Ballina

Etiketë: Arsimi

  • Zotimet e PDK-së: 100 çerdhe, siguri në shkolla dhe investime qindra milionëshe në rajonin e Ferizajt

    Shtimi i numrit të asistentëve për fëmijë me aftësi të kufizuara, i inspektorëve të arsimit, ndërtimi i 100 çerdheve për një mandat, punësimi i zyrtarëve të sigurisë në secilën shkollë dhe vënia në funksion e sistemit të ujit të Lepencit me vlerë rreth 500 milionë euro, janë disa nga zotimet e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në kuadër të fushatës për zgjedhjet parlamentare që do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    25 çerdhe për një vit apo gjithsej 100 për një mandat synon t’i ndërtoj PDK-ja nëse rikthehet në qeverisje pas gjashtë viteve në opozitë. Kjo parti në programin e saj qeverisës, në mes tjerash ka paraparë që të koncentrohet në infrastrukturën e objekteve arsimore dhe në investime kapitale në rajonin e Ferizajt.

    Pesë kandidatë për deputetë të PDK-së nga 110 sosh sa janë në listën e kësaj partie shpalosën në “Debat Përnime” një pjesë të programit zgjedhor, duke u zotuar që fillimisht do të nisin të ndërmarrin masa emergjente e pastaj do të orientohen në projekte konkrete.

    Duke fajësuar partinë në pushtet, Vetëvendosjen, ata zotohen se nuk ka premtime që nuk mund t’i realizojnë për katër vjet. Partia të cilës i përkasin edhe më parë ka qenë në pushtet dhe fokusi i saj atëherë ka qenë kah infrastruktura.

    Në zgjedhjet parlamentare, kandidatë për kryeministër janë Albin Kurti nga Lëvizja Vetëvendosje (LVV), Lumir Abdixhiku nga Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Bedri Hamza nga Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Ramush Haradinaj nga Koalicioni AAK-Nisma.

    Çka ka në plan të parë PDK-ja?

    Besianë Musmurati, kandidate për deputete nga radhët e PDK-së, e cila ka qenë drejtoreshë e Arsimit në Komunën e Prishtinës, tha se kanë paraparë tri masa kryesore: ndërtimin e 100 çerdheve për katër vjet; subvencionimi i familjeve për dërgimin e fëmijëve në kopshte private me nga 100 euro (ato që nuk arrijnë t’i regjistrojnë fëmijët në çerdhe publike), revidimi i Udhëzimit Administrativ për rekrutimin e mësimdhënësve dhe drejtorëve të shkollave si dhe digjitalizimi i shkollave.

    Edhe pse vjen nga partia kundërshtare, Musmurati tha se ka pasur shpresë që Lëvizja Vetëvendosje mund të bënte ndryshime në fushën e arsimit.

    “Marr parasysh që Lëvizja Vetëvendosje i ka pasur 51 për qind, më të vërtetë si qytetarë të Kosovës pikësëpari kemi pritur që ta shfrytëzojnë këtë hapësirë që të bëjnë reforma të guximshme dhe të mirëfillta”- tha Musmurati në “Debat Përnime”, më 16.01.2025.

    Masën e dytë, ajo e cilësoi si emergjente. Meqenëse ndërtimi i çerdheve publike merr më shumë kohë, PDK, sipas saj, ka paraparë një masë emergjente e që është subvencionimi i familjeve për t’i dërguar fëmijët në çerdhe private.

    Kandidatja për deputete e PDK-së, Besiana Musmurati. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Subvencionimi me 100 euro, sipas saj, do të jetë për çerdhet që janë të licensuara nga Ministria e Arsimit dhe se këtë listë mund ta rishikojnë.

    Ajo tha se do të organizojnë trajnime për të gjithë edukatorët që punojnë në sektorin publik.

    Ndërsa në kuadër të masës të tretë- digjitalizimit, ajo tha se kanë paraparë tri masa kryesore: digjitalizimi fizik (pajisje digjitale në çdo klasë dhe shkollë të Kosovës); softueri digjital kombëtar, ku nxënësit të kenë qasje në përmbajtje digjitale arsimore, video-materiale; dhe e fundit, rritja e numrit të psikologëve në shkolla, kampanja kundër bullizmit dhe punësimi i zyrtarëve të sigurisë në shkolla.

    “Nëse e llogarisim që në Kosovë janë 1 mijë e 46 shkolla dhe në secilën shkollë e kemi një zyrtar të sigurisë, që mesatarisht do të paguhet diku rreth 600 euro në muaj, atëherë e kemi llogarit që diku do të jetë 7.5 milionë euro për vit. Nuk është kosto e papërballueshme për buxhetin” – tha Musmurati.

