Njëmijë dronë të rinj iu dorëzuan Ushtrisë iraniane të hënën, njoftoi Agjencia gjysmëzyrtare e lajmeve Tasnim, ndërsa vendi po përgatitet për më shumë tensione armiqësore me Izraelin dhe Shtetet e Bashkuara nën presidentin e ardhshëm, Donald Trump – ka raportuar Agjencia e lajmeve Reuters.
Dronët u dorëzuan në vende të ndryshme në të gjithë Iranin dhe thuhet se kanë aftësi të larta përgjimi dhe anti-fortifikimi – sipas Tasnimit.
“Karakteristikat unike të dronëve, duke përfshirë një rreze prej mbi dymijë kilometrash, fuqinë e lartë shkatërruese, aftësinë për të kaluar nëpër shtresat e mbrojtjes me seksion të ulët radari dhe fluturimin autonom, jo vetëm që rrisin thellësinë e zbulimit dhe monitorimit të kufirit, por gjithashtu rritin aftësinë luftarake të flotës së dronëve të Ushtrisë në përballje me objektiva të largëta.” – shtoi Agjencia e lajmeve.
Në fillim të këtij muaji, Irani filloi stërvitjet ushtarake dymujore, të cilat tashmë kanë përfshirë manovra luftarake në të cilat Garda Revolucionare elitare mbrojti instalimet kryesore bërthamore në Natanz, kundër sulmeve të rreme nga raketat dhe dronët.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com