Ballina

Etiketë: Aushvic

  • “Kockë e lëkurë”: Të mbijetuarit e Aushvicit shënojnë 80-vjetorin e çlirimit

    Anastasiya Huley është 99-vjeçare dhe i kujtohet gjithçka që përjetoi në Aushvic, 80 vjet më parë.

    “Krejt çka na mbeti ne ishin kockë e lëkurë. Ne ishim njerëz që vdiqëm dhe rilindëm.” – tha ajo për Shërbimin ukrainas të Radio Evropa e Lirë.

    Huley ishte dërguar në Kampin famëkeq nazist të përqendrimit, pasi kishte ikur nga puna e detyruar në Gjermani gjatë Luftës së Dytë Botërore.

    Pesë vjet më parë, ajo mori pjesë në ceremonitë përkujtimore për të shënuar çlirimin e Kampit nga trupat sovjetike. Këtë vit ajo nuk do të jetë në mesin e të mbijetuarve të cilët shkojnë në kamp – numri i të cilëve po pakësohet.

    Shumë ishin dërguar në Aushvic kur ishin fëmijë të vegjël dhe u transportuan atje me kamionë që përdoren për bartjen e bagëtive. Tani në moshën 80 apo 90 vjeç, ata mblidhen në atë që do të jetë ndër përvjetorët më prekës të çlirimit të Kampit.

    Gjermania Naziste ka vrarë afër 1.1 milion burra, gra dhe fëmijë në Aushvic në periudhën kohore 1940-1945. Afër gjysmëmilioni nga ta ishin hebrenj. Viktima të tjera ishin romë, të burgosur politikë dhe të burgosur sovjetikë të luftës.

    Afër 50 të mbijetuar shkojnë këtë vit në Aushvic. Si gjithmonë, atyre iu bashkohen edhe monarkë, politikanë dhe diplomatë.

    Në shumë mënyra, përvjetorët shënohen nga vazhdimësia: bëhet lutja hebraike për të vdekurit, Kaddish; viktimat nderohen me solemnitet dhe refreni përsëritet: “Kurrë më”.

    Por, ceremonitë përkujtimore shënohen po ashtu edhe nga prizmi i ngjarjeve bashkëkohore.

    Kampi u çlirua nga ushtarët sovjetikë, por presidenti rus Vladimir Putin nuk është ftuar në ceremonitë përkujtimore, që kur nisi pushtimin në shkallë të plotë të Ukrainës më 2022.

    “Ne i kujtojmë viktimat, por po ashtu festojmë për çlirimin.” – tha drejtori i muzeut të Aushvicit, Piotr Cywinski, sipas AFP-së. “Është e vështirë të mendohet prania e Rusisë, e cila qartësisht nuk e kupton vlerën e çlirimit”.

    Izraeli do të ketë një delegacion të madh të udhëhequr nga ministri i Arsimit, Yoav Kisch. Më herët ka pasur kundërthënie lidhur me pjesëmarrjen e mundshme të kryeministrit, Benjamin Netanyahu.

    Aushvici gjendet në Poloni, që është anëtare e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP), e cila ka lëshuar fletarrestim për Netanyahun nën akuzat për “krime lufte” dhe “krime kundër njerëzimit” në Rripin e Gazës – enklavë palestineze.

    Autoritetet polake kanë lënë të kuptohet se Netanyahu nuk do të përballej me arrestim, nëse do të shkonte në Aushvic, por ai gjithsesi ka thënë se nuk do të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore.

    Përvjetori është gjithmonë një moment reflektimi mbi antisemitizmin. Ky vit, tha shefi për të drejtat e njeriut në Kombet e Bashkuara Volker Turk, ishte i “shfrenuar”.

    Përmes një deklarate më 24.01.2025, ai tha se “hebrenjtë po përballen me rritje të frikësimit, kërcënimeve dhe dhunës fizike”.

    Në korrik, Bashkimi Evropian publikoi gjetje të një sondazhi të hebrenjve në 13 shtete anëtare. Sondazhi gjeti se 80% ndienin se antisemitizmi është rritur dhe se incidentet antisemitike janë rritur që nga sulmi i Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga SHBA-ja dhe BE-ja – ndaj Izraelit në tetor të vitit 2023.

    Në përvjetorët e tjerë në Aushvic politikanët kanë mbajtur fjalime. Këtë vit, ata nuk do të mbajnë. Ky mund të jetë përvjetori i fundit ku të mbijetuarit mund të luajnë rol të madh, andaj ata janë në fokus.

    Hurley tha se kujtimet e saj e kanë ndjekur atë gjatë gjithë jetës. Pavarësisht kësaj, ajo këmbëngul se nuk është e hidhëruar.

