Ballina

Etiketë: arrestim

  • Gjilan, konfiskohen pajisje të lojërave të fatit dhe arrestohet një i dyshuar

    Për shkak të dyshimit për organizimin e lojërave të fatit në Gjilan, Policia e Kosovës ka realizuar një operacion kontrolli në një lokal dhe disa objekte përcjellëse të këtij lokali në rrugën “15 Qershori‘’ në këtë qytet.

    Sipas Policisë, kontrollin e kanë realizuar me leje dhe në koordinim me Prokurorinë e Shtetit, më 17.01.2025, gjatë të cilit kontroll policët kanë gjetur dhe sekuestruar disa dëshmi për gjykatën.

    Dëshmitë që kanë gjetur policët janë: Tre televizorë, dy shtëpiza kompjuteri, dy monitorë, një llaptop, një printer, nëntë tiketa të lojërave të fatit si dhe një shumë e parave të gatshme.

    Policia thotë se e ka arrestuar të dyshuarin, N.G., 54-vjeçar, cili dyshohet se organizonte veprimtarinë e lojërave të fatit.

    “Me vendim të Prokurorit të Shtetit i dyshuari është dërguar në mbajtje për 48 orë dhe ndaj tij do të ngritët kallëzim penal për veprat penale ‘’Organizimi i skemave piramidale dhe bixhozit të paligjshëm’” – thuhet në njoftimin e Policisë.

  • Publikoi video duke shtënë me armë për Krishtlindjet Ortodokse, arrestohet i dyshuari në Leposaviq

    Policia e Kosovës e ka arrestuar të dyshuarin, D.P., 28-vjeçar në Leposaviq, pasi dyshohet se ka kryer veprat penale: “mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, si dhe “përdorimi i armës apo mjetit të rrezikshëm”.

    Sipas Policisë, i dyshuari në rrjetet sociale kishte publikuar video, duke shtënë me armë zjarri me rastin e Krishtlindjeve Ortodokse, më 07.01.2025. 

    Policia njofton se i dyshuari është ndaluar për 48 orë me Aktvendim të Prokurorit të Shtetit dhe e ka pranuar se posedon një armë gjysmë automatike, e cila është konfiskuar nga Njësitë Policore.

    “Gjithashtu janë konfiskuar: 26 (njëzet e gjashtë) fishekë gjuetie të kalibrit 12mm, 3 (tre) fishekë të kalibrave të panjohur, 1 (një) rrethatore të belit për 24 fishekë gjuetie dhe 1 (një) rrethatore për pesë fishekë.” – thuhet në njoftimin e Policisë, më 17.01.2025.

  • Kapet i dyshuari për vjedhjen e veturës në Kaçanik, ‘BMW X-5’ ishte shitur jashtë vendit

    Policia në Kaçanik ka arrestuar 35-vjeçarin, P.L., i cili dyshohet se kishte kryer vjedhje të rëndë në afërsi të Kaçanikut vitin e kaluar.

    Sipas njoftimit të Policisë, më 23.10.2024, rreth orës 21:10 është raportuar një rast i vjedhjes së një veture BMW X-5 me targa vendore.

    “Vetura ishte parkuar në rrugën magjistrale Kaçanik-Ferizaj, në afërsi të Kaçanikut. Pas një pune të gjatë hetimore dhe grumbullimit të informacioneve në terren, është identifikuar i dyshuari… Nga hetimet rezulton se vetura ishte kaluar jashtë kufirit të Kosovës dhe ishte shitur.” – njofton Policia, më 17.01.2025.

    Pasi është intervistuar nga hetuesit policorë, Policia thotë se P.L. është ndaluar për 48 orë. 

    “Në lidhje me rastin, në cilësinë e dëshmitarëve, janë intervistuar edhe dy persona të tjerë, shtetas të huaj.” – ka thënë Policia.

  • Tre gra viktima të dhunës në familje, arrestohen tre burra

    Tre raste të dhunës në familje ku viktimat janë gra u raportuan gjatë datës 15.01.2025.

    Në Lipjan u arrestua një burrë, nën dyshimin se kishte ushtruar dhunë ndaj bashkëshortes së tij.

    Sipas Policisë, viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Në Kryeqytet po ashtu u arrestua një burrë nën dyshimin se pas një mosmarrëveshjeje sulmoi fizikisht bashkëshorten e tij.

    Policia bën të ditur se viktima ka pranuar tretman mjekësor. Derisa, me vendim të Prokurorit rasti ka shkuar në procedurë të rregullt.

    Edhe në Istog u arrestua një burrë, pasi kishte sulmuar fizikisht bashkëshorten e tij.

    Sipas Raportit policor, viktima ka pranuar trajtim mjekësor, ndërsa i dyshuari pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, është dërguar në mbajtje.

  • I dërgoi mesazh kërcënues gruas me të cilën është në proces gjyqësor, arrestohet

    Policia ka arrestuar një burrë në Klinë, pasi dyshohet se i kishte dërguar mesazh me përmbajtje kërcënuese një gruaje, me të cilën është në procedurë gjyqësore.

    Sipas Policisë, me vendim të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.

    Rasti po trajtohet si ‘frikësim gjatë procedurës penale’ – njoftoi Policia në Raportin 24-orësh, më 16.01.2025.