Ballina

Etiketë: antony blinken

  • Blinken paraqet planin për qeverisjen e Gazës pas përfundimit të luftës

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, më 14 janar paraqiti planin për menaxhimin e Gazës në periudhën e pasluftës, duke thënë se administrata në largim e Joe Biden, do t’ia dorëzojë këtë plan ekipit të presidentit të zgjedhur, Donald Trump, nëse arrihet marrëveshje për armëpushim.

    Duke folur në Këshillin e Atlantikut në Uashington, në ditët e fundit të mandatit si kryediplomat i SHBA-së, Blinken tha se Uashingtoni ka parashikuar një Autoritet Palestinez të reformuar, që do të udhëhiqte me Gazën, dhe ftoi partnerët ndërkombëtarë që të ndihmojnë në krijimin e një administrate të përkohshme për enklavën palestineze.

    Sipas planit amerikan, një forcë e sigurisë do të formohej nga forcat e shteteve partnere dhe personeli palestinez që do të kalonte nëpër procese të verifikimit, tha Blinken gjatë fjalimit.

    Fjalimi i tij u ndërpre vazhdimisht nga protestues që e akuzuan atë se po mbështet, siç thanë ata, gjenocidin e Izraelit kundër palestinezëve në Gazë, Izraeli vazhdimisht ka mohuar akuzat për gjenocid.

    Fjalimi i Blinkenit erdhi pasi negociatorët u takuan në Katar me shpresën që të finalizojnë një plan për t’i dhënë fund luftës 15-mujore në Gazë, midis Izraelit dhe Hamasit – grupit palestinez të shpallur organizatë terroriste nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian – që ka zhytur në krizë rajonin e Lindjes së Mesme.

    “Për muaj të tërë, ne kemi punuar në mënyrë intensive me partnerët tanë për të krijuar një plan të detajuar për periudhën e pasluftës që do të mundësojë që Izraeli të tërhiqet plotësisht nga Gaza, të parandalohet që Hamasi të marrë pushtetin dhe t’i japë qeverisje Gazës, siguri dhe rindërtim”, tha Blinken.

    Trump dhe ekipi i tij nuk kanë thënë nëse do ta zbatojnë këtë plan.

    Sipas Blinkenit, ky plan dhe “një horizont kredibil politik për palestinezët” kërkohet që Hamasi të mos rishfaqet në Gazë.

    SHBA-ja në të kaluarën e ka paralajmëruar Izraelin se Hamasi nuk mund të mposhtet vetëm me fushatë ushtarake, tha Blinken.

    “Ne vlerësojmë se Hamasi ka rekrutuar po aq militantë të rinj sa ka humbur”, tha ai.

    Lufta në Gazë nisi në tetor të vitit 2023, pasi Hamasi sulmoi Izraelin duke vrarë afër 1.200 persona dhe duke rrëmbyer afër 250 të tjerë.

    Ndërkaq, si pasojë e ofensivës izraelite, në Gazë janë vrarë më shumë se 46.000 palestinezë, shumica gra dhe fëmijë, ka thënë Ministria e Shëndetësisë në këtë enklavë./ REL

  • Blinken: Ideja e Trumpit që SHBA-ja ta marrë nën kontroll Grenlandën s’do të realizohet

    Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se bota “nuk duhet të humbë shumë kohë” me atë që është duke e thënë presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, rreth Grenlandës.

    Trumpi e bëri të qartë përsëri këtë javë se dëshiron që territori gjysmautonom i Danimarkës të vihet nën kontrollin e Shteteve të Bashkuara dhe tha se nuk e hedh poshtë as mundësinë e përdorimit të forcës ushtarake për ta arritur këtë.

    “Neve na nevojitet Grenlanda për qëllime të sigurisë kombëtare”, tha Trump.

    Megjithatë, sekretari në shkuarje i Shtetit tha se qëllimet e presidentit të ri amerikan me gjasë nuk janë asgjë më shumë se vetëm fjalë.

    “Ideja e shprehur për Grenlandën nuk është e mirë, natyrisht”, tha Blinken gjatë një vizite në Paris.

    “Mbase më e rëndësishme është, sigurisht, ideja se kjo nuk do të ndodhë. Prandaj, ne mbase nuk duhet të humbim shumë kohë duke folur për këtë”, tha ai.

    Ministri i Jashtëm i Francës, Jean-Noel Barrot, gjithashtu hodhi poshtë mundësinë që forcat amerikane të vendosen kundër Danimarkës, e cila është aleate e SHBA-së në aleancën ushtarake të NATO-s.

    Megjithatë, Barrot paralajmëroi se Evropa duhet të përgatitet për një periudhë turbulencash në të ardhmen.

    “A mendon dikush se Shtetet e Bashkuara do ta pushtojnë Grenlandën? Përgjigja është ‘jo’”, tha ministri francez.

    “Por, a mendojmë se po hyjmë në një periudhë ku ligji i më të fortit po kthehet? Përgjigja është ‘po’”, shtoi ai.

    Barrot theksoi se Evropa duhet të bëhet më e fortë ushtarakisht dhe më konkurruese ekonomikisht e komercialist për t’iu përgjigjur kësaj situate.

