.a.) është Ndërmarrja kryesore energjetike në Republikën e Kosovës.
Ajo është e integruar vertikalisht dhe është korporatizuar në fund të vitit 2005. Asetet e Korporatës janë nën pronësi të plotë të Qeverisë së Republikës së Kosovës. Në periudha të ndryshme kohore KEK sh.a. iu nënshtrua ndryshimeve të shumta.
Për një kohë të gjatë, Sistemi energjetik i Kosovës ka qenë pjesë përbërëse e Sistemit energjetik të ish-Jugosllavisë. Gjatë asaj periudhe, prodhimi i energjisë elektrike në Kosovë ka qenë i koncentruar në prodhimin e energjisë elektrike nga qymyri (termo) dhe në një sasi shumë të vogla nga uji (hidro).
Gjatë kësaj kohe furnizimi me energji elektrike nuk është bërë vetëm nga Termocentralet e Kosovës, por edhe nga burimet e tjera që prodhonin energjinë elektrike e që ishin të shpërndara në tërë territorin e ish-Jugosllavisë.
Pas vitit 1999, KEK-u kaloi nëpër disa faza të ristrukturimit dhe ndryshimeve organizative e operative, për të shenjuar së fundmi procesin e ndarjes së plotë dhe më pas edhe të privatizimit të afarizmit të shpërndarjes dhe furnizimit me energji elektrike, e cila përfundoi në vitin 2013 dhe tani ky afarizëm është nën pronësi private, me përgjegjësi të plotë ligjore për shpërndarje dhe furnizim të konsumatorëve me energji elektrike.
Sot, funksion parësor i Korporatës është prodhimi i qymyrit dhe gjenerimi i energjisë elektrike. Për të përmbushur këto dy funksione, KEK-u është i organizuar në dy Divizione qenësore: Divizionin e Mihjeve dhe Divizionin e Gjenerimit. Korporata operon me mihjen sipërfaqësore të linjitit, gjegjësisht Mihjen e Sibovcit Jugperëndimor; dy termocentrale, TC “Kosova A” dhe TC “Kosova B”.
Funksionet e Korporatës rregullohen përmes politikave të Zyrës së Rregullatorit për Energji të Republikës së Kosovës. Korporata ka të punësuar rreth 4700 punonjës të fushave të ndryshme të operimit.