Kandidati republikan për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka thënë se do të vendoste tarifa deri në 200 për qind për makinat e importuara nga Meksika në kohën kur po ashpërson retorikën e tij të tregtisë proteksioniste para zgjedhjeve të 5 nëntorit, raporton Reuters.
Trump, i cili po përballet me demokraten Kamala Harris, në një garë të ngushtë, ishte zotuar më parë se nëse do të kthehej edhe një herë në presidencë, do të vendoste tarifa prej 100 për qind për makinat dhe kamionët e importuar me qëllim që të mbronte autoindustrinë amerikane. Por derisa ishte duke folur të dielën e 6 tetorit – sipas kohës lokale amerikane – në një tubim fushate në Juneau në Wisconsin, Trumpi ka thënë se do t’i dyfishonte shifrat.
“Do të vendosim një tarifë prej 200 për qind nëse është e nevojshme”, ka thënë Trump. “Nuk do të lejojmë të ndodhë. Nuk do të lejojmë që ato makina të hynë në Shtetet e Bashkuara”.
Ish-presidenti ishte për të katërtën herë në Ëisconsin brenda tetë ditësh, duke spikatur rëndësinë që ka për fushatën e tij ky shtet kur ka mbetur më pak se një muaj nga dita e zgjedhjeve.
Sondazhet kanë treguar se Harris, zëvendëspresidente amerikane, ka një epërsi të lehtë në Wisconsin pasi ky shtet kishte votuar Joe Biden për presidenti përpara Trumpit katër vjet më parë.
Edhe Harris, edhe Trump kanë shtuar aktivitetin, kohën dhe paratë në Michigan, Pensilvani dhe Wisconsin, që mendohet të jenë shtetet kritike për fitore në zgjedhjet presidenciale amerikane, ku vendimin përfundimtar e caktojnë delegatët e Kolegjit Zgjedhor. Trumpi fitoi në këtë shtet më 2016 kundrejt Hillary Clintoni rrugës për presidencë. Të njëjtën e bëri Bideni kundrejt Trumpit më 2020.
Përgatiti: Rexhep Maloku – Kallxo.com