Ballina

Etiketë: Aleancat

  • Raportet e (ar)miqve: Marrëdhëniet e Trumpit me Europën kësaj here mund të jenë shumë të ndryshme

    “Është çmenduri! Do të kemi Zgjedhje të përgjithshme. Vendi duket i dërrmuar. Ekonomia jonë po ngec…, por shumica e mediumeve gjermane thjesht duken të fiksuara me Trumpin, Trumpin, Trumpin!”

    Iris Muhler, mësimdhënëse inxhinierie në Gjermaninë verilindore është njëra prej votueseve me të cilën kam folur në prag të Zgjedhjeve të parakohshme të Shkurtit. Dhe, nuk është e vetmja që e ka këtë perceptim – shkruan BBC në një kronologji të Raporteve të Trumpit me aleatët europianë të Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

    Pavarësisht prej një mali vështirësish të brendshme – jo vetëm në vendet prijëse të BE-së, Gjermani e Francë – Europa ka qenë tepër e fokusuar në Trumpin, prejse ai i fitoi Zgjedhjet presidenciale të Nëntorit.

    Kontinenti ka pasur një rrugëtim me pengesa herën e kaluar, kur ai ishte në krye të Shtëpisë së Bardhë. Shumëkush druan se Trumpi 2.0 mund të dalë edhe më keq. Dhe, fuqitë tradicionale të Europës tashmë po kanë telashe me zgjidhjen e halleve të tyre.

    Franca dhe Gjermania janë zhytur në sfida ekonomike dhe politike. BE-ja si tërësi po ngel prapa Kinës dhe SHBA-së, kur vjen puna te konkurrueshmëria. Derisa në Mbretërinë e Bashkuar, shërbimet publike nuk janë në gjendje të mirë.

    Andaj, a është i përgatitur kontinenti për Donald Trumpin, ose a mos e ka zënë (përsëri) gabim?

    Një biznesmen që s’i bën hesap aleancat

    Kur bie puna te tregtia dhe mbrojtja, Trumpi vepron më shumë si një biznesmen ndërveprues sesa si një burrështetas amerikan, i cili çmon aleancat transatlantike që datojnë prej kohës së Luftës së Dytë Botërore.

    “Ai thjesht nuk beson në partneritet me përfitime të dyanshme.” – më ka thënë ish-kancelarja gjermane, Angela Merkel. Ajo ka pasur përvoja personale me Trumpin në mandatin e tij të kaluar dhe ka ardhur në përfundimin se pikëpamjet e tij për botën janë formësuar prej prizmit të fituesve dhe humbësve.

    Ai është i bindur se Europa ka përfituar prej SHBA-së avantazh për vite me radhë dhe se kësaj pune duhet prerë udha.

    Liderët në Europë kanë shikuar gojëhapur, sesi gjatë javëve të kaluara Trumpi i fitoi Zgjedhjet presidenciale për herë të dytë. Ai ka ndarë mendjen që publikisht t’i qortojë aleatët në Europë dhe Kanada, në vend se të fokusohet në atë që shihet si kërcënim i mirëfilltë strategjik, si Kina.

    Trumpi ka ngjallur drojën se mund të ketë tërheqje amerikane prej NATO-s – Aleancës Ushtarake Transatlantike, në të cilën Europa për dekada të tëra e ka mbështetur sigurinë e saj. Ai ka thënë se do të “inkurajonte” Rusinë që “të bëjë çfarëdo t’i teket” me aleatët europianë – nëse “nuk paguajnë” më shumë dhe nëse nuk rrisin shpenzimet e tyre të mbrojtjes.

    Kur bie fjala për tregtinë, Trumpi qartazi kësaj here do të thotë edhe më troç çfarëdo që mendon për Europën – krahasuar me Presidencën e parë. Blloku më shumë i shet SHBA-së, sesa importon produkte amerikane. Në Janarin e vitit 2022, vlera tregtare kishte dallim monetar prej 15.4 miliardë eurosh.