    Ajo theksoi se kanë paraparë dyfishimin e numrit të asistentëve për fëmijët me nevoja të veçanta, në mënyrë që një asistent të mund t’i mbuloj dy fëmijë në dy ndërrime të ndryshme të mësimit.

    Po ashtu, Musmurati bëri me dije se kanë në plan që në mandatin e parë të ofrojnë mësim tërëditor në të gjitha shkollat në Kosovë që kanë më pak se 600 nxënës.

    A ka plan PDK- ja t’i testoj mësimdhënësit?

    Kandidatët e Partisë Demokratike të Kosovës nuk dhanë një përgjigje direkte nëse do të testojnë apo rivlerësojnë me ‘test klasik’ mësimdhënësit – temë kjo që është hapur prej kur ka ardhur Lëvizja Vetëvendosje në pushtet e që ka nxitur polemika në mes pushtetit qendror dhe Sindikatës të Arsimit.

    Kandidati për deputet, Naim Ismajli, që më parë ishte kryetar i Komunës së Shtimes, tha se për t’i vlerësuar mësimdhënësit i kanë paraparë dy masa: vlerësimin e performancës bazuar në indikatorë matës, që e saktëson kualitetin e mësimdhënies dhe paralel me të, një pako të edukimit të mjaftueshëm dhe ngritjen e Qendrës të Trajnimeve.

    Sipas tij, me këto dy komponente do të sigurojnë vlerësim të vazhdueshëm.

    “Vlerësimi i performancës kur bëhet me indikatorë matës na nxjerr tipin e nevojës të trajnimit që është e specifikuar, pra nuk është gjenerale. Mbi bazën e saj bëhet moduli i trajnimit. Dhe, nuk ka modul të trajnimit që në fund nuk i jep outputet në bazë të asaj se sa nuk janë përmbush trajnimet dhe sa e kanë arrit efektin e tyre, në mënyrë që në fund të bëhet një test formal që e certifikon trajnimin”- tha Ismajli.

    Kandidatët e PDK-së, Kristina Gashi-Bytyçi dhe Naim Ismajli. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Se a do të largohen ata mësimdhënës që nuk e kalojnë këtë test, u përgjigj kandidati tjetër, i cili ka qenë zëvendësministër i Arsimit, Azem Guri. Ai tha se atyre që nuk e kalojnë testin formal duhet t’u jepet mundësi që të ndjekin një trajnim njëvjeçar e atëherë të shihet se si duhet të veprohet.

    “Në qeverisjen e PDK-së çdoherë ka qenë një relacion i mirë me Sindikatën dhe çdoherë është bërë një kompromis”- u përgjigj ai kur u pyet se si do t’i bindin mësimdhënësit të testohen.

    Sipas tij, themelimi i Qendrës të Trajnimit parasheh trajnimin e mësimdhënësve në programe të akredituara dhe trajnimin e drejtorëve për profilin e drejtorëve të shekullit 21.

    Në anën tjetër, Besiana Musmurati tha se Sindikatën e Arsimit do ta bindin me dialog, pasi që sipas saj, në një format që e ka provuar në Prishtinë sa ka qenë drejtoreshë, nuk ka hasur rezistencë nga mësimdhënësit.

    “Çka kemi parë prej rezultateve aty është që qasja në atë test duhet të mos jetë agresive që e cenon lirinë dhe punësimin e mësimdhënësit. Me ta duhet ta kemi një dialog të hapur dhe të krijojmë mekanizma që ata me i avancu në karrierë”- tha ajo.

    Musmurati deklaroi se kjo nuk do të thotë që nuk do të kenë testime dhe që testimet kanë koncept negativ, përkundrazi testimet do t’i shfrytëzojnë që të shohin se “ku janë gabim”.

    Në katër vjet mandat të Qeverisë Kurti ka pasur një përplasje të dukshme mes institucioneve qendrore dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit – lidhur me futjen në testim vlerësues të mësimdhënësve nëpër shkollat e Kosovës. Sindikata në vazhdimësi e ka kundërshtuar një gjë të tillë, duke vlerësuar se kjo ide është ofenduese ndaj mësimdhënësve, pasi ata janë të diplomuar dhe janë vlerësuar gjatë studimeve nga profesorët.

    Kurse për Kontratën Kolektive, Azem Guri, tha se atë duhet ta paguajë Qeveria e jo komunat.

    Kontrata Kolektive që ishte nënshkruar në vitin 2021 dhe u shkëput në nëntor 2022 nga Ministria e Arsimit “për shkak të mungesës së bazës ligjore, shpërputhjes me dispozitat e rendit publik dhe mungesës së legjitimitetit të palës nënshkruese”.

    Për mësimdhënësit më shqetësime shëndetësore, Guri tha se kanë paraparë që të nxjerrin një udhëzim dhe varësisht prej kategorizimit prej shërbimeve mjekësore të dalin në pensionim të parakohshëm.

