Ministri i Mbrojtjes, Ejup Maqedonci ka deklaruar se këto ditë kanë bërë përpjekje të “vazhdueshme për të siguruar furnizimet, me qëllim që shërbimi ushqimor për personelin e FSK-së të ofrohet në mënyrën më të mirë të mundshme”.
Maqedonci tha se pas hapjes së konkursit për rekrutimin e personelit të stafit të kuzhinave që është bërë më 10 tetor, do të vazhdojnë hapat për të siguruar që ky proces të përfundojë me sukses deri në finalizimin e plotë të rekrutimit të personelit civil të specializuar, i cili do të integrohet në kuadër të FSK-së.
“Vetëm nga viti 2015 e deri më tani janë dhënë 10 kontrata sipas procedurave ekstrem emergjente. Këto çështje kanë krijuar situata të jo të mira dhe probleme të vazhdueshme, duke rrezikuar integritetin e proceseve dhe që si rezultat kanë ndikuar në dëmtimin e imazhit publik të FSK-së dhe mirëqenien e pjesëtarëve të saj” – ka shkruar ai në rrjetin social “Facebook” më 13.10.2024.
Sipas tij, qasja e ministrisë së tij, do të ndihmojë në krijimin e një ambienti të qëndrueshëm dhe efikas.
Ministria e Mbrojtjes ka reaguar në disa postime të publikuara në faqen e tyre zyrtare në Facebook në lidhje me furnizimin me ushqim.
“Të gjitha kazermat e FSK-së janë funksionale dhe po shërbehet llojllojshmëri shujtash pavarësisht nga ajo që po tentohet të propagandohet në disa medie dhe rrjete sociale. E vërteta është se nuk ka mungesë të ushqimit dhe as të cilësisë, pasi të njëjtat produkte bazë përdoren në çdo shtëpi në Kosovë, e vetmja gjë me të cilën po përballemi është mungesa në numër e stafit teknik mbështetës, pasi kuzhinierët veçse i kemi angazhuar në këtë periudhë si rezultat i marrëveshjes me Qendrën Studentore si dhe Shërbimin Korrektues të Kosovës”- thuhet në reagimin e MM-së në Facebook me datë 11.10.2024.
Sipas tyre problem do të zgjidhet sapo të mbyllet konkursi për pranimin e stafit profesional vetanak, konkurs ky që është hapur dhe çdo procedurë do të përfundoj në afat prej 45 ditësh.
“Ndërsa letra drejtuar Ministrit të Mbrojtjes nga Komandanti i FSK-së është në vazhdën e komunikimit të zakonshëm ku raportohen vështirësitë të cilat hasen gjatë rrugës, dhe sigurisht se ndërtimi i kapaciteteve të vetqëndrushmërisë sa i përket ushqimit nuk është një proces pa vështirësi”- thuhet tutje në njoftim.
KALLXO.com në shtator publikoi edhe hulumtimin për historinë e tenderëve njëburimor që Ministria e Mbrojtjes I dha për ushqimin e ushtarëve të FSK-së.
Ministria e Mbrojtjes që nga tetori i vitit 2023 e deri në shtator 2024 ka dhënë tre tenderë me procedurë të negociuar pa publikim të njoftimit për kontratë, kompanive të cilat ishin shpallur të pa përgjegjshme nga ana e Organit Shqyrtues të Prokurimit (OSHP), të njohur ndryshe si Gjykata e Tenderëve.
Kontratat e dhëna janë në vlerë miliona euro, ndërsa janë për furnizim me ushqim për nevojat e Forcës së Sigurisë së Kosovës (FSK).
Ndjekja e procedurës së negociuar për furnizimin me ushqim për ushtarët është kritikuar nga opozita, duke e cilësuar si të dyshimtë zgjedhjen e kësaj procedure, ndërsa Ministria ka thënë se nevoja ka qenë emergjente dhe për këtë arsye është zgjedhur kjo procedurë.
Në anën tjetër, Bekim Kupina i ka konfirmuar KALLXO.com se tashmë Presidentja Vjosa Osmani ka kërkuar një raport të detajuar nga Komandanti i FSK-së Bashkim Jashari si dhe ka ftuar në takim këtë të fundit bashkë me Ministrin e Mbrojtjes, Ejup Maqedoncin.
“Presidentja Osmani ka përcjellë me shqetësim situatën e krijuar ditëve të fundit sa i përket furnizimit me ushqim të ushtarëve të FSK-së, ndaj menjëherë ka kërkuar raport të detajuar nga komandanti i FSK-së. Poashtu i ka ftuar në takim për ta diskutuar këtë çështje edhe më në detaje komandantin e FSK-së, gjenerallejtënant Jashari, por edhe Ministrin e Mbrojtjes z.Maqedonci”- ka thënë Kupina për KALLXO.com.