Ballina

Etiketë: BE

  • Eurodeputetët: Qasja e pabalancuar e BE-së ka ndikuar negativisht në dialogun Kosovë-Serbi

    Eurodeputetët i kanë thënë emisarit në largim të Bashkimit Evropian, Mirosllav Lajçak, se qasja e pabalancuar në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë ka ndikuar negativisht në këtë proces, thanë burimet e Radios Evropa e Lirë në Parlamentin Evropian.

    Lajçak më 30 janar ka zhvilluar një takim lamtumirës me deputetët e Parlamentit Evropian në Komisionin për Politikë të Jashtme, me të cilët ka biseduar për mandatin e tij pesëvjeçar si i dërguari i bllokut për dialogun për normalizim të raporteve mes Kosovës dhe Serbisë.

    Burime të Radios Evropa e Lirë thanë se gjatë këtij takimi, të zhvilluar me dyer të mbyllura, shumica e eurodeputetëve kanë qenë kritikë ndaj mënyrës se si BE-ja u është qasur palëve në dialog dhe në përgjithësi në raportet me shtetet.

    Mësohet se gjatë këtij debati, shumica e deputetëve të PE-së janë shprehur se masat ndëshkuese që BE-ja ka vendosur ndaj Kosovës dhe në të njëjtën kohë nuk ka pasur masa ndaj Serbisë, veçmas pas sulmit të armatosur në Banjskë më 2023, kanë ndikuar negativisht në dialogun që ndërmjetësohet nga BE-ja.

    Në shtator të vitit 2023, një grup i serbëve të armatosur sulmuan Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter. Gjatë këmbimit të zjarrit u vranë edhe tre sulmues serbë.

    Kosova ka fajësuar Serbinë për sulmin, por Beogradi ka mohuar përfshirjen. Kosova kërkon ekstradimin e Millan Radoiçiqit – ish-politikanit dhe biznesmenit nga veriu i Kosovës që ka marrë përgjegjësinë për sulmin në Banjskë – nga Serbia, ku besohet se gjendet. BE-ja, por edhe Shtetet e Bashkuara kanë përsëritur thirrjen e tyre që përgjegjësit për sulmin të përballen me drejtësi.

    Eurodeputetët, gjatë takimit me Lajçakun, kanë kërkuar edhe një herë heqjen e masave – të vendosura ndaj Kosovës më 2023 për shkak të tensioneve në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe – dhe një qasje të balancuar nga ana e BE-së.

    Zyrtarë të lartë në Kosovë, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, dhe kryeministrin Albin Kurti, disa herë e kishin kritikuar Lajçakun dhe dhe ish-kryediplomatin e BE-së, Josep Borrell, për njëanshmëri në dialog dhe njëkohësisht kanë kërkuar heqjen e masave ndëshkuese.

    Sipas burimeve, mësohet se Lajçak është pajtuar me konstatimin e eurodeputetëve se është dashur të hiqen masat ndaj Kosovës dhe ai kishte kërkuar një gjë të tillë menjëherë pas sulmit në Banjskë, por është arsyetuar se heqja e tyre nuk ishte në dorën e tij, por vendim që i përket vendeve anëtare.

    Lajçak përfundon mandatin të premten, më 31 janar, dhe një ditë më pas nis mandati i emisarit të ri për dialogun, diplomatit nga Danimarka, Peter Sorensen.

    Lajçak në takim me eurodeputetët mësohet se është shprehur që BE-ja duhet të mbajë rol kryesor në lehtësimin e dialogut dhe në përgjithësi angazhimin në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Gjatë mandatit pesëvjeçar të Lajçakut si ndërmjetës në dialog, palët kanë arritur Marrëveshjen për rrugën drejt normalizimit të raporteve dhe Aneksit të zbatimit të arritur më 2023.

    Lajçak, siç mëson REL-i, në takimin me eurodeputetët ka pranuar se nuk ka pasur përparim që ai ka pritur sa i përket zbatimit të kësaj marrëveshjeje.

