Ballina

Etiketë: arrestim

  • Tre të arrestuarit për ryshfet janë inspektorë të ATK-së

    Tre të arrestuarit nga Prokuroria Themelore në Gjakovë nën dyshimet për marrje ryshfeti janë inspektorë të ATK-së.

    Këtë për KALLXO.COM e ka konfirmuar zyrtari për komunikim publik i Prokurorisë Themelore në Gjakovë, Drini Domi.

    Prokuroria Themelore në Gjakovë për KALLXO.com sot, më 20.01.2025, ka njoftuar lidhur me aksionin që rezultoi me tre persona të arrestuar, nën dyshime për marrje ryshfeti.

    Sipas Prokurorisë, pas pranimit të informatës, ndaj të dyshuarve janë ndërmarrë edhe masat e fshehta hetimore.

    “Lidhur me rastin në fjalë, ju njoftojmë se Prokuroria Themelore – Gjakovë, pas pranimit  të informatës se 3 (tre) të dyshuarit, në periudha të ndryshme kohore dhe në lokacione të ndryshme në Gjakovë, kishin kërkuar dhe pranuar ryshfet nga pronarë të ndryshëm të bizneseve, ku me këto veprime dyshohet se kanë kryer veprën penale ”marrja e ryshfetit’’, Neni 421 i KPRK-së, ka ndërmarrë veprime hetimore – duke zbatuar edhe masat të fshehta hetimore, ndaj të njëjtëve.” – thuhet në njoftimin e Prokurorisë së Gjakovës.

    Kurse, me urdhëresë të Gjykatës Themelore të Gjakovës janë kryer edhe bastisje në disa lokacione.

    “Ndërsa, më 20.01.2025, me urdhëresë të Gjykatës Themelore – Gjakovë, është kryer bastisje në 3 (tri) lokacione të ndryshme dhe, me vendim  të Prokurorit të Shtetit, janë ndaluar 3 (tre) persona, në kohëzgjatje prej 48 orësh, për shkak të veprës penale ”marrja e ryshfetit’’, Neni 421 i KPRK-së.” – thuhet tutje në njoftimin e Prokurorisë.

     

     

    https://kallxo.com/lajm/arrestimet-per-marrje-ryshfeti-flet-prokuroria-e-gjakoves/

  • Dy të arrestuar për dhunë në familje, njërit Policia i gjeti edhe armë zjarri

    Dy persona janë arrestuar, për shkak të dyshimit për dhunë  në familje, teksa rastet janë regjistruar në Podujevë dhe Pejë.

    Sipas Policisë, një person në Podujevë është arrestuar pasi i njëjti dyshohet se ka ushtruar dhunë psikike ndaj viktimës grua. Pas bastisjes, të njëjtit Policia i ka gjetur edhe një armë zjarri.

    “Lidhur me rastin në koordinim me Prokurorin është bastisur shtëpia e të dyshuarit, me ç’rast është gjetur dhe konfiskuar: 1 armë zjarri me një karikator dhe 82 fishekë. Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje.” – bëri të ditur Policia.

    Kurse në Pejë, dyshohet se personi i arrestuar në gjendje të dehur e ka sulmuar fizikisht një grua.

    “Si pasojë e sulmit viktima ka pësuar lëndime të lehta trupore për çka dhe i është ofruar tretmani mjekësor. I dyshuari, me vendim të Prokurorit, është dërguar në mbajtje.” – njoftoi Policia.

  • Kukës, arrestohen tre persona për armëmbajtje pa leje e moskallëzim të krimit

    Policia e Shqipërisë ka njoftuar se ka arrestuar tre persona në Kukës, njëri për armëbajtje pa leje dhe dy të tjerë për mos kallëzim të krimit.

    Sipas njoftimit, shërbimet e kontrollit kanë ndaluar automjetin “Benz” me drejtues shtetasin shqiptar T.H., dhe pasagjerë shtetasit E.Ç. dhe A.S. Gjatë kontrollit në automjet, Policia ka gjetur një armë zjarri automatik.

    Më pas, gjatë bastisjes së banesës së të dyshuarit T.H., Policia ka gjetur edhe një tjetër armë zjarri.

    “Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme” – thuhet në njoftimin e Policisë shqiptare.

  • Arrestohet në Ferizaj një person që kishte urdhërarrest nga autoritetet e Shqipërisë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se dje me 17.01.2025 në Ferizaj është arrestuar një person, i cili kishte urdhërarrest ndërkombëtar nga autoritetet e Shqipërisë.

    Sipas Policisë, i dyshuari me shtetësi shqiptare, me vendim të prokurorit është dërguar në mbajtje.

    Arrestimi ka ndodhur në rrugën “Rexhep Bislimi” në Ferizaj.

  • Arrestohet një shtetase ruse në Merdarë, tentoi të korruptonte policin me 50 euro për të hyrë pa vizë

    Policia e Kosovës ka njoftuar se dje me 17.01.2025 ka rrestuar një shtetase ruse në pikën kufitare Merdarë.

    Sipas Policisë, e dyshuara i kishte ofruar 50 euro ryshfet zyrtarit policor që të ia mundësonte hyrjen në Kosovë pa vizë.

    Me vendim të prokurorit e dyshuara është dërguar në mbajtje.