Ballina

Etiketë: arrestime

  • Mitrovicë – Instruktori dyshohet se pranoi ryshfet për kalimin e testit me shkrim për patentë-shofer

    Policia e Kosovës njofton se ka arrestuar dy persona për dhënie dhe marrje të ryshfetit, në Mitrovicë, të enjten, më 15.01.2025. 

    Sipas Policisë, dyshohet se njëri prej të arrestuarve, në cilësinë e instruktorit të vozitjes në një Autoshkollë private, ka pranuar nga i dyshuari tjetër para, me qëllim të lehtësimit të procedurës për kalimin e testit me shkrim për kategorinë B të vozitjes. 

    Ndërkaq, Policia thotë se në cilësi të provave materiale janë sekuestruar 600 euro, para të gatshme dhe dy telefona celularë. 

    “Me urdhër të Prokurorit, të dyshuarit pas intervistimit janë dërguar në mbajtje.” – njofton Policia, më 16.01.2025. 

  • Një i arrestuar e dy të intervistuar për “dhunë në familje” në 24 orët e fundit

    Policia e Kosovës ka bërë të ditur se tri raste të dhunës në familje dhe një rast i kanosjes janë raportuar në 24 orët e fundit.

    Sipas Policisë, një person është dërguar në mbajtje dhe dy të tjerë janë liruar me procedurë të rregullt pas intervistimit.

    Këto raste të dhunës, sipas Policisë, kanë ndodhur në Lipjan, Fushë Kosovë, Ferizaj dhe Pejë.

    Në Ferizaj, Policia njoftoi se është arrestuar një person, pasi nën ndikimin e alkoolit e kishte sulmuar fizikisht të dashurën e tij, shtetase e huaj.

    “ Me vendim të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje, ndërsa viktima është dërguar në strehimore.” – bëri të ditur Policia.

    Në një rast tjetër në Fushë Kosovë, Policia tha se një grua ka pësuar lëndime pas një mosmarrëveshjeje që kishte me të dyshuarin.

    “Viktimës i është ofruar tretman mjekësor, përderisa lidhur me rastin është informuar edhe Prokurori, ndërsa njësitet policore janë duke hetuar rastin.” – njoftoi Policia.

    Kurse në Pejë, sipas Policisë, një grua kishte raportuar se ishte sulmuar fizikisht nga një burrë. Sipas Policisë i dyshuari pas intervistimit, në konsultim me Prokurorin, është liruar me procedurë të rregullt.

    Ndërkaq, në Lipjan një grua ka raportuar se ajo dhe bashkëshorti i saj janë kanosur nga një i dyshuar.

    Lidhur me rastin, Policia ka intervistuar të dyshuarin dhe i njëjti në konsultim me Prokurorin është liruar.

  • Dosja e Prokurorisë Speciale ndaj të dyshuarit për terrorizëm që iu gjetën zolla dhe drogë

    Burim Dibrani është i arrestuari nën dyshimin për terrorizëm, në banesën e të cilit Policia gjeti armatim luftarak, tri zolla, municione dhe drogë.

    Policia i ra në gjurmë këtij të dyshuari për terrorizëm, pasi i njëjti ishte raportuar për “dhunë në familje”.

    Ndaj të njëjtit Prokuroria Speciale ka kërkuar në Gjykatën e Prishtinës masën e paraburgimit si masë të sigurisë ndaj tij.

    Dibrani u ndalua më 09.01.2025, pasi në banesën në rrugën “Sali Nivica” në Prishtinë gjatë kontrollit policor i janë gjetur tri zolla dhe lëndë narkotike.

    Sipas Prokurorisë Speciale, nga koha e pavërtetuar e deri më 08.01.2025, i pandehuri ka përgatitur veprime terroriste në atë mënyrë që paraprakisht ka siguruar tri armë të rënda – armë këto të parapara për akte terroriste.