    Marrëveshja prej 11 nenesh, ndër tjerash parasheh një nivel të vetëmenaxhimit për komunitetin serb në Kosovë, njohje të ndërsjellë të simboleve shtetërore, që Serbia të mos bllokojë anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, dhe kërkon nga Prishtina dhe Beogradi që t’i zbatojnë, po ashtu, të gjitha marrëveshjet e mëhershme të arritura gjatë dialogut.

    Palët janë pajtuar për marrëveshjen, por nuk e kanë nënshkruar atë. Megjithatë, BE-ja thotë se marrëveshja është ligjërisht e obligueshme për Kosovën dhe Serbinë./REL

  • Marrëveshjet për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, sfidë për Qeverinë e re të Kosovës

    Cilado Parti a cilido Koalicion që e krijon Qeverinë e re në Kosovë pas Zgjedhjeve të 9 shkurtit pritet ta ketë në Agjendë Dialogun për normalizim të marrëdhënieve me Serbinë, të ndërmjetësuar nga Bashkimi Europian. Si proces i nisur qysh në vitin 2011, Dialogu paraqitet si obligim i palëve për të trazuar rrugën e tyre drejt integrimit në BE.

    Kaja Kallas, pas takimeve të para që ka pasur me kryeministrin kosovar Albin Kurti dhe presidentin serb Aleksandër Vuçiq, pas emërimit të saj si Shefe e Diplomacisë në BE, më 03.12.2024, ka theksuar se normalizimi i marrëdhënieve duhet të bëhet duke u bazuar në Marrëveshjen e Ohrit.

    “Rruga e vetme për anëtarësim në BE është normalizimi i marrëdhënieve të tyre, në bazë të Marrëveshjes së Ohrit.” – ka shkruar Kallas në platformën “X”.

    Me përjashtim të partisë që ende është në pushtet, Lëvizjes Vetëvendosje, mbi të cilën për katër vjet ka rënë barra e dialogimit në Bruksel, partitë dhe koalicionet tjera parazgjedhore e kanë përfshirë Dialogun në Programet e tyre zgjedhore.

    Gjatë fushatës zgjedhore, më 25.01.2025, kandidati për Kryeministër nga LVV-ja, njëherësh kryeministri aktual Albin Kurti, teksa ka shpalosur Programin zgjedhor nuk e ka përmendur fare Dialogun.

    Ndryshe nga LVV-ja, PDK parasheh që nëse vjen në pushtet do të përkushtohet për të zbatuar obligimet që rrjedhin nga Marrëveshjet e nënshkruara deri më tani.

    Në Programin e kësaj partie parashihet ristrukturimi i plotë i procesit të Dialogut.

    “Ky përfshin demokratizimin dhe institucionalizimin e përfaqësimit të Kosovës, miratimin e një platforme të qartë në Kuvendin e Kosovës dhe krijimin e një strukture gjithëpërfshirëse.” – thuhet në Programin e PDK-së. Në strukturën gjithëpërfshirëse, kjo parti parasheh edhe pjesëmarrjen e shoqërisë civile, qytetarëve dhe bizneseve.

    Synim i PDK-së është që brenda vitit 2026 të nënshkruhet një Marrëveshje që përfshin njohjen reciproke.

    Në Program megjithatë nuk përmendet decidivisht krijimi i Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

    Edhe LDK-ja synon njohjen e ndërsjellë përmes procesit të Dialogut me Serbinë.

    “Ky Dialog, në fakt, nuk është vetëm me Serbinë, por në thelb edhe me komunitetin më të gjerë ndërkombëtar, në veçanti me komunitetin euro-atlantik. Ndërsa qëllimi ynë përfundimtar është njohja reciproke, është gjithashtu thelbësore të pranojmë se rezultatet në procesin dialogues hapin rrugën tonë drejt anëtarësimit në NATO dhe BE.” – thuhet mes tjerash në Programin e LDK-së.

    Lidhja Demokratike e Kosovës parasheh që të respektojë Marrëveshjet e arritura deri më tani në kuadër të Dialogut. Këtu përfshihen Marrëveshjet e vitit 2013 e 2015 e deri te Marrëveshja e Ohrit e vitit 2023.

