RRUFE

“Skandalet në KEK”: Kuvendi mblidhet të enjten në seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të LDK-së

Kuvendi i Kosovës, të enjten më 24.10.2024, do të mbaj seancë të jashtëzakonshme me kërkesë të Lidhjes Demokratike të Kosovës, për siç ka thënë kjo parti, për t’i adresuar “skandalet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK)”.

Kështu ka njoftuar kryetari i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Ai ka thënë se seanca është thirrur në emër të 43 deputetëve.

“Në emër të 43 deputetëve të nënshkruar, kam thirrur seancën e jashtëzakonshme, e cila do të mbahet nesër në orën 12:00. Kjo kërkesë është bërë për të adresuar skandalet në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK), që kanë ngritur shqetësime të mëdha për publikun dhe institucionet”- ka shkruar ai në Facebook.

KALLXO.com ka siguruar kërkesën e plotë për këtë seancë, ku janë cekur çështjet kryesore që deputetët kanë kërkuar të trajtohen.

“Skandalet me tenderët njëburimorë dhe mungesa e konkurrencës në prokurimin publik në KEK, shitblerja e energjisë dhe ndikimi në financat e vendit, ndërhyrja e personave jashtë institucional në menaxhimin e KEK-ut, dhënia e tenderëve, punësimet dhe tregtia me energji, përfshirja e Dejona Mihalit si koordinatore e Lëvizjes Vetëvendosje, dhe punësimet e jashtëligjshme në KEK”- janë çështjet për të cilat do të debatohet.

Ndërsa, rezoluta përmban shtatë pika:

  1. Kuvendi i Kosovës kërkon nga organet kompetente që të vazhdojnë hetimet e plota dhe të thelluara për skandalet në KEK, duke përfshirë keq menaxhimin e tenderëve njëburimorë dhe mungesën e konkurrencës në prokurimin publik. Të gjitha shkeljet e konstatuara të ndiqen penalisht.
  2. Kuvendi kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe Bordi i KEK që të raportojnë për kontratat e shitblerjes së energjisë gjatë periudhës 2021-2024, duke përfshirë kushtet e favorshme për palët e treta dhe ndikimin në financat publike. Kuvendi obligon organet përkatëse që të rishikojnë këto kontrata për të mbrojtur interesin publik dhe të ndjekin çdo parregullsi.
  3. Kuvendi kërkon nga autoritetet kompetente të hetojnë ndërhyrjet e personave të paautorizuar në menaxhimin dhe vendimmarrjen në KEK, veçanërisht në lidhje me dhënien e tenderëve, tregtinë e energjisë dhe proceset e punësimit. Të merren masa konkrete për të ndaluar ndërhyrjet e paligjshme dhe për të siguruar një menaxhim transparent dhe të pavarur në KEK.
  4. Kuvendi kërkon një hetim të plotë për rolin e Dejona Mihalit dhe çdo personi tjetër që ka ushtruar ndikim të jashtëligjshëm në menaxhimin e KEK dhe proceset e rekrutimit, duke përfshirë punësimet e jashtëligjshme.
  5. Kuvendi e obligon Bordin e KEK dhe institucionet përgjegjëse për menaxhimin e energjisë që të rrisin transparencën në të gjitha proceset e prokurimit dhe tregtisë se energjisë, duke përfshirë publikimin e kontratave dhe raportimin e detajuar mbi përformancen financiare dhe operacionale.
  6. Kuvendi rekomandon që Qeveria e Kosovës të marrë masa për përmirësimin e qeverisjes ne KEK, duke emëruar një bord të pavarur dhe profesionist, me qellim që të sigurohet funksionimi efikas dhe i përgjegjshëm i ndërmarrjes.
  7. Kuvendi kërkon nga Qeveria e Kosovës dhe Bordi i KEK që të raportojnë çdo tre muaj për situatën në KEK, përfshirë masat e marra për përmirësimin e menaxhimit, prokurimit dhe transparencës ne ndërmarrje.

Kjo është hera e katërt që opozita thërret seancë të jashtëzakonshme gjatë këtij muaji. Mazhoranca ka marrë pjesë vetëm në seancën e parë.


Postuar

nga