    Dhe, përgjigja e Donald Trumpit? Ai thotë se do të vendosë tarifa për të gjitha mallrat e huaja, prej 10 deri në 20%, me tarifa edhe më të larta për mallra të caktuara, si makinat.

    Ky do të ishte një skenar i tmerrshëm për Gjermaninë, e cila mbështetet në eksporte dhe veçmas në industrinë e automobilave. Ekonomia e saj edhe ashtu s’i ka hesapet mirë. Vjet pësoi tkurrje prej 0.2%.

    Si ekonomia më e madhe në Eurozonë, vështirësitë financiare në Gjermani rrezikojnë të prekin edhe monedhën europiane në tërësi.

    Gjermania në “krye të listës së qitjes së Trumpit”

    Merkeli ka thënë se Trumpi në Presidencën e parë duket se e kishte për cak Gjermaninë.

    Ian Bond, zëvendësdrejtor në Qendrën për Reformë Europiane, beson se Gjermania do të vazhdojë të mbetet “në krye të listës (europiane) të qitjes së Trumpit”.

    “Çfarë ka thënë në të kaluarën janë gjëra si ato, se nuk dëshiron të shohë ndonjë Mercedes-Benz rrugëve të New Yorkut. Dhe, tani kjo vetëm sa është forcuar, sepse aktualisht shumica e Mercedes Benzave që shihni në rrugët njujorkeze janë prodhuar në Alabama, ku Mercedesi ka një fabrikë të madhe”.

    “Ai shpesh është treguar më armiqësor me Gjermaninë se me ndonjë shtet tjetër në Europë. Mund të jetë goxha më e lehtë për Gjermaninë me një Qeveri të re dhe më konservatore (pas Zgjedhjeve të përgjithshme të Shkurtit), por nuk do të kisha futur duart në zjarr”.

    Mbretëria e Bashkuar shpreson se do të shmangë tarifat e Trumpit, meqë nuk është se ka një mungesë të ngjashme tregtie me SHBA-në, por mund të goditet nga efektet e një lufte të mundshme tregtare ndërmjet SHBA-së dhe BE-së.

    Sa e përgatitur është përnjëmend Europa

    Stili mujshar i Trumpit mund të mos i befasojë aleatët pas Presidencës së tij të parë në Shtëpinë e Bardhë. Rebusi i vërtetë për Europën tani është paparashikueshmëria e tij: sa veprues do të jetë trazimi dhe frikësimi i tij?

    Ian Lesser, nënkryetar në Institutin Gjerman Marshall të Shteteve të Bashkuara, beson se kërcënimet tarifore të Trumpit janë reale dhe se Europa nuk është aspak e përgatitur.

    “Ata nuk janë të përgatitur, askush nuk është në të vërtetë i përgatitur. Kjo qasje shumë e ndryshme ndaj tregtisë globale prish shumë gurëthemel të ekonomisë ndërkombëtare, e cila ka evoluar gjatë dekadave”.

    Komisioni Europian pretendon se është gati për çdo lëvizje të Trumpit me t’u kthyer në Shtëpinë e Bardhë. Është një fuqi e madhe tregtare në skenën botërore. Por, Lesseri thotë se ndikimi më i madh në Europë mund të shfaqet nëse Trumpi fillon një luftë tregtare agresive kundër Kinës. Kjo mund të rezultojë me ndërprerje të zinxhirit të furnizimit për Europën dhe Pekinin – duke sjellë edhe më shumë produkte të lira në tregjet europiane në kurriz të bizneseve vendore.

    “Për Europën është ekspozim i dyfishtë: ekspozimi ndaj asaj që mund të bëjë Amerika dhe pastaj ndaj asaj çfarë do të bëjë Kina si kundërpërgjigje”.

