Ballina

Etiketë: aksion policor

  • Prokuroria e Prishtinës konfirmon se nuk qëndron prapa bastisjeve në objektet e strukturave paralele

    Prokuroria e Prishtinës përmes një komunikate për media, më 15.01.2025, ka njoftuar se Prokurori i Shtetit nuk ka autorizuar kryerjen e bastisjeve nga ana e Policisë në disa lokacione, për shkak të dyshimit se ekzistojnë struktura paralele.

    Tutje, përmes komunikatës është bërë e ditur se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjëse, si dhe nuk është ofruar kurrfarë prove para Prokurorit të Shtetit në mënyrë që të krijohet dyshimi se është duke u kryer ndonjë vepër penale, e cila bie në kompetencën e Prokurorisë Themelore.

    “Prokuroria Themelore në Prishtinë, me qëllim të transparencës dhe sqarimit të opinionit publik, njofton se lidhur me rastin e kryerjes së kontrolleve dhe bastisjeve në disa lokacione për shkak të dyshimit se ekzistojnë struktura paralele, Prokurori i Shtetit sqaron opinionin publik se nuk ka autorizuar kryerjen e kontrollit apo bastisjes në këto lokacione, për shkak se nuk ka pasur ndonjë kërkesë zyrtare me shkrim për kryerjen e këtij aksioni nga ana e institucioneve gjegjëse, për çka edhe nuk është ofruar kurrfarë prove para Prokurorit të Shtetit, për t’u krijuar dyshimi i bazuar se është duke u kryer ndonjë vepër penale që bie nën kompetencën e Prokurorisë Themelore në Prishtinë.” – thuhet në komunikatë.

    Po ashtu përmes komunikatës, Prokuroria ka njoftuar se nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara në Kodin e Procedurës Penale e që në rastin konkret pra nuk është mundur të lëshohet çfarëdo autorizimi.

    “Prokurori i Shtetit duke pasur parasysh faktin që me këtë rast nuk janë përfillur procedurat e nevojshme të përcaktuara decidivisht në Kodin e Procedurës Penale të Republikës së Kosovës, nuk ka mundur që në rastin konkret të lëshohet çfarëdo autorizimi.” – thuhet në komunikatë.

    “Prokurori i Shtetit është i gatshëm dhe i përkushtuar në ndjekjen e veprave penale dhe kryerësve të tyre, gjithmonë duke u bazuar në legjislacionin në fuqi, si dhe duke u bazuar në parimin e barazisë dhe mosdiskriminimit të të gjithë qytetarëve të Republikës së Kosovës.” – thuhet tutje në komunikatë.

    Në anën tjetër zëdhënësi i Prokurorisë Themelore në Mitrovicë, Valon Preteni tha për KALLXO.com se për bastisjet në objektet e strukturave paralele në rajonin e Mitrovicës, Prokuroria e Mitrovicës është informuar vetëm nga Policia – teksa kërkesë zyrtare nuk ka pasur.

    https://kallxo.com/lajm/prokuroria-e-mitrovices-pret-kerkesen-e-policise-per-bastisjet-ne-rajonin-e-mitrovices/

     

    KALLXO.COM, më 15.01.2025, ka raportuar se Policia e Kosovës kreu bastisje në disa Komuna të Kosovës, ku u mbyllën rreth 30 objekte të strukturave paralele.

    Por KALLXO.com mëson se Prokuroria e Prishtinës ka refuzuar kërkesën për bastisje në lokacionet e këtij rajoni dhe megjithëkëtë aksioni kishte vazhduar.

    Burime të KALLXO.com bëjnë të ditur se Policia e Kosovës bëri kërkesë në Prokurori për të kryer bastisje, por jo duke prezantuar kërkesë me shkrim, por kishin kërkuar urdhrin përmes telefonit.

    Një gjë e tillë është refuzuar nga ana e kryeprokurorit të Prokurorisë së Prishtinës, Zejnullah Gashi.

    Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla njoftoi se në mëngjesin e së mërkurës janë mbyllur Komuna paralele të Serbisë, si dhe Posta e Zyra Tatimore, në dhjetë Komuna të ndryshme të vendit.

    Aksionet i zhvilluan në Komunën e Lipjanit, Obiliqit, Prishtinës, Fushë Kosovës, Vushtrrisë, Novobërdës, Kamenicës, Vitisë, Rahovecit dhe Skenderajt.