    Kthimi metodës të vjetër apo subvencionim?

    Kandidatja Eliza Hoxha, e cila njëherësh është profesoreshë në Universitetin e Prishtinës dhe deputete në Kuvend, tha që do ta kthejnë metodën e vjetër për blerjen e teksteve shkollore për nxënësit ashtu siç e ka praktikuar PDK-ja kur ishte në pushtet.

    Hoxha akuzoi se parat të cilat kanë shkuar te prindërit përmes subvencionimit, metodë kjo e Qeverisë Kurti, kanë shkuar edhe te shumë familje që nuk jetojnë në Kosovë.

    Arsyeja tjetër, sipas saj, pse duhet të kthehet metoda e vjetër e blerjes së teksteve është se çmimet e librave në treg janë blerë me çmimin e fundit.

    Dhe e treta, sipas saj, është që kompanitë që prodhojnë libra kanë shitur më pak së herëve të tjera.

    Musmurati tha se metoda e Qeverisë Kurti ka qenë një vendim i gabuar sepse është shpenzuar më shumë në blerjen e teksteve shkollore.

    “Kemi pas rritje enorme të çmimeve të librave që mendoj që është bërë edhe keqpërdorim i buxhetit”- tha ajo.

    Në dy vitet e fundit blerja e librave për nxënësit është bërë përmes subvencionimit, pra librat i kanë blerë prindërit me paratë që i janë transferuar nga Qeveria e Kosovës. Një metodë e tillë gjeti edhe përkrahje, por edhe kundërshti. Ekzekutivi i ka dedikuar 13,875,138 euro për subvencionimin e blerjes së librave dhe mjeteve mësimore për vitin shkollor 2024/2025.

    Kandidati i PDK-së Azem Guri. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    Para kësaj metode, vetë institucionet i kanë siguruar librat për nxënësit, por partia në pushtet e kishte ndryshuar me arsyetimin se paraja e shtetit ishte keqpërdorur dhe se bodrumet  e shkollave kanë qenë të mbushura me tekste shkollore që janë blerë e nuk janë përdorur.

    Kurse, Azem Guri konsideroi që është bërë edhe një shkelje ligjore.

    “Sepse Ligji për arsimin parauniversitar, neni 26, e specifikon shumë qartë së Ministria e Arsimit, duhet t’i ndjekë edhe procedurat e prokurimit në mënyrë që t’i sjell tekstet shkollore tek nxënësit e jo t’i subvencionojë prindërit”- tha Guri.

    Kandidatja, Kristina Gashi- Bytyçi, e cila ka qenë kryesuese e Kuvendit Komunal në Ferizaj, tha se do t’i rishikojnë tekstet shkollore dhe ato do të harmonizohen me moshën e fëmijëve, por njëkohësisht edhe me plan-programin aktual.

    Pak premtime për nivelin e mesëm

    Në nivelin e shkollave të mesme profesionale, Azem Guri premtoi se do të bëjnë shndërrimin e shkollave profesionale në qendra të kompetencës; të ndahen bursa për ata nxënës dhe diplomat e tyre të jenë të vlefshme jo vetëm për kompanitë vendore por edhe ato ndërkombëtare.

    Ai tha se do ta bëjnë ngritjen e kapaciteteve në kuadër të Drejtorive të Arsimit dhe shtimin e inspektorëve të arsimit.

    Se si do t’i integrojnë nxënësit serbë që vijojnë mësimin në struktura paralele, Eliza Hoxha tha se nuk kanë debatuar se a duhet t’i integrojnë, por do të veprojnë në varësi të Kushtetutës.

    “Ne duhet të nxisim debat dhe normalizim të relacioneve të brendshme, përkrahje të jashtëzakonshme në aspektin financiar dhe programore dhe besoj që nuk duhet të ketë vija të kuqe për diçka që është e rregulluar në kuptim kushtetues dhe ligjor”- tha ajo.

    Si do të rrisin cilësinë e universiteteve?

    Në këndvështrimin e Eliza Hoxhës, buxheti për arsimin universitar ka shënuar rritje edhe gjatë mandatit të Qeverisë Kurti, megjithatë ajo e sheh si të pamjaftueshëm atë se çfarë është bërë deri më tani.

    Sipas saj, në Kosovë mungon infrastruktura e nevojshme ligjore që ndërlidhë tregun e punës dhe mundësinë që universitetet të gjenerojnë të hyra vetanake e jo të jenë të varura vetëm nga buxheti.

    Hoxha tha se kolegjet private të regjistruara si biznese kanë arritur të jenë në një vijë me dinamikën e tregut të punës sepse nuk i ndalon ligji me asgjë, ndryshe prej atyre publike që janë shumë rigjide në kuptimin e normave ligjore dhe statuteve.

