Ballina

Etiketë: Adil Maliqi

  • Adil Maliqi jep dorëheqje nga pozita e trajnerit të Kombëtares U19

    “Shpesh, rrethanat na vendosin përballë vendimeve që zemra nuk dëshiron t’i pranojë, por arsyeja i kërkon.” – me këtë fjali ka nisur Adil Maliqi postimin njoftues për dorëheqjen e tij, nga pozita e trajnerit të Kombëtares U19 të Futbollit të Kosovës.

    Maliqi ka shkruar se ishte vendim i “detyrueshëm”, pasi sipas tij nuk kanë arritur të gjejnë një zgjidhje të përbashkët me Federatën.

    “Dua të falënderoj nga zemra Federatën e Futbollit të Kosovës dhe Kryetarin për besimin dhe mundësinë që më dhanë të udhëheq këtë grup të mrekullueshëm. Lojtarët ishin frymëzim i përditshëm për mua dhe prindërit e tyre, që ishin gjithmonë mbështetës, janë një shtyllë e rëndësishme e suksesit të tyre. Një falënderim i veçantë shkon për tifozët tanë të zjarrtë, “Dardanët,” të cilët na qëndruan pranë në çdo sekondë dhe nuk reshtën së na dhëni forcë.” – ka shkruar Maliqi, më 20.01.2025, në “Facebook”.

    “Krenohem me sukseset që kemi arritur së bashku – suksese që janë jashtëzakonisht të vështira për t’u realizuar, veçanërisht kur përballesh me sfida të shumta. Por, pavarësisht çdo pengese, arritëm të tregojmë se puna, përkushtimi dhe bashkëpunimi janë çelësi i suksesit.” – shtoi ai.

    Adil Maliqi, një ish-futbollist dhe trajner në disa klube në Zvicër, është përzgjedhur më 16.05.2023 trajner i Kombëtares U19 të Kosovës në futboll.

    Maliqi, i cili ka lindur dhe është rritur në Zvicër, ka të përfunduar Akademinë e futbollit “Grasshopper Club Cyrih” dhe atë të “Fc Winterthur”. Si futbollist, Maliqi ka qenë aktiv në Ligën e Parë të Zvicrës deri në vitin 2012.