    “Duhet të shkojmë shumë më larg për ta ritheksuar se kush jemi dhe çfarë duam”, tha ai.

    Kryeministrja e Danimarkës, Mette Frederiksen, ka thënë se nuk beson se Shtetet e Bashkuara do ta përdorin fuqinë ushtarake ose ekonomike për ta marrë kontrollin mbi Grenlandën dhe i ka bërë thirrje SHBA-së të ketë sjellje më “respektuese ndaj popullit të Grenlandës”.

    Në Gjermani, kancelari Olaf Scholz theksoi të mërkurën se parimi i paprekshmërisë së kufijve vlen për çdo vend, pavarësisht sa i fuqishëm është ai, duke reaguar ndaj komenteve të Donald Trumpit, pa e përmendur presidentin e zgjedhur me emër.

    “Kufijtë nuk duhet të ndryshohen me forcë”, tha Scholz./REL

     

  • Sekretari Blinken viziton Japoninë

    Vendimi i Presidentit Joe Biden për të bllokuar blerjen e kompanisë amerikane të çelikut ‘US Steel’ nga kompania japoneze ‘Nippon Steel’ për 14.9 miliardë dollarë, krijon hije mbi vizitën e Sekretarit amerikan të Shtetit Antony Blinken në Japoni, i cili gjendet në Japoni, për takime lamtumire me aleatin më të rëndësishëm të Uashingtonit në Azi, shkruan Zëri i Amerikës.

    Vendimi i bërë publik të premten për të hedhur poshtë marrëveshjen e propozuar, troditi përpjekjet e Shteteve të Bashkuara për të forcuar marrëdhëniet me aleatët aziatikë, në një kohë që kriza politike në Korenë e Jugut mund të ndërlikojë marrëdhëniet e rigjallëruara mes Uashingtonit, Seulit dhe Tokios. Aleanca trepalëshe është një element kyç në përpjekjet e tre vendeve për të kundërshtuar forcimin ushtarak të Kinës.

    Mund të ndodhë që të ketë frenim të investimeve në Shtetet e Bashkuara, por analistët besojnë se ka të ngjarë që dëmtimi i marrëdhënieve SHBA-Japoni të jetë i kufizuar, duke mbajtur parasysh shqetësimet e përbashkëta të sigurisë lidhur me Kinën.

    Të hënën, kryeministri i Japonisë Shigeru Ishiba e cilësoi vendimin e Presidentit Biden për bllokimin e shitjes së kompanisë U.S Steel tek japonezët Nippon Steel si “të vështirë për t’u kuptuar”.

    I shoqëruar nga Këshilltari i Shtëpisë së Bardhë për Sigurinë Kombëtare, Jake Sullivan, Sekretari Blinken takoi Ministrin e Jashtëm të Japonisë Takeshi Iwaya në Tokio dhe po ashtu do të zhvillojë bisedime me kryeministrin Ishiba dhe zyrtarë të tjerë të lartë japonezë.

    Udhëtimet e shumta në Japoni gjatë katër viteve të fundit “janë dëshmi jo vetëm e vëmendjes, por rëndësisë së lartë që i kushtojnë Shtetet e Bashkuara partneritit tonë. Presidenti Biden më kërkoi të vija në këtë udhëtim të fundit për ta nënvizuar këtë”, i tha Sekretari Blinken homologut japonez Iwaya.

    “Ne kemi një partneritet që filloi duke u fokusuar në çështjet dypalëshe, që dha rezultat më pas në çështjet rajonale dhe që tani është plotësisht global”, shtoi zoti Blinken.

    Të hënën, gjatë qëndrimit në Seul, Sekretari Blinken ripohoi se besonte se Koreja e Jugut është në gjendje të menaxhojë trazirat e saj politike, në një kohë që hetuesit në vend, kërkuan zgjatjen e udhër-arrestit për të prangosur Presidentit e shkarkuar Yoon Suk Yeol.

    Aleatët e presidentit të zgjedhur të Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, kanë siguruar gjithashtu Seulin dhe Tokion se ai do të mbështesë vazhdimin e forcimit të marrëdhënieve dhe përparimin e bashkëpunimit ushtarak, ekonomik dhe diplomatik për të kundërshtuar Kinën dhe Korenë e Veriut, raportoi agjencia e lajmeve Reuters përpara fitores së zotit Trump në zgjedhjet e 5 nëntorit.

    Kompania japoneze e çelikut Nippon Steel dhe ajo amerikane US Steel ngritën një padi të hënën me argumentin se Presidenti Joe Biden shkeli Kushtetutën amerikane duke bllokuar bashkimin e tyre nën argumentin e cënimit të sigurisë kombëtare, që ato e cilësuan si “argument të sajuar”.

    Dy kompanitë i kërkuan Gjykatës Federale ta anulojë vendimin.

    Nicholas Szechenyi, ekspert në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare me bazë në Uashington, tha se vendimi i Presidentit Biden do ta bëjë vizitën e zotit Blinken në Tokio të sikletshme”./ VOA