Ballina

Etiketë: Ambienti

  • Matoshi: Do ta mbyllim Termocentralin “Kosova A”

    Kandidati për deputet nga koalicioni AAK-Nisma, Fatmir Matoshi, në emisionin “Debat Përnime”, derisa ka folur për ndotjen e ajrit në Kosovë, ka përmendur ndikimin e Termocentralit “Kosova A” në këtë aspekt.

    Sipas tij, me “ardhjen e koalicionit AAK-Nisma në pushtet”, ky termocentral pritet të mbyllet.

    “Ne në planin tonë kemi paraparë hartimin e një plani për dekompozimin e ‘Kosovës A’. ‘Kosova A’ duhet me u mbyllë. Unë sa kam qenë ministër i Mjedisit kam dhënë edhe leje mjedisore për ndërtimin e ‘Kosovës së Re’ me standardet më të larta europiane”- tha Matoshi.

    Si zgjidhje pas mbylljes së Termocentralit “Kosova A”, ai thotë se do të jetë ndërtimi i një termocentrali të ri me gaz dhe një me thëngjill.

    Ndërtimi i këtyre të fundit, sipas tij, do t’i sigurojë Kosovës pavarësi energjetike.

    Derisa u fol për ndërtimin e termocentraleve me gaz dhe thëngjill, ai njoftoi se i gjithë financimi për ndërtimin e tyre do të bëhet nga buxheti i Kosovës dhe se kostoja për to është rreth 1 miliard euro.

    “Nga buxheti i Kosovës, komplet nga buxheti i Kosovës. Oferta është rreth 1 miliard. Sigurisht që nuk ka më shku më shumë se 1 miliard euro. Ne kemi bërë analiza” – tha ai.

    Ndër të tjera, Matoshi përmendi edhe negocimin që është bërë në vitin 2018-2019 për ndërrimin e filtrave të Termocentralit ‘Kosova B’.

    “Në vitin 2018-2019 ne e kemi negociuar ndërrimin e filtrave, që kur erdhi kryeministri [Kurti] dilte në Kuvend e thojke- ‘jo bojlerat, jo filterat’, por ai nuk ka mbërri me i ndërru as filterat e as bojlerat. Ato 78 milionë që ishin grant për me e përmirësu gjendjen e ajrit me vendosjen e filterave të ri në ‘Kosovën B’ nuk ka ndodhë dhe kjo duhet me ndodhë sa më shpejtë”- tha Matoshi.

    Përveç kësaj, në diskutim u ngrit edhe çështja e KEK-ut.

    “Për gjynah është me pa që gjatë këtij viti, gjatë vitit 2024, fillimit të vitit 2025, KEK-u përkundër vendimit të Qeverisë që ndalon përdorimin e thëngjillit si lëndë djegëse në institucionet publike, iu ka shpërndarë thëngjill falas komunave: Obiliq, Fushë Kosovë dhe Podujevë, në mënyrë që nxënësit e atyre shkollave të ngrohen nga ndezja e thëngjillit brenda në shkolla”- tha ai.

    Sipas Matoshit, pasi të ofrohet një zgjidhje për qytetarët për ngrohje do të ndalohet përdorimi i thëngjillit edhe në shtëpi private dhe amvisëri.

    Lidhur më këtë çështje foli edhe kandidati Smajl Latifi, i cili tregoj “përfitimet që do t’i kenë qytetarët e Kosovës” pasi të ndërtohet termocentrali me gaz.

    “Duhet të bëhet gazifikimi i Kosovës me centralin me gaz. Do të ulen çmimet e pagesës së energjisë elektrike, sepse në momentin kur ke një termocentral me gaz, në momentin kur ke një termocentral me linjit dhe rriten kapacitetet e energjisë nga uji, dielli dhe era, atëherë unë zotohem në emër të koalicionit që mund të kemi një çmim solid, të përballueshëm për ekonomi familjare, amvisërinë, për biznese dhe për të gjithë sektorin publik dhe privat”- tha Latifi.

    “Debat Përnime” është format i cili do të transmetohet për një muaj rresht deri një ditë para Zgjedhjeve parlamentare të 09 shkurtit 2025. Kandidatët për deputetë nga partitë politike garuese përveç që prezantojnë Programin e tyre, përballen me pyetjet e Jeta Xharrës, kryeredaktorit të KALLXO.com, Kreshnik Gashi dhe Visar Prebrezës nga “Krypometër”.