    “Angazhimi ynë do të mbetet brenda kornizave implementuese të kësaj Marrëveshjeje, me të gjitha pjesët e saja integrale – përfshirë dhe Asociacionin Kushtetues – duke mos bërë asnjë kompromis me Kushtetutën e Republikës së Kosovës, integritetin territorial të Kosovës e karakterin unitar të shtetit tonë.” – thuhet tutje në Programin zgjedhor të LDK-së.

    Ndërkaq, Koalicioni AAK-NISMA-Lista Konservatore-Forumi Intelektual E-30, në Programin zgjedhor parasheh ‘shembjen’ e themeleve të autonomisë për Komunat me shumicë serbe.

    “Kosova do ta përmbyllë Dialogun dhe t’i rikthehet Marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe obligative me njohje reciproke.” – thuhet në Programin e këtij Koalicioni.

    Njohja reciproke sipas këtij Koalicioni do të vendoste themelet e një paqeje të përhershme.

    Marrëveshjet e dakorduara duhet të zbatohen, pavarësisht kush vjen në pushtet

    Ndonëse partitë politike duan ndryshime në procesin e Dialogut, Marrëveshjet e deritashme – përfshirë formimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – nga njohësit e çështjeve politike konsiderohen si obligime që duhen përmbushur nga Qeveria e re.

    Abit Hoxha, Asistent Profesor dhe Hulumtues Shkencor në Universitetin Agder në Norvegji konsideron se për Agjendën e Dialogut, Bashkimi Europian dhe partnerët e tjerë ndërkombëtarë presin ndryshime politike, në mënyrë që kjo Agjendë të shtyhet përpara.

    “As nuk ka ndryshuar e as nuk do të ndryshojë në vija të trasha në kuptimin e rezultatit, por ndryshon në hapa, kohë dhe mënyrë të implementimit. Sa Kosova ka dëshirë dhe Agjendë politike të integrimit, dikton mënyrën e implementimit të Dialogut.” – thotë Hoxha.

    Profesori i Marrëdhënieve Ndërkombëtare, Dritëro Arifi, thotë se pavarësisht se kush do jetë në Qeveri pas 9 shkurtit, presioni ndërkombëtar për zbatimin e Marrëveshjeve, do të jetë jashtëzakonisht i madh.

    “Më 10 shkurt po them në mënyrë figurative do të vijnë kërkesat nga BE-ja dhe SHBA-ja për zbatimin e Marrëveshjeve të arritura deri tash. Gjithashtu, pavarësisht se cila Qeveri do të jetë në pushtet është e obliguar që të zbatojë të gjitha Marrëveshjet që janë të dakorduara në mes të Prishtinës dhe të Brukselit. Mendoj që cilado Qeveri që do jetë në pushtet pas 9 shkurtit janë të detyruar që ta zbatojnë edhe Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe. Po flasim gjithmonë nga këndvështrimi i rrethanave aktuale.” – thotë Arifi.

    Hoxha, nga ana e tij, konsideron se pavarësisht se disa nga partitë në Programin e tyre kanë ide të ndryshme për Dialogun, kjo mund të ndikojë në mbarëvajtjen e procesit, por jo në Agjendën e tij.

    “Përgjithësisht, Dialogu ka për qëllim normalizimin mes Kosovës dhe Serbisë në kontekst europian, që do të thotë Marrëveshje për ndalimin e konfliktit, fqinjësi të mirë dhe ndoshta edhe integrim në BE. Pra, partitë përgjatë fushatave mund të ndryshojnë mënyrën se si rrjedh ky Dialog, por qëllimi është i njëjtë. Pjesët për të cilat palët janë marrë vesh deri më tani janë domosdoshmërisht të obligueshme dhe duhet të implementohen duke përfshirë Asociacionin, jo si favor ndaj Serbisë apo BE, por sepse janë në interesin më të mirë të Kosovës.” – shton Hoxha.