    Tregtia, mbrojtja dhe faktori Musk

    Ajo që i ndërlikon më shumë punët është se tregtia dhe mbrojtja nuk janë çështje të ndara për Trumpin dhe Administratën e tij. Kohët e fundit, ai refuzoi të përjashtonte veprimet ekonomike dhe/ose ushtarake kundër Danimarkës, anëtare e BE-së dhe NATO-s – nëse nuk ia dorëzon territorin autonom të Grenlandës SHBA-së.

    Dhe, Nënpresidenti i ardhshëm i Trumpit foli në vjeshtë për kushtëzimin e mbrojtjes së Europës nga SHBA-ja, me pushimin e hetimeve e organeve rregullatore të BE-së platformës sociale X.

    JD Vance paralajmëroi se SHBA-ja mund të tërhiqte mbështetjen e saj për NATO-n nëse BE-ja vazhdon një hetim të gjatë për X, i cili është në pronësi të djaloshit të përkëdhelur të Trumpit, Elon Musk.

    Kohët e fundit, Musku shfaqi, gjithashtu, prirje për të mbajtur anë në politikën europiane. Ai nisi sulme të përsëritura në internet kundër liderëve europianë të qendrës së majtë Sir Keir Starmer në Britani dhe ndaj kancelarit gjerman në largim, Olaf Scholz. Musku postoi në X se partia ekstreme anti-emigrante AfD ishte shpresa e vetme për Gjermaninë.

    Kjo tronditi shumëkënd në Europë, por anketuesit sugjerojnë se postimet e diskutueshme të Muskut kanë pak ndikim aktual në opinionin publik europian.

    Trump dhe Musk kanë mosbesim të madh në Europë, siç ilustrohet qartë në një sondazh të ri të porositur nga Këshilli Europian i Marrëdhënieve me Jashtë, të titulluar “BE-ja dhe opinioni publik global pas Zgjedhjeve në SHBA”.

    Nga egoja lajkatare te vrulli pas parasë

    Fundja, liderë të ndryshëm europianë kanë qasje të ndryshme për “Zbutjen e Trumpit” – siç i përshkruajnë njerëzit e informuar me rrjedhat përpjekjet ndërmjet shteteve aleate. Disa lajkatojnë egon e tij jo të vogël.

    Presidenti francez, Emmanuel Macron është eksperti i kësaj pune. Ai ishte një nga liderët e parë botërorë i cili e uroi Trumpin në mediat sociale, pas rizgjedhjes në Nëntor dhe e ftoi menjëherë të merrte pjesë në rihapjen vezulluese e plot dinjitet të Katedrales Notre Dame në Paris.

    Kur e vizitoi për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë, Macroni mahniti Trumpin me ftesën si mysafir nderi në paradën vjetore të madhështisë dhe fuqisë ushtarake në Ditën e Bastijës në Paris.

    Ndërkohë, Britania e Madhe e di se Trumpi ka dobësi për Skocinë, nga vjen nëna e tij dhe për Familjen Mbretërore Britanike. Ai e shijoi dukshëm pjesëmarrjen në një banket shtetëror me mbretëreshën tashmë të ndjerë Elizabeth II në vitin 2019. Ai lavdëroi Princin William, pasi u takua me në vjeshtë.

    Të tjerët në Europë mendojnë se Trumpi e ka prioritet paranë.

    Shefja e Bankës Qendrore Europiane (BQE), Christine Lagarde ka këshilluar liderët europianë që të miratojnë një “strategji të çeqeve” dhe të negociojnë me Trumpin në vend që të hakmerren kundër tarifave të propozuara nga ai.

    Ursula von der Leyen, presidente e Komisionit Europian, flet për blerjen e gazit të lëngshëm natyror (LNG) më të shtrenjtë nga SHBA-ja, si pjesë e përpjekjeve të Europës për të diversifikuar furnizimet e saj me energji. Ajo ka hequr dorë nga mbështetja për gazin e lirë rus, që kur Kremlini nisi pushtimin e tij në shkallë të gjerë ndaj Ukrainës.

