Ballina

Etiketë: Albin Kurti

  • Kurti mirëpret grupin e parë të qytetarëve nga Bosnja dhe Hercegovinës që udhëtuan me letërnjoftime në Kosovë

    Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, së bashku me zëvendëskryeministren Emilja Rexhepi, mirëpritën në ndërtesën e Qeverisë grupin e parë të qytetarëve të Bosnjë dhe Hercegovinës që udhëtuan me letërnjoftime drejt Kosovës pas hyrjes në fuqi të vendimit të Qeverisë që e mundëson një lehtësim të tillë.

    Zyra e Kryeministrit përmes një komunikate bëri të ditur se ky grup përbëhet nga ambasadorë, intelektualë, profesorë universitarë, akademikë e biznesmenë nga Bosnja dhe Hercegovina, si dhe anëtarë të Bashkësisë Shqiptare atje.

    Në adresimin e tij mirëseardhës, kryeministri u shpreh i lumtur që takimin e dytë këtë vit, e të parin në Kryeministri, po e zhvillon me ta, teksa ua uroi Vitin e Ri 2025.

    “Ne kemi pritur gjatë për diçka që është elementare, lirinë e lëvizjes dhe tani duhet të kompensojmë kohën e humbur, prandaj konsideroni se në Qeverinë e Kosovës e keni një partner që gjithmonë dëshiron që ju të vini në Kosovë dhe të bashkëpunojmë sa më shumë dhe sa më shpesh”- tha kryeministri.

    Tutje, në komunikatë theksohet se kryeministri potencoi se Bosnja dhe Hercegovina dhe Republika e Kosovës, “si shtete mike, duhet të ndërtojnë ura të reja ekonomike, arsimore dhe kulturore, që kontribuojnë në sigurinë e rajonit tonë dhe në mirëqenien e të gjithë qytetarëve”.

    Kurti shtoi se “ekzistojnë forca të ndryshme politike që mund të na vënë pengesa, por këto pengesa vetëm sa na kalisin për sfidat e ardhshme, të cilat do t’i fitojmë”.

    Sipas komunikatës, ky grup do të qëndrojë në Kosovë disa ditë, ku do të zhvillojnë takime të ndryshme me përfaqësues të institucioneve qendrore e lokale, si dhe do të vizitojnë qytete të Kosovës.

    Kuvendi i Kosovës më 23.02.2023 ka ratifikuar Marrëveshjen për lëvizjen e lirë me letërnjoftime në Ballkanin Perëndimor, por një gjë e tillë nuk ka ndodhur në Kuvendin e Bosnjës dhe Hercegovinës. E njëjta është pritur të votohet më 23.01.2023 edhe në Këshillin e Ministrave në Bosnjë e Hercegovinë, por Këshilli e kishte shtyrë këtë pikë. Kjo marrëveshje është njëra prej tri sosh të arritura në Berlin më 3 nëntor 2022, në kuadër të Procesit të Berlinit.

    Më 28.05.2024, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti gjatë takimit me përfaqësuesin e posaçëm të Gjermanisë për Ballkanin Perëndimor, Manuel Sarrazin ka rikujtuar rëndësinë që ka fillimi zbatimit të marrëveshjes për udhëtim me letërnjoftime ndërmjet Kosovës dhe Bosnjë e Hercegovinës.

    Të njëjtën çështje, Kurti e ka ngritur edhe gjatë Samitit në Kotor më 16 maj 2024.

    Prej vitesh, heqja e vizave me Kosovën është kundërshtuar nga Millorad Dodik, i cili është në krye të Aleancës qeverisëse të Socialdemokratëve të Pavarur (SNSD) dhe lideri i entitetit Republika Srpska të Bosnjë e Hercegovinës.

    https://kallxo.com/lajm/kurti-nga-1-janari-kosova-njeanshem-heq-vizat-per-bosnje-dhe-hercegovinen/

  • Kurti: Jemi qeveria që më së shumti ka pasur në fokus mbështetjen financiare për nënën dhe fëmijët

    Kryeminstri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se Qeveria e tij është qeveria që më së shumti ka pasur në fokus, sipas tij, politikat dhe mbështetjen financiare për nënën dhe fëmijët.

    Përmes një postimi në Facebook, Kurti këtë e tha pasi bëri të ditur se mbrëmë ka vizituar fëmijët që kanë lindur të parët në vitin 2025.

    “Menjëherë pas mesnatës iu bashkuam gëzimit të zonjës Teutë për vajzën e saj Poemën dhe zonjës Fortesë për djalin e saj Diamantin, që erdhën në jetë të parët gjatë ndërrimit të motmoteve. Edhe nënat edhe foshnjat ishin shumë mirë me shëndet. Ne u uruam mbarësi dhe jetë të gjatë bashkë me familjet e tyre” – ka shkruar Kurti.

    “Jemi qeveria që më së shumti ka pasur në fokus politikat dhe mbështetjen financiare për nënën dhe fëmijët, dhe do të vazhdojmë kësisoj edhe në këtë vit që sapo hymë. Investimi dhe mbështetja e vazhdueshme e gjithnjë më e madhe për ta është qenësore për popullin dhe të ardhmen tone”.