Ballina

Etiketë: Arbërie Nagavci

  • Pretendimet për dhunë ndaj nxënësit të mitur, Nagavci hedh kritika ndaj Komunës së Mitrovicës

    Ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci ka reaguar pas raportimit se një nënë e një nxënësi të mitur të një shkolle fillore në Mitrovicë pretendon se djali i saj po rrahet, shantazhohet, ofendohet, kërcënohet me armë të ftohta nga nxënësit tjerë të shkollës.

    Drejtori i shkollës ku vijon mësimin i mituri i ka përgënjeshtruar pretendimet e prindit të nxënësit duke thënë se nuk është e vërtetë se fëmija i saj po keqtrajtohet e rrahet nga nxënësit e tjerë.

    Policia e Kosovës ka njoftuar se është duke e trajtuar këtë rast.

    Në reagimi e saj, ministrja Nagavci ka shprehur shqetësim të thellë për këtë rast dhe ka theksuar se dhuna në çfarëdo forme, është e papranueshme dhe nuk tolerohet. Nagavci madje ka kritikuar Komunën e Mitrovicës për trajtimin e këtij rasti.

    “Njëkohësisht, është alarmuese që Komuna e Mitrovicës ka dështuar ta trajtojë këtë rast, duke mos i dhënë rëndësinë që meriton. Ky është një dështim institucional që nuk mund të kalojë pa dhënë përgjegjësi” – ka shkruar Nagavci në Facebook, më 31.01.2025.

    Nagavci i ka ftuar institucionet përgjegjëse që ta trajtojnë me prioritet këtë rast dhe të ndërmarrin veprimet e duhura. 

    “Ministria që drejtoj, në bazë të kompetencave që bart do ta angazhojë menjëherë Inspektoratin e Arsimit që ta trajtojë këtë rast. Fëmijët tanë meritojnë një mjedis shkollor të sigurt dhe të mbrojtur, jo një vend ku dhuna normalizohet për shkak të mosveprimit të institucioneve lokale” – ka shtuar Nagavci.

    Më tej, ajo ka vazhduar ta kritikojë Komunën e Mitrovicës duke thënë se rastet si ky, do të ishin parandaluar shumë lehtë nëse komunat do të bënin punën e tyre. 

    “MAShTI ka ndarë buxhet të mjaftueshëm për punësimin e pedagogëve dhe psikologëve në shkolla. Konkretisht, nga 28 pozita të buxhetuara për Mitrovicën, kjo komunë ka punësuar vetëm 1. Është koha e fundit që të veprohet” – ka theksuar ministrja.

    Sipas Nagavcit, institucionet nuk mund të fshihen pas justifikimeve, kurse përgjegjësit duhet të japin llogari për mosveprim. 

    “Secili fëmijë në Kosovë meriton siguri dhe mirëqenie në shkollë – dhe këtë do ta garantojmë me çdo kusht” – ka potencuar ajo.

    KALLXO.com raportoi pretendimet e nënës së nxënësit të mitur, të cilat ajo i ka publikuar në një profil në Facebook të premten, më 31.01.2025.

    Ajo ka treguar se është nënë vetushqyese dhe se këto shqetësime për djalin e saj i ka ngritur te drejtori i shkollës, kujdestarja e klasës dhe te prindërit e fëmijëve që pretendon se po shkaktojnë dhunë ndaj tij.

    Prindi së bashku me djalin e saj të mitur thotë se është paraqitur në Policinë e Mitrovicës, më 31.01.2025, për këtë rast.

    Ajo pretendon se kujdestarja e klasës ku mëson djali i saj është në dijeni për rastin dhe se ka marrë masë ndëshkuese ndaj të miturit duke e larguar nga klasa.

    Më tej, prindi thotë se djalin e saj e kanë kaluar në një klasë paralele tjetër, dhe sipas saj, një fëmijë “problematik” dhe të tjerë kanë shkuar në atë paralele dhe kanë ushtruar dhunë fizike ndaj tij.

    Zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Avni Zahiti në një përgjigje për KALLXO.com e ka konfirmuar se në orët e pasditës më 31.01.2025 kanë pranuar një raportim nga nëna e një nxënësi në raport me shkollën ku ai vijon mësimin.

