Gjykata e Apelit ja ka zbutur dënimin me burgim të akuzuarit Shaban Gogaj lidhur me rastin e vrasjes së Agonis Tetajt në vitin 2018.
Gogaj nga Gjykata Themelore e Pejës për herën e dytë ishte gjetur fajtor për vrasje nga pakujdeisa dhe armëmbajtje pa leje duke i shqiptaur dënim unik prej 7 vite e gjashtë muaj.
Gogaj për vrasje nga pakujdesia ishte dënuar 5 vite kurse për armëmbajtje ishte dënuar me dënim me burgim prej 3 vite.
Apeli dënimin me burgim për armëmbajtje e ka zbutur nga 3 vite në dënim me burgim rpej 2 vite.
“ …pikën II të dispozitivit të aktgjykimit, përkitazi me vendimin për dënimin me burgim, ashtu që kolegji penal i Gjykatës së Apelit, të akuzuarit Shaban Gogaj, i shqipton dënimin me burgim në kohëzgjatje prej 2 (dy) viteve”- thotë vendimi i Apelit i datës 08.10.2024.
Si dënim unik nga Apeli, Gogajt i është shqiptuar dënimi me burgim prej 6 vite e 6 muaj, dënim në të cilin do të llogaritet edhe koha e kaluar në paraburgim.
“Të akuzuarit Shaban Gogaj, në kuptim të nenit 80 par.1 lidhur me par.2 pika 2.1 dhe 2.2 i shqiptohet dënimi unik me burgim në kohëzgjatje prej 6 (gjashtë) vite e 6 (gjashtë) muaj”- thuhet tutje në Aktgjykimin e Apelit.
Gogaj me vendim të apelit vazhdon të mbetet në paraburgim.
Këtë vendim e ka marrë kolegji i gjykatës së Apelit në përbërje prej, Kadrie Goga- Lubishtani, Hashim Qollaku dhe Valbona Musliu- Selimaj.
Gogaj më 13.03.2024 për herë të dytë ishte gjetur fajtor nga Gjykata e Pejës për vrasje nga pakujdesia dhe armëmbajtje pa leje.
Shaban Gogaj më 14.10.2022 nga Gjykata e Pejës ishte dënuar për herë të parë me 7 vite e 6 muaj dënim me burgim për armëmbajtje dhe për vrasje nga pakujdesia.
Gjykata e Pejës në shpalljen e vendimit për vrasjen e Agonis Tetajt, më 14.10.2022 kishte bërë rikualifikimin e veprës penale, nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia. Gogaj me 5 vjet burgim ishte dënuar për vrasje nga pakujdesia dhe 3 vjet burgim për armëmbajtje pa leje.
Gjykata të njëjtit i kishte shqiptuar dënim unik prej 7 vjet e gjashtë muaj burgim.
Lidhur me këtë vendim të Themelores nuk ishin pajtuar Gjykata e Apelit duke e kthyer rastin në pikën zero.
Sipas Apelit, në masë të duhur nuk janë vlerësuar të gjitha provat për të gjetur përfundimin e rikualifikimit të veprës penale nga vrasje e rëndë në vrasje nga pakujdesia.
Sipas aktakuzës se Prokurorisë, në vitin 2018, në kompaninë “Gogaj AG”, Shaban Gogaj mori një telefonatë nga një person tjetër, e cila në aktakuzë është cilësuar si dëshmitare, nga e cila bisedë më pas shihet se është acaruar.
Tutje, aktakuza sqaron se Agonis Tetaj ishte larguar menjëherë në drejtim të rafteve të dyqanit përballë tij për gati 5 metra, ndërsa bashkë me të u larguan edhe dy dëshmitarët e rastit A. H. dhe F. Z.
Sipas dosjes së Prokurorisë, me të përfunduar bisedën, Shaban Gogaj, nga karriga e anës së majtë të banakut kaloi në karrigen tjetër e cila gjendej në mes të banakut dhe nga sirtari nxori revolen e tij të tipit “Beretta”, e vendosi karikatorin dhe e mori në shenjë Agonis Tetajn dhe e qëlloi me plumb në kokë, duke e vrarë.
Viktima ishte punëtor në biznesin e të akuzuarit.
Raportimet e KALLXO lidhur me rastin i gjeni në LINK.