    Kandidatja e PDK-së Eliza Hoxha. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    “Duhet një rishikim se çka po ndodh në universitetet tona. Po ashtu univeristetet tjera të jenë fakultative në kuptimin tematik që të lidhen me turizmin malor, kulturor dhe të jenë në një zonë përcaktuar, në mënyrë që të kemi pole të reja”- tha Hoxha.

    PDK-ja, sipas saj, parasheh 25 milionë euro bursa për studentët me arritje të larta.

    Kurse për ngacmimet seksuale në institucionet universitare, Hoxha pa treguar se çfarë saktësisht do të bëjnë për ta parandaluar një fenomen të tillë, tha se duhet të vendosen kritere të mirësjelljes për mësimdhënës dhe për studentë.

    “Mendoj që ky është një debat që duhet të zhvillohet nga krejt akterët se brenga kemi pasur gjithë. Si grua mund të them që edhe vetë jam përballur me një çështje të tillë”- tha ajo.

    Universiteti i Prishtinës ka rregullore për parandalimin dhe mbrojtjen nga ngacmimi seksual dhe ngacmimi në UP të datës 11.05.2021.

    Rastet e ngacmimit seksual në UP raportohen te zyrtarja për parandalim dhe mbrojtje nga ngacmimet seksuale, Drita Hyseni dhe pastaj ato raste shqyrtohen nga Këshilli i Etikës i UP-së.

    Hoxha tha se do ta ndërtojnë një Qendër për Kërkim dhe Zhvillim për ta nxitur inovacionin dhe teknologjitë e reja.

    “Kjo qendër mëton të nxisë bashkëpunimin me tregun e punës përmes hulumtimit dhe zhvillimit duke krijuar mundësi edhe për teknologjitë e reja edhe për Inteligjencën Artificiale për të krijuar hapësirë që të rinjtë dhe të rejat e Kosovës që të kenë mundësi të gjenerojnë në tregun e punës”- tha ajo.

    Rajoni 05

    Përgjatë debatit u diskutua edhe për planet e PDK-së për rajonin e Ferizaj. Momentalisht, Ferizajn e qeveris Agim Aliu i PDK-së.

    Naim Ismajli tha se do të vazhdojnë në mënyrë urgjente punën në Spitalin rajonal të Ferizajt.

    “Është një spital që ne tash është dasht t’i marrim shërbimet në të, por kjo ka ngecë. Ka qenë një ndëshkim i Qeverisë në pushtet për qeverisjen lokale”- tha ai.

    Projekt tjetër kapital që përmendi Ismajli është funksionalizimi i sistemit të Lepencit ku parashohin 450-500 milionë euro investime për ta jetësuar atë.

    Kandidatët e PDK-së, Kristina Gashi-Bytyçi dhe Naim Ismajli. Foto: Naser Fejza/KALLXO.com

    “Ne e dimë që e kemi Ibrin në funksion por asnjëherë nuk është jetësuar Lepenci. Ne e kemi projektin me fizibilitet që e ka kry Banka Botërore. Projekti që kap vlerat mes 450-500 milionë do varet me dy ujëmbledhës. Ky projekt parasheh dy diga të fuqishme: në Firajë dhe në Shtime dhe ujëmbledhësit në Redime dhe Grykën e Jezercit dhe Gaçkës”- shpjegoi ai.

    Sipas tij, ky sistem i ujit i përgjigjet dy kërkesave elementare të qytetarëve të Kosovës: furnizimit me ujë të pijshëm për 500 mijë banorë; mbi 20 mijë hektarë do të ujiten; dhe tri kanale të hapura që njëri do të shkojë për Obiliq për ftohje e termoelektranave, ku njëra vjen në drejtim të Graçanicës- Prishtinës dhe tjetra në drejtim të Ferizajt.

    Dy projekte tjera që i shpalosi Ismajli janë edhe rivitalizimi i hekurudhave që të kenë mundësi të zhvillojnë shpejtësinë 80-100 km në orë dhe autostrada nga Duhla në Shtime në Lipjan që lidhë autostradën “Ibrahim Rugova” me atë “Arbën Xhaferi” dhe e cila pastaj të shkojë në drejtim të Dheut të Bardhë.

    Përvoja e PDK-së në qeverisje

    Partia Demokratike e Kosovës (PDK) ka qenë në qeverisje nga viti 2008 deri në vitin 2019, por jo çdo herë si forca kryesore udhëheqëse.

    Nga viti 2008 deri në vitin 2014, PDK udhëhoqi Qeverinë me kryeministër Hashim Thaçin. Ky ishte mandati i parë dhe i dytë i saj.