    KALLXO.com e ka pyetur edhe drejtoreshën e Arsimit në Mitrovicë, Drita Kadriu për këtë rast, por nuk ka marrë përgjigje deri në publikimin e lajmit.

    Shënim: Artikulli është edituar më 31.01.2025, ora 23:55

  • Dalin komunikimet e MASHTI-t për Shkollën në Pozhoran që e anuloi përurimin e saj

    Tri javë më parë ministrja e Arsimit Arbërie Nagavci e anuloi përurimin e Shkollës Fillore e të Mesme të Ulët “Halil Alidema” në Pozhoran të Vitisë, më 08.01.2025.

    Ndonëse, në njoftimin e tyre për media Ministria e Arsimit nuk e arsyetoi anulimin e përurimit, KALLXO.com e vizitoi Shkollën “Halil Alidema” dhe pa se nuk kishte përfunduar pranimi teknik dhe kishte ende punë për t’u kryer brenda e jashtë objektit.

    Atë ditë, në një përgjigje për KALLXO.com, Ministria e Arsimit tha se investitor i Shkollës “Halil Alidema” në Pozhoran është Ministria e Punëve të Brendshme (MPB) dhe kanë pasur informacione se “çdo gjë është gati” në lidhje me këtë Shkollë.

    Më 22.01.2025, KALLXO.com ka siguruar komunikimin mes Ministrisë së Arsimit dhe MPB-së në lidhje me punimet në Shkollën “Halil Alidema” në Pozhoran. 

    KALLXO.com ka siguruar edhe një Kërkesë të Drejtorisë së Arsimit në Viti adresuar Ministrisë së Arsimit që ta furnizojë Shkollën “Halil Alidema” me inventar. Kërkesa ishte dërguar edhe përmes email-it në Ministri, më 31.12.2024 – një javë para se Nagavci ta planifikonte përurimin e Shkollës.

    Në komunikimin e MPB-së me Ministrinë e Arsimit, më 29.07.2024, të cilin e posedon KALLXO.com, MPB kishte thënë se punimet do të vazhdonin në Shkollën “Halil Alidema”, pasi ato kishin filluar pas një Kontrate të fazës së dytë, të lidhur në muajin shkurt 2024.

    “Shkolla Fillore në Pozharan – Janë ndërprerë punimet nga OE (Operatori Ekonomik) dhe MPB ka ndërprerë Kontratën e I – rë dhe pas prerjes së punimeve është përgatitur specifikacioni teknik në bazë të cilës është proceduar në prokurim dhe është lidhur Kontrata e Fazës së II – të, më 13.02.2024. Punimet kanë filluar për Fazën e II – të nga data 29/07/2024 dhe do të vazhdojnë punimet.” – thuhet në përgjigjen e MPB-së për Ministrinë e Arsimit, më 29.07.2024.

    Ndërsa Kërkesa e DKA-së – Viti duket se ka ngjallur keqkuptim te Ministria e Arsimit, pasi ata thonë se Komuna e Vitisë u kishte përmendur se Shkolla “Halil Alidema” “së shpejti” do të lëshohet në përdorim. Mirëpo, në këtë Kërkesë Komuna nuk është se ka përmendur ndonjë datë të caktuar të lëshimit të Shkollës në përdorim.

    “Siç e dini kjo Shkollë është në përfundim të punimeve dhe sipas planifikimeve së shpejti do të lëshohet në përdorim, prandaj furnizimi me inventar, përkatësisht të furnizojë këtë institucion shkollor me 10 tabela shkrimi.” – thuhet në Kërkesën e drejtoreshës së Arsimit në Viti, Arta Ajeti, më 30.12.2024.

    Kërkesa e DKA-së – Viti është protokoluar në Ministri të Arsimit, më 08.01.2025, pikërisht në ditën kur ministrja Nagavci kishte planifikuar ta përuronte Shkollën “Halil Alidema”, por që e anuloi.

    KALLXO.com e ka pyetur Ajetin në lidhje me Kërkesën për inventar për Shkollën “Halil Alidema” në Pozhoran adresuar Ministrisë së Arsimit dhe ajo tha se kanë bërë Kërkesa të vazhdueshme për furnizim me banka, karrige, tavolina e tabela të shkrimit për Shkollën.

