RRUFE

Zgjedhen anëtarët e rinj nga gjykatat në Akademinë e Drejtësisë, kryesuesi Zogaj me kritika për anëtarët e deritanishëm

Në mbledhjen e 335-të të Këshillit Gjyqësor të Kosovës të mbajtur  më 31.10.2024, gjyqtarët Dardan Kadolli dhe Donika Dobruna janë zgjedhur anëtarë në Këshillin Drejtues të Akademisë së Drejtësisë nga radhët e gjykatave, me votat unanime të anëtarëve prezentë të KGJK-së në këtë mbledhje.

Zgjedhja e tyre u bë pas propozimit të anëtarit Qerim Ademaj, i cili fillimisht propozoi gjyqtarin Dardan Kadolli nga Gjykata e Apelit, dhe gjyqtarët Donikë Dobruna dhe Shemsedin Haxhija nga radhët e gjykatave themelore.

Më tutje ai e ngushtoi propozimin e tij duke e propozuar sërish gjyqtarin Dardan Kadolli nga Gjykata e Apelit dhe gjyqtaren Donikë Dobruna nga radhët e gjykatave themelore.

Kryesuesi i KGJK-së para votimit tha se sipas vlerësimit të tij asnjë prej anëtarëve të emëruar nga KGJK në Akademi nuk e ka kryer misionin e vetë deri më tash.

“Për shkak se problematikat e KGJK-së për trajnimet dhe çështjet e tjera që lidhen me zhvillimin e shkathësive qoftë për administratën, qoftë për gjyqtarët nuk janë përcjellë në mënyrë të duhur – në mënyrë të veçantë nga anëtarët e KGJK-së. Ndaj mendoj se kushdo që zgjedhet duhet të ketë një relacion direkt me Këshillin sepse përfaqëson politikat e Këshillit në Akademi” – u shpreh kryesuesi Albert Zogaj.

Lajmet e tjera të Kallxo.com lidhur me këtë mbledhje mund t’i lexoni duke klikuar këtu.

Cili është rëndësia e Akademisë së Drejtësisë?

webfaqen zyrtare të Akademisë së Drejtësisë thuhet se e njëjta është institucion i pavarur që funksion kryesor ka trajnimin e gjyqtarëve, prokurorëve të shtetit të Republikës së Kosovës, trajnimin e personelit administrativ gjyqësor dhe prokurorial.

Ajo gjithashtu mund të organizoj trajnime për profesionet e lira, si dhe çështje të tjera në pajtim me ligjin.