Ballina

Etiketë: armëmbajtje pa leje

  • Gjashtë raste ‘armëmbajtje pa leje’ të trajtuara në Polici, prej tyre katër të arrestuar

    Gjashtë raste të trajtuara si “armëmbajtje pa leje” janë regjistruar në Raportin e Policisë së Kosovës, gjatë 24 orëve të fundit. Prej këtyre rasteve, katër persona kanë përfunduar të arrestuar.

    Në Podujevë, Policia ka arrestuar një të dyshuar, pasi kishte ekspozuar në rrjete sociale një fotografi me armë.

    Sipas njoftimit të Policisë rasti ka ndodhur më 31.12.2024, kurse i dyshuari është arrestuar më 14.01.2025.

    “Gjatë kontrollit në shtëpinë e të dyshuarit është sekuestruar një pushkë me karikator pa fishekë. I dyshuari pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, është liruar në procedurë të rregullt.” – njofton Policia, më 15.01.2025.

    Policia në Fushë Kosovë është informuar se një person posedon dy thika. Rasti ka ndodhur më 14.01.2025, rreth orës 15:45.

    Policia thotë se palët janë intervistuar dhe, me vendim të Prokurorit, janë liruar në procedurë të rregullt.

    Kurse, në Graçanicë Policia ka gjetur dhe konfiskuar një pistoletë me pesë copë fishekë në automjetin e një të dyshuari. Sipas Policisë, rasti ka ndodhur më 14.01.2025, rreth orës 13:20.

    “I dyshuari është intervistuar dhe, me vendim të Prokurorit, është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Rasti nën hetime.” – ka njoftuar Policia.

    Në Pejë, pas disa të shtënave me armë zjarri një i dyshuar është vërejtur në ballkon të banesës kolektive, duke ekspozuar armën.

    Ky rast ka ndodhur më 14.01.2025, rreth orës 21:42. I dyshuari – sipas Policisë – në fillim ka refuzuar t’u bindet urdhrave të policëve dhe u është drejtuar me kanosje.

    “Më vonë i njëjti është qetësuar dhe arrestuar. Gjatë kontrollit në banesën e tij janë gjetur dhe konfiskuar: 1 (një) pushkë automatike, 1 (një) pistoletë, 2 (dy) karikatorë, 71 (shtatëdhjetë e një) copë fishekë, 5 (pesë) gëzhoja dhe një thikë-bajonetë.” – ka thënë Policia.

    Pasi është intervistuar nga Policia, i dyshuari, me vendim të Prokurorit, është dërguar në mbajtje, ndërsa rasti është trajtuar si ‘armëmbajtje pa leje’ dhe ‘përdorim i armës’.

    Në Gjakovë, në veturën e një të dyshuari Policia ka gjetur dhe konfiskuar një sprej.

    Sipas Policisë, rasti ka ndodhur në rrugën “Gasper Karaqi”, më 14.01.2025, rreth orës 18:40.

    Policia e ka intervistuar të dyshuarin dhe, me vendim të Prokurorit, e ka liruar në procedurë të rregullt, kurse rasti është trajtuar si ‘armëmbajtje pa leje’.

    Për një rast tjetër që ka ndodhur në Prishtinë, më 03.09.2024, Policia ka njoftuar se i dyshuari është vetëdorëzuar dhe e ka dorëzuar edhe pistoletën me të cilën dyshohet se është kryer vepra.

    “I dyshuari pas intervistimit në prani të avokatit, me vendim të Prokurorit është dërguar në mbajtje.” – ka thënë Policia.

  • Dorëzohen në Polici dy të dyshuarit për plagosjen në Mitrovicë të Jugut në tetor 2024

    Policia e Kosovës ka njoftuar se janë vetëdorëzuar dy të dyshuarit për rastin e ‘vrasjes së rëndë në tentativë’, që ndodhi në Mitrovicë të Jugut, më 05.10.2024.

    Në këtë rast, kishte mbetur i plagosur një 38-vjeçar. Ndërsa, të dyshuarit janë vetëdorëzuar në Polici, më 14.01.2025.

    Sipas njoftimit të Policisë, të dyshuarit kanë dorëzuar armë me të cilën dyshohet se është kryer vepra.

    “Të dyshuarit pas intervistimit në prani të avokatëve, me vendim të Prokurorit, janë dërguar në mbajtje.” – njofton Policia, më 15.01.2025.

    Policia e kishte cilësuar si ‘vrasje të rëndë në tentativë’ rastin e plagosjes së 38-vjeçarit, më 05.10.2024, në Mitrovicë të Jugut. Kurse, në Raportin e datës 15.01.2025 e ka cilësuar edhe ‘armëmbajtje pa leje’.