    Lëvizja Vetëvendosje (LVV) ka zgjedhur që gjatë fushatës për Zgjedhjet e 9 shkurtit të mos marrë pjesë në disa nga mediat në Kosovë. Kjo parti e ka arsyetuar mospjesëmarrjen në emisionet politike të shfaqura në mediume të caktuara, me pretendimin se gjoja ato media janë në pronësi të oligarkëve.

    RTV Dukagjini është në listën e këtyre mediave të “piketuara” nga LVV, e pikërisht në këtë televizion transmetohet emisioni “Debat Përnime” – prodhim i KALLXO.com.

    Mirëpo, për dallim nga partia në pushtet, partitë e tjera opozitare kanë pranuar të marrin pjesë në këtë Debat dhe t’u përgjigjen pyetjeve të gazetarëve të Kallxo-it.

    Jeta Xharra, drejtuese e “Debat Përnime” në nisje të debatit për infrastrukturë, ambient dhe bujqësi tha se: “Rrugët nuk janë mbërri me u ndreq, mirëpo nashta i kishim falë diqysh nëse e kishin ndreq bile ambientin. Për fat të keq Deponia e Mirashit dhe deponitë e mbeturinave janë në gjendje katastrofale sot e kësaj dite në Kosovë. Asnjëri prej impianteve të ujërave të zeza që ka pasë me u kry nuk është përfundu”.

    https://kallxo.com/gjate/polici-mjedisore-central-me-gaz-dhe-rritje-te-subvencioneve-koalicioni-aak-nisma-per-ambientin-dhe-bujqesine/

  • Projekti “Ansamble në shpërfaqje: Ekologjitë në ndryshim” përfaqëson Kosovën në Bienalen e Arkitekturës në Venedik

    Projekti “Ansamble në shpërfaqje: Ekologjitë në ndryshim” nga Erzë Dinarama do të përfaqësojë Kosovën në Ekspozitën e 19 Ndërkombëtare të Arkitekturës në Bienalen e Venedikut.

    Ekspozita e 19 Ndërkombëtare e Arkitekturës do të mbahet nga 10 maji deri më 23 nëntor 2025 në Venedik të Italisë.

    Për përfaqësimin e Kosovës në Bienalen e Arkitekturës në Venedik me projektin e Dinaramës ka vendosur një juri në përbërje të: Rozafa Basha, Marina Otero Verzier, Poliksen Qorri-Dragaj, Adela Demetja e Rudina Xhaferi.

    Sipas Vendimit të kësaj jurie, përzgjedhja e projektit “Ansamble në shpërfaqje: Ekologjitë në ndryshim” për të përfaqësuar Kosovën në ekspozitën e 19 të Bienales së Arkitekturës në Venedik bazohet në qasjen inovative të projektit, thellësinë intelektuale, përputhshmërinë me temën e Bienales.

    Sipas vlerësimit të jurisë, projekti ka qasje eksperimentale, dinamike e diskursive dhe ofron një platformë për formësimin e ideve gjatë muajve të Bienales, si dhe ofron përfitime afatgjata për ekspertet e fushës.

    “Propozimi trajton njërën nga sfidat me urgjente globale: ndryshimet klimatike dhe ndikimin e tyre në ekosisteme – përmes lentës së migrimit të specieve. Ai e pozicionon këtë fenomen si çështje hapësinore dhe ekologjike me pasoja të thella kulturore, gjeopolitike dhe mjedisore.” – thuhet në Vendim.

    Po sipas jurisë, projekti i Dinaramës integron në mënyrë efektive kontekstin specifik të Kosovës – duke theksuar sfidat me të cilat përballen rajonet më të dhëna ekologjike të kufizuara dhe rëndësinë e njohurive lokale në formësimin e strategjive përshtatëse.

    “Propozimi bazohet në hulumtime shkencore gjithëpërfshirëse të jashtëzakonshme, përfshin kushte hapësinore specifike lokale në Kosovë dhe hap një diskurs ndërdisiplinor mbi pyetjen se si peisazhet dhe qytetet kosovare mund të reagojnë ndaj krizave të parashikueshme, siç është ndryshimi klimatik – duke u përshtatur dhe përmirësuar strategjitë ekzistuese.” – thuhet në Vendim.

    Bienalja e Arkitekturës në Venedik (Itali) mbahet çdo dy vjet.

    Në 2023, Kosova në këtë Bienale u përfaqësua me projektin “RKS2 Transcedent Locality” (RKS2 Lokaliteti Transcendent) të Poliksen Qorri-Dragaj dhe Hamdi Qorrit.