    Ajeti ka thënë se Kërkesën e kanë dërguar në Ministri edhe në formë elektronike (email) dhe një kopje fizike të saj përmes arkivit në MASHTI. 

    KALLXO.com e ka siguruar email-in e DKA-së – Viti që përmban Kërkesën për inventar, i cili është dërguar te sekretarja e përgjithshme në Ministri të Arsimit, Fadile Dyla dhe udhëheqësi i Divizionit për Planifikim dhe Standarde të Hapësirave Arsimore në Ministri të Arsimit, Isuf Gashi.

    Tutje, Ajeti ka shtuar se nxënësit e Shkollës “Halil Alidema” e kanë nisur Gjysmëvjetorin e dytë, më 08.01.2025, në Shkollën “Kongresi i Manastirit” në Pozhoran, derisa kanë përfunduar punimet në Shkollën “Halil Alidema”, më 16.01.2025.

    “MASHTI ka bërë furnizimin e Shkollës me inventar shkollor – duke përfshirë edhe tabela shkrimi – mirëpo gjatë kompletimit me inventar të objektit shkollor kemi parë të nevojshme furnizimin edhe me 10 tabela shkrimi.” – është përgjigjur Ajeti, më 24.01.2025.

    Sipas Ajetit Komuna e Vitisë nuk e ka konsideruar në këtë kohë përurimin e Shkollës “Halil Alidema”, për shkak të fushatës zgjedhore, që të mos përdoret për qëllim të përfitimit elektoral dhe për këtë e kanë njoftuar edhe Ministrinë e Arsimit.

    “Duke u mbështetur në kërkesat e Këshillit të Prindërve të Shkollës “Halil Alidema”, Këshillit të Fshatit Pozhoran, se tanimë janë krijuar kushtet për vendosjen e një busti të patriotit dhe atdhetarit Halil Alidema – emër që mban edhe kjo Shkollë, përmes shkresave të tyre ata kanë kërkuar që të organizohet eventi në të ardhmen, ku do të përurohej edhe busti, edhe Shkolla. Pikërisht, në Ditën e Shkollës, më 19.05.2025, me këtë është njoftuar edhe MASHTI-i.” – ka njoftuar Ajeti.

    Përveç përurimit të Shkollës “Halil Alidema”, Nagavci kishte planifikuar edhe prerjen e shiritit për Çerdhen në Dobresh, që po ashtu u anulua.

    Nga viti 2019, KALLXO.com kishte raportuar për ndërtimin e Shkollës “Halil Alidema” në Pozhoran. Në atë kohë, Ministria e Administratës Publike kishte njoftuar se ndërtimet nuk priteshin të përfundojnë deri kah mesi i vitit të ardhshëm (2020).

    Tërmeti që e goditi Shqipërinë më 26.11.2019 u ndie edhe në Kosovë dhe Shkolla e Pozharanit, në të cilën mësonin mbi 480 nxënës, pësoi dëmtime.

    KALLXO.com kishte raportuar më 23.10.2020 se kryetari i Komunës së Vitisë Sokol Haliti kishte premtuar ndërtimin e Shkollës “Halil Alidema” në Pozhoran, që nga viti 2016.

    Ne debatin “Jeta në Komunë” përballë Jeta Xharrës, Haliti kishte arsyetuar mospërfundimin e punimeve për objektin e ri të kësaj Shkolle, i cili nuk ishte funksionalizuar as në vitin 2020.

    “Ka Shkollë të re. Shkolla e re vetëm pritet të finalizohet. Buxhet i madh ka qenë për Komunën e Vitisë. Ministria e Arsimit ka qenë investitor dhe ia ka bartur Ministrisë së Administratës Publike. Ende nuk është kryer. Plani dinamik është tejkalu.” – kishte deklaruar Haliti, më 23.10.2020.

  • Me 10 ditë të humbura e mungesë të karrigeve fillon Gjysmëvjetori i dytë në dy Shkollat e mesme në Ferizaj

    Pasi u bën dy javë që ka filluar Gjysmëvjetori i dytë për nxënësit në Kosovë, për ata të Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe të Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj ka filluar të mërkurën, më 22.01.2025. 