    Burime në Komision flasin gjithashtu për blerjen e më shumë produkteve bujqësore dhe armëve amerikane.

    A duhet të jetë Europa më e vetëmjaftueshme?

    Ndërkohë, Macroni ka mbrojtur prej kohësh atë që ai e quan “autonomi strategjike” – në thelb Europa po e merr vesh se duhet të jetë më e vetëmjaftueshme që të mbijetojë.

    “Europa… mund të vdesë dhe kjo varet tërësisht nga zgjedhjet tona.” – ka deklaruar ai në pranverë.

    COVID-i i tregoi Europës se sa e varur ishte nga importet kineze – përfshirë ilaçet. Pushtimi i Ukrainës nga  Vladimir Putini ekspozoi mbështetjen e tepërt të Europës në energjinë ruse.

    Macroni iu ra kambanave për SHBA-në: “Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dy prioritete. Së pari SHBA-ja, e kjo është legjitime, dhe së dyti – çështja e Kinës. E, çështja europiane nuk është prioritet gjeopolitik gjatë viteve dhe dekadave të ardhshme”.

    Kthimi i Trumpit në Shtëpinë e Bardhë po i bën liderët europianë të mendojnë për dobësitë kontinentale.

    Pikëpyetja e madhe rreth mbrojtjes

    Kur bëhet fjalë për mbrojtjen, këmbëngulja e Trumpit që Europa të shpenzojë më shumë pranohet përgjithësisht (edhe pse më shumë është një temë e nxehtë debati). Por, aty ku Trumpi flet për rritjen e shpenzimeve të bruto prodhimit të brendshëm, europianët po diskutojnë se si t’i shpenzojnë buxhetet e tyre të mbrojtjes më me mençuri dhe më bashkarisht për të rritur sigurinë kontinentale.

    Emmanuel Macroni dëshiron një politikë të mbrojtjes industriale në mbarë BE-në. Ai thotë se lufta në Ukrainë ilustroi se “fragmentimi ynë është dobësi… Ne kemi zbuluar ndonjëherë veten, si europianë, se armët tona nuk ishin të të njëjtit kalibër, se raketat tona nuk përputheshin”.

    Europa shqetësohet se Trumpi nuk do të dëshirojë të vazhdojë të jetë sponsori kryesor i ndihmës ushtarake për Ukrainën – siç ishte rasti në Administratën e Bidenit.

    Muajin e ardhshëm, liderët e BE-së kanë ftuar Mbretërinë e Bashkuar – një nga dy fuqitë e mëdha ushtarake të Europës – në një Samit jozyrtar për të diskutuar për të punuar së bashku më mirë për sigurinë dhe mbrojtjen.

    Shefja e mbrojtjes e BE-së dhe ish-kryeministrja e Estonisë, Kaja Kallas beson se nevojitet uniteti evropian i qëllimit të përbashkët. “Ne duhet të veprojmë bashkuarisht. Atëherë, ne jemi të fortë. Pastaj, ne jemi gjithashtu seriozë në skenën botërore”.

    Më e dobët dhe më e thyer? Europa sot

    Ka analistë që thonë se Evropa është në një gjendje shumë më të dobët, më të thyer për t’u marrë me Trumpin 2.0 sesa në vitin 2016, kur u zgjodh për herë të parë. Unë do të theksoja se përgjigja për këtë është ‘Po’. Por ama, edhe ‘Jo’.

    Po, siç u diskutua, rritja ekonomike është e ngadaltë dhe politika është e paqëndrueshme.

    Partitë populiste nacionaliste euroskeptike po forcohen në shumë vende europiane. Disa, si AfD-ja e Gjermanisë tregohen të buta ndaj Moskës, ndërsa të tjerë si kryeministrja italiane, Giorgia Meloni mund të joshen t’u japin përparësi lidhjeve transatlantike me Trumpin kundrejt unitetit europian.