    Ndërsa Arifi përkujton se partitë ka pasur raste kur kanë kundërshtuar çështje të caktuara, por që kur kanë ardhur në pushtet, situata ka ndryshuar.

    “Historia është mësimi më i mirë. I kemi dy parti që e kanë kundërshtuar demarkacionin dhe kur kanë ardhur në pushtet e kanë votuar të njëjtën gjë. Njëjtë edhe Vetëvendosja ka lejuar që të zbatohet Vendimi për tokat e Manastirit të Deçanit. Është kalkulim i partive politike që kinse janë jashtëzakonisht shumë të vrazhda dhe populiste, por kur vijnë në pushtet, ndryshon gjatë rrugës gjithçka.” – shton Arifi.

    Një Marrëveshje finale sipas Hoxhës deri tani nuk është mundur të arrihet përmes Dialogut për shkak se Serbisë nuk i ka konvenuar, për sa kohë që përkohësisht as Kosova nuk ka shfaqur interes për Marrëveshje.

    “Tekefundit Kosova do të duhej të shqyrtojë mundësinë që Marrëveshjet t’i vendosë më shumë vis-à-vis BE-së sesa Serbisë dhe kjo do të thotë se duhet t’i implementojë të gjitha Marrëveshjet njëanshëm dhe të ecë para me BE-në dhe të mos varet nga Agjenda karshi Serbisë.” – përfundon Hoxha.

    Rruga e gjatë e dialogimit

    Kosova dhe Serbia janë në bisedime të ndërmjetësuara nga Bashkimi Europian për normalizimin e marrëdhënieve, që nga viti 2011.

    Ky proces kishte nisur fillimisht për çështje teknike, për të kaluar më pas në nivel politik.

    Më 18 mars 2023 Kosova dhe Serbia në Ohër të Maqedonisë së Veriut u dakorduan për Aneksin e zbatimit të Marrëveshjes drejt normalizimit.

    Dy liderët u pajtuan që Kosova dhe Serbia të zhvillonin marrëdhënie normale të fqinjësisë së mirë me njëra-tjetrën dhe ndër të tjera t’i njihnin dokumentet relevante dhe simbolet kombëtare të njëra-tjetrës – përfshirë pasaportat, diplomat, targat e automjeteve dhe vulat doganore, ndonëse nuk përmend njohjen e ndërsjellë.

    Kosova merrte obligime për t’i zbatuar Marrëveshjet e arritura më herët – përfshirë atë që e parasheh krijimin e Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe – ndërsa Serbia nuk do ta kundërshtonte anëtarësimin e Kosovës në asnjë Organizatë Ndërkombëtare. E, si “shpërblim” për zbatimin e Marrëveshjes bazë, BE-ja kishte marrë përsipër të organizonte një Konferencë donatorësh brenda 150 ditësh, për të krijuar një paketë investimesh dhe ndihmë financiare për Kosovën dhe Serbinë. Por, asnjë shpërndarje nuk do të ndodhë përpara se BE-ja të përcaktojë se të gjitha dispozitat e Marrëveshjes janë zbatuar plotësisht. Dhe, me gjithë pritjet se gjërat po merrnin rrjedhë pozitive, zhvillimet e mëvonshme në terren quan procesin në kah krejt të kundërt. E, Marrëveshja mbeti vetëm në letër.

    Palët nuk e nënshkruan Marrëveshjen, por BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara janë deklaruar se pavarësisht se nuk është firmosur, ajo është Marrëveshje e obligueshme për palët.

    Kurti kërkoi të nënshkruhet Marrëveshja e Ohrit nga palët – duke insistuar se vetëm ashtu garantohet zbatimi.

    “Presidenti i Serbisë nuk ishte i gatshëm ta respektonte asnjërën. Ne jemi për Dialog për normalizim. Kjo bëhet me pranimin në tërësi të Marrëveshjes dhe zbatimin e saj.” – kishte deklaruar Kurti, më 28.06.2024, në një mbledhje të Qeverisë së Kosovës.

