Ballina

Etiketë: armëmbajtje pa leje

  • Lëndoi këmbën derisa ishte duke luajtur me armë, arrestohet i dyshuari në Istog

    Policia ka njoftuar se është arrestuar një person i dyshuar, për shkak se i njëjti derisa kishte luajtur me një armë kishte lënduar këmbën.

    Pas intervistimit, me vendim të Prokurorit, i dyshuari është dërguar në mbajtje dhe arma është konfiskuar.

    Rasti ka ndodhur më 30.01.2025, rreth orës 03:20, në fshatin Vrellë në Istog.

    Sipas Raportit policor, rasti po trajtohet si: “përdorim i armës, armëmbajtje pa leje dhe deklarim i rremë”.

     

  • Obiliq, Policia sekuestron dy armë zjarri, u ekspozuan nga i dyshuari në rrjete sociale

    Policia ka njoftuar se gjatë kontrollit në një shtëpi në Breznicë të Obiliqit ka sekuestruar dy armë zjarri dhe municion.

    Sipas Policisë, armët e sekuestruara ishin ekspozuar më parë në rrjetet sociale.

    “Njësitet e Stacionit Policor të Obiliqit, me autorizim të Prokurorit të Shtetit, në fshatin Breznicë të Obiliqit, kanë ushtruar kontroll në një shtëpi, (pronë e të dyshuarit që kishte ekspozuar armët në rrjete sociale), ku kanë gjetur  dhe sekuestruar: dy armë zjarri dhe municion”- thuhet në njoftimin e Policisë.

    Policia thotë se ndaj personit të dyshuar është hapur rast për veprën penale – armëmbajtje pa leje.

     

     

  • Prokuroria ngrit Aktakuzë ndaj dy personave – lidhur me vrasjen në Gjilan më 2024

    Prokuroria e Gjilanit ka ngritur Aktakuzë ndaj dy personave, në lidhje me vrasjen në Gjilan, më 07.11.2024.

    Sipas komunikatës së Prokurorisë të lëshuar më 23.01.2025, vrasja e S.O. në Gjilan ndodhi pas një konflikti mes palëve të ndodhur para dy vjetëve.

    “I pandehuri V.S., më 7 nëntor 2024, rreth orës 14:00, në rrugën “Mërgimtarët e Gjilanit”, në Gjilan, me dashje, për shkak të një konflikti fizik të ndodhur para dy vjetëve, ka privuar nga jeta tani të ndjerin S.O., në atë mënyrë që derisa i ndjeri ishte duke hyrë në veturë, i afrohet dhe me armë e gjuan në pjesën e pasme të shpinës, ku pasi rrëzohet në tokë e godet me grusht dhe shqelm dhe më pas së bashku me të pandehurin F.M. janë larguar nga vendi i ngjarjes. Ndërsa, i ndjeri për shkak të plagëve të marra ka ndërruar jetë.” – thuhet në njoftim.

    Prokuroria ka njoftuar, më tej, se V.S. akuzohet për “vrasje të rëndë” dhe për “armëmbajtje pa leje”, ndërsa F.M. akuzohet për “dhënie të ndihmës pas kryerjes së veprave penale”.

    “I pandehuri F.M., që nga data 07 – 12 nëntor 2024, në vende të ndryshme në Gjilan, me dashje ka ndihmuar të pandehurin V.S., në fshehjen – mos zbulimin e kryesit të veprës penale të vrasjes së rëndë.” – theksohet në komunikatë.

    Të pandehurit V.S. dhe F.M. gjenden në masën e paraburgimit, që nga data 12.11.2024.

    Dy tashmë të akuzuarit për vrasjen, që ndodhi në Gjilan më 07.11.2024, ishin dorëzuar në Polici, më 12.11.2024.

    KALLXO.com ka raportuar për rastin në fjalë:

    https://kallxo.com/lajm/kerkohet-paraburgim-per-dy-personat-e-dyshuar-per-rastin-e-vrasjes-qe-ndodhi-me-07-nentor-ne-gjilan/

     

     

  • Policia i gjen pushkën e gjuetisë një personi në veturë

    Një pushkë gjuetie me nëntë fishekë është gjetur brenda një veture e cila është kontrolluar nga policia.

    Më 18.01.2025, një njësi policore kishte ndaluar një veturë në fshatin Drelaj në Pejë. Gjatë kontrollit, është gjetur dhe sekuestruar një armë, pushkë gjuetie me 9 fishekë.

    Sipas personit që voziste veturën e ndaluar nga policia, pushka kishte në emër të vëllait të të dyshuarit.

    E më pas policia arriti që të siguroj edhe se leja për posedim të armës i kishte skaduar.

    Për rastin është njoftuar edhe prokurori kujdestar. Me vendim të këtij të fundit është iniciuar rasti si armëmbajtje pa leje ndërsa i dyshuari është liruar në procedurë të rregullt.

  • I dënuari për vrasjen e Agonis Tetajt, Shaban Gogaj dërgohet ta vuaj pjesën e mbetur të dënimit

    Shaban Gogaj, i dënuar për vrasjen e Agonis Tetajt në vitin 2018, më 14.01.2025 ka filluar vuajtjen e dënimit me burg.

    Këtë për KALLXO.COM e ka konfirmuar zëdhënësja e Gjykatës së Pejës, Elzana Kastrati.

    “Ju njoftojë se i dënuari Sh. G., ka filluar vuajtjen e dënimit më datë 14 janar 2025, sipas urdhëresës për ekzekutimin e sanksionit penal të kësaj gjykate me shenjën ED.I.nr.236/24”– thuhet në përgjigjen e Gjykatës së Pejës.

    Gjykata e Apelit ia kishte zbutur dënimin Shaban Gogajt në 6 vjet e gjysmë burg.

    Këtë vendim e kishte marrë kolegji i Gjykatës së Apelit në përbërje prej, Kadrie Goga- Lubishtani, Hashim Qollaku dhe Valbona Musliu- Selimaj.

    Gogaj nga Gjykata Themelore e Pejës për herën e dytë ishte gjetur fajtor për vrasje nga pakujdesia dhe për armëmbajtje pa leje dhe i kishte shqiptuar dënim unik prej 7 vjet e gjashtë muaj.

    Ndërsa me vendim të Gjykatës Supreme më 24.10.2024 ishte liruar nga masa e paraburgimit.

    Sipas aktakuzës se Prokurorisë, në vitin 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.

    Tutje, aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.

    Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karriga e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë, duke e vrarë.

    Viktima ishte punëtor në biznesin e të akuzuarit.