Ballina

Etiketë: Aksidenti

  • Përplasen një aeroplan dhe një helikopter në SHBA, dyshohet për dhjetëra të vdekur

    Një aeroplan i “American Airlines” është ndeshur me një helikopter ushtarak në fluturim në Uashington DC, me aksidentin ajror që ka shkaktuar rënien e dy fluturakeve në Lumin Potomac, ka raportuar të enjten (më 30.01.2025) transmetuesi britanik, BBC.

    Aeroplani kishte 60 pasagjerë në bord dhe katër anëtarë ekuipazhi, derisa tre ushtarë të Ushtrisë amerikane ndodheshin në helikopter.

    Rreth treqind pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit kanë dalë në vendin e ngjarjes, duke përfshirë edhe zhytës të njësiteve të policisë dhe varka për kërkimin e të mbijetuarve në kushte të ftohta dhe me erëra.

    Përplasja ka ndodhur afër pistës 33 në Aeroportin Kombëtar të Uashingtonit, “Reagan”, rreth orës 9 të mbrëmjes, sipas kohës lokale, ka njoftuar Administrata Federale e Aviacionit në një deklaratë të shkruar për CBS News.

    Presidenti amerikan, Donald Trump, ka thënë se është njoftuar për “aksidentin e tmerrshëm” dhe ka falënderuar ekipet e reagimit emergjent për “punën e jashtëzakonshme”.

    CBS News ka raportuar duke cituar një zyrtar policie se deri tani janë nxjerrë trupat e 18 pasagjerëve.

    Të afërmit e pasagjerëve janë mbledhur në aeroport. Ata kanë thënë për Reutersin se nuk kanë informacione nga zyrtarët për incidentin. Ata kanë thënë se më shumë kanë dëgjuar informacione prej mediave.

    Një grua i ka thënë një zyrtari aeroporti se nuk ishte e sigurt nëse një e afërm e saj kishte hipur në aeroplan. Ajo pastaj është shkrehur në vaj.

    Hammad Raza ka deklaruar për partnerin informativ të CBS, WUSA se kishte dalë në aeroport për ta pritur gruan.

    “Ajo më shkroi se brenda 20 minutash do të aterronte”, ka thënë ai. “Pjesa tjetër e mesazhit tim nuk i shkoi. Atëherë e mora vesh se diçka nuk ishte në rregull. Tani po shpresoj se dikush do ta nxjerr nga lumi”.

    Ushtria amerikane ka njoftuar në një deklaratë se “mund të konfirmojë se fluturakja e përfshirë në incidentin e mbrëmjes ishte një helikopter ushtrie UH-60 i ngritur nga Fort Belvoir, Virxhinia”.

     

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • 20 të vdekur nga rrëzimi i aeroplanit në Sudanin Jugor

    Një fluturake e vogël që po bartte punëtorë të industrisë së naftës në Sudanin Jugor është rrëzuar të mërkurën, më 29.01.2025, duke lënë të vdekur 20 persona – bën të ditur për Reuters një zyrtar vendas.

    Aeroplani është përplasur në Aeroportin e Kompanisë shtetërore të naftës në mëngjes, derisa po ngrihej drejt kryeqytetit Juba – ka bërë të ditur ministri i Informacionit Gatvech Bipal.

    Bipal ka thënë se pasagjerët ishin punëtorë të Kompanisë GPOC – Konzorcium që përfshin Korporatën Kombëtare Kineze të Naftës dhe Kompaninë shtetërore të Sudanit.

    Ai ka thënë se në mesin e të vdekurve ishin edhe dy shtetas kinezë dhe një indus.

    Bipal nuk ka dhënë më shumë hollësi për rrethanat e përplasjes. Mediat raportuan fillimisht se numri i viktimave ishte 18 sosh, por Bipal ka thënë për Reuters se dy prej të mbijetuarve vdiqën më vonë. Një person ka mbijetuar.

    Shumë rrëzime aeroplanësh kanë ndodhur viteve të fundit në Sudanin Jugor, të zhytur në luftë. Në shtatorin e vitit 2018, së paku 19 persona vdiqën kur u rrëzua një fluturake e vogël, që po bartte pasagjerë nga Juba në Yirol.

    Më 2015 shumë persona vdiqën kur u përplas një aeroplan rus bagazhi me pasagjerë në bord, pas ngritjes nga pista në kryeqytetin Juba.

    Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com

  • Aksident trafiku në Istog, lëndohen shtatë persona

    Shtatë persona kanë mbetur të lënduar në një aksidenti trafiku që ka ndodhur më 09.01.2025 në fshatin Shushicë të Istogut.

    Fadil Gashi, zëdhënësi i Policisë për Rajonin e Pejës, ka thënë për KALLXO.com se aksidenti ka ndodhur rreth orës 15:00, dhe në të janë përfshirë katër vetura.

    “Shtatë persona janë lënduar dhe kanë kërkuar tretman mjekësor, ku sipas mjekut kujdestar janë jashtë rrezikut për jetë”- ka thënë Gashi.

    Gashi ka thënë se njësitet kompetente janë në vendin e ngjarjes dhe po kryejnë hetimet për rastin.