Ballina

Etiketë: bashkimi europian

  • Perëndimi kërkon të hetohen shkeljet lidhur me shënimin e Ditës Jokushtetuese të Republikës Sërpska

    Komuniteti ndërkombëtar ka bërë thirrje për hetim të çdo shkeljeje të ligjit, lidhur me shënimin e Ditës Jokushtetuese të Republikës Sërpska më 9 janar.

    Ceremonia për shënimin e kësaj Dite Jokushtetuese nis në orën 17:00 në Banjallukë.

    Autoritetet e entitetit të Republikës Sërpska festojnë 9 janarin, datën kur në vitin 1992 në Sarajevë Kuvendi i atëhershëm i popullit serb të Bosnjës dhe Hercegovinës miratoi Deklaratën për shpalljen e Republikës së Popullit Serb të Bosnjës dhe Hercegovinës si një entitet i pavarur brenda Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Megjithatë, Gjykata Kushtetuese e Bosnjës dhe Hercegovinës ka vendosur tri herë që kremtimi i 9 janarit si Dita e Republikës Sërpska është antikushtetues.

    Qëllimi i asaj kohe ishte që ky territor i Bosnjës dhe Hercegovinës të bashkohej me Jugosllavinë, e cila po shpërbëhej. Në krye të Republikës së vetëshpallur ishin Radovan Karaxhiq, Bilana Pllavshiq e Momçilo Krajishnik, të cilët janë dënuar për “krime lufte” nga Tribunali i Hagës. Në miratimin e deklaratës nuk kishin marrë pjesë përfaqësuesit e boshnjakëve dhe kroatëve.

    Këta dy popuj e shohin 9 janarin si fillimin e luftës në Bosnjë dhe Hercegovinë, si dhe si fillimin e pastrimit etnik, krimeve të luftës dhe gjenocidit ndaj popullsisë joserbe në territorin e Republikës Sërpska.

    Shtetet e Bashkuara të Amerikës presin që organet e zbatimit të ligjit dhe ato gjyqësore në Bosnjë dhe Hercegovinë të ndërmarrin hapa të shpejtë dhe vendimtarë për të hetuar çdo shkelje ligjore, në lidhje me kremtimin e Ditës Antikushtetuese të Republikës Sërpska më 9 janar – njoftoi Ambasada amerikane përmes një postimi në X.

    Nga Ambasada amerikane kanë thënë gjithashtu se Vendimet e Gjykatës Kushtetuese bazohen në ligj, jo në opinion.

    “Të gjitha entitetet janë të detyruara t’i përmbahen plotësisht Vendimeve të institucioneve të Bosnjës dhe Hercegovinës, përfshirë Vendimet Përfundimtare dhe Detyruese të Gjykatës Kushtetuese. Mosrespektimi i këtyre Vendimeve përbën vepër penale sipas Kodit Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës.” – u tha në reagim.

    Delegacioni i Bashkimit Evropian në Bosnjë dhe Hercegovinë, të mërkurën, me rastin e kremtimit të Ditës Antikushtetuese të Republikës Sërpska i bëri thirrje liderëve politikë të këtij entiteti të refuzojnë retorikën provokuese, përfshirë sfidimin e sovranitetit, integritetit territorial dhe tërësisë së vendit.

    “BE thekson detyrimin për të respektuar sovranitetin, integritetin territorial, rendin kushtetues, përfshirë Vendimet e Gjykatës Kushtetuese, si dhe subjektivitetin ndërkombëtar të Bosnjës dhe Hercegovinës.” – u tha në deklaratën e delegacionit të BE-së në Bosnjë e Hercegovinë.

    Përfaqësuesi i Lartë në Bosnjë dhe Hercegovinë, Christian Schmidt kujtoi se kremtimi i 9 janarit si Dita e Republikës Sërpska është një shkelje e qartë dhe e drejtpërdrejtë e zbatimit të Vendimeve Përfundimtare dhe Detyruese të Gjykatës Kushtetuese të Bosnjës dhe Hercegovinës, si dhe Vendimeve të përfaqësuesit të lartë të 1 korrikut të vitit 2023. Ai paralajmëroi se mosrespektimi i Vendimeve të Gjykatës Kushtetuese mund të përbëjë vepër penale – sipas Kodit Penal të Bosnjës dhe Hercegovinës.

    Schmidt shtoi se është përgjegjësi e organeve të zbatimit të ligjit, Prokurorisë së Bosnjës dhe Hercegovinës dhe Policisë që të ndërmarrin masat e përcaktuara me Ligj, veçanërisht në rastet që lidhen me zyrtarët publikë dhe nëpunësit civilë e pjesëmarrjen e tyre në përgatitjen apo organizimin e kremtimit të 9 janarit.

    Gjykata Kushtetuese e Bosnjë e Hercegovinës nuk ka kundërshtuar të drejtën që Republika Sërpska të ketë një ditë të saj, por ka konstatuar se “Dita e Republikës Sërpska” nuk mund të jetë 9 janari – datë që përkon me ngjarjet e ndodhura në Sarajevë më 1992.

