Ballina

Etiketë: arrestim

  • 47-vjeçari shqiptar i dënuar me burgim të përjetshëm arrestohet në Greqi

    Një 47 vjeçar shqiptar i dënuar me burgim të përjetshëm është arrestuar më 03.01.2025, në Athinë.

    Sipas Policisë së Shtetit në Shqipëri, për arrestimin e tij është zhvilluar operacion i përbashkët me Policinë e Greqisë.

    “Departamenti i Policisë Kriminale, pas punës gjurmuese dhe sigurimit të informacionit, identifikoi vendndodhjen e Jani Alia, i cili fshihej në Athinë. Falë bashkëpunimit të ngushtë dhe shkëmbimit të informacionit mes Policisë së Shtetit dhe autoriteteve greke, Policia greke finalizoi operacionin ‘IN TIME’ – duke arrestuar këtë shtetas.” – thuhet në njoftim.

    Tutje, thuhet se Interpol Tirana, në koordinim me Interpol Athinën, po vijon procedurat për ekstradimin e tij drejt Shqipërisë.

    Ndërsa, është bërë e ditur se Policia e Shtetit mbetet e angazhuar për të çuar përpara bashkëpunimin ndërkombëtar në luftën kundër krimit të organizuar dhe për kapjen e personave të shpallur në kërkim.

     

  • Theret me thikë në kraharor një person në Prizren, arrestohen dy të dyshuar

    Një person është therur me thikë në krahëror në Prizren. Në lidhje me këtë rast janë arrestuar dy persona.

    Kështu ka bërë të ditur Shaqir Bytyqi, zëdhënës i Policisë Rajonale të Prizrenit. Ai ka njoftuar se më 02.01.2015 rreth orës 16:35 u mor informacioni se R.Sh i lindur më 1980 nga fshati Poslishtë po trajtohej në Emergjencën e Spitalit Rajonal.

    Policia ka kontaktuar me viktimën, i cili ka deklaruar se në qendrën e Poslishtës kishte ndodhur një mosmarrëveshje mes tij dhe të dyshuarit 18-vjeçar.

    Sipas Bytyqit, të dyshuarit viktima nuk ia dinte emrin por nga ai ishte goditur me thikë në kraharor, me ç’rast mori lëndime trupore.

    “Sipas mjekëve viktima është jashtë rrezikut për jetë. Dy persona janë arrestuar si të dyshuar lidhur me rastin, një i mitur dhe një madhor” – deklaroi Bytyqi për KALLXO.com

  • Arrestohen katër të dyshuar për posedim të narkotikëve, njëri prej tyre polic

    Hetuesit e Inspektoratit Policor të Kosovës (IPK) janë njoftuar gjatë mbrëmjes të së mërkurës (01.01.2025) për një rast të posedimit të paautorizuar të narkotikëve, ku dyshohej se ishin përfshirë tre qytetarë dhe një zyrtar policor – jashtë detyrës zyrtare.

    Njoftimi ishte bërë nga Policia e Kosovës.

    “Me të pranuar informacionin hetuesit e IPK-së kanë dalë në vendin e ngjarjes ku kanë qenë prezent edhe njësi të tjera policore dhe prokurori”, thuhet në njoftimin e IPK-së.

    Rasti raportohet të ketë ndodhur para mesnatës kur njësitë policore nga Stacioni Jugu në Prishtinë gjatë patrullimit në rrugën “Bejtush Gërbeshi” kanë ndaluar një veturë në të cilën ndodheshin katër të dyshuarit.

    “Gjatë kontrollit të veturës janë gjetur 2 qese të vogla të mbushura me pluhur ngjyrë të bardhë që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit kokainë (me peshë 1.1 gram) dhe një qese e vogël që dyshohet të jetë substancë narkotike e llojit marihuanë (me peshë 1 gram)”, thuhet në njoftim.

    Gjatë kontrollit trupor te njëri nga pasagjerët është gjetur dhe konfiskuar një armë e kalibrit 7.65 mm dhe një karikator pa fishekë.

    “Në këtë rast janë arrestuar katër të dyshuarit përfshirë edhe zyrtarin policor dhe të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë me dyshimin se të njëjtit kanë kryer veprën penale “Posedim i paautorizuar i narkotikëve, substancave psikotrope ose analoge” (dhe armëmbajtje pa leje ndaj të dyshuarit nga i cili është konfiskuar arma e zjarrit)”, shpjegohet në njoftim.

    Lidhur me rastin e njëjtë, si pjesë e procedurave administrative dhe hetimore, zyrtari policor është suspenduar.

  • Shkaktim i rrezikut të përgjithshëm, arrestohen katër persona në Prishtinë

    Policia e Kosovës ka arrestuar katër persona në Prishtinë nën dyshimet se kanë shkaktuar rrezik të përgjithshëm.

    “Pas raportimit për disa të shtënave ma armë zjarri, janë arrestuar katër të dyshuar meshkuj kosovarë.  Gjatë kontrollit të tyre dhe një shtëpie janë gjetur dhe sekuestruar tri armë zjarri, 12 kutie të zbrazura të fishekëve, 98 copë fishekë dhe disa gëzhoja”, thuhet në raportin policor të publikuar më 02.01.2025.

    Të dyshuarit janë intervistuar dhe me vendim të prokurorit, dy prej tyre janë liruar ndërsa dy të tjerët janë dërguar në mbajtje.

    Rasti raportohet të ketë ndodhur më 31.12.2024.