    Sipas tij nënshkrimi i Marrëveshjes nënkupton formalizim, kurse dorëzimi i Radoiçiqit do të kuptonte vendosje të drejtësisë.

    Ndaj 45 personave – në krye të të cilëve qëndron ish-nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radoiçiq – është ngritur Aktakuzë, më 11.09.2024, nga Prokuroria Speciale e Kosovës.

    Sipas Aktakuzës në mbi 45 të akuzuarit rëndojnë veprat penale për: “terrorizëm”, “financim terrorizmi” dhe “shpëlarje e parasë”. Kjo pasi të njëjtit akuzohen se më 24.09.2023 kanë kryer sulm terrorist në Banjskë të Zveçanit – duke lënë të vrarë zyrtarin policor Afrim Bunjaku.

    https://kallxo.com/gjate/dialogu-ne-kome/

  • BE e shqetësuar, por kryesisht e heshtur për krizën në Serbi

    Bashkimi Evropian nuk është deklaruar asnjëherë nëse i mbështet ose jo kërkesat e studentëve në Serbi, të cilët për gati tre muaj protestojnë duke kërkuar përgjegjësi për vdekjen e 15 personave nga shembja e një strehe në Stacionin hekurudhor të Novi Sadit.

    Zyrtarët e BE-së kanë bërë deklarata vetëm pas pyetjeve të gazetarëve për situatën në Serbi dhe ato kanë pasur të bëjnë kryesisht me të drejtën demokratike për të protestuar, apo me nevojën për të lejuar punën e papenguar të gazetarëve dhe të aktivistëve të Shoqërisë civile.

    Për kërkesat konkrete të studentëve, gazetarët nuk kanë marrë asnjë përgjigje konkrete.

    Zëdhënësi i Komisionit Evropian, Guillaume Mercier, i ngarkuar me procesin e zgjerimit, ka thënë për Radio Evropa e Lirë se janë të shqetësuar për incidentet kundër protestuesve dhe se presin hetime të shpejta nga ana e autoriteteve serbe.

    Ai u ka kujtuar atyre se e kanë detyrim t’i mbrojnë pjesëmarrësit në tubime nga lëndimet apo dhuna.

    “Pjesëmarrja e qytetarëve luan një rol jetik në zhvillimin e një shoqërie të shëndetshme dhe demokratike – duke përfshirë promovimin e transparencës dhe llogaridhënies. Këto janë vlera bazë të Bashkimit Evropian dhe Bashkimi Evropian pret që të gjitha vendet kandidate t’i përqafojnë ato.” – ka thënë Mercier.

    Ai u ka bërë thirrje të gjithë aktorëve relevantë në Serbi që ta zgjidhin situatën përmes Dialogut dhe të përmbahen nga përshkallëzimi i tensioneve.

    “Të gjithë aktorët politikë duhet të angazhohen në mënyrë konstruktive në Dialog politik ndërpartiak. Kjo do të mundësojë që vëmendja dhe energjia të ridrejtohen drejt përfundimit të reformave në fushat e sundimit të ligjit dhe të drejtave themelore, si dhe harmonizimit me rregullat e BE-së, në mënyrë që procesi i pranimit të Serbisë në BE të përshpejtohet.” – ka thënë Mercier.

    Ditëve të fundit reagimi i vetëm i qartë dhe i ashpër nga BE-ja ka ardhur pas dëbimit të një grupi aktivistësh të Shoqërisë civile më 22 janar, të cilët kanë qenë në Beograd si pjesëmarrës në një Konferencë ndërkombëtare. Por, edhe në atë rast, zyrtarët evropianë i kanë anashkaluar kërkesat e studentëve.

    Deputetët evropianë me qëndrime më të hapura

    Ndryshe nga Bashkimi Evropian, ku çdo qëndrim zyrtar duhet të miratohet nga 27 Kryeqytetet e shteteve anëtare, anëtarët e Parlamentit Evropian kanë liri më të madhe për të shprehur pikëpamjet e tyre, të cilat në përgjithësi paraqesin edhe pikëpamjet e grupeve politike që ata i përfaqësojnë në këtë institucion.