    Ndërkohë, Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Serbisë që të jetë njësoj e përkushtuar ndaj perspektivës evropiane të Bosnjë dhe Hercegovinës, si një vend i unifikuar, i bashkuar dhe sovran – ashtu si të gjithë partnerët e tjerë ndërkombëtarë.

    Me rastin e pjesëmarrjes së përfaqësuesve të institucioneve shtetërore të Republikës së Serbisë në kremtimin e Ditës Antikushtetuese të Republikës Sërpska, nga Brukseli u tha se bashkëpunimi rajonal dhe marrëdhëniet e mira fqinjësore janë një pjesë thelbësore e përparimit drejt integrimeve evropiane.

    “Duhet të shmangen veprimet dhe deklaratat që ndikojnë negativisht në marrëdhëniet e mira fqinjësore dhe kontribuojnë në ndarjet politike.” – i tha në përgjigjen me shkrim dërguar Radios Evropa e Lirë nga Zyra për Media e BE-së.

    Përfaqësuesit nga Serbia marrin pjesë rregullisht në kremtimin e kësaj dite në Republikën Sërpska./REL

  • Franca thotë se BE-ja nuk do të tolerojë sulme në kufijtë e saj

    Ministri i Jashtëm i Francës tha të mërkurën se Bashkimi Evropian nuk do t’i lejojë vendet e tjera të sulmojnë kufijtë e tij sovran – duke iu përgjigjur kësisoj komenteve të presidentit të zgjedhur amerikan Donald Trump për të marrë nën kontroll Grenlandën.

    Presidenti i zgjedhur nuk përjashtoi përdorimin e forcës ushtarake apo veprimeve ekonomike për të marrë nën kontroll Kanalin e Panamasë dhe Grenlandën – duke thënë se kontrolli amerikan i të dyjave është jetik për sigurinë kombëtare të Shteteve të Bashkuara.

    Ministri i Jashtëm francez Jean-Noel Barrot tha se nuk besonte që Shtetet e Bashkuara do të pushtonin ishullin e madh në Arktik, që është pjesë e Danimarkës për më shumë se 600 vjet.

    “Qartazi nuk ka dyshim që Bashkimi Evropian do t’i lejonte kombet e tjera të botës të sulmonin kufijtë e tij sovranë, kushdo qofshin ata.” – tha ai për radion France Inter. “Ne jemi një kontinent i fortë.” – shtoi ai.

    Komentet e zotit Trump përvijuan më tej një agjendë ekspansioniste, dy javë para se të marrë detyrën më 20 janar në Uashington.

    “Nëse po më pyesni nëse unë mendoj se Shtetet e Bashkuara do të pushtojnë Grenlandën, përgjigja ime është ‘Jo.’. Por, a kemi hyrë në një periudhë kohore kur flitet për mbijetesën e më të fortit? Atëherë përgjigja ime është ‘Po.’.” – tha ministri Barrot.

    Ai tha se BE-ja nuk duhet të lejojë veten të frikësohet ose të shqetësohet tepër, por duhet të zgjohet dhe të forcohet./Marrë nga Reuters/VoA

  • REL: Sorensen dhe Haavisto, kandidatët e vetëm për pasardhës të Lajçakut për dialogun

    Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian (BE) për politikë të jashtme dhe siguri, Kaja Kallas, do të duhet të vendosë këto ditë në mes të dy kandidatëve për pasardhësin e Miroslav Lajçakut në postin të dërguarit të posaçëm të BE-së për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Radio Evropa e Lirë mëson se diplomati nga Danimarka, Peter Sorensen, dhe ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto, janë të vetmit kandidatë të cilët janë paraqitur për këtë rol deri të premten e kaluar, kur edhe skadoi afati për dorëzimin e aplikimeve.

    Ndërkohë, në BE nuk japin ndonjë hollësi për këtë dhe vetëm konfirmojnë se “procesi i zgjedhjes është në vazhdim e sipër”.

    “Mandati i përfaqësuesit të lartë Miroslav Lajçak mbetet në fuqi deri në fund të janarit. Zgjedhja e pasardhësit të tij është momentalisht në vazhdim e sipër dhe në do të japim njoftime të reja me kohë”, ka thënë Annita Hipper, zëdhënëse e BE-së për politikë të jashtme dhe siguri.

    Nëse BE-ja dëshiron të sigurojë që të mos ketë vakum, atëherë procedura e caktimit të dërguarit të ri të posaçëm për dialogun, do të duhej të përmbyllej para fundit të këtij muaji, kur Lajçakut do t’i përfundojë mandati zyrtarisht.

    Por, përveç vendimit të përfaqësueses së lartë Kallas për emërimin e pasardhësit të Lajçakut, duhet të pajtohen edhe vendet anëtare të BE-së. Grupet punuese në Këshillin e BE-së janë duke u marr me këtë çështje tani.

    Burimet diplomatike në Bruksel i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se, që të dy kandidatët, do të konsideroheshin si një zgjedhje e duhur, por mes tyre ka disa dallime.