    Por, kini kujdes që të ktheni kokën pas në Europë, kur Trump u zgjodh për herë të parë President dhe pritja me elozhe.

    Financiarisht, Europa Veriore ishte padyshim më mirë se tani, por për sa i përket unitetit, kontinenti ishte thellësisht i ndarë për shkak të krizës së emigrantëve në vitin 2015. Partitë populiste euroskeptike ishin gjithashtu në rritje atëherë dhe, pas votimit të Brexit në qershor 2016, kishte parashikime të përhapura se BE-ja së shpejti do të humbiste vendet e tjera anëtare dhe do të shpërbëhej krejtësisht.

    BE-ja e ka përballuar Brexit-in, pandeminë COVID, krizën e migracionit dhe mandatin e parë të Trumpit në detyrë dhe vendet bashkuar tok pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Rusia.

    Ishte më shumë një pengesë, në vend që të lundronte nëpër këto kriza të njëpasnjëshme, por BE-ja ende mbahet në këmbët e veta dhe plagët e Brexit-it, për shembull janë shëruar me kalimin e kohës.

    Mbretëria e Bashkuar pas Brexit-it shihet nga BE-ja si një aleat i ngushtë, që ndan të njëjtat vlera në një botë të kërcënuar nga një Kinë ambicioze, një Rusi ekspansioniste dhe një President i paparashikueshëm amerikan.

    NATO-ja, ndërkohë, edhe pse e shqetësuar për angazhimin e Trumpit ndaj aleancës, është forcuar ushtarakisht dhe gjeostrategjikisht nga anëtarësimi i Suedisë dhe fqinjit rus, Finlandës, pas pushtimit në shkallë të plotë të Ukrainës nga Kremlini.

    Ndoshta, thjesht ndoshta, Trump do të shohë më pak dallime që e frustojnë dhe antagonizojnë lidhjen me Europën kësaj here.

    Është një Europë që njeh nevojën për të shpenzuar më shumë për mbrojtjen – siç kërkon ai; që është shumë më e kujdesshme ndaj Kinës – siç e pret ai dhe që është më e prirë nga e djathta në politikën e saj – siç preferon ai.

    A është kjo një Europë, liderët e së cilës gjithashtu i rezistojnë Trumpit, pavarësisht kërcënimeve dhe rrëmujës – nëse mendojnë se e kalon kufirin – qoftë mbi të drejtat e njeriut, fjalën e lirë apo që humb kohën kot me diktatorët?

    Kapitulli tjetër në marrëdhëniet ndërmjet armiqve transatlantik pritet të shkruhet.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Seuli: Koresë së Veriut i janë vrarë e plagosur mbi tremijë ushtarë në Ukrainë

    Koresë së Veriut  mund t’i jenë vrarë dhe plagosur më shumë se tremijë ushtarë në Ukrainë – duke përfshirë 300 vdekje dhe mbi 2.700 raste të plagosjes dhe lëndimit.

    Kështu i ka thënë një deputeti të Koresë Jugore Agjencia vendase e spiunimit – ka raportuar të hënën, më 13.01.2025, Agjencia e lajmeve Reuters.

    Autoritetet e Koresë Veriore duket se po u bëjnë thirrje ushtarëve të vet që të bëjnë vetëvrasje, duke hedhur veten në erë për t’iu shmangur rënies në duar të ukrainasve – ka thënë deputeti jugkorean, duke iu referuar Shërbimit Kombëtar të Inteligjencës (NIS).

    Ushtarët e kapur të Koresë Veriore nuk kanë treguar qëllimin për t’u kthyer në Korenë Jugore, megjithëse Seuli do të bashkëpunonte me Ukrainën nëse do të kishte një kërkesë të ngjashme – ka raportuar Agjencia e lajmeve Yonhap, duke iu referuar NIS-it.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com