    Grupi i dytë më i madh politik në PE – Socialdemokratët Evropianë – ka shprehur hapur solidaritet me kërkesat e studentëve.

    “Grupi mbështet me vendosmëri të drejtën e popullit për të protestuar dhe dënon fuqishëm të gjitha aktet e frikësimit, dhunën ndaj demonstruesve dhe shtypjen e shtetasve të huaj.” – thuhet në deklaratën e Socialdemokratëve.

    Megjithatë grupi më i madh në PE, Partia Popullore Evropiane (EPP), ku anëtare e asocuar është Partia Përparimtare Serbe (SNS) e kryeministrit në largim të Serbisë Millosh Vuçeviq ka një qëndrim të vakët kur bëhet fjalë për krizën brenda Serbisë.

    “Studentët dhe qytetarët e Serbisë kanë të drejtë në demonstrata paqësore. Autoritetet në Beograd duhet të dëgjojnë mesazhin e qytetarëve dhe kështu të nisin një proces transparent, gjithëpërfshirës dhe konstruktiv të Dialogut me të gjithë aktorët politikë dhe shoqërorë. Është gjithashtu e rëndësishme të theksohet se Serbisë nuk i duhet radikalizim, por dialog, paqe dhe përkushtim ndaj reformave evropiane.” – ka thënë Davor Ivo Shtier, deputet i Partisë Popullore Evropiane, për Radio Evropa e Lirë.

    Kjo deklaratë, sipas tij, është koordinuar me të gjithë përgjegjësit si në klubin e EPP-së, ashtu edhe në parti.

    Në anën tjetër Grupi i Gjelbër Evropian në Parlamentin Evropian është i mendimit se Serbia është në krizë të thellë dhe se vendi është në një pikë kthese.

    “’Korrupsioni vret’ nuk është thjesht një slogan proteste, por një thirrje e madhe për ndihmë, sepse SNS-ja në pushtet ka kapur plotësisht Policinë, gjyqësorin dhe median – institucione që supozohet se duhet të mbrojnë demokracinë, por ato po i pengojnë hetimet e pavarura.” – ka thënë eurodeputeti nga të Gjelbrit, Vlladimir Prebilliç, nga Sllovenia.

    Sipas tij protestat e tilla, që rrallë janë parë në historinë e Serbisë, janë “thirrje për drejtësi dhe normalitet në një vend të shkatërruar nga korrupsioni i shfrenuar, kufizimet mediatike dhe shtypja e kundërshtarëve”.

    Ai ka bërë thirrje për plotësimin urgjent të të gjitha kërkesave të studentëve.

    “Ne gjithashtu i bëjmë thirrje Komisionit Evropian që ta kuptojë seriozitetin e kësaj krize.” – ka shtuar Prebilliç.

    Picula: Rënia e Qeverisë, pasojë e presionit në rritje nga publiku

    Studentët dhe qytetarët e tjerë të Serbisë kërkojnë përcaktimin e përgjegjësisë politike dhe penale për vdekjen e 15 personave nga shembja e strehës së Stacionit hekurudhor në Novi Sad.

    Protesta masive në Serbi, kryeministri jep dorëheqje

    Aktualisht ndaj 13 personave janë duke u zhvilluar procedura penale.

    Gati tre muaj pas tragjedisë dhe protestave të vazhdueshme kryeministri i Serbisë Millosh Vuçeviq dhe kryetari i Novi Sadit Millan Gjuriq kanë dhënë dorëheqje.

    Këtij akti i ka paraprirë edhe një sulm ndaj një grupi studentësh në Novi Sad.

    Komisioni Evropian nuk e ka komentuar dorëheqjen e Kryeministrit – duke vlerësuar se kjo është çështje e brendshme politike në Serbi.

    Tonino Picula, raportues për Serbinë në Parlamentin Evropian, ka thënë për Radio Evropa e Lirë se rënia e Qeverisë serbe është rezultat i presionit të vetë qytetarëve të vendit.

