Ballina

Etiketë: Aksident

  • Kryeparlamentari Konjufca shpreh ngushëllime për të vdekurit e aksidentit ajror në SHBA

    Kryeparlamentari i Kosovës, Glauk Konjufca ka shprehur ngushëllime për familjarët e personave që humbën jetën në aksidentin ajror në Uashington të SHBA-së.

    “Është shumë pikëlluese dhe e dhimbshme humbja e disa dhjetëra jetëve në aksidentin ajror që ka ndodhur në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në Uashington DC.” – shkruan Konjufca.

    Konjufca ka shprehur ngushëllime edhe për të gjithë popullin amerikan.

    “Ngushëllime të sinqerta për të gjithë ata që kanë humbur personat e tyre të dashur, për aleatin tonë SHBA-në dhe për të gjithë popullin amerikan.” – shkruan tutje ai.

    Një aeroplan pasagjerësh me 64 persona në të është përplasur me një helikopter ushtarak dhe për pasojë ka rënë në një lumë në Uashington.

    Ka raportime se të paktën 18 trupa janë nxjerrë prej lumit Potomak.

    Temperaturat është raportuar të jenë tejet të ulëta dhe e gjithë situata po vështirëson përpjekjet për kërkim-shpëtim.

    Autoritetet amerikane janë duke hetuar rastin, ndërsa Aeroporti Kombëtar i Uashingtonit “Ronald Reagan” i ka ndalur të gjitha fluturimet.

    https://kallxo.com/lajm/cfare-dihet-per-perplasjen-e-aeroplanit-ne-uashington/

  • Shkaktoi aksident, presidentja Osmani ia fal të dënuarës pjesën e mbetur të dënimit me burg

    Presidenca e Republikës së Kosovës ka njoftuar se e para e shtetit bazuar në kompetencat kushtetuese dhe ligjore ka nënshkruar sonte, më 29.01.2025, dekretin me të cilin të dënuarës Arza Cakolli, për shkaqe humanitare, i është falur pjesa e mbetur e dënimit, pas shqyrtimit të propozimit nga Komisioni për Falje dhe në përputhje me procedurat ligjore.

    E dënuara ka mbajtur një vit e dy muaj burg, kurse do të duhej të lirohej në mënyrë të rregullt nga burgu më 14 shtator të këtij viti.

    Vendimi për lirimin e saj, siç thuhet në njoftim, është bërë ngase e dënuara ka lindur foshnjën e saj të parë gjatë vuajtjes së dënimit dhe ndodhet në Qendrën Korrektuese për gra në Lipjan, së bashku me foshnjen e saj. Mes tjerash, theksohet se ky vendim është marrë bazuar edhe në faktin se Cakolli nuk ka kryer asnjë vepër penale më parë.

    “Në marrjen e vendimit për falje, janë marrë parasysh edhe faktorë të tjerë, duke përfshirë faktin se e dënuara nuk ka kryer asnjë vepër penale më herët, vepra penale për të cilën është dënuar është për “Rrezikim të Trafikut Publik”, pra është kryer aksident pa dashje, ndërkaq është vërtetuar se nuk ka qenë nën ndikim të alkoolit apo substancave të tjera kur ka ndodhur aksidenti. Përveç këtyre, gjithashtu janë marrë parasysh sfidat shëndetësore të nënës dhe foshnjës”- thuhet në njoftim.

    Presidenca thekson se dosja me propozimin e shqyrtuar nga Komisioni si dhe nga ekipi ligjor i Presidentes, ka arritur sot (29.01.2025) në tavolinën e presidentes.

    “Prandaj, duke marrë parasysh faktorët humanitarë dhe vlerësimet profesionale të të gjitha institucioneve relevante, Presidentja ka vendosur faljen e pjesës së mbetur të dënimit të saj”- theksohet në njoftimin e Presidencës së Kosovës.

  • Treni godet një veturë në Pejë, nuk ka të lënduar

    Një veturë është goditur nga treni i linjës Prishtinë-Pejë sot, më 28.01.2025, rreth orës 10:00.

    Aksidenti ka ndodhur në hyrje të qytetit të Pejës.

    Lajmin për KALLXO.com e ka konfirmuar zëdhënësi i Policisë, Fadil Gashi.

    Ai ka njoftuar se nuk ka persona të lënduar.

    “Sot rreth orës 10:00, Policia është njoftuar se treni që qarkullon në relacionin Prishtinë-Pejë, në hyrje të Pejës e ka goditur një veturë. Të lënduar nuk ka, vetëm dëme materiale. Hetuesit e aksidenteve kanë dalë në vend të ngjarjes për të kuptuar si ka ardhur deri tek aksidenti.” – ka thënë ai.

     

  • Lipjan – Vdes një person pasi aksidentohet me traktor

    Një person ka vdekur pasi është aksidentuar me traktor, në Lipjan, të dielën më 26.01.2025. 

    Rastin e ka konfirmuar Policia në Raportin e lëshuar sot, më 27.01.2025.

    Sipas Policisë, trupi i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore për ekzaminim. 

    “Si pasojë e aksidentit lëndime trupore ka pësuar edhe një pasagjer mashkull kosovar, i cili është dërguar në tretman mjekësor, ndërsa me vendim të Prokurorit trupi i pajetë i viktimës është dërguar në IML për obduksion.” – thuhet  në njoftimin e Policisë. 

     

  • Aksident trafiku në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, lëndohen katër persona

    Një aksident trafiku ka ndodhur në magjistralen Ferizaj-Prishtinë, përkatësisht në fshatin Prelez i Muhaxherëve të Ferizajt.

    Kanun Veseli, zëdhënës i Policisë Rajonale të Ferizajt njofton se të lënduar kanë mbetur katër persona.

    Aksidenti ka ndodhur rreth orës 21:00 të 26.01.2025.

    “Në aksident janë përfshirë një autobus dhe tri vetura, të gjitha me targa vendore. Në vendngjarje menjëherë kanë dalë ekipet e policisë nga Njësia e Komunikacionit Rrugor, ndërsa hetuesit e aksidenteve kanë kryer ekzaminimin e plotë të vendit të ngjarjes” – deklaroi Veseli për KALLXO.com.

    Tutje ai thotë se të lënduarit janë dërguar në Qendrën Emergjente në Ferizaj për trajtim mjekësor.

    Automjetet e përfshira kanë pësuar dëme materiale.

    “Për të gjitha veprimet e ndërmarra nga policia, është njoftuar prokurori i shtetit” – thotë Veseli.