    Kurse nga viti 2014 deri në 2017, PDK ishte pjesë e koalicionit qeverisës me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK). Atëkohë, Kryeministër ishte Isa Mustafa nga LDK, ndërsa PDK mbante postin e Kryeparlamentarit.

    PDK ka qenë pjesë e Qeverisë edhe pas vitit 2017, por jo si forcë kryesore udhëheqëse. Pas vitit 2017 deri në 2019, PDK u rikthye si pjesë e koalicionit qeverisës. Këtë herë me Ramush Haradinajn nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) si Kryeministër. PDK mbante disa Ministri dhe poste të rëndësishme në këtë Qeveri.

    Prej atëherë PDK-ja ka qenë vetëm në opozitë. Në Zgjedhjet e vitit 2021, prej të cilave fituese doli Lëvizja Vetëvendosje, PDK zuri vendin e dytë për nga numri i votave, më saktësisht me 16.9%.

    “DebatPërnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    “Na s’jemi oligarkë. Asnjëri prej neve në KALLXO.com nuk jemi pasanika, as milionera e le më oligarka. Ne kemi qenë në RTK e na kanë largu prej RTK-së, saktë sepse kemi raportuar qysh oligarkët e kanë zhvat shtetin.” – ka deklaruar Jeta Xharra në hapje të Debatit të parë zgjedhor, në kuadër të “Debat Përnime”. 

     

  • Plani për arsim i koalicionit AAK-Nisma: Rritje të pagave për mësimdhënësit dhe digjitalizim të shkollave

    Reformë kurrikulare, rritje të pagave të mësimdhënësve, ndërtim të Çerdheve modulare dhe vendosje të urave lidhëse mes niveleve për orientimin në karrierë janë disa nga zotimet që Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) i ka dhënë për sistemin e arsimit, me anë të Programit për Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025.

    Në kohën kur AAK-ja ishte në pushtet, një prej projekteve që e kishte realizuar në fushën e arsimit ishte ndërtimi i Kampusit të Universitetit “Ukshin Hoti” në Prizren. Por, nëse ia del ta marrë sërish drejtimin e Qeverisë pas Zgjedhjeve të 9 shkurtit, kjo parti synon ta ndërtojë një Kampus tjetër – atë të Universitetit të Gjilanit.

    Ky është vetëm njëri nga zotimet e AAK-së, ngase në listën e saj ka shumë premtime të tjera, që nisin nga rritja e pagave të mësimdhënësve për 50%, ndërtimi i Çerdheve lëvizëse me materiale të lehta, rritja e Fondit për arsim në 6% të GDP-së, pagimi i mësuesve shqiptarë në shkollat shqipe në diasporë, e deri te rritja e buxhetit për arsim në 916 milionë euro.

    Kandidatët e AAK-së për deputetë. Foto: Naser Fejza, KALLXO.com

    Katër nga 110 kandidatët e koalicionit të AAK-së me Nismën, Konservatorët, Forumin Intelektual E-30 dhe Listën Ideal: Teuta Haxhiu, Haki Abazi, Nazim Gagica dhe Mensur Neziri besojnë që në krye me Ramush Haradinajn do të vazhdoheshin projektet që kanë mbetur në gjysmë nga mandati i kaluar.

    Këtë bindje të pasuar me shumë zotime e premtime, kjo katërshe e ka shpërfaqur gjatë “Debatit Përnime”, më 14.01.2025.

    A do të rivlerësohen mësimdhënësit?

    Në katër vjet mandat të Qeverisë Kurti ka pasur një përplasje të dukshme mes institucioneve qendrore dhe Sindikatës së Bashkuar të Arsimit – lidhur me futjen në testim vlerësues të mësimdhënësve nëpër shkollat e Kosovës.

    Sindikata në vazhdimësi e ka kundërshtuar një gjë të tillë, duke vlerësuar se kjo ide është ofenduese ndaj mësimdhënësve, pasi ata janë të diplomuar dhe janë vlerësuar gjatë studimeve nga profesorët.

    Se a do ta bëjë një gjë të tillë AAK-ja, kandidati për deputet, Mensur Neziri, i cili njëherësh është profesor në Universitetin “Haxhi Zeka” në Gjilan, tha se nuk do të vazhdohet kjo politikë e ministres nga Vetëvendosja, Arbërie Nagavci.

    “Një test klasik që t’i vendosë mësimdhënësit në test për të parë se sa janë njohuritë e tyre është disi si një fyerje për mësimdhënësit.” – tha ai, duke e cilësuar si “politikë të dështuar” qasjen e Qeverisë Kurti. Sipas tij, AAK me partnerët e saj në koalicion nuk do ta realizojnë një gjë të tillë asesi.