    Këto burime thonë se, nëse Kallas do të vendose të ketë në atë postë një person me një peshë më të madhe politike, atëherë përparësi do të kishte ish-ministri i Jashtëm i Finlandës, Pekka Haavisto. Edhe në rastin kur Lajçak kur ishte zgjedhur në këtë postë para pesë vjetësh, si përparësi ishte përmendur fakti se ai kishte qenë ministër i Jashtëm i një vendi anëtar të bllokut.

    Por, në anën tjetër, thonë këto burime, nëse Kallas dëshiron që vetë të merret më shumë më procesin e dialogut në aspektin politikë, atëherë Sorensen konsiderohet si kandidat më i përshtatshëm, sepse ka shumë vite që punon në strukturat e Shërbimit të Vlerësimi të Jashtëm të BE-së (EEAS) dhe mbi vete do të merrte më shumë ndërmjetësimin në çështjet teknike në dialog.

    Burimet diplomatike nga vendet anëtare të BE-së vlerësojnë se Sorensen ka pak më shumë gjasa sesa Haavisto.

    Kush janë Peter Sorensen dhe Pekka Haavisto?

    Si Sorensen, ashtu edhe Haavisto kanë përvojë dhe njohuri rreth Ballkanit Perëndimor.

    Peter Sorensen nga Danimarka, ka më shumë përvojë diplomatike në strukturat e Bashkimit Evropian sesa karrierë politike në vendin e tij.

    Në Kosovë, Haavisto ka qenë nënkryetar i “Shtyllës IV” (Rindërtimi dhe Zhvillimi Ekonomik) të Misionit të Administratës së Përkohshme të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), nga viti 2002 deri në vitin 2006, si dhe këshilltar i lartë i përfaqësuesit të Posaçëm të Sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së në Kosovë nga viti 2001 deri më 2002.

    Ai ka mbi 15 vjet përvojë në rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Gjatë karrierës së tij diplomatike në BE, Sorensen ka shërbyer si përfaqësues i posaçëm i BE-së për Bosnje e Hercegovinë dhe shef i zyrës së BE-së në Sarajevë, ndërsa ka qenë edhe përfaqësues special i përfaqësuesit të lartë të BE-së në Serbi. Në rajonin e Ballkanit ka punuar edhe në misionin e OSBE-së në Kroaci.

    Po ashtu ka qenë edhe shef i delegacionit të Bashkimit Evropian në Shkup.

    Ai aktualisht është këshilltar në EEAS për diplomaci digjitale.

    Në anën tjetër, Pekka Haavisto ka qenë ministër i jashtëm i Finlandës. Në atë cilësi ai e kishte vizituar edhe Kosovën edhe Serbinë.

    Haavisto ka mbështetur fuqishëm procesin e dialogut dhe ka kritikuar Serbinë për lobimin kundër njohjes së pavarësisë së Kosovës, ndërsa Kosovën e ka kritikuar kur kishte vendosur tarifa ndaj importit të mallrave nga Serbia vite më parë.

    Si ministër i Jashtëm i Finlandës, Haavisto ka qenë mbështetës i madh i procesit të zgjerimit të BE-së dhe avancimit të raporteve me vendet e Ballkanit Perëndimor.

    Haavisto, në kohën e pas luftës në Kosovë, ka punuar edhe në strukturat a Administratës së UNMIKU-ut, që janë marrë me pasojat ekologjike pas luftës. Ai ka garuar tri herë në zgjedhjet për president të Finlandës. Gjithmonë ka përfunduar në pozitën e dytë. Haavisto në karrierën e tij politike ka qenë edhe ministër i Mjedisit i Finlandës.

    Roli i të dërguarit të posaçëm

    Burimet diplomatike të BE-së thonë se pritet që pasardhësi i Lajçakut të jetë vetëm i dërguar i posaçëm për dialog mes Kosovës dhe Serbisë dhe të mos ketë detyrime tjera lidhur me rajonin e Ballkanit Perëndimor.

    Lajçak në titullin e tij ka edhe detyrat për “çështje tjera rajonale” përveç angazhimit si lehtësues në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

    Për këtë rol më herët është përmendur edhe emri i ish-presidentit dhe ish-kryeministrit të Sllovenisë, Borut Pahor.

    Pahor gjatë verës vet e kishte konfirmuar se ishte i interesuar për këtë postë dhe e kishte edhe mbështetjen e Qeverisë së vendimit të tij. Por, ai njoftoi të premten se ai nuk do të garonte për të dërguar të posaçëm të BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, pasi ka kuptuar se kërkohet më shumë një nivel diplomatikë sesa politikë.

    Dialogu mes Kosovës dhe Serbisë është duke u zhvilluar me lehtësimin e Bashkimit Evropian për më shumë se 13 vjet.

    BE-ja vazhdon të ngul këmbë se zbatimi i të gjitha marrëveshjeve të arritura deri tani është detyrim për Kosovën dhe Serbinë, dhe se ky mbetet edhe kusht për avancimin e tyre në procesin e integrimeve evropian.

    Burimet diplomatike në BE thonë se ky qëndrim i BE-së nuk do të ndryshojë as në të ardhmen, pa marrë parasysh se kush do të jetë lehtësues në dialog./ REL