Pas një fjalosjeje në një Parking në Prizren, të mërkurën, më 29.01.2025, dy persona janë plagosur me armë zjarri – njoftoi Policia e Kosovës.
Sipas Policisë personat e plagosur kanë kërkuar tretman mjekësor dhe po trajtohen aktualisht në Spitalin Rajonal të Prizrenit, teksa gjendja e tyre është stabile.
Kurse pa specifikuar numrin, Policia në mes të tjerash njoftoi se disa të dyshuar të cilët ishin të përfshirë në këtë rast janë në kërkim.
“Më 29.01.2025, rreth orës 02:00, në rrugën ‘Transiti i ri’ në Prizren disa persona të dyshuar janë takuar në Parkingun e një pike shitje të derivateve. Të dyshuarit menjëherë pas takimit kanë filluar të fjalosen dhe së paku një person ka shkrepur armën e zjarrit në drejtim të të dyshuarve të tjerë. Pas shkrepjes së armës persona të përfshirë janë larguar nga vendi i ngjarjes e dy nga ata kanë kërkuar ndihmën e mjekut në Emergjencën e Spitalit Rajonal të Prizrenit. Me kohë janë njoftuar Sektori i Hetimeve të Stacionit dhe hetuesit e Sektorit Rajonal të Hetimeve të cilët kanë dalë në vendngjarje dhe kanë mbledhur provat dhe dëshmitë. Dy nga të dyshuarit gjenden në trajtim mjekësor. Gjendja e tyre sipas mjekut kujdestar është jashtë rrezikut për jetë, kurse të dyshuarit e tjerë janë në kërkim.” – thuhet në komunikatën e Policisë.
Policia ka identifikuar personat e përfshirë dhe ka kryer kontrolle në disa vende – duke konfiskuar armë zjarri e automjete.
“Policia gjatë natës ka bërë identifikimin e personave të përfshirë në rast. Janë kryer kontrolle në disa vende; tri armë zjarri (pistoleta) dhe dy automjete janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale. Sektori Rajonal i Hetimeve i Drejtorisë Rajonale të Policisë në Prizren është duke e hetuar rastin. Në konsultim me Prokurorin kujdestar rasti është cilësuar si “vrasje në tentativë” dhe “mbajtje në pronësi, kontroll, posedim apo shfrytëzim i paautorizuar i armës.” – bëri të ditur Policia.