    Sipas Dosjes së Prokurorisë Speciale ekziston dyshim i bazuar se i njëjti ka kryer veprën penale: “përgatitja e veprave terroriste ose veprave kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës” – nga Neni 138 i Kodit Penal.

    I njëjti dyshohet edhe për veprën penale: “mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”.

    Po ashtu, ndaj tij ekziston dyshim i bazuar se i njëjti ka blerë dhe shitur substanca narkotike.

    Sipas Prokurorisë, të dyshuarit më 08.01.2025 në banesën dhe objektet përcjelllëse të tij gjatë kontrollit policor i janë gjetur dhe sekuestruar 269.3 gram narkotikë, që dyshohet të jetë marihuanë.

    Me këtë sipas PSRK-së, i njëjti dyshohet se ka kryer veprën penale: blerje, posedim, shpërndarje dhe shitje e paautorizuar e narkotikëve – nga Neni 267 i Kodit Penal.

    Sipas Kërkesës së Prokurorisë Speciale në të cilën pati qasje KALLXO.com, dyshimi i bazuar për këto vepra penale vërtetohet nga provat të cilat janë gjetur në banesën e të dyshuarit, Burim Dibranit.

    Si i ra në gjurmë Policia Burim Dibranit, i dyshuar për terrorizëm?

    KALLXO.com kishte mësuar nga burimet e saj se Stacioni Policor – Qendra në Prishtinë kishte pranuar fillimisht një informatë për një rast të dhunës në familje.

    Më pas një njësi e reagimit ishte dërguar në vendin e ngjarjes në Bregun e Diellit. Ngjarja u trajtua menjëherë, ndërsa ekipi reagues i Policisë kishte kërkuar të hyjë brenda në banesë, për të vërtetuar informatën.

    Me lejen e personit të dyshuar kanë hyrë brenda dhe kanë hasur në një sasi të lëndës narkotike, të dyshuar marihuanë, e vendosur në një tavolinë.

    Më pas kanë kryer edhe një kontroll sipërfaqësore, gjatë së cilës kanë hasur në pajisje, municion dhe armë të tipit zolla. Menjëherë pasi u identifikuan këto armë, u thirr edhe Drejtoria e Anti-terrorit për të trajtuar rastin.

    Prokuroria Speciale i ka kërkuar Gjykatës Themelore të Prishtinës caktimin e masës për paraburgim ndaj të pandehurit Burim Dibrani, shtetas i Kosovës, i cili dyshohet për vepra terroriste.

    https://kallxo.com/lajm/rruga-se-si-arriti-policia-deri-te-zollat-dhe-terrorizmi-ne-bregun-e-diellit/

  • Dyshohet se ishte bashkëpunëtor në një vjedhje, arrestohet 36 vjeçari në Durrës

    36 vjeçari me iniciale A.H është arrestuar nga Policia e Shtetit nën dyshimin se ka qenë bashkëpunëtor për vjedhjen e një shumë parash dhe bizhuterish, në një banesë, duke përdorur kopje të çelësit të derës.

    Personi në fjalë ishte shpallur në kërkim më datë 14.09.2024, në lidhje me vjedhjen e një shume parash dhe bizhuterish, në një banesë në lagjen nr.18, Durrës.

    Policia e Shtetit njofton se për këtë rast të vjedhjes ishin arrestuar dy persona. Sanitarja në këtë banesë, 33 vjeçarja dyshohet se ka siguruar kopje të çelësit të derës dhe ua ka dhënë 42-vjeçarit dhe 36-vjeçarit (vëllezër), të cilët dyshohet se më pas kanë kryer vjedhjen.

    “Gjithashtu, në shtator, shërbimet e Policisë kanë gjetur në banesën e 42-vjeçarit dhe kanë sekuestruar në cilësinë e provës materiale, një varëse dhe një unazë floriri, një shumë parash dhe një automjet që dyshohet se është përdorur gjatë kryerjes së vjedhjes”- bënë të ditur Policia e Shtetit.

    Sipas këtyre të fundit, materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Vjedhja”.