    Drejtoresha e Gjimnazit “Shaban Hashani” në Ferizaj, Hajrije Nebihu e ka konfirmuar fillimin e Gjysmëvjetorit të dytë në objektin e ri, që është ndërtuar për këtë Gjimnaz dhe për Shkollën e Mjekësisë “Elena Gjika” te Salla e Sporteve “Bill Clinton”.

    Nxënësit e të dy Shkollave të mesme në Ferizaj nuk e filluan Gjysmëvjetorin e dytë, më 08.01.2025, pasi u dolën disa probleme me objektin e ri të ndërtuar për to.

    Dy ditë më parë, drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani njoftoi për KALLXO.com se është shtyrë fillimi i Gjysmëvjetorit të dytë deri më 22.01.2025, për nxënësit e dy Shkollave të mesme, për shkak se nuk ishte ngrohur në tërësi ambienti i objektit të ri të këtyre Shkollave.

    Në mesin e problemeve që kishte përmendur Llabjani se pse nuk kishte filluar me kohë Gjysmëvjetori i dytë ishte edhe furnizimi me banka shkollore dhe karrige të objektit të ri, të ndërtuar për të dy Shkollat e mesme, që është pritur të bëhet nga Ministria e Arsimit.

    Furnizimi me banka shkollore i objektit të ri u bë në muajin tetor të vitit 2024 – sipas Ministrisë së Arsimit, në një përgjigje të tyre të datës 15.01.2025, por furnizimin me karrige kanë thënë se do ta bëjnë deri në fund të muajit janar 2025.

    E, drejtoresha Nebihu tha se kanë mungesë të karrigeve në objektin e ri të ndërtuar për Gjimnazin “Shaban Hashani” dhe Shkollën e Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj, edhe pse i kanë bartur karriget e vjetra të objektit të ish-Shkollës Fillore “Gjon Serreçi”, në të cilin kishin mësuar më parë nxënësit e dy Shkollave.

    Nebihu e ka pohuar se është ngrohur ambienti në objektin e ri.

    “Bankat i kemi të reja, karrige kemi mungesë, d.m.th se kemi pasë edhe atje mungesë të vjetrave. Si dhe, nëpër shkollat e tjera kapak kemi marrë të vjetra. I kemi kompletu.” – tha Nebihu, më 22.01.2025.

    Sa i përket zëvendësimit të orëve mësimore të humbura, Nebihu tha se nuk e kanë diskutuar ende me Drejtorinë e Arsimit se si t’i zëvendësojnë. 

    Sipas Nebihut, bashkë me Shkollën e Mjekësisë “Elena Gjika” e kanë ndarë objektin e ri nga kati i parë tek i treti. Edhe për nxënësit e Shkollës së Mjekësisë, Nebihu tha se e kanë filluar Gjysmëvjetorin, më 22.01.2025.

    Nebihu ka thënë se rreth 1,900 nxënës janë gjithsej në objektin e ri – duke llogaritur 1,100 nxënës të Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe 800 nxënës të Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika”. 

    Për mungesën e karrigeve, drejtori i Arsimit në Ferizaj, Afrim Llabjani përmes telefonit tha se Ministria e Arsimit u ka thënë se brenda kësaj jave pritet të furnizohet me karrige objekti i ri.

    “Ka mungesë pak të karrigeve të klasës në një shkollë: asaj të Gjimnazit. Kemi arritë pak m’i furnizu me disa karrige, që kemi mund m’i gjetë nëpër shkolla, po jo mjaftueshëm. E, pastaj ju bjen pakëz me lëviz (me karrige), po sido që të jetë me mundësitë tona, ato që i kemi pasë, ne si DKA (Drejtori Komunale e Arsimit), i kemi ofru.” – ka thënë Llabjani, më 22.01.2025.

    Llabjani tha se nëse Ministria e Arsimit nuk i sjell karriget këtë javë, të hënën, më 27.01.2025, do t’i njoftojë se kanë filluar procesin mësimor dhe se kanë mungesë të karrigeve.

    Kurse, për zëvendësimin e orëve mësimore, Llabjani tha se nuk është që ka arritur të bisedojë me Drejtoritë e të dy Shkollave të mesme, por e ka analizuar propozimin që do t’ua rekomandojë atyre.