    Kandidati i AAK-së, Mensur Neziri; Foto: Naser Fejza, KALLXO.com

    Neziri tha se zhvillimin profesional Aleanca do ta ketë prioritet, në mënyrë që çdo mësimdhënës të ketë trajnime të vazhdueshme në bazë të nevojave profesionale.

    Teuta Haxhiu, një nga anëtaret e kamotshme të Aleancës, e cila është në mesin e 110 kandidatëve të tjerë për deputetë, pas një shkëputje që pati nga prania e saj në institucionet qendrore, premtoi se nëse kandidati tyre, Ramush Haradinaj do të vijë në krye të Qeverisë do ta rrisin koeficientin e pagave, qysh në rishikimin e parë të buxhetit të vendit.

    “Nëse flasim për vitin 2019-2020 kemi pasur 205 milionë për të gjithë Komunat për arsimin, që i bie 33% e krejt fondit për pagat e sektorit publik. Ndërsa, për vitin 2025 janë paraparë fondi i pagave për arsim 248 milionë, kurse fondi i përgjithshëm do të jetë 916 milionë.” – tha ajo.

    Haxhiu u zotua se do ta ruajnë dinjitetin e mësimdhënësve, duke ia rritur pagat përmes koeficientit, që kjo parti e parasheh të jetë 155 euro.

    Risi e quajtën kandidatët e kësaj partie planin që t’i paguajnë edhe mësuesit që japin Gjuhë shqipe në shkollat në diasporë.

    Edhe pse nuk shpalosi një plan të hollësishëm, Haxhiu tha se mësimin shtesë në diasporë do ta rregullojnë me ligj, pasi sipas saj mësimdhënësit po punojnë atje në baza vullnetare ose të varur financiarisht nga bizneset.

    “Për mësimdhënësit që janë në diasporë do të marrë përgjegjësinë vetë shteti i Kosovës që t’i paguajë pagat e tyre.” – tha ajo, duke u ballafaquar më pas me konstatimin e Kreshnik Gashit se për t’u paguar mësimdhënësit nga shteti i Kosovës është jetike një Marrëveshje bilaterale mes Kosovës dhe shtetit përkatës.

    Përgjigja e Haxhiut sërish ishte e shkurtër dhe pa hollësi: “Do ta rregullojmë me ligj”.

    Se si do të rregullohet çështja e mësimdhënësve të diagnostifikuar me sëmundje, ajo tha se do të nxirret një Ligj i veçantë, në mënyrë që këta mësimdhënës të dalin në pension të parakohshëm me pagë të plotë.

    Çka për infrastrukturën shkollore?

    Teuta Haxhiu shpjegoi se në Programin e tyre zgjedhor kanë planifikuar të bëjnë përmirësimin e infrastrukturës fizike, me kritere bashkëkohore për të gjitha shkollat në vend, si dhe të kenë trajtim të barabartë si ndaj institucioneve arsimore publike ashtu edhe ndaj atyre private.

    Ndër të tjera, ajo tha se do t’i përfundojnë të gjitha shkollat që kanë mbetur të papërfunduara, e më pas nëse ka kërkesa nga Komunat do t’i shqyrtojnë nevojat.

    Ajo premtoi se për sigurinë në shkolla do të punojnë në trekëndëshin didaktik mes shkollës, prindit dhe mësimdhënësit.

    Kandidatja e AAK-së, Teuta Haxhiu; Foto: Naser Fejza, KALLXO.com

    Në anën tjetër, kandidati për deputet, Nazim Gagica, i cili ka qenë drejtor i Arsimit në Komunën e Gjilanit, tha se Programi i tyre përfshin ndërtimin e Çerdheve modulare.

    Sipas tij, Çerdhet e tilla do të ndërtohen në afat prej 40 ditësh prej materialeve të lehta, të montueshme, prej paneleve të drurit dhe materialeve të parafabrikuara.

    Gagica tha se këto Çerdhe do të jenë ekologjike dhe të qëndrueshme, si dhe rezistente ndaj tërmeteve dhe zjarreve.

    Edhe pse nuk pati shifra konkrete, por iu afrua një milionëshit, Gagica tha se kostoja është më e ulët se Çerdhja që e promovoi kryeministri Albin Kurti në Kaçanik.

    “Çerdhja e proklamuar nga kryeministri Albin Kurti në Kaçanik i ka vetëm 40 fëmijë, ndërsa me ne do të jenë 120 fëmijë. Këto Çerdhe mund të lëvizin. Në qoftëse se bie numri i nxënësve mund të bartet prej një lokaliteti në një tjetër.” – tha ai.

    Se si do t’i integrojnë studentët serbë që vijojnë mësimin në strukturat paralele në Komunat veriore të Kosovës, Neziri tha se e kanë vetëm një standard – Kushtetutën e Kosovës.