    Ilmi Prekazi nga Zyra për media e Policisë së Kosovës për Rajonin e Mitrovicës së Jugut kishte bërë të ditur për KALLXO.com, më 05.01.2024, se “janë identifikuar të dyshuarit dhe janë në kërkim”.

    38-vjeçari i cili mori plagë në këmbë u dërgua fillimisht në Spitalin e Mitrovicës së Jugut, më pas në QKUK për trajtim të mëtejshëm.

    Ngjarja kishte ndodhur në rrugën “Shemsi Ahmeti” në Mitrovicë të Jugut, rreth orës 14:46.

     

  • E ekspozoi armën në ballkon, i dyshuari në Pejë u drejtohet policëve: “Nëse afroheni, do t’ju gjuaj…”

    Policia e Kosovës ka njoftuar se dje, më 14.01.2025, ka arrestuar një person në Pejë për “armëmbajtje pa leje” dhe “përdorim të armës”.

    Sipas Policisë, i dyshuari gjatë arrestimit ka rezistuar – duke iu thënë policëve se “nëse afroheni, do t’ju gjuaj ose do ta vrasë veten.”

    Policia kishte marrë fillimisht informatën se në rrugën “Ali Bajraktari” në Pejë ka të shtëna me armë.

    Njësitet policore kanë dalë në vendin e ngjarjes, ku fillimisht i dyshuari është vërejtur me armë – duke e ekspozuar në ballkonin e banesës.

    I njëjti më pas – sipas Policisë – ka refuzuar të dorëzohet, duke iu drejtuar zyrtarëve policorë se nëse afroheni do t’i gjuante ose do ta vriste veten.

    Pas një kohe negocimi me të dyshuarin, i njëjti është qetësuar dhe më pas edhe arrestuar.

    Nё banesën e tё dyshuarit janё gjetur dhe sekuestruar: 1 pushkё automatike dhe 1 karikator i sё njëjtёs armё; 1 armё pistoletё Zoraki; 36 fishekё kal: 7.63×39; 35 fishekё kal:32; 3 gёzhoja kal: 7.63×39; 2 gёzhoja kal: 32 auto; 1 thikё.

    Pas intervistimit nga hetuesit, me vendim tё Prokurorit tё shtetit i dyshuari ёshtё dёrguar nё mbajtje pёr 48 orё.

  • Policia në Vushtrri konfiskon dy armë, në dy raste të ndryshme – FOTO

    Policia e Kosovës ka konfiskuar dy armë në dy raste të ndryshme në Vushtrri, brenda 24 orëve.

    Sipas një komunikate për media, në rastin e parë Policia ka arrestuar një person në gjendje të dehur në rrugën “Ana Lin”, gjatë kontrollit të së cilit organet e rendit i kanë gjetur në posedim një pistoletë me katër fishekë.

    Me vendim të Prokurorit, të dyshuarit i është caktuar masa e ndalimit policor.

    Në rastin e dytë, Policia thotë se në rrugën “Ahmet Selaci” ka arrestuar një person të dyshuar, pasi gjatë kontrollit i është gjetur dhe konfiskuar një armë – pistoletë. Pas intervistimit, me urdhër të Prokurorit, i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

    Në komunikatë bëhet e ditur se, ndaj dy të dyshuarve janë iniciuar raste për veprën penale: “mbajtje në pronësi, posedim, kontroll të paautorizuar të armës”.

  • Prishtinë – Arrestohet një i dyshuar për terrorizëm, gjatë bastisjes në pronat e tij u gjetën edhe zolla

    Një person i dyshuar për përgatitjen e veprave terroriste dhe veprave të tjera penale kundër rendit kushtetues është arrestuar nga Policia e Kosovës të mërkurën, më 08.01.2025, në Prishtinë rreth orës 21:02.

    Polica njofton se në banesën dhe pronat përcjellëse të të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar: tri zolla, gjashtë fishekë special, pesë fishekë të tjerë dhe substancë e dyshuar narkotike (dyshohet marihuanë) me peshë 269.3 gram, peshore elektronike, një USB, grinder, një telefon dhe dy mbështjellëse të zollave.

    Siç bën të ditur Polica në Raportin 24-orësh, më 09.01.2025, i njëjti me urdhër të Prokurorit të Prokurorisë Speciale është dërguar në mbajtje.

    “Në lidhje me rastin e lartcekur pas konsultimeve me Prokurorin kompetent, gjatë kontrollit në banesën dhe objektet përcjellëse tek i dyshuari mashkull kosovar njësitë policore kanë gjetur dhe sekuestruar: tri zolla, gjashtë fishekë special, pesë fishekë të tjerë dhe substancë e dyshuar narkotike (dyshohet marihuanë) me peshë 269.3 gram, peshore elektronike, një USB, grinder, një telefon dhe dy mbështjellëse të zollave.” – bëhet e ditur në Raportin e Policisë.