    Llabjani planifikon që zëvendësimi i orëve mësimore nga nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe të Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” të ndodhë ndonjë ditë të shtunë apo në pushimin pranveror.

    “Besoj që nuk ka alternativa shumë. Pos kësaj, që e kam mendu unë me bë. Alternativa mundet me qenë pushimi pranveror, pak ma, si me thënë më specifik… Sido që të jetë, ditët do të kompensohen, nëse jo edhe gjatë pushimit pranveror, atëherë në fund të përfundimit të vitit shkollor.” – ka shtuar Llabjani.

    KALLXO.com është duke raportuar nga data 13.01.2025, për mosfillimin me kohë të Gjysmëvjetorit të dytë nga nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe ata të Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj.

    Kryetari i Këshillit të Prindërve të Gjimnazit “Shaban Hashani”, Besim Jashari kishte thënë se mësimi nuk ka filluar për shkak se janë kthyer disa karrige, që nuk kanë qenë të cilësisë së mirë e që i janë kushtuar objektit të ri të ndërtuar për Gjimnazin.

    Për cilësinë e karrigeve ka folur edhe Llabjani – duke thënë se Ministria e Arsimit i kishte vonuar karriget, pasi nuk ishin ndarë të kënaqur me cilësinë e tyre.

    E, Ministria tha se afati i Kontratës ekzistuese ka qenë deri në fund të muajit tetor dhe për shkak të importit të artikujve – karrigeve, Kompania furnizuese nuk ka arritur të kryejë furnizimet brenda afatit ligjor të Kontratës.

    “Objekti i ri i Shkollës do të vazhdojë të furnizohet me karrige me Kontratën e re të lidhur nga AQP – furnizuesi i së cilës është në proces të sigurimit të artikujve për furnizim dhe pritet që deri në fund të muajit janar të kryhen furnizimet.” – ka thënë Ministria e Arsimit në përgjigjet e saj, më 15.01.2025.

    Për objektin e ish-Shkollës “Gjon Serreçi”, prindi Jashari ka thënë se nuk ka objekt më të papërshtatshëm për të qëndruar në të e lëre më të zhvillohet mësim aty.

    Sipas Jasharit, nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” një orë mësimi e kanë zhvilluar 30 minuta në objektin e vjetër të ish-Shkollës “Gjon Serreçi”, për shkak të kushteve të saj.

    KALLXO.com e kishte vizituar Gjimnazin “Shaban Hashani” në tetor të vitit 2023. Në atë kohë, muret në pamjen e jashtme të Shkollës ishin të dëmtuara, dritaret në klasa e tualetet në gjendje jo të mirë. 

  • Shtyhet edhe për dy ditë fillimi i gjysmëvjetorit të dytë për nxënësit e dy shkollave të mesme në Ferizaj

    Nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe të Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj nuk e kanë filluar as të hënën, më 20.01.2025, gjysmëvjetorin e dytë.

    Një javë më parë drejtori i Arsimit të Komunës së Ferizajt, Afrim Llabjani, kishte thënë për KALLXO.com se po përpiqen që nxënësit e dy shkollave të mesme ta fillojnë gjysmëvjetorin e dytë më 20.01.2025.

    Nxënësit e të dy shkollave të mesme që mësonin në objektin e ish-Shkollës Fillore “Gjon Serreçi” nuk e kanë filluar gjysmëvjetorin e dytë për shkak të disa problemeve që u kanë dalë me objektin e ri, i cili është ndërtuar te Salla e Sporteve “Bill Clinton”.

    Në momentin kur është kontaktuar nga KALLXO.com, Llabjani tha se ndodhej në objektin e ri që është ndërtuar për dy shkollat e mesme.

    Sipas Llabjanit, fillimi i gjysmëvjetorit të dytë është shtyrë edhe për dy ditë, për shkak të mosngrohjes së plotë të ambientit të objektit të ri. Rrjedhimisht, gjysmëvjetori i dytë pritet të fillojë më 22.01.2025.

    Në mesin e problemeve që kishte përmendur Llabjani se pse nuk ka filluar gjysmëvjetori i dytë ishte edhe furnizimi me banka shkollore dhe karrige të objektit të ri, të ndërtuar për të dy shkollat e mesme, që është pritur të bëhet nga Ministria e Arsimit.