    “Kudo që ato institucione ushtrojnë atë veprimtari, ato duhet ta bëjnë në bazë të Ligjeve dhe Rregulloreve të Kosovës.” – tha ai.

    Kurse për integrimin e komuniteteve rom, ashkali dhe egjiptian, Neziri tha se në Universitet i kanë disa kuota të caktuara për pakicat, ku studentët garojnë dhe mund të fitojnë.

    Mirëpo, sipas tij, nëse pjesëtarët e komuniteteve nuk aplikojnë, atëherë nuk kanë ndonjë zgjidhje për këtë gjë.

    Dështimet në arsim, si do të rritet cilësia?

    Rezultatet e dobëta në testin e standardizuar PISA, është një ndër çështjet që e kanë sfiduar ndër vite sistemin e arsimit në Kosovë. Ky test për vite me radhë shpërfaqi një performancë jo të kënaqshme në njohuritë bazike të nxënësve kosovarë.

    Rezultatet e PISA-s për vitin 2022 treguan se nxënësit kosovarë performuan rreth 83% dobët në lexim, rreth 79% dobët në shkencë, rreth 85% dobët në matematikë. Në këtë test të vitit 2022 morën pjesë 6027 nxënës 15-vjeçar, nga 229 shkolla të Kosovës.

    Mensur Neziri tha se nëse fitojnë votat e mjaftueshme do të realizojnë reformë në kurrikulat shkollore që nga arsimi parashkollor e deri te niveli parauniversitar.

    Neziri premtoi se do t’i bëjnë analizë teksteve shkollore, pasi që sipas tij, ato jo çdo herë janë të përshtatshme me aftësitë kuptimore e me rezultatet që janë të përcaktuara me kurrikula.

    “Si pasojë e kësaj kemi rezultate të dobëta në testin PISA.” – tha ai.

    Një pjesë e reformës së tyre në arsim, sipas tij, parasheh përcjelljen profesionale që nga klasa e parë deri në të nëntën, në mënyrë që nxënësit të drejtohen ose orientohen më mirë drejt Shkollës të Mesme, e “pastaj Shkolla e Mesme të jetë urë lidhëse për orientim në Universitet”.

    Ai tha se do të bëjnë rikthimin e Kontratës Kolektive, duke e quajtur hap të gabuar nga qeverisja aktuale mosrespektimin e saj. Sipas tij, Aleanca do të ketë buxhet të veçantë për realizimin e kësaj Kontrate.

    Kandidati Haki Abazi tha se në katër vjetët e fundit është shkatërruar dialogu social dhe është parandaluar Kontrata Kolektive.

    “Mendoj që me tre-katër milionë euro program të digjitalizimit të lëndëve kryesore mund ta përfshijmë edhe diasporën. Vetëm duhet vullnet politik.” – tha ai.

    Kandidati i AAK-së, Nazim Gagica; Foto: Naser Fejza, KALLXO.com

    Ndërsa në Arsimin e Lartë, Neziri tha se do të bëjnë digjitalizimin e përmbajtjeve mësimore dhe përfshirjen e programeve në bazë të trendit të punës.

    “Do të insistojmë që të rrisim buxhetin në fushën e shkencës dhe hulumtimit, në mënyrë që në Universitet të gjenerojnë të hyra me interes vendor dhe ndërkombëtar. Kështu, jo vetëm që do të rritet performanca, por edhe institutet ekzistuese do të mund të hulumtojnë në fushën e arsimit të lartë.” – tha ai.

    Por, Neziri nuk ofroi hollësi të tjera se çka do të thotë pavarësi financiare dhe në çfarë fazash mund të shtrihet një premtim i tillë, në mënyrë që të jetësohet.

    Në këndvështrimin që shpërfaqi ai, pavarësia financiare nënkupton që në aspektet akademike, “do të krijohen mundësi që studentët të aplikojnë në projekte ndërkombëtare dhe vendore për të fituar mjete financiare për Universitetin”.

    Ai premtoi se do ta ndërtojnë edhe një Kampus të ri për Universitetin Publik të Gjilanit “Haxhi Zeka”. Sipas tij, sapo ta marrin mandatin do të bëhet një studim fizibilitetit në aspektin teknik dhe do të iniciohen të gjitha procedurat për ndërtimin e Kampusit.

    Në anën tjetër, Neziri tha e kanë me prioritet që studentët të jenë të liruar nga pagesa, por me kusht, e jo të jenë të liruar dhe të shkojnë në ato Programe, përmes së cilave nuk kanë pastaj një marrëdhënie pune.