    “Rënia e Qeverisë serbe, në radhë të parë, është pasojë e presionit në rritje ndaj regjimit të Aleksandër Vuçiqit nga publiku vendas, i cili është mobilizuar spontanisht dhe është udhëhequr nga studentët, e jo nga ndonjë dorë e padukshme nga jashtë, siç e ka prezantuar Kryeministri i dorëhequr.” – ka thënë Picula.

    Ai ka shtuar se beson se disa prej politikanëve më me ndikim nga vendet anëtare të BE-së – përfshirë presidenten e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen e kanë mbështetur hapur Presidentin serb.

    “Presidentët dhe Kancelarët i kanë ofruar Vuçiqit Kontrata për blerjen e avionëve luftarakë, për ndërtimin e Termocentraleve bërthamore ose partneritete për mihjen e litiumit. Dhe këto për një regjim që tregon përbuzje të hapur ndaj vlerave evropiane, por jo ndaj mjeteve evropiane.” – sipas Piculës.

    Raportuesi i Parlamentit Evropian për Serbinë ka shtuar se ky institucion ka shprehur gjithmonë interesim për rrugën e Serbisë drejt BE-së dhe gatishmëri për ta ndihmuar atë në atë rrugë.

    “Mbetet të shihet se çfarë do të mbizotërojë në të ardhmen e afërt: a do të mbetet e pandryshuar mbështetja politike dhe financiare për autokracinë, edhe pas rënies evidente të modelit aktual të qeverisjes së Serbisë apo do të mbizotërojë këmbëngulja në standardet e demokracisë liberale, pa të cilat nuk ka përparim në negociata, e sidomos drejt BE-së.” – ka përfunduar Picula.

    Përgatiti: Valona Tela

    Evropa e Lirë

  • NATO e gatshme të punojë me Sorensenin si ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi

    NATO-ja ka shprehur gatishmëri për të punuar ngushtë me Peter Sorensenin kur të nisë zyrtarisht punën si i dërguar i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Pozita e tij është konfirmuar një ditë më parë, dhe ai do të nisë punën më 1 shkurt.

    “Vazhdimi i bashkëpunimit mes NATO-s dhe BE-së është kyç për ruajtjen e stabilitetit në rajonin e Ballkanit Perëndimor”, ka thënë zëdhënësja e NATO-s, Allison Hart përmes një postimi në X – platformë e njohur më parë si Twitter.

    Më herët gjatë ditës, i dërguari në shkuarje i BE-së për dialogun, Mirosllav Lajçak, ka thënë se është takuar me pasardhësin e tij, dhe janë duke u siguruar që transicioni të ndodhë sa më lehtë që është e mundur.

    Lajçak ka qenë në pozitën e ndërmjetësuesit për pesë vjet. Përgjatë mandatit të tij është arritur Marrëveshja për normalizimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, por nuk është bërë asnjë hap drejt zbatimit të saj.

    Po të martën, emërimin e Sorensenit në pozitën e ndërmjetësuesit, e ka përshëndetuar edhe zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, njëherësh kryenegociator i Kosovës në dialogun me Serbinë.

    Ai ka thënë se pret qasje balancuese ndaj palëve, si parakusht për proces të suksesshëm drejt normalizimit të marrëdhënieve.

    Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai aktualisht është Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.

    Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor, përfshirë Kosovën, ku ka punuar në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK).

    Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve se pse kryediplomatja Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.

    Në të kaluarën, liderë të Kosovës, nisur nga presidentja e vendit, Vjosa Osmani e deri të kryeministri Albin Kurti, e kanë kritikuar Lajçakun për qasje të pabalancuar në dialog dhe për rreshtim me raste kah Serbia.

    Vetë Lajçak pati thënë në një intervistë për Radion Evropa e Lirë, muaj më parë, se pretendime të tilla nuk qëndrojnë dhe pati vlerësuar se shoqëritë në Kosovë dhe Serbi, nuk janë të gatshme për normalizim.

    Kosova dhe Serbia dialogojnë në Bruksel qysh prej vitit 2011.

    Palët kanë arritur një mori marrëveshjesh, por jo të gjitha janë zbatuar.