    Llabjani kishte thënë më 13.01.2025 se para tre-katër javësh objekti i ri i të dy shkollave të mesme është furnizuar vetëm me banka shkollore nga Ministria e Arsimit, kurse vetë Ministria ka thënë se e kanë furnizuar objektin me banka në muajin tetor 2024.

    Pas dy ditësh, Ministria e Arsimit tha se deri në fund të muajit janar objekti i ri i Gjimnazit “Shaban Hashani” dhe Shkollës së Mjekësisë “Elena Gjika” në Ferizaj do të furnizohet me karrige.

    Por, Llabjani thotë se ende nuk u kanë ardhur karriget në objektin e ri.

    “Jena t’u fillu me karrige të vjetra, me të thanë të drejtën. Ato që i kena përdorë atje (tek objekti i ish-Shkollës Fillore “Gjon Serreçi) i kena pru këtu… Javën e kalume e kemi pasë ministren (Arbërie Nagavci) këtu (në Ferizaj) edhe kena bisedu, ata kanë thënë që shumë shpejt (do bëhet furnizimi me karrige), po datë s’kanë caktu” – tha Llabjani më 20.01.2025.

    Kryetari i Këshillit të Prindërve të Gjimnazit “Shaban Hashani”, Besim Jashari, ka thënë se mësimi nuk ka filluar për shkak se janë kthyer disa karrige që nuk kanë qenë të cilësisë së mirë e që i janë kushtuar objektit të ri të ndërtuar për Gjimnazin.

    “Kanë ardhë karriget me jokualitet edhe janë kthy karriget, për atë arsye kanë mbetë pa karrige, edhe nuk është fillu mësimi” – kishte thënë Jashari më 13.01.2025.

    Për objektin e ish-Shkollës “Gjon Serreçi”, Jashari ka thënë se nuk ka objekt më të papërshtatshëm për të qëndruar në të e lëre më të zhvillohet mësim aty.

    Sipas Jasharit, nxënësit e Gjimnazit “Shaban Hashani” një orë mësimi e kanë zhvilluar 30 minuta në objektin e vjetër të ish-Shkollës “Gjon Serreçi” për shkak të kushteve të saj.

    Kurse drejtoresha e Gjimnazit “Shaban Hashani”, Hajrije Nebihu, kishte thënë se nuk e kanë nisur gjysmëvjetorin e dytë pasi nuk janë kryer disa detaje të vogla tek objekti i ri i ndërtuar.

    “Do izolime të vogla rreth dritareve që ka ftoftë, këto na kanë pengu, edhe bash sot kemi me pastru. Karrige e banka i kemi mbushë klasat” – ka thënë Nebihu.

    Drejtoresha Nebihu ka treguar se objekti i ri i Gjimnazit “Shaban Hashani” ka filluar të ndërtohet rreth katër vjet e gjysmë më parë.

    KALLXO.com e kishte vizituar Gjimnazin “Shaban Hashani” në tetor të vitit 2023. Në atë kohë, muret në pamjen e jashtme të Shkollës ishin të dëmtuara, dritaret në klasa e tualetet në gjendje jo të mirë. 

  • Fushata e Kurtit në Prizren – kritikon Prokurorinë

    Kandidati për Kryeministër i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti bashkë me disa prej anëtarëve të listës me të cilën garon në Zgjedhjet parlamentare ka mbajtur tubim elektoral, në qytetin e Prizrenit, më 17.01.2025.

    Në tubimin në Prizren, Kurti ka folur për rrugën Prizren-Tetovë, punimet për të cilën tha se “kanë filluar dhe po ecin me shpejtësi.”

    Vlera e projektit të ndërtimit të rrugës Prizren-Tetovë është rreth 200 milionë euro – sipas Kurtit.

    “Tuneli pritet të kushtojë rreth 150 milionë euro. Me Qeverinë e Maqedonisë së Veriut kemi Marrëveshje për Financimin dhe Projektimin e Tunelit. Tuneli do t’i bie mes për mes malit të Vërdopit. Ai do të jetë i gjatë gati 6km e gjysmë dhe do të jetë pra edhe më i gjatë se sa tuneli i Kalimashit, përafërsisht 600 metra.” – ka thënë Kurti.

