Ballina

Etiketë: Anulohet tenderi

  • Blerja e pizhameve dhe çorapeve për policët e Kosovës dështoi edhe në ritenderim

    Pizhame dhe çorape për policët e Kosovës duket se ende nuk janë siguruar në këtë kohë të ftohtë dimri, edhe pse aktiviteti i prokurimit për këtë qëllim u ritenderua.

    Më datën 07.11.2024 në platformën elektronike për prokurim publik E-prokurimi, Policia e Kosovës si autoritet kontraktues publikoi njoftimin për Kontratë për Furnizim me pizhame dhe çorape për policët e Kosovës. Për këtë qëllim ishte parashikuar të nënshkruhej Kontratë, në vlerë deri në 333 mijë euro.

    Nëpërmjet këtij aktiviteti të prokurimit ishte planifikuar të bliheshin gjithsej 2,400 palë pizhame dimri për meshkuj, 39 mijë palë çorapë, si dhe 17,200 palë të tjera pizhame dimri për meshkuj dhe femra.

    Për këtë tender u përdor procedura e hapur e prokurimit, me kriter për dhënie të Kontratës – çmimi më i ulët.

    Bazuar në rëndësinë e këtij furnizimi, Policia e Kosovës si autoritet kontraktues shkurtoi afatin për pranimin e tenderëve.

    “Ky aktivitet është ritenderim dhe përmban furnizimin me artikuj, të cilët janë të nevojshëm për sezonin e dimrit për stafin policor (pizhame dhe çorape). Pasi që, edhe afati i parashikuar i liferimit është i gjatë, njësia kërkuese – Drejtoria e Logjistikës ka kërkuar të ritenderohet me afat të shkurtuar për arsye të rëndësisë së furnizimit.” – thuhet në arsyetimin e Policisë së Kosovës.

    Ky aktivitet i prokurimit nuk arriti të finalizohet me Kontratë, mungesa e ofertës së përgjegjshme doli të jetë arsyeja e anulimit të këtij tenderi.

  • Zgjedhjet afrohen, KQZ-së i dështon iniciativa për zgjedhjen e Kompanisë që do t’i shtypë fletëvotimet

    Ndonëse data e Zgjedhjeve sa vjen e afrohet, institucioni i cili merret me organizimin e tyre në Kosovë, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) vazhdon t’i bëjë përgatitjet për organizimin e tyre, mirëpo jo gjithçka shkoi sipas parashikimit.

    Që nga muaji tetor i vitit që shkoi, saktësisht më 25.10.2024, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) publikoi në E-Prokurim njoftimin për Kontratë për Shtypjen e 1 milion e 900 mijë fletëvotimeve për Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës, 16 mijë broshura për kandidatët për deputetë për Kuvendin e Kosovës.

    Njashtu nëpërmjet këtij aktiviteti të prokurimit ishte paraparë edhe shtypja e 1 milion e 900 mijë fletëvotimeve për Kuvendet Komunale, 1 milion e 900 mijë copë fletëvotimeve për Kryetar të Komunës.

    KQZ ka parashikuar edhe për fletëvotimet e raundit të dytë të Zgjedhjeve në nivelin lokal, ku janë parashikuar 1 milionë e 250 mijë copë fletëvotime për Kryetar të Komunës.

    Me këtë tender u planifikuan të shtypen 6,850 copë lista të votuesve dhe 110 copë fletë lista të votuesve për votimet me kusht.

    Për tenderin në fjalë, nëpërmjet procedurës së hapur të prokurimit, me kriter të dhënies së Kontratës ‘çmimi më i ulët’ KQZ ka parashikuar të nënshkruajë Kontratë mbi gjysmëmilion euro, saktësisht 551,130.00 euro.

    Mirëpo ky aktivitet i prokurimit u anulua në mungesë të ofertave të përgjegjshme. Përkundër se 5 oferta u pranuan nga KQZ, sipas këtij institucioni asnjëri nga ta nuk doli të jetë i përgjegjshëm.

    Ndryshe, më 08.01.2025 Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka miratuar dizajnin dhe përmbajtjen e fletëvotimeve për Zgjedhjet për Kuvendin e Republikës së Kosovës, të cilat do të mbahen më 9 shkurt 2025.

    Arianit Elshani, anëtar i Partisë Demokratike të Kosovës në KQZ, tha se për dallim nga hera e kaluar ndryshimet e tashme janë pothuajse kozmetike.

    “Ka dallime në hapësirat mes subjekteve politike, me ngjyrë hiri.” – tha ai.

    Me përmbajtjen e fletëvotimit nuk u ndanë të kënaqur dy anëtarët e Vetëvendosjes në KQZ, Sami Kurteshi e Alban Krasniqi. Arsyetimi i tyre ishte se aty figuron Lista Serbe.

    Më 06.01.2025 janë përcaktuar numrat e partive politike, që do të jenë pjesë e garës për Zgjedhjet e rregullta parlamentare, më 9 shkurt 2025.

    Në Zgjedhjet e 9 Shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka numrin 118, Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) 124, Partia Demokratike e Kosovës (PDK) 131, Koalicioni AAK-NISMA-Lista Konservatore-Forumi Intelektual 137, Koalicioni për Familjen 129…

    Rikujtojmë se Zgjedhjet për Kuvendin e Kosovës pritet të mbahen më 09.02.2025.

    Për më shumë artikuj për Zgjedhjet në Kosovë, klikoni këtu.