    Bashkimi Evropian u rikujton dy palëve shpesh se avancimi në procesin e dialogut është i lidhur me rrugën e tyre në integrimet euro-atlantike.

    Serbia gëzon statusin e vendit kandidat për anëtarësim në bllokun evropian dhe tashmë ka hapur disa kapituj për anëtarësim, ndërsa Kosova ka aplikuar për t’u bërë anëtare e BE-së, por aplikimi i saj nuk është shqyrtuar ende.

    Kosova është e vetmja në rajonin e Ballkanit Perëndimor që nuk ka status të vendit kandidat, ndonëse zyrtarë të lartë të BE-së thonë vazhdimisht se ardhmja e rajonit të Ballkanit është në bllok./REL

  • Ambasadorët e BE-së konfirmojnë Sorensenin emisar për Dialogun Kosovë-Serbi

    Diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen është konfirmuar nga ambasadorët e Bashkimit Evropian për postin e Përfaqësuesit të Posaçëm të Bllokut për Dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Sorensen është zgjedhur nga përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Kaja Kallas, për ta zëvendësuar Mirosllav Lajçakun në këtë pozitë.

    Ministrat e Jashtëm të BE-së do ta japin pëlqimin përfundimtar të hënën, në mënyrë që Sorensen të nisë mandatin e tij nga fillimi i shkurtit.

    Të dërguarit aktual, Lajçak i skadon mandati, më 31 janar.

    Radio Evropa e Lirë kishte mësuar ditë më parë nga burime diplomatike në BE, se emri i Sorensenit ishte dërguar për miratim edhe te vendet anëtare të Bllokut.

    Kush është Sorensen?

    Sorensen ka përvojë të gjatë diplomatike në strukturat e BE-së. Ai është aktualisht Këshilltar i lartë në Shërbimin e Veprimit të jashtëm të BE-së (EEAS) për diplomaci digjitale.

    Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka ushtruar disa detyra në Ballkanin Perëndimor. Ka shërbyer si Përfaqësues i Posaçëm i BE-së për Bosnjë e Hercegovinë dhe Shef i Zyrës së BE-së në Sarajevë. Po ashtu, ka qenë edhe Shef i Delegacionit të Bllokut evropian në Shkup.

    Më herët, Sorensen ka punuar si këshilltar edhe në Kosovë në misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), ndërsa ka qenë edhe Përfaqësues i Posaçëm i Përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi.

    Në Ballkan, ai ka punuar edhe në misionin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kroaci.

    Përvoja e tij nga rajoni thuhet se ka qenë edhe një prej argumenteve, se pse Kaja Kallas ka vendosur që ai të jetë pasardhësi i Lajçakut.

    Për postin e lehtësuesit të Dialogut garoi edhe emri i ish-ministrit të Jashtëm të Finlandës, Pekka Haavisto, i cili po ashtu ka njohuri për zhvillimet në Ballkanin Perëndimor.

    Për këtë rol ishte përmendur edhe emri i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Sllovenisë, Borut Pahor. Vitin e kaluar, ai pranoi se ishte i interesuar për këtë post. Por, gjatë janarit të këtij viti tha se nuk do të garonte për këtë post, pasi ka kuptuar se kërkohet më shumë një nivel diplomatik sesa politik.

    Ndryshe, gjatë mandatit gati pesëvjeçar të Lajçakut, Kosova dhe Serbia kanë arritur Marrëveshjen në rrugën drejt normalizimit të raporteve.

    Marrëveshja, e cila nuk është nënshkruar, është ligjërisht e obligueshme për palët ka thënë Blloku. BE-ja ka akuzuar Kosovën dhe Serbinë për mosnisjen e zbatimit të paktit – duke thënë se kjo do të ndikojë në rrugëtimin e dy shteteve drejt integrimeve evropiane.

    Dialogu për normalizimin e raporteve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian, ka nisur më 2011. Gjatë procesit janë arritur disa Marrëveshje, por pak prej tyre janë zbatuar në terren./REL