    Kurti, më 13.08.2024, si Kryeministër i Kosovës, pa nga afër fillimin e punimeve për ndërtimin e rrugës Prizren-Tetovë, përkatësisht në segmentin Struzhë – kyçja në autoudhën “Ibrahim Rugova” në Prizren.

    Sipas njoftimit të Qeverisë, vlera totale e projektit është paraparë të jetë 35 milionë euro, me gjatësi prej 20.3 km.

    Gjatë tubimit të tij elektoral në Prizren, Kurti i ka kritikuar krerët e Prokurorisë dhe ka folur për zgjedhjen e Kryprokurorit të ri.

    “Malli i huaj s’bahet i joti. Shtetin tënd s’bën me vjedh. Ktheni paret, fitoni shërbim e shpagim, ku është Z-mobile sot? Zyrtarisht Z-mobile veç një të punësuar e ka, sepse nuk iu duhen më, meqë e kanë kry plaçkitjen. E krerët e Prokurorisë qartazi kanë vdekë për së gjalli. Na duhet doemos, na nevojitet një Kryeprokuror i ri, profesionist, patriot, i ndershëm.” – ka thënë Kurti.

    Më 29.12.2024, Kurti në një intervistë në KTV e ka akuzuar kryeprokurorin e Prokurorisë Speciale, Blerim Isufajn se është “regjisor” i ftesës që i është dërguar Kurtit, për të dëshmuar në Prokurori në rastin e rezervave shtetërore.

    Para Kurtit ka folur ministri i Kulturës, Hajrulla Çeku, i cili edhe vjen nga Prizreni.

    Sipas Çekut, janë duke e mbrojtur trashëgiminë e Prizrenit, të cilin tha se po e bëjnë gati për UNESCO dhe po investojnë në sport, sepse Prizreni do të jetë mikpritës i Lojërave Mesdhetare.

    “Po e zhvillojmë kulturën, sepse Prizrenin do ta nominojmë për Kryeqytet kulturor evropian.” – ka thënë Çeku.

    E ministrja e Arsimit, Arbërie Nagavci tha se vetëm në arsim në këtë mandat kanë investuar mbi 6 milionë euro në Prizren.

    Sipas Nagavcit janë ndërtuar tashmë tri Çerdhe për 540 fëmijë të Prizrenit. Edhe dy Çerdhe të tjera janë në ndërtim e pritet të përfundojnë sivjet.

    “Në Prizren, brenda një mandati, deri në fund të këtij viti janë ndërtuar pesë Çerdhe për fëmijët e Prizrenit. A e dini se sa Çerdhe janë ndërtuar në Kosovë, në 17 vjetët e fundit? Vetëm 4 Çerdhe në të gjithë Kosovën.” – tha Nagavci.

    Fushata pёr Zgjedhjet parlamentare nё Kosovё ka filluar zyrtarisht, mё 11.01.2025.

    Për njё muaj partitë politike pritet të mbajnë tubime elektorale me qytetarët, për të fituar besimin e tyre në garën për Zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit 2025.

    Për këto Zgjedhje janë certifikuar 28 subjekte politike, me 1,280 kandidatë.

    Sipas Ligjit, gjatë periudhës së fushatës zgjedhore subjektet politike kanë të drejtë:

    – të organizojnë dhe të mbajnë tubime/ngjarje politike, tryeza të rrumbullakëta, konferenca për shtyp, fjalime, ose ndonjë aktivitet tjetër të ngjashëm, përmes së cilave ata mund t’i shprehin lirisht mendimet e tyre, me qëllim të fitimit të përkrahjes nga votuesit e tyre;

    – të publikojnë dhe të shpërndajnë afishe, reklama dhe material tjetër, lidhur me një fushatë zgjedhore; të bëjnë fushatë përmes cilitdo operator televiziv, të radios apo kabllor, gjithashtu edhe përmes revistave, shtypit, rrjetit telefonik, sistemit postar ose çdo lloj mjeti tjetër reklamues, në pajtim me rregullat e KQZ-së dhe ligjet tjera në fuqi.

    Këto do të jenë Zgjedhjet e para të rregullta, që Kosova mban që nga shpallja e Pavarësisë më 2008.