    Ndërsa, Nazim Gagica shpërfaqi një plan tjetër që është i fokusuar në nivel të Shkollave të Mesme, me fokus të veçantë ato profesionale, që sipas tij duhet të arrijnë një autonomi financiare duke punuar vetë nxënësit për të siguruar të holla për Shkollën.

    “Shkollat profesionale do të absorbojnë të hyra nga puna që e bëjnë nxënësit dhe mësimdhënësit. Sinjalizimi i rrugëve mund të bëhet nga vetë nxënësit. Për shembull, pastrimin e veturave komunale, ku shpenzohen mijëra euro në tenderë, mund ta bëjnë vetë nxënësit tanë në Shkolla profesionale; [pastaj] mirëmbajtja e rrjeteve dhe teknologjisë…” – tha Gagica.

    Me paratë e gjeneruara, sipas tij, mund të krijohet një autonomi menaxhuese.

    Kandidati Haki Abazi, i cili së fundmi aderoi në AAK, e më parë ishte edhe zëvendëskryeministër në Qeverinë Kurti si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, tha se në arsim do të kenë një qasje pragmatike dhe racionale.

    “Një qasje jo vetëm pragmatike, por racionale e konkrete të AAK-së dhe koalicionit tonë ndaj një sektori që është degradu për 25 vjet në mënyrë konstante – pjesërisht nga politizimi e tentimi për ta bërë sektorin makinë votuese.” – tha Abazi për sistemin e arsimit.

    Kandidati i AAK-së, Haki Abazi; Foto: Naser Fejza, KALLXO.com.

    Megjithatë, përgjatë 25 vjetëve të kaluara, në periudha të caktuara në pushtet ishte edhe partia në të cilën po kandidon për deputet në këto Zgjedhje.

    Çka për rajonin 05?

    Haki Abazi tha se në rajonin 05 kanë kapacitete të plota për përpunimin e drurit, për turizmin në pjesën e Sharrit, për përpunimin e hekurit, duke filluar prej fabrikës së gypave që ka qenë gjigant, e që sipas tij, vazhdon me qenë prodhuesi më i madh i gypave në Europën Juglindore.

    “AAK-ja ka dhënë përkushtimin për zhvillimin e Sharrit dhe Qendrës së skijimit në Brezovicë” – tha ai.

    Abazi tha se Centrali me gaz duhet të ndërtohet në rrethinën e Obiliqit, aty ku sipas tij janë kyçjet për transmisionin shpërndarës. “Do të ishte gabim që të tentohet të bëhet diku tjetër.” – tha ai.

    Kurse për Impiantin për trajtimin e ujërave të zeza në Ferizaj, Abazi tha se Qeveria e udhëhequr prej Haradinajt nuk ka me qenë pengesë.

    “Trajtimi i ujërave në nivelin komunal ka qenë një projekt i financuar nga Qeveria hungareze dhe është zhagitur për katër vjet.” – tha ai.

    Kurse, Nazim Gagica për impiantin që kishte nisur në Gjilan në kohën e Qeverisë Haradinaj tha se do ta mbyllin në këtë mandat qeverisës.

    Përvoja e Aleancës në pushtet

    Në Zgjedhjet e fundit të vitit 2021 AAK fitoi 7.07% të votave. Me këtë zuri 8 ulëse në Kuvendin e Kosovës.

    Ramush Haradinaj në vitin 2005 ishte për tre muaj Kryeministër i Kosovës. Në atë kohë, ai dha dorëheqje pas 100 ditësh qeverisjeje, pasi u akuzua nga Tribunali i Hagës për “krime lufte”.

    Kjo parti, e mori pushtetin edhe njëherë në vitin 2017, por kësaj radhe në koalicion me Partinë Demokratike të Kosovës dhe NISMA-n, i njohur si PAN. Qeveria Haradinaj e filloi mandatin më 09.19.2017 pas humbjes së Isa Mustafës dhe zgjati deri më 3 shkurt 2020 pas humbjes në Zgjedhjet parlamentare të vitit 2019.

    Qeveria Haradinaj ishte formuar gjatë një seance maratonike në Kuvendin e Kosovës, me 61 vota – minimumi që i duhet një Qeverie për ta marrë besimin e deputetëve.

    Votimi i Ekzekutivit kosovar ishte mundësuar falë votave të deputetëve të subjektit politik nga radhët e komunitetit serb, Listës Serbe, e cila u largua më vonë nga Qeveria. Rrjedhimisht, kjo bëri që koalicioni qeverisës që përbëhej nga PDK-AAK-NISMA të mos i ketë votat e duhura për vendimmarrje në Kuvendin e Kosovës.

    AAK në Zgjedhjet e 9 shkurtit 2025 garon në koalicion me Nismën, Konservatorët, Forumin Intelektual E30 dhe me Listën Idealin.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese, përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashit dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve. RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.