    “Nëse shikoni zemrën dhe shpirtin tim nuk do të gjeni asnjë dëshirë për hakmarrje apo urrejtje për gjermanët.” – tha ajo./REL

  • Hapet për vizitorët shtëpia e Rudolf Hoss, ish-komandantit të Aushvicit

    Afër mureve të Aushvicit, ish-shtëpia e komandantit të kampit të përqendrimit, Rudolf Hoss, qëndron si një simbol i mohimit dhe bashkëpunimit.

    Nga dritaret e kësaj goden mund të shihet kampi i disa prej mizorive më të mëdha të Holokaustit. Ndërsa bota shënon 80-vjetorin e çlirimit të Aushvicit, siç raporton korrespodentja e Zërit të Amerikës, Myroslava Gongadze po zhvillohen plane për ta shndërruar shtëpinë në një qendër kërkimore kundër urrejtjes, ekstremizmit dhe radikalizimit.

    Një shtëpi e thjeshtë në dukje pranë Aushvicit, ishte shtëpia e Rudolf Hoss, komandantit të kampit dhe një nga arkitektët kryesor të Holokaustit.

    Hoss jetonte me gruan dhe pesë fëmijët e tij vetëm disa metra larg mizorive të paimagjinueshme që ai urdhëronte të kryheshin.

    “Ky tunel u ndërtua nga komandanti Höss pasi shtëpia iu mor një familjeje polake”, tregon Yacek Pursky, drejtor i Qendrës Kërkimore të sapokrijuar të Aushvicit për Urrejtjen, Ekstremizmin dhe Radikalizimin.

    Ai thotë se Hoss ecte nëpër këtë tunel çdo ditë për të mbikqyrur vrasjet sistematike të njerëzve gjatë komandës së tij tre vjet e gjysmë të kampit. Vlerësohet se në këtë kamp u shfarosën 1.1 milionë njerëz.

    Kjo shtëpi ishte e mbyllur për vizitorët për rreth 80 vjet. Ditën e parë që një grup turistësh u futën në shtëpi, ata panë oxhaqet e Aushvicit që ditë e natë dikur nxirrnin tymin nga trupat që digjeshin.

    “Ata kanë kishin një jetë të mirë këtu, por si nuk i shqetësonte ndonjëhëre era?”, pyet Gil Faran, kreu i shoqatës polake të guidave turistike.

    Autoritetet do ta hapin shtëpinë për vizitorët, kryesisht të mbijetuarit e Holokaustit, në 80-vjetorin e çlirimit të Aushvicit nga Ushtria Sovjetike.

    “Kjo është kaq e rëndësishme për ne, saqë duhet të jemi në gjendje t’i edukojmë fëmijët dhe nipërit tanë që ata të mos vuajnë ashtu si kemi vuajtur ne”, tregon Harry Orenstein, shoqërues turistësh.

    Pas kësaj qendre të re është Mark Wallace, një ish-diplomat amerikan, themelues dhe drejtues i Projektit Kundër Ekstremizmit.

    “Është shumë e rëndësishme që ne e kemi rimarrë këtë shtëpi dhe do ta hapim për të gjithë, derisa të mbijetuarit janë ende gjallë. Pra, nga ky këndvështrim, ka një masë të vogël drejtësie. Ky përvjetor ka të bëjë me viktimat dhe familjet e tyre. Dhe kjo është një pjesë e vogël e nderimit të tyre”, thotë ai.

    Ajo që dikur ishte një simbol i mizorisë, plogështisë dhe mohimit, do të jetë një vend ku brezat e rinj mund të frymëzohen për të reflektuar mbi ndërtimin një të ardhmeje pa urrejtje./VOA

  • Osmani udhëton për Poloni, merr pjesë në ceremoninë e 80-vjetorit të çlirimit të Aushvicit

    Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka udhëtuar për në Poloni, në ceremoninë përkujtimore të 80-vjetorit të çlirimit të kampit nazist gjerman të përqëndrimit në Aushvic.

    Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë edhe liderë të vendeve tjera të botës.

    “Gjatë ceremonisë, në përkujtim të viktimave të Holokaustit, me pjesëmarrësit do të ndahen rrëfimet prekëse të dy të mbijetuarve nga kampi i Aushvicit, duke rikujtuar një nga kapitujt më të errët të historisë njerëzore” – thuhet mes tjerash në komunikatën e Presidencës.

    Në vitin 2005, Kombet e Bashkuara kanë shpallur 27 janarin – Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit.

    “Aushvici është simbol i Holokaustit dhe mizorive të Luftës së Dytë Botërore. Në vitin 2005, Kombet e Bashkuara shpallën 27 janarin Ditë Ndërkombëtare të Përkujtimit të Holokaustit, për t`i kujtuar viktimat dhe për ta nxitur botën që të angazhohet për të mos lejuar kurrë më përsëritjen e tmerreve të tilla” – thuhet tutje në komunikatë.